22 janari i Nik Merrnaçajt
shënim përkujtimor nga Jozef Radi
Në ballë të shpisë së Marash Merrnaçajt në Yonkers, ku familja e tij jeton prej ma shumë se 50 vitesh, të shfaqet oxhaku klasik, i cili edhe pse e ka hupë at funksionin e vërtetë të kërcujve, zjarrmit e prushit, ruen përmes dritës dhe flakës së qirijve të trashë, për të cilët kujdeset përditë Mrija, gjithë kujtimet e lashta e të reja; për krejt festat fetare në nderim të shejtorëve, e në kujtim të familjarëve që s’janë ma e pushojnë në paqen e amshueme; për ditë përkujtimore, po edhe për udhëtimet e ndryshme të fëmijve apo t’afërmve të saj ata rrijnë ndezë së bashku me lutjet e saj…
Njashtu e javashtë dhe e kujdesshme, Mrija e ndez vazhdimisht nji qiri, shoqnue me lutje dhe shejën e kryqit, ndaj çdonjenit që asht në rrethin e saj shpirtëror, tue ia dëshirue të mirën, e mbarësi n’udhëtimet e largëta apo në hallet e përditshme të jetës…
Veçse qirinjtë e janarit në shpi të Merrnaçajve, janë pjesa ma e trishtë e nji jete të vuejtun e të sakrifikueme, e që sot, ndër flakë luhatëse qirijsh përcjellin jo veç dhimbjen e thellë po edhe njat përkushtim të hershëm e t’përhershëm të kësaj grueje të rrallë, që krejt keqja e pësueme prej njatyne që kanë shkue n’amshim, t’ju shërbejë si dritë në jetën e tjerëve që kanë mbetë, e që pa u ndalë rtrtopaten e luftojnë për nji jetë ma të mirë, ma të drejtë e ma dinjitoze…
***
Por, janari mbetet tashma, nji muaj i trishtë për Merrnaçajt!
Ata kallzojnë se në janar ka ndodhe arrestimi i parë i Nikollës, po edhe arrestimi i dytë i tij, bash me 20 janar ka ndodhë. Janar ka qenë, edhe kur Nikolla asht lirue prej burgut të parë, e s’e lanë m’u kthye te kulla e braktisun e Merrnaçajve në Pshtan, po s’bashku me grue e vajzë të vogël e morën edhe e degdisën baltnave të Myzeqesë… Edhe prej burgut të dytë, me 20 janar 1989, Nikolla vërtet u lirue, po s’mujti me qindrue as 24 orë në shpì të vet, pse bishat e diktaturës, në burgun e Përparimit në Sarandë, e kishin katandisë në gradë të fundit.
Me 20 janar të 1990, nisën edhe protestat e Shqiptarëve, para godinës së OKB, në New York, e ku në ballë të tyne printe me flamurin pa yll, nji djalosh kelmendas 30 vjeçar, Nik Merrnaçaj. Ai s’bashku me miq e shok të vet antikomunista, do ta vazhdonte protestën edhe në Detroit, me 21 janar 1990, por të nesërmen tue u kthye prej proteste n’nji ditë t’acartë e t’akullt dimni do të gjente vdekjen, n’lule të moshës n’nji aksident të organizuem…
Prandej Janari, zemra e dimnit, në familjen e Merrnaçajve rikthen plot kujtime e dhimbje, prandej qirijtë e ndezun të Mrise, e mbushin oxhakun me dritë lutjesh e lot të trishtë dhimbjesh… Si familje tradicionale ata s’harrojnë asgja, në të mirë e në të keq… por humbja e Nik Merrnaçajt, në moshën ma të mirë, edhe shpirti i tij rebel e protestues kundra krimeve të diktaturës, edhe sot, me 22 janar 2024, në të 34 vjetor të largimit mbetet nji gjurmë të pashlyeshme në krejt shpirtnat e tyne… e në veçanti të zojës Mrì!
***
Akti i sakrifikimit te Nik Merrnaçajt, n’emën të lirisë dhe shpresës për nji jetë ma të drejte, ndërkohë që era e ndryshimeve kishte përfshi mbarë botën, mbetet nji prej shembujve ma kuptimplotë, ku liria kërkonte heronjtë e saj, po edhe heronjtë ishin të gatshëm m’u sakrifikue n’emën të saj
Sot, askush edhe asgja s’e mbush boshllëkun shpirtnor në zemrën e nji nane e nji familje, humbjen e atij djali 9 muejsh, që e ama e mbajti me djep mbi shpinë, në natën e gjatë të arratisë, në funddhjetor të vjetit 1959. E kishte mbajtë me shpirt të ngrimë, pse në çdo hap që hidhshin i ndiqte vdekja: O prej pushkëve të kufitarëve, o prej honeve të maleve, o prej territ të thellë të natës së dimnit.
Prandej edhe lotët e Mrìsë, tash e 34 vjet, vazhdojnë me rrjedhë… pse bishat s’u ngopën kurrë me gjakun e saj!
Po forca e dashnisë së saj, e ringjall përditë Nik Merrnaçajn, dhe ai portreti i tij i buzqeshun lehtë, që i rrin vazhdimisht mbi krye në gjitha ditët e saj dhe kujtimi i tij, asht në krejt lutjet e në mirsinë e saj të pakufi…
***
Nik Merrnaçaj asht sot e gjithmonë nji figurë e nderueme!
E nderon familja e tij, si bashin e djalit!
E nderon Amerika, e ka caktue nji ditë përkujtimore, në nderim të rinisë dhe veprës së tij sublime.
E ka nderue edhe shteti Shqiptar, me titullin e naltë “Martir i Demokracisë”!
E ka nderue edhe Kelmendi emnin e Tij, në të vetmen shkollë të mesme, ate në Tamare!
E nderon komuniteti shqiptar në Amerikë e në Shqipni e kanë thure edhe kangë për të…
Po mbi të gjithë e nderon me dhimbë të thellë nana e tij, Mrì Dedja e Merrnaçajve, qe e ka ndër sy portretin e tij, e ndër buzë nji bekim të pafund për të e familjen që la mbas Nik Merrnaçaj!