Lirika çuditërisht të dalluara?!
nga Shefqet Dibrani
Skënderi Sherifi, “Poezi”, botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”,
Prishtinë 2008, faqe 128. ISBN 978-9951-06-205-3
Po qe pak i çmendur
S’do plakesh kurrë…
Poezia, Trusja një Titull, faqe 31.
Parafjalë
Për herë të parë poezinë e Skënder Sherifit e kam lexuar në vitin e largët 1980/1981, kur nga “Rilindja” u botua libri i tij me poezi “Lojë dhe Kundërlojë”, libër ky që u prit mirë, kurse kritika e kohës e cilësoi si ardhje të mirë.
- Skënder Shërifi, i lindur në vitin 1954, në Viti të Kosovës, sa ishte dy vjeçar, familja e tij kishte emigruar në Belgjikë, pas shkollimit të mesëm në Belgjikë, studimet i kreu në Katedrën e Gjuhës Frenge pranë Univeritetit të Kosovës në Prishtinë. Ai, qysh atë kohë kishte të botuar libër me poezi në Paris, dhe krahas poezisë merrej edhe me përkthime duke botuar në frëngjisht Panoramën e Poezisë Shqipe që botohej në Kosovë, “La solitude d’un branche”. Edhe libri “Oksygen”, në vitin 1983, është botua në Paris, por falë përkthyesit letrar dr. Ibrahim Rugova, libri i këtij poeti u botua edhe në gjuhën shqipe nga “Rilindja” në Prishtinë. Edhe libri me poezi “Oksigjeni”, për kohën ishte perlë poetike, dhe njëri nga librat më të mirë që qe botuar në Kosovë. Poeti Skënder Sherifi, (pavarësisht arritjeve të mëpastajme), vetëm me ata dy libra, do të mbetej emër i admiruar në poezinë shqipe që krijohet në Kosovë, por edhe njëri nga poetët në mërgim, më i miri dhe i paarritshëm që atëherë e gjerë më sot.
Botuesi i njohur, shkrimtari Nazmi Rrahmani, drejtues i Shtëpisë Botuese “Faik Konica” në Prishtinë, në vitin 2008, botoi një vëllim të ri me poezi nga Skënder Sherifit. Përmbledhja e re poetike “Poezi”, sajohet nga dy librat paraprak “Lojë e Kundërlojë” 1980, dhe pjesa e dytë e këtij vëllimi përbëhet nga poezitë e botuare në librin “Oksigjeni”, i botuar shqip, në vitin 1989.
Fjalë në fillim:
Përmbledhja poetike “Poezi”, ndahet në dy libra: 1”Lojë e Kundërlojë” dhe 2”Oksigjeni”.
Libri i parë përbëhet nga ciklet: “Klasike”; “Moderne”; dhe “Arti të është shqepur”, duke i paraprirë vëllimit poezia “Autoportret”, (faqe 7). Libri i dytë, është ndarw në ciklet: “Kundruall të vërtetës dhe legjendës”; “Oksigjeni”; “Prishja me logjikën”, dhe cikli “Të vdesësh së jetuari”. Jo vetëm në vitet e tetëdhjeta kur është botuar poezia e Skënder Sherifit, por edhe kur është ribotuar kjo poezi, vazhdimisht sjell risi, pasi e gjitha është e ndërtuar mbi përvojen krijuese që kishte thithur poeti nga vlerat më përparimtare evropiane të asaj kohe. Kjo poezi kaq origjinale, është e pastër dhe e ndritshme, kurse pjesa e dytë e këtij vëllimi kryesisht është me tematikë shqiptare duke e bërë poetin ndër shqiptarët edhe më të dashur dhe shumë më të admirueshëm.
Mundohem t’u qëndroj agresioneve publiciste
Midis ftohësisë së neoneve dhe kancerit të konsumit
Mbretërisë së kimisë dhe elektronikës
Mjerimit seksual dhe formave të eksploatimit
Po në atë poezi, poeti shëtit travajeve i frikësuar për vetminë në ambient urban përplot me njerëz me të cilët nuk mund të ndërtonte raporte miqësie të paktën sa për ta thyer heshtjen, sa për ta mbytur vetminë, e cila atij i ishte bërë obsesion krijues. Ai ka shprehur të pathënat që i mbante brenda në shpirt, andaj si një aktor, poeti luante rolin e tij në qytetin urban, merrte frymëzimin nga ai ambient duke i sjellur shoqërisë poezi me motive humane:
Si një aktor i ngrohur butësisht në lëvozhgën e vet
Kthehem në mbrëmje në shtëpi pas këtij spektakli
Bashkë me një buzëqeshje humane dhe gjeste të pashminkuara
Në këto travaje plot trishtim dhe mediokritet
Dhe pas një banjoje mbyllem në dhomën time
Duke u lëshuar rëndë në shtratin tim të akullt
Me një muzikë klasike që më hedh në ëndërrim
Dhe ndjej veten, vërtet,
Si një kafshë në zhdukje e sipër
Dhe pyes veten me njëfarë çudie
Përse kaq pak dashuri kaq pak të vërtetë?
Poezi, Autorportret, faqe 7.
Fjala si shqetësim:
Gjuha poetike e Skënder Sherifit, shpërthen si revoltë e cila përmes ironisë shpreh papajtueshmëri me situata e sjellje devijante të shoqërisë. Ky ligjërim poetik duket se ishte këndvështrim i rrethanave dhe jetës moderne nëpër të cilën kalonte poeti dhe natyrisht edhe i përvojës së tij krijuese, por në letërsinë bashkëkohore shqipe të asaj kohe vinte si shprehje e re artistike që konsiderohej si fenomen i rrallë poetik, ku “Në pëlcitjen e erës/ Netët vallëzojnë/ Njëzet e pesë mijë fjalë të reja/ Dëshirojnë të vendosen”, diku “Prapa perdes së dashurisë/ Plot shprehje dhe gjeste/ Njëzet e pesë mijë oqeane/ Në shkretëtirën e Emendisë”, (Poezia “Ndërmjet Fjalëve”, faqe 13)
Poeti Skënder Sherifi, është krijuar e konsoliduar si poet larg rrethit dhe shoqërisë së origjinës, gjë që kjo nuk do të thotë se ai e ka zhvilluar poezinë e tij pa rrethin dhe shoqërinë, aq më pak larg dashurisë?! “Nëpër dritaren e hapur/ Rrezet e buta të diellit/ Zgjuan lulen tënde të fshehtë/ Që buzëqeshja ime e çlironte/ Nga turpet shekullore”, (poezia, Dashuria Pasdite, faqe 17.) Së këndejmi, shpirti i poetit, ka pasë dëshirë që edhe poezia e gjeneratës së tij të ndikohej dhe të krijohej konformë mënyrës dhe qasjes tematike e motivore që kishte poezia moderne evropiane, pjesë e së cilës konsiderohej edhe vet poeti. Si të themi, ajo pispillosje e skematizmit urban, nuk i pëlqente atij, prandaj poeti shkruan: “Pispillosja jote mban sharmin e vet/ Sikur dielli i mbytur në det/ Lotët e syve të tu në faqe/ Lanë ca gjurmë të hidhura”, (poezia Imazh, faqe 18)
Ky sharm poetik kaq origjinal, mbytet në jetën urbane, ashtu sikurse për poetin që “dielli i mbytet në det”, edhe metafora e bukur e këtij vargu, bashkëjeton ndërmjet realitetit urban dhe ëndrrës idilike për ta përqafuar hënën dhe yjet të cilat nuk do t’i arrijë dot. Natyrisht si poet me rrënjë dhe origjinë tjetër, tjetërsimi dhe asimilimi i ishte bërë brengë e pakalueshme, ndoshta te poeti kanë ndikuar njohjet dhe kontaktet me emigracionet e mëdha që kishin nisur ta tundin tërë kontinentin Evropian, bile edhe më tej, prandaj temat e tillat janë obsesion themelor dhe kanë trajtim serioz e mjafttë dukshëm, ndërsa “Në uverturat e dritareve/ Shpirti im ushqehet/ Me copa dielli”, (poezia, Dekori i Zbrazëtirës, faqe 21) Poezia si e tillë, përveç revoltës, shpreh edhe kundërshti, një lloj dialogu me vetën, por që kundërshton konflikte e padrejtësi kudo ato që ndodhin:
Brenda Vetës
Një vjershë e vockël
Më ka mbetur në majën e lapsit
Sikur perlat e një gjerdani
Që zbukurojnë qafën tënde baroke
Ose sikur Zhan Dark
Që luante letra në ballë të oxhakut
Ndjenjë kjo që kishte përfshirë pasionin e tij, dhe përveç ngarendjeve për ta shpëtuar vjershën e burgosur në qenien e tij, poezia determinon ndikimin e kapitalizmit të pakontrolluar në jetën urbane të qytetarit dhe ndikimi i saj në botën krijuese të vet poetit:
Sa dëm i madh
Sa marri e hatashme
Që kjo vjershë po mbetet e burgosur
Në imagjinatën time të dobësuar
Të lutem, vjershë e dashur,
Ndiqe fatin tënd
E mos e bë punën qull
Mbasi të mungon vetëm pak
Të fluturosh në liri…
Poezia, Brenda Vetës, faqe 20
Poezia urbane e Skënder Sherifit, është e pranishme kudo, ajo artikulon preokupimin poetik si brengë dhe shqetësim, që i ka ndërthurur kudo nëpër motivet e poezisë me tematikë urbane, ky motiv është ligjërim poetik, mjafti nuancuar dhe i balancuar tejmase edhe pse poeti në shpirtndjenë ferre vetmi njëkohësisht, por duhet kuptuar se edhe personalitetet tjera me famë, në qytete të mëdha ndjehen të vetmuar, pasi metropolet dynden me të gjitha kategoritë sociale, një pjesë e tyre nuk janë lexues të pasionuar të poezisë e as adhurues të fjalës poetike, prandaj tollovia dhe indiferenca janë pasqyrë reale e jetës urbane. Këtë gjendje poeti e thyen me Fjalë Dashurie, sidomos “Kur ti je këtu duke pirë verën time/ Dhe vjetët e mia…”, dhe me fjalë dashurie edhe poetit ia shqiptojnë emrin: “Kur ti je këtu duke i rrahur krahët/ Flutur e kaltër/ Të gjitha lulet me erë të freskët/ Ta thonë emrin”, (poezia Fjalë Dashurie, faqe 27) Në këtë berihaj halucinacionesh, poeti mendon se “Po qe pak i çmendur/ S’do plakesh kurrë”, (faqe 31.)
Peizazh Vjeshte
Spërkatja e ngjyrave
Nëpër këmbësoret e vjeshtës
Këto plazhe me gjethe të vdekura
Këto kërcëllitje të hapave
Njëfarë pikëllimi
Që lidhet me sharmin e vjeshtës
Në perëndim të diellit
Një dritë e hënës së turpshme
Këto piktura impresioniste
Që po ikin pa e parë
Veten
Dhe yjet e shpresës
Që shkumojnë nëpër botë. (Faqe 26)
Fjala e shqepur malli i djegur:
“Rëndësia e orëve letrare”, është një poezi e bukur, e cila rrëfen se si “Netët e dhjetorit m’i ngrohin gishtat/ Ankthi dekadent i dallëndysheve në xhaketa/ Alkimi e lindur për fatin tonë të fundit”, shprehimisht shkrimtari dëshmon shqetësim për rrëmujën jetësore, për fatin e vetmuar të poetit për t’u ambientuar dhe për t’u integruar në shoqërinë kulturore, qoftë në Belgjikë ose edhe më tej në Kryeqytetin e Kulturës Botërore, siç është Parisi, atje ku poetit iu kanë botuar një varg librash. Por shqetësimi i pamundësisë shqiptohet shprehimisht në vargjet: “Lulet e humbura përthajnë kumtesën time/ Katedralet gotike vajtojnë nëpër lagje të varfëra/ Tregtar i pahijshëm i lumturisë së shitur”, (faqe 53), kanë identifikuar vetminë e madhe shpirtërore të cilën njeriu dhe artisti ndjehet mjafti huaj, madje duke vuajtur vajtimet që i lëshojnë Katedralet gotike, nëpër lagjet e varfëra kurse në anën tjetër tregtar të pahijshëm tregtojnë lumturinë e shitur, si fate të vulosura, tamam ashtu siç shkruan poeti: “Era e ëmbël e shiut deh trubadurët/ Djersa e akullt dhe e kripur e barinjve malësorë/ Udhëkryq i ndriçuar i fateve të vulosura”, (po aty, faqe 53)
Në anën tjetër, poeti duke u ndjerë përfundimisht i pafuqishëm për të ndryshuar botën, e shpreh shqetësimin për shembjen e mureve që shqiptohet në strofën e fundit të kësaj poezie: “Shembje e mureve shekullore të murgeshave/ Hulumtim i palodhshëm i memories historike/ Himn me kitarë i virgjëreshave të zhveshura…”, (poezia Rëndësia e orëve letrare, faqe 53)
Në poezinë “Uniteti Artistik”, ideja e materializimit artistik është ndërtuar mjaftqartë, dhe bëhet e tejdukshme sidomos për shkak të aftësisë për të strukturuar gjuhën poetike, veçmas për shprehjet figurative. “Arti të është shqepur/ Eja shpejt për ta qepur/ Me ca penj të fortë”, sepse sipas poetit gjithnjë, “Ka mjaft shumë vrima ajri/ Që bëjnë të kalojnë fryma/ Dhe acari”. E gjitha: Motivi që flet për unitetin artistik sublimohet në vargjet: “Arti i shekullit njëzet/ Reflekton ankthin e jetës/ Dhe vetminë e artistit”, (poezia Uniteti Artistik, faqe 59). Kjo poezi përmbyllet me refrenin e strofës së parë prej tre vargjes duke sjell vlerën poetike në një stad të ri, me mesazh sa universal po aq filozofik.
II.Mesfjala:
Libri i Dytë “Oksigjeni” i Skënder Sherifit, prezantuar brenda Vëllimit “Poezi”, është vazhdimësi e dramës paraprake, e realitetit të përjetuar në kohë moderne. Botëkuptimi lirik i kësaj poezie është dekoruar edhe me elementin epik si trashëgimi etnokulturore të cilën e ka bartur poeti më vete, por askush nuk e mohon se poezia e tij ishte ndikuese në lëvizjen letrare e lirike të kohës. E nëse atëherë nuk e kemi kuptuar rëndësinë e elementit kimik “Oksigjeni” se sa vlerë ka për jetën e njeriut, sidomos në kohë të Pandemisë Covid-19, do të kenë kuptuar rëndësinë e Oksigjenit për frymëmarrjen e njeriut, ashtu siç pat thithur vlerat një brez i tërë nga poezia e Skënder Sherifit e përfshirë në Librin “Oksigjeni”, që u bë model për qasje të reja. Krahasimi metaforik i kësaj lirike me elmentin kimik Oksigjen, është i qasshëm, për vet faktin e ndikimit të saj në rrjedhat e poezisë moderne shqipe që krijohej në Kosovë, si motiv ndikues në aspektin tematik të poezisë, madje duke determinuar në formësimin modern të poezisë që krijohej në Kosovë.
Oksigjeni
Oksigjeni rrallohet pas çdo hapi tim
Insektet shkopsitin memorien përtace
Kur e mendoj hijen që më shenjon me gisht
Te një azil për debilë papritur ftohem
Çuditërisht ndjek fluturimin e salanganëve
E antenat e mia i ngashënjen muzika marsiane
Herë-herë vështirë të ndihesh gjallë
Të kesh mall për vetminë se s’të mashtron
Disa herë pyet veten pse e shpreh këtë?
Asnjë fjalë për të thënë, por ta lëmë me kaq?
Kur e mendoj fëmijën e natës, mallkuar qoftë
Në këtë pyll prusian ndrit një katedrale
Mes kundërshtimeve të legalizuara, rrënja ime ku do të dalë?
Oksigjeni rrallohet pas çdo hapi tim
E ylli ndrit një kështjellë të madhe në gërmadha
Prishtinë, qershor 1980, faqe 83
Subjekti lirik i poezisë së Skënder Sherifit, determinohet nga statusi i motivit lirik, që është i kushtëzuar kryekëput sipas rregullave të caktuara. Subjekti lirik, është personazhi kryesor, ku janë ankoruar procese të ndryshme të kushtëzuara nga aspekti social i jetës urbane, i Njeriut-poet që kapërcente sfida të shumta për të mbijetuar dhe kjo bëhej duke i kushtuar vëmendje specifike lirikës së dashurisë të cilën në pjesë të madhe lidhet edhe me fatin e atdheut që po kontrollohej nga totalitarizmi komunist. “Unë jam ai poeti shqiptar/ Me shikim të çeliktë/ Me 3000 vjet histori në fytyrë”, dhe për poetin, “Fjala ime është më se e shenjtë/ Miqësinë e kam kult,/ Për besnikëri e jap jetën”, pastaj ai dëfton se “Jam martir dhe i sakrifikuar”, dhe ka bërë, “Me shekuj luftë për të mbijetuar”, prandaj si shqiptar, “Bujaria ime është festë,/ Dhe jam i gatshëm të ofroj çdo gjë/ Veç plisit të bardhë që më mbulon kokën”, (poezia Shqiptari, faqe 63) Pa dyshim, kjo poezi është njëra nga poezitë më të bukura brenda vëllimit në fjalë.
Jo vetëm nga kjo poezi, por mesazhi i tërësishëm i lirikave, ngushtësisht është i lidhur me fatin e përgjithshëm të shoqërisë nga e ka origjinën poeti, dhe kjo gjë shihet edhe në poezinë “Lajme nga Kosova”, (faqe 86-87), e cila “Duhet luftuar për të ekzistuar”, por poeti është i vetëdijshëm se liria nuk fitohet me lëmoshë, prandaj shkruan: “Unë aq pak e kuptoj shtrirjen e dorës”, prandaj është i gatshëm të sakrifikoj, madje të, “ndaj bukën me një katundar/ Që më kall datën me tre dhëmbë në gojë”, dhe konceptualisht poeti është i bindur se jeta, “S’është kopsht me lule për të gjithë, po ju them/ Të dobëtit janë të mallkuar, adios amigo”, si gjithnjë sipas tij, “Zoti është lojë e vjetër, në emër të Zotit…”, luhen të gjitha lojrat dhe bëhen tragjeditë! (shkruar në Prishtinë 1979, faqe 86-87)
Pra, lirikat e këtij libri rreken me fatin kolektiv të shoqërisë e cila bënte përpjekje për të dalë nga skëterra dhe robëria shekullore. Ky motiv dallohet edhe nëpër poezitë: “Fshatari”; “Vëllezërit Frashëri”; “Legjenda e Shekujve”; “Lulet e Gjakut”; “Pa mëshirë dhe pa pardon”; “Flash-back në vendin tim”; “Turisti shqiptar”, etj. të cilat janë vargje “çuditërisht të dalluara”?! Të kësaj natyre janë edhe shumë poezi të tjera me njohje të gjerë ku dallohet sentimenti i humanistit, i cili ndodhinë e shikon në sy, kurse synimin për jetën e shikon përpara. Motive të tilla i gjejmë brenda poezisë “Kurrë më si dikur”:
Hakmarrja derdhte vrer
Feja mbillte tmerr
Pashatë ngjyenin mjaltë
Populli vdiste në baltë
Myslimanët – turkofilë
Katolikët – italofilë
Ortodoksit thoshin grekofilë
E unë më parë kolombofil e tash sinefil
Veç nekrofilë e zoofili s’kishte
Të tjerët gjuanin gurin e fshihnin dorën
Mbushnin dhjamë kullonin syrin
Kur armiku trokiste në derë
E prisnim me nam e me bujë
E një ditë miqtë e Marksit e Leninit
I ranë vijë të kaluarës ndryshoi kampi
Që atëherë vendi eci me hapa gjiganti
Por me përbuzje ndaj jetës, një çmim pa masë
Prishtinë, prill 1980
Poezia, Kurrë më si dikur, faqe 73.
E kam theksuar edhe më parë: Poezitë e prezantuara tek Libri i Dytë, në esencën e tyre lirike kanë epiqendër atdheun e origjinës, parë nga këndvështrime të ndryshme që trajtojnë fatin e shoqërisë kundruar nënë thjerzën e ndryshimeve të mëdha globale, lëvizje të cilat vetëm poeti me prehtësinë e mendjes së ndritur i shtjellonte duke i vrojtuar ato ngjarje nga konteksti historik. Veçmas atëherë kur, “Perëndimi mbytet në luks/ Njësoj si të tjerët nga varfëria/ Derisa digjen me tona ushqime/ Që të mos zbriten çmimet”, kurse “Në Bashkimin Sovjetik je i lirë vetëm në një drejtim/ Duke mbikëqyrur respektimin e ligjit të rrugës”, prandaj me të drejtë poeti, mjafti shqetësuar dhe tejet i habitur shtronte pyetjen. “Atëherë, më thoni, zonja e zotërinj/ Ç’do të thonë në të vërtetë gjithë këto fjalë”: “Liria, Barazia, Vëllazëria” si dhe “Drejtësia, Humanizmi dhe të Drejtat e Njeriut?”, (poezia Utopia bardhë e zi, faqe 77), e shkruar në muajin korrik 1978, në Kryeqytetin e sotëm të Bashkimit Evropian. Dhe nëse poezia do të kundrohet nën prizmin e së tashmës, atëherë do të mirëkuptonim vizionin largpamës të poetit. Metafora e shprehur si ironi, shpërfaqte të gjitha mynxyrat e zymta të realitetit, duke qitur në pah anën e errët të pasqyrës dhe të epitetit “humanizëm?!”… Prandaj shumë deklerata dhe nocione për të drejtat dhe liritë e njeriut poeti i shihte me skepticizëm dhe dyshime të mëdha, pasi shumë procese dhe interpretime të nocioneve gjithnjë kamuflohen me petkun e njerëzores dhe të humanizmit.
Vargjet: “Nëse je normal /nuk je artist”, sepse “S’mund të krijosh asgjë me vlerë”, (poezia Dëgjo Artist, faqe 91), kanë portretizuar fatin e individit, poetit dhe të artistit kundrohen nga prizmi i ngarendjes për armatim, kurse në anën tjetër nocionet e humanizmit, atëherë e gjer më tash, e kanë humbur rëndësinë humane të tyre. E nëse i shikojmë ato zhvillime, (parë nga retrospektiva), poeti paska qenë tejet largpamës, prandaj ka arritur të artikuloj kaq bukur mendimin poetik.
Fjala Përmbyllëse
Pjesa e dytë e vëllimit “Poezi”, përkatësisht libri “Oksigjeni”, e përmbush përpjekjen e poetit për t’i artikuluar gjërat si duhet. Gama e motiveve është e gjerë mundësia e depërtimit është e thellë dhe e shtresëzuar. Artikulimi i fenomeneve, kaq pastër, shpreh gjenialitet dhe guxim për t’iu rrekur motiveve me imazhe jashtëzakonisht të sakta.
Pa dyshim vëllimi “Poezi”, i Skënder Sherifit, që përbëhet nga poezitë e dy librave paraprakë, ka sensibilizuar nisma të tjera! Pa dyshim motivi urban mbetej uvertyrë e bukur në vitet e Kosovës që mbytej nga re të zeza që errësonin ardhmërinë e saj, rrezikonin qenësinë dhe identitetin e shoqërisë, kurse poezia e Skënder Sherifit, në fokusin e saj, trajtonte fatin e njeriut në vorbullen e ndryshimeve urbane dhe tjetër fare!…
Shefqet Dibrani, St. Gallen, dhjetor 2023