back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Të bëri njeri… – tregim nga Muçi Xhepa

Gazeta

Çet Shyti & Muç Xhepa
Çet (Shefqet) Shyti & Muç Xhepa

Të bëri njeri…

tregim nga Muçi Xhepa

Mëngjes i ftohtë me erë kraste. Udhës për te stacioni i trenit pak njerëz lëvizin. Të mbërthyer në dok ngjyrë të murrme, si të dalë prej dheu, humbasin në rrugën pa ndriçim. Terri i një populli në agoni.
-Po e pres biletën. Tiranë.
-Jo, shko në punë.
-Do të jesh vetëm.
-Vëlla, është më mirë për të dy ne.
Shefqet Shytin e kanë thërritur në hetuesinë speciale, Tiranë. Ulemi te vendi i parë pranë derës. Vagon kinez. Rifuxhio. “Pa dallim klasor! – i thashë dikur student Shefqetit, – “Jo, jo”, – ma preu, – për të pasur nën kontroll çdo frymor!”. Në stacionin e Peqinit u ndamë. Shtrënguam duart në heshtje.

***
Kostumgriu, herë pas here, shndërrohej në ujk. Qëllimisht. E vendosnin nën mallkim, mundim… apo ujk ngaqë e kish kafshuar vampiri. Neroni.
-I dimë të tëra. Kishim instaluar TO.
I tendosur ndiqja çdo fjalë që dilte nga goja e shkumuar në anë.
-Mos u mundo t’i gjesh kuptimin, ta bëj unë të thjeshtë. Teknikë Operative. Aparat dëgjimi.
Vetëm një herë kisha vajtur te shtëpia e kolegut që mund të ishte përgjuar. Perëndia më kishte ruajtur. Gjatë qëndrimit nuk pata folur. Kosovari, i zoti i shtëpisë që do të realizonte kalimin dhe qëndrimin në Kosovë, ishte përpjekur t’më përfshinte në bisedë. Dhe, në mënyrë të pandërgjegjshme, ndërhynte kolegu tjetër. Ai që më kishte futur në ujrat e arratisjes.
-Të kemi me zë. Me figurë dëshmojnë ata të tjerët.
Hapi derën e zyrës, si për të freskuar dhomën. Në korridorin e ndriçuar fort, sytë më zunë fytyrën e një vajze të njohur. Polici e shoqëronte duke e ofenduar. Pas pak u dëgjuan të qara, thirrje. Po e rrihnin. Më kapën të dridhura të forta.
-Më thonë Fatos Trebeshina. Punët i bëj ngadalë. Me shkallë.
Sytë ju zgjatuan. Zverdhën. Vdekje.
-Do të këndosh në anglisht. E ke më të lehtë. Si thua?
-Më keni thirrur që të talleni.
I ndjeva dhëmbët të më shtrëngojnë.
-Dëgjo djalosh, ja tek i ke deponimet e të tjerëve.
Më vuri në dorë disa fletë. Të shtypura. Tregoi me gisht tek emri dhe firma.
-Lexoje.
Shkoi të mbyllë derën. U kthye. Dhëmbët jashtë.
-E njeh? Shoku yt.
Fletët m’u bënë të rënda. Lexoja dhe nuk u besoja syve. Ishin me imtësi të gjitha bisedat. Emri im përmendej si pjesëtar në grup. Të bëj ç’të dojë. S’kam për të pranuar gjë. E tërë paradita kaloi me kërcënime, sharje. Nxorri nga sirtari i tryezës pistoletë. E rrotulloi me gisht. Ndaloi te këmbëza.
-Është edhe kjo.
-E keni gabim. Unë nuk e kam pasur dhe nuk e kam ndërmend të lë vendin.
-Ngrihu! Shikon pishën në oborr! Ulu poshtë saj dhe prit sa të të thërrasin. Nëse e do jetën ndërro mendje.
Po errej, kishin kaluar orë pa fund.

Torturës psikologjike i ishte shtuar edhe shpimi i halave të pishës të ngatërruar me kaçurrelat që më ishin zbardhur. Më la të shkoj me kusht që kur të ndërroj mendje ta takoj.

Tregime - Prushi i Kujtesës
Tregime – Prushi i Kujtesës

***
Pas një viti, në të njëjtën ditë, më thërritën në Komitetin e Partisë Rrethit. Kërkuan të shoqërohesha me babanë. Në zyrën luksoze, na priste i ngrysur njëri prej sekretarëve të partisë. Bëri me dorë të uleshim në anën tjetër të tryezës.
-Dëgjo bukëshkalë, Partia të bëri njeri. Ti doje t’ia shpërbleje me arratisje.
Babai brofi në këmbë.
-Përse, çfarë ishte im bir?
-Një injorant i pashkollë do të mbetej.
-Me shkollë e bënë këto krahë.
Babai u ra krahëve. Një jetë të tërë pas timonit. Edhe bukën e merrte në gazetë dhe e hante në makinë. I prekur thellë shpërtheva.
-Ti je ulur në kolltuk që kullon gjak. Xhaxhait. Emrin e tij mbaj unë.

***
-Vëlla Muçi doja të ta tregoja. Ta shkruash. U njoha me dosjen time. E trishtë, e dhimbshme. Përbindëshat e kthyen vendin në ferr dhe njerëzit në krijesa fatkeqe. Ikin, ikin, nga këmbët koka.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.