Një libër që më mbushi boshllëqet e një kohe
nga Nashi Brooker
Lexova me vëmendje librin “Shqipnia në Vitet Tridhjetë – Kujtime dhe shënime!” të Lazër Radit, sepse si shumë të brezit tim, ndjehem e mangët për jetën e Shqipërisë se atyre Viteve. Në shkolla na mësonin ato çka ishte përzgjedhur dhe miratuar partia, ku çdo gjë filtrohej, dhe çdo nxënës i klasës së parë deri tek ata që kishte fatin të mbaronin universitetin dijet ishin qëllimisht të cunguara.
Etja ime ende është e madhe për detaje të viteve 1920-1960. Është një botë që unë personalisht e gjej ende të vështirë ta pikturoj në mendjen time.
Lazer Radi me këtë libër më mbushi disa boshllëqe të Shqipërisë së viteve 1920-1939.
Lazri ishte një djalosh simpatik në vitet ‘30 i ri me etje djaloshare për poezinë, historinë, kulturën dhe për nxitje politike. Në shënimet e tij më tregoi për Shkodrën kur ai mbrriti me një autobuz mbuluar me dru ku pluhuri mbulonte qerpikët e syrit, sikur të kishe dalë nga mulliri i bluarjes së grurit. Me pak fjalë ai shtjellon për mua zejtarinë në disa qytete dhe industrinë elementare të kohës.
Fokusi i tij është poezia shqipe.
Poezia e Naimit, e cila paska një fillim që u njoha tani; te bejtet e Beratit. Lum kush Naimin e ka dhe kush zemrën ja çon kah! Poezi e cila ka mbajtur gjallë zemrat e patriotëve në qelitë e çimentove të burgjeve zogiste, komuniste Shqiptare po edhe ato titiste të Beogradit apo gjetkë në Jugosllavi.
Lazer Radi sjell analiza të detajuara të Revolucionit të Qershorit 1924. Ka lëvdime për Fan Nolin, por si jurist mbush të gjitha hapësirat e historisë së Qeverisë së Nolit.
Politikisht, në vitet djaloshare, Lazri ishte kundër “merhumeve” pra rendit të vjetër ose më mirë, trashëgimisë Otomane. Fjala “merhumë” më dërgoi prapa në vitet e rinisë sime, pra në vitet vajzërore. Në shqip njihen ëndrra djaloshare që i përkasin të shkuarës nën emrin djelmëria shqiptare, pra nuk ka ekuivalente për “ëndrra vajzërore”. “Merhume” në viset ku u rrita unë ishte dikush që kishte vdekur dhe nuk i/e përmendej emri nga dhimbja dhe “merhume” përdorej për dikë të ngathët ose një njeri pa merita.
Lazri fjalën “merhum” e përdor për shtresën politike të viteve ‘20-’30, e cila përbente pengesë për ëndrrat djaloshare. Arsyetimi i tij është vërtet interesant dhe mirëinformues që të kuptosh dredhitë politike të ish-klasës së vjetër nën etikën dhe moralin e Otomaneve, të cilën Qemal Ataturku në fakt i kishte dhënë fytyrë moderne Turqisë në të njëjtën dekadë.
Dashuria që Lazri sjell me shënimet e tij për lëvizjet e ndryshme kulturore, sociale e politike për një Shqipëri demokratike e kupton thellësisht vetëm pasi të lexosh librin. Aty kupton etjen për ndryshime që brezi i autorit kërkonte, dhe dashurinë për çdo varg të botuar, çdo pamflet, çdo thirrje për ndryshime sociale. Në moshe fare të re si shumë djem të tjerë në gjimnaz, ai njihet me debatet politike në Shkodër.
Çfarë tjetër ai sjell për lexuesin është përcaktimi i klasave që erdhi me zhvillimet politike brenda dhe jashtë vendit. Pra, për herë të parë po debatohej koncepti i borgjezisë, çifligarëve, punëtorëve, fshatarëve të mesëm dhe bujqëve, të cilet ishin totalisht të varur nga personat që përdoreshin për të punuar tokën.
Ndër shumë të rinj të shquar të Viteve ’30, Lazër Radi përmend Andrea Varfin, Musine Kokalarin, Migjenin, Branko Merxhanin, Petro Markon e Nonda Bulkën e shumë të tjerë. Ndër emrat që ai përmend me dashuri dhe respekt është Migjeni. Migjeni këshillon brezin e tij të shkruaj për çdo qoshe të rrugës, për çdo lypës, për çdo grua e për çdo vend të pistë, të varfër dhe të bukur.
Lazri do më kishte më mirë – informuar nëse do kishte ndjekur këshillën e Migjenit verbërisht…
Në këtë libër ai dëshmon edhe përshtypjet për Elbasanin. Me të drejtë, ai ka lënë vetëm përshtypje të mira për qytetin e lashtë të Elbasanit. I vetmi qytet sipas tij që kishte elemente industriale, zejtare, kulturore, historike me arkitekture dhe rrugë të bukura ne kala. Elbasani i Et’hem Haxhiademit për Lazrin ishte shembull i artit e i bujarisë. Shuteriqin e sjell si pendë interesante, por nuk shkon në analiza të tilla. Petro Markon e vlerëson për fillimet e tij, por duket qartë se Petro ishte revolucionar… dhe nuk komenton më tej. Lazri i zgjuar, do t’i thoja.
Andrea Varfin dhe Branko Merxhanin i përshkruan si dy frymëzuesit e pjesës pozitive që kërkonin të rinj të mblidheshin e t’i shërbenin Shqipërisë për krijimin e një shteti me institucione dhe kredibilitet. Lazri shkruan se “Vitet 30-të ishin zhvillim tërësor por një perqindje e madhe jetonte në varfëri ekstreme!”
Për Musine Kokalarin, Lazri kishte kompozuar një shkrim pa e njohur se kush ishte Musineja.
“Ky vend nuk e meriton ate”, e mbyll Lazër Radi vlerësimin që ai ka për veprën e Musinesë si ajo letrare edhe politike.
Ky libër tregon me forcë betejat e gjeneratave: midis të rinjve dhe të moshës së madhe. Midis asaj çka ishte progresive dhe asaj çka “merhumët” sipas tij kishin sjellë nga administrata Otomane, ku baza ishte servilizmi, poshtërsia, rryshfeti dhe pabesia politike.
Se si u dënua Lazër Radi “si fashist” me 30 vjete burg nga komunistët nuk mundet të shpjegohet me aspiratat dhe ëndrrat e tij djaloshare. Të gjitha aspiratat për ndryshime që ai dhe brezi i tij aspironte të çon vetëm në një drejtim: Ai si shumë të tjerë të atij brezi, ishin për një demokraci liberale…