back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Tri poezi – nga Agim Xh. Deshnica

Gazeta

Agim Xh. Deshnica
Agim Xh. Deshnica
Tri poezi nga Agim Xh. Deshnica
Perëndim Berati

Humbi dielli pas Shpiragut,
hesht mes muresh, kala e gurtë,
fshatrat mbi kodra ranë në gjumë,
hijet zgjaten e zhyten në lumë.

Nga bregu përmatanë,
dëgjohet thirrja e Zarizanës
sulen djemtë te pellg i thellë
në ujin e ngrohtë, zhduken nën shtjellë.

Osumi rrjedh, murmurin,
mbi hon e urë hëna ndrin,
në ato çaste vashë e flijuar,
lan sy e vetull, faqe e duar,
me lot yjesh valë mbi valë,
lundra e thyer dergjet në zall.

Dritaret ndizen një mbi një,
faqe Gorice e në Mangalem,
mbi rrugë fenerët varg,
në terr fle Tomori larg.

S’jehon më kambanë e Shëndëllisë,
u mbyllën portat e xhamisë,
nuk ndrijnë as qirinjtë e Baba Aliut,
ndihet zëri ëmbël i Vexhiut:.
“Më pushton që prej së largu
dhe një shpirt prej lashtërie…”

Lisat pikojnë lot e gjeth,
kujtimi i trishtë shpirtin rrënqeth,
kur krismat hijeve nën ullinj
vrisnin këngët, poetin e ri.1)

Mbrëmje e vonë, pak nga pak
e lodhur, kotet, bie në shtrat,
flakë mbi kreshtë mjegull e re,
zogu i vonuar zbret në fole,
asnjë zë në muzg, as drita
kur tej Shpiragut, shkrep dita.

Berati - Qytet i nji mbi nji dritareve
Berati – Qytet i nji mbi nji dritareve
Poetit të këngës së pakënduar

kushtuar poetit Namik Mehqemeja

Me rrezet e fundme
një brez i shdritur-ar,
ra, u hap e u shtri,
në kreshtë mbi Shpirag,
e befas u fik.
Afër lumit nën ulli
krisma dhimbje-gjak.
A fle lumi?
A ndjen lumi, a sheh lumi?
Hesht mbi shkëmb qyteti i bardhë
pas dritaresh, radhë mbi radhë,
me përralla e legjenda
brenda portave të rënda.
Afër lumit nën ulli, hijeve,
u vra poeti i bukurive,
në zemra i paharruar.
U vra kënga e pakënduar
për fllad e det,
për lule e fletë,
vjeshtën e borën dimërore,
mbrëmjen pranverore,
në kohë zgjimi
e çaste frymëzimi
nën flakën e kandilit
me trillet e bylbylit.
Hesht qyteti, prehet nën fresk,
në orën e krimit në terr.
Psherëtijnë rrepet në suferimë.
Qajnë valët nën urë flijimesh,
qajnë poetin e dashurisë
poetin e hijshëm të lirisë.
Hëna ngriu mbi Kala,
feks dritare e baxha,
në gjumë tronditi qytetin,
nën ulli e zgjoi poetin.
Nako, Nako, emri i tij rinor
ikën tutje lumit në Tomor.
jeton me kumtin e besimit,
për ditën e ngadhnjimit.
E ndjek në kohë muzg vjeshte,
shpirtin lot, tek ngrihet lart në heshtje
e humbet tej malesh e pyjesh,
por befas shdrin si yll mes yjesh
-Kur ikte Buharaja
Kush ia thot’ aty matanë
me një fyell që përvëlon?

Vexhi Buharaja (1920-1987)
Vexhi Buharaja (1920-1987)
Vexhi Buharaja

Nën hijen Kalasë,
ku çohej drejt për qiell,
minare e rrënuar,
nuk rrjedh më çezmë e vjetër,
nën gurët e latuar.
S’dëgjohet më këmbana,
jehona tej Beratit,
shkallmuar, rrafsh me tokën,
hesht Kulla e Sahatit…

Sofati i xhamisë,
i heshtur, i pa jetë,
askush nuk falet
te sallë e shkretë.
Asnjë shandan, asnjë qiri
dhe Libri i Shenjtë i fshehur rri.

S’dëgjohet më nga larg,
as thirrje e myezinit.
S’këndon me fjalë të urtë,
fjalën shqip,
Firdusi si qëmoti,
veç shpirt e mendje e thellë,
me besë i falen Zotit.

Kur nata shkon e dita kthen sërish,
as hije, as fresk, as fëshfërimë selvish,
veç fryma e Tomorit
në gërmadhë ka zbritur,
e qan se fluturoi e shkoi,
bibili i ndritur.

Mos shkoi te Mali i Thatë
e yjet lasgushiane gjen,
apo ku hesht lopata në Liqen?

A mbi Tomor ndër lule dimërore,
dëgjon i lumturuar,
xhuranë baritore?
Takon Naimin,
në male e pyje, bukurinë,
larg prangash e qelisë,
dhunës, padrejtësisë.

Ndër hulumtime zhytet,
në shekuj historie,
ndër bëma Skenderiane,
shpatash trimërie,
me arbër legjendarë,
në ndeshje për lirinë.

Lë librat, meditimet
e penën mbi letër,
me shpresë rilindjesh
në një kohë tjetër.

Hipur deveve në karvane,
niset për shtegtim,
me Shahnamenë në duar,
me shqipe plot shkëlqim.

Në fund të shkretëtirës,
kanë dalë Firdusiu dhe Sadiu,
me çallma, bardhë dëborë,
se ja, po vjen, po vjen Vexhiu.

* * *
Poeti i hijshëm
me tungjatjeta, kur vije,
gëzonin dyer, dritare,
mure me gurë shtëpish
në sheshe e faqe tatëpjeta,
bahçetë me fryta,
lule e fletë të blerta.

* * *
Nga hija-kullë e Sahatit
jehon këmbana tej Beratit.
Osumi nëpër urë kalon,
zhurmon e diç mendon…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.