back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Ëndrra me Ngjyra (fragment romani) – nga Astrit Delvina

Gazeta

Astrit Delvina - Endrra me ngjyra - Phoenix
Astrit Delvina – Endrra me ngjyra – Phoenix
Astrit Delvina si eksperimentues i sinestezisë në letërsinë shqiptare
nga Odeta Zhegu

Astrit Delvina hyn në grupin e autorëve të letërsisë që u dënuan herët e në vazhdimësi nga diktatura me asgjësim të plotë, me pengim të çdo orvatjeje për t’iu afruar penës dhe me harrim. Me gjithë këto përpjekje të persekutorëve të tij, ky autor arriti të mbijetojë, ose, më mirë, arriti të mbijetojë vepra e tij, ndonëse pas vdekjes. Kjo mbijetesë i solli letërsisë shqiptare, bashkë me emrin e një autori të munguar, edhe lajmin e mirë se ky autor i kishte sjellë asaj një frymë të re të lirë dhe një stil të ri modern. Delvina është shkrimtari që ka përdorur me shumë sukses për herë të parë në letërsinë shqiptare rrëfimin përmes ngjyrave, sinestezinë, ka përdorur daljen nga koha dhe përmasat e tjera, të gjitha në funksion të rritjes së hapësirës së tij artistike, ka përdorur në tri vepra të tij, tri forma rrëfimi të ndryshme, duke eksperimentuar romanin sinestetik, romanin filozofik dhe psikanalitik, por edhe prozën simbolike, dhe e gjithë kjo meriton të vlerësohet si kontribut avangardist në letërsinë shqiptare.

Astrit Delvina (1920-1990)
Astrit Delvina (1920-1990)

Ëndrra me Ngjyra (fragment romani)

nga Astrit Delvina

E kuqja

Kur e dashurova ishte veshur me një fustan të kuq. Të kuqe i kishte dhe buzët mishtake. Nuk lyhej kurrë.
Lulëkuqja, koralet ma kujtonin shpesh. Shoqërim idesh. Planeti i kuq, Marsi i egër, ma sillte ndërmend gjaku… ma binte përpara syve. Erdhi me një fustan të kuq. Dhe iku me rroba të zeza. Një ditë pashke plot vezë të kuqe. Nuk e di nga erdhi. Nuk e di ku shkoi. Nuk e di nëse do të kthehet ndonjëherë. Erdhi me përdredhjet e një zvarraniku dhe iku me furinë e një demi.
Pse demat e urrejnë ngjyrën e kuqe? Po sikur të ishte i tërë qielli i kuq, a do ta pëlqenim më shumë qiellin e kaltërt?
Pirati i kuq! Lëkurëkuqët!
E kuqja më ka pëlqyer e s’më ka pëlqyer. Një dhomë me mure të kuq do të më peshonte shumë. Thonë shkencëtarët se e kuqja ka qindra nuanca. Çiklaminë, trëndafili, e kuqe ngjyrë gjaku etj.
Rubini i kuq. Gur i çmuar.
Rubini që të pëlqente aq shumë ty, o fustankuqe! Një kordele çiklaminë në mes të flokëve. Re të kuqe në perëndim. Duken sikur i ka ndezur dielli me ëndrrat e tij. Hënë e kuqe si një petale e skuqur më zjarrin e skëterrës. Zjarr! Flakë të kuqe! Sy të kuq të sarhoshëve dhe të vrasësve që dalin nga cepat e errta të natës!
Djersë e kuqe e histerikëve: coude kind of saimer!
Borë e kuqe – vullkanike.
Ngjyra e parë e spektrit diellor. Përtej, infra të kuqet, që nuk i shohim. Ç’ngjyrë kanë vallë ato? Kam ndejtur me ditë e netë të tëra për të imagjinuar ngjyrën e valëve infra të kuqe. Më kot. Nihil in intell ectu, quid prius non fuorit in senior?
Kufizim i shqisave tona.
“E kuqja dhe e zeza”, romani i Stendalit, që të pëlqente aq shumë ty. Të kujtohet? Unë të dukesha si Zhylien Soreli. Sa të doja atëherë!
Ne dashurojmë gjithmonë një fantazëm. Brenda teje jetonte një shtrigë. Më mirë të të veshja me rroba të çmuara se sa me poezi. Me atë fustan të kuq më dukeshe sikur ishe pështjellë prej flakësh. Flokë të kuqe rreth një statuje të akullt. Sa bukur më gënjeje. Më gënjeje me vetë poezinë me të cilën të kisha veshur. Poezia është petku më i çmuar i dashurisë që e ngre femrën në fronin e Madonës! Nuk e di: A janë vallë poetët që kanë krijuar dashurinë e madhe apo është dashuria që ka krijuar poetët?
Deti i kuq! Moisiu, Josifi dhe gruaja e Putifarit! Deti i kuq dhe romani “Djujmi i fundit” i Olldrixhit. Sa të pëlqente romani “Dipllomati”. Ketrini me të dashurin në shkretëtirën e Iranit. Natën ai i pëshpërit poezitë e ëmbla të Hazif Shirazit.
“Kur dëgjoj lirikat e Shirazit, – më thoje, – më duket sikur më shtohen rruazat e kuqe të gjakut, një jetë e re futet në shpirtin tim”.
Shpirti yt? Shpirti yt, i fshehur nga një trup i bukur! Trupi i bukur, i fshehur nga një fustan i kuq! “Byzylyku me gurë të kuq”. Të pëlqente dhe kjo novelë e Kuprinit. Një dashuri e madhe! Të pëlqenin filmat, qaje për fatin e zi të protagonistëve dhe shtrëngoheshe pas meje si të kishe frikë se mos treteshe ndër duar! Dhe unë isha i lumtur. I gënjyer, por i lumtur. Dhe e doja shumë atë ngjyrën e fustanit tënd! Tani e kuqja më çmend, më bën të më kalojnë mornica në zemër. Feneri i kuq! Sy qikllopi që të josh për t’u kredhur në përkëdheljet e blerta. Sinjali i kuq. Makinat ndalojnë. Efekti Doppler. Shpejtësia e madhe, një dritë të kuqe e kthen në të gjelbër. Po të vija drejt teje me shpejtësi fotonike, ti do më dilje përpara e veshur me të gjelbër. Me çfarë shpejtësie duhet të sulem drejt teje që të më dukesh e mirë dhe e dashur si më parë?
Vera e kuqe. Çmendeshe pas kësaj pije. Me një gotë bëheshe gjysmë e dehur. Çakërqejf. Harroje çdo qëndrim serioz. Nderi i grave është shumë i tretshëm në alkool, mendoja unë pak i frikësuar. Nganjëherë më dukeshe sikur do të bije në krahët e cilitdo qoftë, pasi të pije dy gota verë. Pastaj të dhimbte koka, rrije si e trullosur dhe bije në një gjumë të thellë.
Rouge-noire. E kuqja fiton. Montekarlo. Kazino. Vendi i kumarit ndërkombëtar. Hyn i varfër e del milioner. Ose anasjelltas. Unë hyra në shpirtin tënd i pasur dhe dola i varfër. I mjerë. M’i gllabërove ëndërrimet. Po shpirti im fabrikon të reja si banka që nxjerr kartmonedha të reja fringo! Ti më braktise kur unë rashë në humnerë. Vrave një shpirt që dashuronte shumë. Ti s’kishe nevojë për një dashuri të madhe si në të tjera të seksit tënd. Dhe unë tani kam vetëm epsh, epsh e asgjë tjetër. Bashkëjetesa me një femër më është e pamundur. Fustani yt i kuq, ëndrrat e mia të kaltërta, syri yt i zi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.