back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Miku – tregim nga Ernest Koliqi (Hija e Maleve)

Gazeta

Fishta - Asdreni - Koliqi - Lasgushi
Fishta – Asdreni – Koliqi – Lasgushi

Miku

tregim nga Ernest Koliqi

(Hija e Maleve 1929)

Në pikë të zhegut, sekretari i krahinaris ia behi në kal para kullës së Uc Lleshit e vikati prej së poshtmi:
-Zoti toger! O zoti toger!
Uc Lleshi doli në krye të shkallës tue përgjegjë:
-Ç’a zani?
Mandej, si njohti njerin, mori m’u ulë tue i bzajtë mikut:
-Hajde, byrum.
-Jo, jo, s’po rri – ia priti tjetri maje kalit – por kemi marrë një urdhën prej Shkodret e erdha me ta kallzue. Ka ikë mbrâmë nji gazetar prej andej, nji asi shkollarësh që shkruejnë kundra qeverisë e duket se âsht nisë me kapërcye kufinin këndej kah ana jonë. Qeverria e kërkon kët njeri. Duhet, pra, të vésh rojë gjithkah për mos me lânë me kalue kurrsesi.
Uc Lleshi u mêndue pak, e mandej bâni:
-More, a e dini mirë që s’ka dalë prej deri tash?
-E si ka pasë me e kapë kufinin në nji natë? Ai mbrâmë, thashë, ka dalë prej Shkodret e ditën, pa e pasë kryet çelikut, s’ka guxue sakt me udhëtue!
-Atëherë veç ne fluturoftë për hava se në ectë për tokë, i gjallë kufinin këtej pari ai s’po ta kapërcen. Po ti ndalu e pije nji kafe.
-S’mundem, zoti toger: më pret krahinari. Do të dalim edhe na me e ndjekë t’ikunin. Lamtumirë.
-Udhambarë; e m’i thuej krahinarit që mos te bari hiç kasavet për sa i përket punës seme këtu.
Dhe me dorë diftoi rrethin e kufinit të afërm.

Koliqi - Hija e Maleve
Koliqi – Hija e Maleve

***
Sa u nis sekretari i krahinarisë, Uci i tha Mirashit, të nipit:
-Shko shpejt e m’i mblidh gjendarmët e m’i ço këtu sa ma parë. Tue kalue kah prozhmi, lëshoi zâ Dodës edhe Nikollës e thueji të lanë punën e të ngasin te vetë. Hajd, shpejto!
Djaloshi fluturoi e Uci i lypi së shoqes uniformën, që vishte vetëm kur u thirrte në ndonji shërbim si ky; përndryshe hante q’at gjymsë rroge në shtëpi si oficer rezervë e kqyrte punët e veta. U vesh, mbathi opangat, ngjeshi armët, zdrypi poshtë n’oborr me pritë njerëzit.
Burrë i shkurtë, me shpatulla të gjana e të fuqishme, kâmbët pak si të lakueme, Uc Lleshi, megjithë që flokët s’i kishte fort të thinjun, diftonte së paku pesdhetë vjet të plotë. Por vizat energjike të fytyrës së djegun prej diellit e sytë si xhixha diftonin edhe se, për shpejti e guxim, nuk ia linte dalë një të riut. Njeri me influence n’at pjesë të Malësisë ku banonte, kishte pasë prej qeverrisë grada e shpërblime për me përfshi forcën e madhe të tij, që përndryshe mund t’ishte e dâmshme, në makinën e Shtetit. E nuk kishte qênë masë administrative e gabueme, kjo, për atë kohë, pse qyshse Uci veshi uniformën, s’guxonte komitë ma me u endë n’ato ana edhe urdhnat e qeverris u zbatojshin ma së miri. S’kish nën komandë gjendarmë të rregullt, por njerëz besnikë që i mblidhte në rasë te nevojës. Këta ishin gjendarmët e tij. Gjind që shkonin e u vritshin mbas tij, pa kurrfarë shpërblimi, veç për hatër që i kishin, e për nderna të vogla që atij i takonte me u bâmë në shehër e në mal. Edhe atë ditë, porsa u vojt lajmi, ia mbërrine fluturim n’oborr të kullës, të armatosun mà së forti.
Uci u diftoi çashtjen gjithsesi e mbaroi tue thânë:
-E kena do punë, burra. Ka me na takue ndoshta me ndejë dy-tri net pa fjetë. Duhet me hapë mirë sy e veshë e mos me lânë as mizën me fluturue.
Kurrkush ma mirë se ai nuk i njihte shtigjet e ndryshme që qesin në kufi, pse kishte pasë shpesh herë nevojë për to në rasa të kritikshme të mâparshme. Nga dy e dy i drejtoi njerzit ndër vende ku i lypte nevoja e, si u nisne të gjithë, u tha të bijve, Dodës e Nikollës:
-Ngjeshni armët dhe ejani me mue. Ti, Marash, rri në shtëpi.
E u ul me dy djemtë teposhtë.
Ecën pa folë. Doda e Nikolla, i pari shkurtalak si i ati dhe i dyti me një trup vigâni, nuk guxojshin me çelë gojë pa qênë të pyetun. Uci e kishte zakon, udhës, të mêndonte shumë e të fliste pak. Të bijtë e dijshin që çdo méndim i tet ishte për nder e lumni të konakut.
“Feja kish me kênë me e hetue e me e zânë kët dreq shkollarit. Kishem m’e e sjellë unë vetë në Shkodër, me e dorëzue atje edhe me thânë açik në hyqymet që i ka ardhë koha me m’bâ kapidan. Në më daltë me e krye kët shërbim si duhet, kam të drejtë me e çelë gojën…
Këto mêndime e bane Uc Lleshin në qef. Punët i shkojshin gjithmonë mbarë, prandej kur i ngulej mêndja në nji send ishte gati i sigurtë se, me pak sabër e marifet, do t’i dilte në krye. Ishte njeri me orë. Vetëm nji gjâ nuk i eci deri në ato ditë e kjo, për tê, ishte plagë e pambyllun që ia brênte zêmrën ditë e natë. Vjetin para, shtëpia e Gjokë Vatës kishte vra të vllanë, t’anë e Mirashit, e me gjithë të orvatunit e të përpjekunit e tij e të mashkujve të shpisë ende s’kish kênë i zoti me ia marrë gjakun. Por s’ishte për t’u çuditë: shtëpia Gjokë Vatës, e rivalit të përhershëm të Ucit në atë krahinë, ishte e fortë, edhe ajo me rreth të madh, e gjint e saj nuk mund të vriteshin udobisht.
Kishin ecë ma se një ori nëpër teposhtë të malit, kur Uc Lleshi u ndal dhe u tha të bijve:
-Ju të dyve po ju le rojë këtu, te Shtegu i Barijve. Jam i sigurt se malsorët që e përciellin at Shkodranin, kanë m’e keshillue me dalë nëpër kët grykë. A si më njan’ane e mendojnë se e gjéjnë të lirshme. Ju, po patët se si, kapnie, n’ardhtë këtu pari; përndryshej gjallë, mos e lêni me kalue…
E Uci u kthye, vetëm. Iu ngjit prap malit, në nji shej vêndi ndrroi rrugë e vojt me bâ kontroll nji nga nji rojet e vumë nëpër shtigje, gjatë kufinit.
Kur mbërrini, lodhë e këputë, në oborr të kullës së vet, po errej.

Hija e Maleve - Botim i I - 1929Hija e Maleve - Botim i I - 1929
Hija e Maleve – Botim i I – 1929 (arkiv b. çoba)

***
Tue u ngjitë nalt vêndoi me ngranë shpejt e shpejt, me pushue sa grima, me marrë Mirashin me vete e me dalë në roje gjithë natën. Mund e hetonin kund të arratisunin dhe, tue e ndjekë mjerisht, mund e futshin si në kurth në ndonji shteg të zanun prej njerëzve të tij. E aty me e kapë me dorë.
Në çardak, rrahi qerpikët, i çuditun. Kishte pa dritë në odën e miqve e dy pushkë varë në krraba.
N’at çast doli grueja prej odës së zjarrit e lajmueme nga zhurma e hapave për ardhje të tij.
– Kush âsht n’odë të miqve? – e pyeti ai.
-Gjokë Vata…
-Kush? – përsëriti pyetjen me zâ të plasun.
-Gjokë Vata me nji shkodran.
Uci u pré. Përqethje të ftofta ia mbuluen shtatin.
Gjaksi i vllaut në shtëpi të tij!? A ishte ândërr a zhgjândërr?
Përmblodh krejt forcat e vullnetit e u shkund. Vari pushkën e vet bri tjerave dhe u mundue me u kthiellë në fytyrë.
Hyni. Miqt po rrinin me Mirashin.
-Mbrâmja e mirë, burra, e mirë se u ka pru Zoti!
Ata u çuen në kâmbë. Uci u mor grykë ma parë me Gjokë Vatën, që ish moshatar i tij, por ma i gjallë e me mustaqe që i shkonin dredha-dredha deri në veshë, e mandej me Shkodranin. Ky dukej shumë i ri, ishte pak si i thinjun dhe i zbehtë në fytyrë, veshë allafranga.
Ndêjen. Uci qiti kutinë e duhanit e u bâni cigare. Pyeti gjint e vet:
-A keni pru kafe?
-Kemi pi, kemi pi – tha Gjokë Vata.
-Bini edhe ka nji tjetër! – porositi Uci.
Për do kohë ngelën në heshtje.
Ucit i pikonte gjak plaga që kish të pambyllme në zemër. Gjaksin, qi kërkoi kot nji vjetë rresht nëpër vetmitë e bjeshkëve për t’i ra pushkë lules së ballit, qe, e kishte përpara. E zakoni e detyronte me e pritë e me bisedue me tê si me ma të shtrêjtin dashamirë, mbasi i kishte ra mik te shpia! Por idhnimin e përmbrendshëm mbas pak kohe e kapërceu kureshta. Po pse, vallë, Gjoka bâni at hap mjaft të vështirë edhe për të? Tue shikue Shkodranin, Ucit diçka i shkoi nëpër mend si vetima, por s’desht me e përtypë gjatë at mendim që e pezmatonte për së tepërmi. Ndau me iu shtrue së keqes që i kish takue, pa stërhollime të kota mêndje.
Mbasi, qysh në të hyme, menjiherë kish vu re se miqt mbânin gjithnji të ngjeshun rrypat e fishekëve dhe armët e brezit, si u pi kafja e dytë, u soll prej tyne e tha:
-Lironju, burra!
Gjokë Vata hoq alltinë me dorsë argjendi edhe rrypin ia dha Mirashit. Ashtu bâni edhe Shkodrani.
-Mirash, bjerna rakinë.
Në raki, të dy malsorët rivala, biseduen mbi gjithfarë punësh tue u ndêjë larg, me hollësinë e zakonshme të tyne, çâshtjeve që mund ia prishnin qejfin, njânit ase tjetrit. Atij që i shifte të ndêjun kundruell shoqi-shoqit, tue pi duhan e tue shprazë gota rakie, kurrë nuk mund t’i shkonte mêndja që të nesërmen, me pasë për t’u ndeshë kund, ata dy burra do t’i mëshonin pushkë hekuri pa mëshirë njâni-tjetrit. Shkodrani dukej ne kasavet; s’çelte gojë veçse me iu përgjegje urimeve që iu bâjshin në pije. Uci e Gjoka kuvênduen mjaft, pa u shikue gati kurrë ndër sy.
Q’atje vonë, mbasi kishin rrokullue nji numër bukur të madh gotassh, Gjokë Vata çoi të veten dhe iu soll Shkodranit:
-Për të mirë, zotni, po ta fali edhe unë nji gotë. Hiç s’ke pse rri në méndim tash qe gjinde n’dorë Uc Lleshit.
-Priç të mirë, Gjokë Vata, – ia priti ai tue u zgjue prej gjumit. – Po më kânda me ndëgjue kuvêndin tuej, se sa për méndime më kanë lodhë vetëm deri sa mujta me mbrri te dera jote e n’kët shtëpi.
Uc Lleshi kuptoi e uli kryet. S’kishte ma pikë dyshimi: Shkodrani që i kish pru Gjokë Vata në derë s’ishte tjetër veç vetë gazetari i arratisun, njeriu për të cilin ai kishte dyndë të tânë gjinden e vet me zânë ane e kând shtigjet e kufinit.
-Méndime gjithhfarësh ia dogjën trutë si flaka e rrufesë.
“I mêndshëm ky Gjoka, he shitofta Zâna! Mirë mjaft ka mujtë me e gjetë mënyrën si me e shpëtue mikun shkodran edhe ndryshe. Por âsht i hollë… e ka mêndue se vêhej në rrezik me e ndjekë unë, jo ma vetëm si gjakës që e kam, por edhe e kam, por edhe si fajtor përpara qeverisë. E kishem fikë me gjâ e me shtëpi! Por i ka dalë punës para…”.
Shqipnia ka zakone te çuditshme. Shtëpija e Uc Lleshit s’kishte njoftë kurrë kori. Kushdo që e kish mësy, kish qenë i sigurtë se gëzon proje deri në fikjen e në rrënimin e plotë të saj. Nderi i shtëpisë e zakonet e véndit rrinin për Ucin përmbi çdo interes, përmbi çdo urdhën qeverie e përmbi çdo ndiesi e arsye tjetër. Prandaj fshâni e tha me vete: “E pat, kjo!” edhe tue u sjellë prej Gjokë Vatës, përgjegji:
-Çka kjoftë, lum Gjoka, e hejrit kjoftë… për këtë mik që as emnin s’po ia dij…
-Shefqet Kadia, – ia priti vetë Shkodrani, tue iu këputë fjalën për gjysëm.
-Kjofsh shëndosh!… Ndij, si kjeshë tue thânë, çka kjoftë e hejrit, kjoftë për këtë zotni. Sa për mue, nuk do të kursehem me ia la borxhin që na kanë lânë të parët për mikun. Mandej, fundi le të dale ku të dalë!
Mbas këtyne fjalëve u shtrue sofra. Para se me kapë bukën në dorë, Gjokë Vata, mbasi kishte mbërri me e pru bisedën atje ku i duhej, tha:
-Zoti të rritë oxhakun, Uc Lleshi!
E tue e shikue për të parën herë drejt ndër sy, vijoi:
-Ky zotnia kurr ma ngusht se sot nuk na âsht gjetë në jetë të vet. Qeverria e kërkon, e me bâ me e zânë… vaj halli i tij! Ma ka mësy shtëpinë e m’ka ra në besë. Unë t’a kam pru me ma marrë me ndore e me ma qitë shëndoshë andej kufinit, pse e di mirë që, pa ndihmën tânde, kufinin, në kët anën tonë, s’ka burrë që e kalon.
Uci, me sa flitte Gjoka, e kish véndue punën e vet. Përgjegji, tue e përpjekë edhe ai shikimin me atë të rivalit:
-Unë, për kët zotninë, do të bâj çka të më vijë për ndore. Por një herë po hamë e mandej do të méndojmë.
Hangrën.
Vonë e vonë mbasdarke, i zoti i shtëpisë u ngrit tue thanë:
-Burra, erdh koha m’e bâ nji punë.
U çuen të gjithe, ngjeshën armët, u përfalën me gra e duelën.
Gjokë Vata ia bâni t’u dera e oborrit:
-Të ardhshim për të mirë, Uc Lleshi. Unë po çaj kah shtëpia. S’âsht nevoja të vij me ju. Zoti të rrittë jetën për çka po i ban këtij zotnisë.
Uci ia ktheu:
-Kjosh me jetë e e mira të gjettë, por ti vetëm nuk po shkon. Mirash, përcille!
U përqafosën të gjithë. Gjokë Vata humbi në terr, i përciellun prej të birit të atij që kishte vra nji vjet para.
Nata ishte e freskët, plot me hyj e pa hânë. Agimi s’do t’ishte larg.
Shkodrani shkoi nëpër errësi, i udhëhequn prej Ucit që ndërronte hapat nëpër udhë tânë gurë me siguri të çuditëshme. Mbas nji ore që po i binin teposhtës së malit, u ndaluen ke nji shteg i ngushtë. Hynë në nji grykë prej kah shifej vetëm nji rriskë qiell e qëndisun me ar të hyjve. Diku, në nji vend, Uci lëshoi nji thirrje:
– Dodë! Nikollë!
Prej territ, nga fundi ii grykës, erdh përgjegja:
-Ç’a zani?
-Unë jam: Uci; po ju, me kë jeni?
-Vetëm jena.
Dy djemtë, si u afruen, hapën sytë tue panë Shkodranin, por nuk bânë zâ.
Ulën kryet dhe u vunë mbas tet.
Kur duelën nga gryka, që ishte mjaft e gjatë, qielli po qartësohej prej lindjes. Përpara tyne rridhte një prrue, me vargje të gjata shelqesh nëpër brigje. Ndriçimet e para t’agimit nisën me u dridhë mbi ujë që gurgullonte.
Uci tha:
-Tashti je i shpëtuem, lum zotnia. Përtej prronit âsht toka e huej. Kam mêndue se prej kësaj gryke do të delshem kapidan, e shumë drue se këtu mbrêndë do të lâ ndoshta edhe togerllëkun. Por, ani, s’ka gajle: pa besë e pa miq s’ka ç’ka na duhet as jeta në këto malet tona. Udhambarë!
-Paç të mbarë e zoti të ruejttë, Uc Lleshi, – bâni gazetari. -Këtë nder s’kam për ta harrue se të jemë.
U përqafosen të gjithë, nji nga nji, me tê.
Ai zdeshi këpucë e çarapë e kapërceu prronin.
Marrë nga (Hija e maleve – Vepra e plotë – 2 fq.90-98)

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Për mue tregimi rrjedh natyrshëm, se asht shkrue nga mjeshtri i tregimit e novelës moderne, por nuk më duket fort i përshtatshëm fundi, sepse, për mue, Uc Lleshi ishte n’shërbim të qeverisë, ku kishte fitue grada e mendonte me u gradue tuj i shërbye qeverisë “me nder”, po pranoi me i përbuzë gradat vetëm me ruejtë traditën shqiptare të mospremjes së “mikut”, shkollarit shkodran. Për mue nuk ka ba mirë, se shteti e shpërblente e me kët veprim Uci i “han bukën e përmbysë kupën”. Asht në përgjithësi nji dukuni e tillë te shqiptarët: “Hajt, more se e shtetit asht… Shteti e deti kanë boll e s’u mbarohet kurrë!”, prandaj vidhni n’shtet, se asht i gjithkujt e i kërkujt. Tregimi ka vlera njohëse, por jo edukuese, për punojsin e shtetit sot e mot.
    Sikur shkollari t’ishte dorzue te Qeveria, ndoshta ia kishin falë jetën. Qëndrimi kah gjaksori e përcjellja që i ban i biri i Ucit, Gjokë Vatës, asht krejt pjesë e burrnisë e trashigimisë shqiptare të malcorit.
    Kam pasë lexue nji tregim nga Terenc Toçi, nga përmbledhja, “Shqipja Arbnore” që titullohej, “Besa e Flamuri” ku Valija i Shkodrës i fal jetën rojes së burgut dhe të dënuemit me varje, se i dënuemi kishte marrë leje për nji natë, para se të varej, e u kthye n’kala bash kur Valia po ndiqte varjen e nji fajtori tjetër dhe rojes që i kishte dhanë leje të dënuemit nji natë para. Për fjalën e mbajtun nga i dënuemi që u paraqit n’orar për me u vjerrë, Valia ua fali jetën të dyve, rojes e mbajtësit të fjalës.

  2. Sa zakone të bukura që trashegojmë nga të parët… Shumë interesant ishte bashkëbisedimi midis dy gjaksave… Edhe përcjellja e nipit, Mirashit gjaksi i babait të vrarë para një viti…

  3. “Po ani s’ka gja, pa besë e pa miq s’ka çna duhet jeta…”
    Një thënie shumë e bukur dhe domethënëse për karakterin e shqiptarit. Tregim shumë i bukur, edhe si subjekt edhe si përshkrim artistik!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.