back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

A po përjashtohen arbëreshët nga i ashtuquajturi Samit i Tretë i Diasporës në Tiranë?! – nga Frank Shkreli

Gazeta

Gazetari Frank Shkreli
Gazetari Frank Shkreli

A po përjashtohen arbëreshët

nga i ashtuquajturi Samit i Tretë i Diasporës në Tiranë?!

nga Frank Shkreli

“Nuk kemi kujt t’i ankohemi.
Për marritë që kemi bërë, po bëjmë edhe do të bëjmë vetë.
Lutemi që Zoti na dhëntë durim edhe koha harrim”
-Ekrem Vlora

Samiti i Diasporës - 23 Nentor 2023
Samiti i Diasporës – 23 Nentor 2023

Është e vështirë të besohet një gjë e tillë, por siç mund të lexoni më poshtë artikullin e botuar sot në gazetën Dielli të Federatës Pan-Shqiptare VATRA në Nju Jork të autores Ornela Radovicka nga Qëndra mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe, themeluar nga Arbëreshi i madh, Antonio Bellusci në vitin 1980. “Pak ditë më parë, çuditërisht, lajmi për pjesëmarrjen masive të botës intelektuale arbëreshe u anullua. Shumë prej atyre arbëreshëve kishin prerë biletat e udhëtimit drejt Shqipërisë dhe kjo situatë e krijuar nuk ishte për faj të Qendrës, por për shkak të vendimarrjes së një organi tjetër, flitet për Akademinë e Shkencave në Tiranë”, shkruan ajo mbi këtë akt banal e të turpshëm, të një enti, sipas meje, me prirje ende bolshevike edhe më shumë se tre dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri. Ja linku i artikullit të plotë botuar në gazetën Dielli: Në kuadrin e Summit të III të Diasporës, annullohet pjesëmarrja masive e arbëreshëve! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)
Nëqoftëse pretendimet në këtë artikull të autores Radovicka nga Qendra mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe e të Madhit Antonio Bellusci, janë të vërteta, atëherë diçka s’është në regull me organizimin e të ashtuquajturit Samiti III i Diasporës që do mbahet javën që vjen në Tiranë, e që, sipas Zonjës Radovicka përjashton pjesëmarrjen e përfaqsuesve të Diasporës më të vjetër shqiptare të “gjakut të shprishur” që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Ky vendim nga Tirana zyrtare për të anulluar pjesëmarrjen e arbëreshve në Samit po me qëllim ose aksidentalisht në ditëlindjen e Poetit të madh Arbëresh, Jeronim De Radës (29 Dhjetor, 1814), “Apostulli i parë i Rilindjes sonë kombëtare”, dhe “pararafolës i ringjalljes sonë kombëtare” (Ernest Koliqi). More njerëz, a ini në vete që merrni vendime të tilla, për të anulluar pjesëmarrjen e arbëreshëve nga ky i ashtuquajtur Samit i Diasporës! A e dini se Jeronim De Rada rreth 100-vjet para Naimit e Fishtës “ka ndezur në zemrën e brezave të kaluar, zjarrin e atdhedashjes, shpresën dhe besimin në fatin e popullit shqiptar”, Ekrem Vlora). Dhe në javën e 28-Nëntorit, Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe gjithë Shqiptarëve, përfshi Arbëreshët, sidomos, diasporës Arbëreshe, kësaj “oaze rilindjeje kombëtare në diasporë”, (Mons Dr. Zef Oroshi) – të cilët gjatë historisë 5-shekullore kontribuan më shumë se çdo kush tjetër për Ditën e bardhë kombëtare të 28 Nëntorit, 1912, që festohet javën që vjen.
Po a e dini ju se sa borxhe i kanë Arbëreshve, brezat kaluar të shqiptarëve – përfshi ata sot, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe kudo që janë: arbëreshve – “gjakut të shprishur” dhe Jeronim De Radës me shokë?
Po si është e mundur që sot, më shumë se 500-vjet më vonë, pasardhësit e atyre arbëreshve që me shekuj ruajtën gjuhën e traditat, gojdhanat e kulturën – u anullohet pjesëmarrja në Samitin e Diasporës?!

Eqrem Bej Vlora (1885-1964)
Eqrem Bej Vlora (1885-1964)

“Pesqind vjet Arbërshët në tokën mikpritëse të Italisë ruajtën gjuhë e doke gojdhanore. Nji mendje skeptike mund ta pleqnonte të kotë besniki të çuditshme”, do të shkruante Ernest Koliqi, i cili mund të ketë bërë më shumë se çdo shqiptar tjetër mbi tokë për të kultivuar dhe ruajtur gjuhë e kulturë të arbëresheve për më shumë se 30 vjet sa ishte gjallë. Ai Ernest Koliqi, i cili, ashtu si edhe arbëreshët e përjashtuar sot, vazhdon të jetë i përjashtuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si anti-kombëtar e tradhëtar. Këta “akademikë”, përfaqësues të Tiranës zyrtare sot, a janë “mendje skeptikë”, apo diçka edhe më keq, që sipas Zonjës Radovicka anullojnë pjesëmarrjen e këtij brezi arbëreshësh në një takim të Diasporës shqiptare në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve pa dallim, në Tiranë. A janë të vetëdijshëm, këta që marrin vendime të tilla, ndaj borxhit që Kombi shqiptar u ka, historikisht, arbëreshve për besnikërinë e tyre shekullore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Borxhi është i madh dhe vështirë për t’u paguar duke përjashtuar brezin e sotëm të arbëreshve nga organizime kombëtare të Diasporës.
“Na Shqiptarët, që morëm në dorëzim nga De Rada amanetin e lanun Arbëreshvet prej Skanderbegut, d.m.th. pasqyrimin e Shqipërisë së lirë, duhet t’i jemi mirënjohës Poetit të Makit, por edhe vëllazënve gjuhe e gjaku, që nën qiella të huaja, atë amanet ruajtën me besniki të patrandëshme… Nëpër poezi e apostullatë të Jeronim De Radës, Arbëreshët e Italisë, kryen at vepër të mistershme shpërblimi njerëzor e kombëtar, që i Nalti Perëndi u përcaktoi atyne, kur në një stinë duhije e tmerri, lanë brigjet e Atdheut dhe mërguan në një vis të huaj, me ikona fetare e me hire shqiptare…” Kështu është shprehur Ernest Koliqi, në një editorial kushtuar De Radës, me rastin e 150-vjetorit (1964) të lindjes së tij.
Unë nuk i di arsyet e anullimit të pjesëmarrjes së arbëreshve në Samitin e Diasporës në Tiranë, javën që vjen, por e kam të vështirë të besoj një gjë të tillë. Si është e mundur?! Prandaj të gjithë duhet të kërkojmë përgjigje nga autoriteteti organizues i samitit – pyetjeve që bën në artikullin e saj Zonja Ornela Radovicka:
“Si mund të lësh jashte këtij Sumiti kërkues, autor tekstesh, studiues, hulumtues shumë nga ata individë që kanë dhënë vërtetë një kontribut kolosal mbi botën arbëreshe aq sa shpesh ia tejkalon edhe asaj istitucionale!
Si mund të flasësh për dhe mbi gjuhën e tyre e të lesh jashtë Sumitit sportellet linguistike të botës arbëreshe?!
Si mund të lësh jashtë sumitit shumë associazione, organizata, shoqëri që janë zemra, pulsi i jetës arbërore, të cilët mbledhin në gjirin e tyre botën reale arbëreshe?!
Si mund të lesh jashtë këtij sumiti, publicistë, historianë, gazetare, poetë, shkrimtarë, intelektualë, të ndershëm të botës arbëreshe?!
Si mund të lesh jashtë këtij summiti grupet artistike arbërshe, të cilët ruajnë folklorin, mbajnë gjallë etnografinë, gjuhën nëpërmjet rapsodive?!
Si mund të lini jashtë botës arbëreshe arkitekte, (me sa di unë asnjëherë nuk ka patur ndonjë projekt universitar mbi arkitekturën arbëreshe)!
Si mund të lini jashtë përfaqësues të bibliotekave të cilët janë monumente të botës arbëreshe!
Si mund të lini jashtë arbëreshë qytetarë të thjeshtë, por aktivist të dalluar të cilët mbështesin çështjen e ruajtjes së identitetit, duke ditur vështirësit që hasin çdo ditë këta arbëreshë në asimilim ashtu edhe për shkak të politikave gjeopolitike të shpopullimit?”, pyet ndër të tjera autorja e artikullit botuar të shtunën në gazetën Dielli të Nju Jorkut.

Odise Paskali - Jeronim De Rada
Odise Paskali – Jeronim De Rada

Unë për veten nuk kam ndonjë përgjigje as hamendje sepse ndodh një gjë e tillë. Por një gjë e di se ky është një vendim – jo i të huajve – por i shqiptarëve dhe askujt tjetër. Diçka që më kujton fjalët e Ekrem Vlorës, një veprimtari të çeshtjes kombëtare, i cili gjithashtu me rastin e 150-vjetorit (1964) të lindjes së De Radës. “Çdo popull duhet të paguajë tagrin e caktuar nga natyra e vet për të kaluar sëmundjet foshnjore që ia turbullojnë fillimin e një jete të re. Edhe ne po e paguajmë këtë tagrin: Herë në mundime të brendshme, herë me vështirsina që na shkakton moskuptimi i jashtëm. Nuk kemi kujt t’i ankohemi. Për marritë që kemi bërë, po bëjmë edhe do të bëjmë vetë. Lutemi që Zoti na dhëntë durim edhe koha harrim… Mos kuptimet e të huajve na kanë ndaluar ose vonuar zhvillimin e plotë të idealeve kombëtare. Dikush na ka kujdesur, dikush na ka pasur besim e dikush nuk na ka druajtur. Me dashje ose pa dashje, të gjithë na kanë dëmtuar!”
Për anullimin e pabesueshëm të pjesëmarrjes së arbëreshve në samitin e diasporës në vitin 2023 në Tiranë, me çudi dhe zhgënjim, Ekrem Vlora do të shprehej, se “Duhet të flasim haptazi, se kështu sigurisht nuk e kanë ëndërruar De Rada edhe shokët e tij zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare!” – ka shkruar Eqrem Vlora me rastin e 150-vjetorit (1964) të lindjes së Arbëreshit të njohur.
Nuk kemi kujt t’i ankohemi për marritë tona! Megjithë natyrën time prej optimisti, kur mësoj për lajme si ky, kam drojë se edhe Zoti e ka humbur durimin me marritë e shqiptarëve!
Frank Shkreli

*Jeronim de Rada; (Maqi, 29 dhjetor 1814 – 28 shkurt, 1903), ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo-arbëresh, themeluesi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Ornela Radovicka – Qëndra mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga A. Bellusci 1980. – Në kuadërin e Summit të III të Diasporës, annullohet pjesëmarrja masive e arbëreshëve! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)


17 Nëntor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.