back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Arratia natën para Kshndellave… – Fragment nga “Libri Mrì Dedja e Merrnaçajve” – Jozef Radi

Gazeta

Familja e Merrnaçajve pak kohë para arratisë (1959)
Familja e Merrnaçajve pak kohë para arratisë (1959)

Arratia natën para Kshndellave…

Fragment nga Libri Mrì Dedja e Merrnaçajve  – Jozef Radi

Asht kenë nata e 22 dhjetorit të vjetit 1959.
Dy netë para Kshndellave! Marash Merrnaçaj bash at natë mbushte 33 vjeç.
(zakonisht malsorët s’e festojnë datëlindjen, veç ditën e emnit)
Nisë prej kërcënimeve që kishin pasë n’ato kohë prej regjimit komunist
dhe rrezikut të burgut që i priste si vëllanë e tyne Nikollën,
apo edhe interrnimit të familjes, tre vllaznit Merrnaçaj,
me dy prindët shumë pleq, me dy nuse të reja e dy fëmijë foshnja,
e vendosin, të gjithë së bashku m’u arratisë, ndër malet e egra të Kelmendit,
në palcë të dimnit, tue marrë me vedi edhe 200 kokë bagëti,
në nji udhëtim që as fantazia shpesh s’mundet me e rrokë,
e që zgjati thuejse 12 orë, ku veç fati dhe Zoti i ndihmuen ata
me ia dalë gjallë kësaj historie të pabesueshme të rrëfyeme nga Mrì Merrnaçaj…
Në nderim të Marash Merrnaçajt dhe familjes së tij,
që sot në kët 22 dhjetor, ata përkujtojnë jo vetëm lindjen e atit të tyne,
po edhe 64 vjetorin e nji arratie që ndryshoi fatin dhe jetën e krejt kësaj familjeje…
Pjesa për lexim asht fragment prej librit që u botur dhe u promovue sivjet në Nju Jork!
Dritë pastë shpirti i Marash Merrnaçajt dhe pastë gjithnji kush me e kujtue veprën e tij!
j. r. – 22 dhjetor 2023

Ishte nata e fundit n’shpi tonë!
Asht kenë e vjeti 1959, 22 dhjetor. Dy netë para Kshndellave!
Pa zhurmë, me mendjen as n’qiell e as n’tokë, jena ba gati të tanë m’u nisë, tue e la shpinë me lot e trishtim. S’di si ja kem dalë me i mbledhë sendet ma të nevojshme e me marrë çka kishim ma të shtrenjtë, veç nji Zot e din.
Ishte dimën i ftoftë. Jem veshë e jem mbathë mirë, i kena mbshtjellë fmijët e jena tue pritë që burrat me dhanë urdhnin m’u nisë. Ata janë kujdesë e kanë marrë tana masat që gjithçka prej jashtë të dukej normale, e mos të krijohej as përshtypja ma e vogël e rrëmujës apo ikjes… Mbasi ushtria na ka mbajtë vazhdimisht nën kontroll. Na asht dashtë me pritë sa të kryhej ndrrimi i rojeve. Jena përpjekë mos me lanë asnji shejë, e mos me kuptue askush për at lëvizjen tonë me rob e bagti. I kena lanë kandilat edhe zjarrmin ndezë, qenin t’lidhun n’oborr e lopët e qetë n’haur.
Rroku me babën Ndue s’u kthyen at mbramje n’shpi, po na pritën me bagti në mal, kjo për punë t’ushtrisë, se mos po na vrejnë rojet e dyta kah po shkojnë. At’herë e kuptuem se burrat e shpisë kishin marrë edhe nji tjetër vendim të çmendun: me kalue kufinin at natë tue marrë me vedi bagtinë e kualt.
Dikur na kanë ba shejë m’u nisë…
Para se me dalë prej shpie, kena ba të tanë kryq e jena lutë Zotit për ndihmë, me na kalue gjallë përtej njatij rreziku që e kishim marrë n’sy…
Asht kenë natë ma e gjatë e ma e vshtirë e jetës seme. E jo vetëm e jemja!
Para se m’u nisë, shkuem të tanë te Murroja. E kena përqafue njeni mbas tjetrit qenin… Kur jam largue prej tij, kam kja si fmijë. Pavlini i vogël, shkoi edhe ai e ia përkëdheli kryet. Jena kthye të tanë, e kena kqyrë edhe nji herë shpinë edhe qenin që e grryente tokën me putra e derdhte lot si t’ishte njirì. E lamë tue kja qenin e kena hupë nëpër terr t’natës së dhjetorit…
Kurrë s’kam me e harrue njat skenë. Kadalë e me qetësi, pa e folë kërkush nji fjalë, e kena lanë shpinë e jena vu për rrugë. Ishte terr me t’i shti gishtat n’sy. Shpesh frigoheshim mos po hupshim nëpër terr. Plaku Ndue edhe Rroku na pritshin diku n’mal me bagti, që mos të krijohej zhurmë e potere rreth shpisë. Na ka prì Marashi. Ai e dinte rrugën, mbasi shpesh kishte qenë me bagëti n’buzë të kufinit. Kisha katër vjet aty e s’e dijsha kah binte ajo rrugë. Kualt e mushkat i kishim ngarkue me misër, djathë, tlynë, mazë e me mish të thatë e i kishim marrë me vedi… Dikur u bashkuem me Babën edhe Rrokun me gjithë berra. Ishin gati dyqind kokë bagti. Lopët i kena lanë n’shpi, mbasi do t’ishte e pamujtun me i qitë përtej… At natë, nana Mrikë, ka kenë pak paqejf, po s’e ka dhanë vedin e s’ka kundërshtue asgja që kanë vendosë burrat. Ka vrejtë gjithçka po ndodhte, edhe e ka pranue n’heshtje çdo vendim e veprim të tyne. Nji pjesë t’mirë rruge kena ba njashtu të kapuna dorë për dore nëpër terr, un kisha n’shpinë djepin me Nishin. S’ja kam ndie nji fjalë ankimi asaj grueje tanë asaj natë tmerri. Veç e di se fort i kanë dhimbtë në shpirt bijat që ka lanë mbas, edhe pse janë kenë të trija t’martueme. Edhe Nikolla me familje të tij i ka dhimbtë…! Çka mbet mbas janë kenë pengu i saj si nanë, n’at rrugtim të egër nëpër male t’Kelmendit…!

Familja e Marash Merrnaçaj në Mal të Zi mbas arratisë
Familja e Marash Merrnaçaj në Mal të Zi mbas arratisë

Tue ecë po e ndjejmë se rruga bahesh gjithnji e ma e vshtirë. Diku përtej mesnate ka nisë edhe bora. Marashi asht avitë tue pvetë për djalin e tue e mbajtë nanën përdore. Me zà t’ulët po na thote:
-Ma kadalë, se po na rrshqasin pleqtë e po thyjnë qafën n’terr të natës.
Pjetri mbante n’grykë, djalin e madh Pavlinin n’grykë që ishte dy vjeç. Un vetë kisha Nishin 9 muejsh!!! Ec e ec pafund si ndër prralla. As me u ndalë kund, e as po me dijtë se kah po shkojmë. Ka vazhdue ajo borë njashtu e butë e po na e bante ma të vshtirë ecjen, po ma të paktë rrezikun, mbasi forcat e kufinit kur niste bora, futeshin mbrendë…
Kena hecë nëpër terr e nëpër borë pa dijtë kurrgja n’botë se ku jena e ku po dalim. Veç Zoti i madh e ka dijtë se kah po na çon. Kur jem dalë n’nji qafë mali, ka nisë e po feksë pak dritë… duhet t’kishim ecë nja 5-6 orë, po s’ishim në gjendje me pasë nji ide se ku ishim. Veç kena vazhdue tue i dhanë gajret njeni-tjetrit, e burrat na jepshin kurajo, pse as ata vetë s’po e dijnë se çka bahet.
Zot, sa e vshirë asht kenë njajo natë…

Prindët e Marashit Ndue Ujka Mrikë Markja (arratisë natën e 22 dhjetorit 1959)
Prindët e Marashit – Ndue Ujka e Mrikë Markja (arratisë natën e 22 dhjetorit 1959)

Kur jena kenë mbi Grabom, kena ndije se poshtë nesh ushtria ka nisë me këndue. E kuptuem se kanga e tyne ishte toskënisht, e ishin jashta dere. Marashi asht ndalë e na ka thanë: “Kadalë, se mbarueme… po t’na vrejnë prej së poshtmi!”
E kena kalue me kujdes bagtinë, kanë kalue edhe kuajt e mushkat e mandej kena dalë edhe na…
Para nesh asht shfaqë nji shkamb i madh sa nji kullë dykatshe… Sa kem kalue njasaj rruge e kem dalë përtej, ka ndodhë diçka e pabesueshme. Asht çue Zoti edhe e ka shkepë krejt at shkamb sa nji hukubet, edhe e ka lshue me zhurmë e potere t’hatashme, edhe e ka përplasë në lum. Aty jem shtangë të tanë! Kem ba kryq e jena lutë… Për punë dekikash, mund ta kishim gjetë vedin nën at shkamb. E morëm si shejë e mirë.
Orët e Kelmendit, kishin vendosë me na ndihmue!
Me siguri, at potere t’frikshme e kanë ndie edhe ushtarët…
Kur ka nisë me zbardhë edhe pak, po shofim nji piramidë!! E kuptuem: hala s’kishim dalë përtej kufinit të Shqipnisë. Ka dashtë Zoti, n’at çast asht lshue mjegulla. Vërtet, s’po na shofin ushtarët, po as na s’po dijmë kah me ja mbajtë… Kem vazhdue veç përpara, nëpër nji shi t’butë e të ftoftë. Nishi ka fillue me kja e na jena tue ngrì s’ftofti… Burrat kanë hjekë do barut prej fishekve e po mundohen me na ndezë nji zjarrm, me e marrë pak vedin. Njashtu të hutuem e të mpimë e kena ba edhe nji copë rrugë…
E paska çue Zoti nji burrë prej Trieshi, ai asht ndalë e po flet me Marashin…
Kurrë s’kam me ia harrue emnin njatij burri: Tom Kol Preka quhej! Asht ndalë na ka përshndetë e po na pvetë se për kah jem nisë!
-Jena tue shkue te dajat! – po i thotë Marashi, e s’i foli tjetër. Ai e kuptoi menjiherë se jena tue u arratisë e na tha:
-Mirë, po mos e ndezni zjermin njaty. Hajdeni futuni pak ma thellë, se me ju gjetë kufitarët e Shqipnisë, o ju vrasin, o ju kthejnë!! Jeni larg për kah jeni nisë, po hajdeni ksaj ane. Ma s’pari po ju marr e po ju çoj n’shpi teme, mandej shofim e bajmë!
Burrat janë pa ndër sy e kanë folë me shifra mes vedi! Si duket u morën vesh! As ai s’i ka pvetë ma gjatë e as burrat tonë s’i kallzuen ma shumë… Njaj burrë, ma muer djepin me djalë t’vogël e njashtu vazhduem deri sa jena ndalë me ndezë nji zjerrm, me pshtue shtatin që na ishte ba dru e shpirtin që po na delte!…
Kena mbetë të grimë. Burrat kanë qitë do barut prej fishekve e janë mundue me ndezë nji grimë zjarrm. Ishim t’lagun e të ngrimë. Po kishim edhe shumë etje të tanë. Ajo natë dhjetori mos u harroftë! Na pihesh ujë e ujë s’kishte kërkund. Ndoshta prej lodhjes, ndoshta prej ankthit e frikës, mos po bijmë ndër prita e po na vrasin, ishte çue peshë etja…
-M’pritni njaty! – na tha trieshani, e ka hikë vrap. Mandej na ka thirrë e na ka futë n’nji shpellinë. Aty e kena ndezë zjarrmin e na ka thanë:
-Tash delni e kqyrni për ndoj pikë uji ndër rrasa t’gurit. Veç njaty n’e gjetshi ndoj grimë! Ndërsa jena tue u nxè, e tue e marrë pak vedin prej tmerrit t’asaj nate të ftoftë, burrat janë tue ndrrue ndoj fjalë me njeriun e parë që kishin hasë përtej kufinit e që ishte shpëtimtari jonë, po vrejmë se bagtia janë kthye mbrapsht e janë futë n’tokë t’Shqipnisë!
-Bah, – thirri Marashi… Na u kthye bagtia mbrapsht?
-Mos kij gajle bre! Shkojmë e i marrim bashkë. Vij edhe un me ty!
Janë të zorshëm trieshantë, veçse janë burra!
Baba Ndue, ishte tue e ndjekë bisedën mes tynë. Ai e ka hjekë kapicën prej kreje e po ju thotë:
-Për hatër të Zotit, mos e leni kryet për do berra… Po rrini k’tu e ndigjojeni babën. Berrat le të shkojnë ku të duen tash, që e pshtuem kryet të tanë!
-Jo, – kambnguli trieshani – shkojmë marrim e s’na gjen kurrgja!
Edhe shkuen bashkë me Marashin me marrë bagtinë. Ata janë nisë e na tue i pritë me zemër të ngrime, dersa janë ardhë! Mbasi erdh bagtia, e ne e kem marrë disi vedin prej zjerrmi, jena nisë karvan tue shkue nëpër bjeshkë të Trieshit…
Mushkat me ngarkesë e kualt me ushqime, kanë mbetë n’kufi, pse s’mujtën me kalue qafën e malin, mbasi shtigjet ishin ngushtue e s’kishte vend me kalue, bash te njajo qafë para se m’u rrzue shkambi i madh. Na janë dhimbtë boll, po kur n’lojë asht jeta e njerzve, harrohet e bahet hallall gjithçka!
Fmijtë e vogjël nisën po kjajnë e po bërtasin. Ishin ajë prej të nirthtit e lagshtinës s’asaj nate. Nishin që e kisha n’djep e Pavlinin që e mbajshim n’grykë, ishin ba si dy copa akulli. Trieshani na ka prì gjithkund përpara… Njenin fmijë me djep të nuses na e muer ai, e tjetrin e kena mbajtë me rend na tjerët. Të tanë jena vu tue ecë, njerz e bagti. Njaj djalë, që Zoti ja bekoftë ditët e jetën, na dha kurajo, si me e pasë çue Zoti me na pshtue prej deke. Njashtu kadalë e pa u ligshtue na ka çue drejt e n’shpi t’vet, në Triesh. Mandej aty, ka lajmue tanë robtë e vet, e u ka thanë:
-Përgaditnje zjarrmin e na gatueni do mish e lakna o ç’ka të ndodhet, se jam tue prue nji familje t’madhe me dhjetë vetë e me gjà të gjallë, pse kanë hikë prej Enver Hoxhe…
-Po kush janë ata?! – e paska pvetë i zoti i shpisë.
-Janë miqtë e Preloc Markut!
Mrika, ishte motra e Prelocit, që jetonte e punonte si msues n’Triesh.
Ata na kanë marrë e na kanë pritë në shpi tyne. Na kanë pritë njashtu si din me pritë shqiptari e malsori i atyne anve…

Marash Merrnaçaj dhe i biri Nik - Martir i Demokracisë
Marash Merrnaçaj dhe i biri Nik – Martir i Demokracisë

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.