back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lamtumirë miku im, Albi Brahusha! – homazh nga Albert Vataj

Gazeta

Autori Albert Vataj
Autori Albert Vataj
Lamtumirë miku im, Albi Brahusha!
homazh nga Albert Vataj

Albi Brahusha
një frymë që këputet
për të dëshmuar se sa i hollë është filli jetës…

Albi Brahusha (1973-2024)
Albi Brahusha (1973-2024)

E mora lajmin e trisht të ndarjes nga jeta të Albi Brahushës, mikut të vlertë dhe zelltarit të përkushtimeve të cilësishme krijuese, përmes Facebook. M’u desh ta lexoja dhe ta rilexoja njoftimin e Bashkisë Shkodër, që ta besoja se nuk është më mes nesh “Sokrati” i atyre viteve të pështjellimta, kohë ku ne kërkonim vetveten dhe rolin tonë në këtë qytet përmes idealizmave dhe ambicies për të bërë edhe ne çfarë i detyroheshim këtij qyteti që nuk ishte vetëm vendlindja jonë, por edhe përfaqësim dhe përgjegjësi. I pata vënë nofkë “Sokrati”, për mendimin e pasur filozofik që pasuroi bisedat dhe takimet tona. Dhe ashtu e thërrisja sa herë takoheshim dhe shkëmbeheshim.
Edhe pse mbeti kohë e gjatë në mes që nuk u takuam, ai ishte një mik, me të cilin më lidh koha kur rrekeshim të thurnim ëndrra të idealizuara, në një përpjekje për të qenë një brez që zgjatonte në historinë e Shkodrës, këtij qyteti që lindte dhe përtërinte gjeneratat, si një shërbesë e shenjtë e mbajtjes ndezur të flakadanit të lavdishmërisë së këtij qyteti, dhe gjithë atyre që erdhën dhe ikën, atyre që lanë në themelet e këtij caku të qenësishëm qytetërimi, emrin dhe veprën e tyre si dëshmi.
Dhe Albi Brahusha ishte njëri prej atyre, që u përpoq dhe bëri më të mirën, që të jetë një gjurmë inkandeshente në rrugëtimin e dritshëm të Shkodrës.
Duke kthyer kohën pas dhe shfletuar ndërmendjet që më lidhin me Albin, kujtoj se ishte marsi i vitit 1994, kur doli numri i parë i gazetës “Thyerje”, një përpjekje modeste e promovimit të pikëpamjeve dhe krijimeve, mundësive dhe përçapjeve tona rinore. Kjo gazetë ishte zëri i fillimtë i Shoqata Rinore, Kulturore, “Kristal”, ku Albi Brahusha qe ndër themeltarët dhe kontribuesit.
Nuk mund të mos kishte Shkodra një përçapje të ëndërrtarëve për të besuar se ajo meritonte të ishte në aradhën e lavdishme të së shkuarës, së tashmes dhe ardhmërisë. Pavarësisht mundësive minimale dhe vështirësive për të implementuar, projekte kulturore dhe evidentuar vlera që ky qytet mbarështonte, ne besuam dhe ngulmimet tona i formalizuam në vepra! Bëmë më të mirën. Bashkë me Albin, i cili, që sot ka marrë udhën e përjetësisë, ata që i mblodhi “Kristal” në kthjellësinë e zërit të vet, ishin: Blendi Kraja, Irhan Jubica, Anila Zhugri, Albert Vataj, Gilmana Bushati, Kujtim Kraja, Bardhyl Ulqinaku, Almir Haxhia, Aferdita Isufi, Brikena Smaja, për të vazhduar me ata që ju bashkuan kësaj lëvizje t’përtrimjes së qytetit; Eduart Grishaj, Arben Prendi, Brikena Smajli, Bujana Hoti, Entela Tabaku, Ilda Toska, Ledia Dushi, Niketa Stefa, Vjollca Osja, Siana Elezi, Valbona Karakaçi, Meritan Spahija, Silvana Lahi, Blerti Delia, Marjan Shkreli, Ledri Kurti, Ermira Juka, Mimoza Muça, Blerinda Çarçani, etj., etj. Veç aktiviteteve të shumta për letërsinë, pikturën, teatrin, artin në përgjithësi, kulmoi kjo përpjekje ku një rol të veçantë luajti edhe Albi Brahusha, me publikimin e përtremuajshmes “Orana”, për të vijuar me revistën “ARS” të Irhan Jubicës, periodik letrar, numri i parë i të cillës doli më 31 mars 2002 dhe i fundit 26 gusht 2006.
Dhe ja ku jemi sot, sot kur Albi ka marrë rrugën e amshimit, për të lënë pas kujtimet dhe vlerat e një vepre. Ngulmimet në një rrekje për të ribërë të shkuarën dhe ngucur dhimbjen e kësaj ndarjeje të beftë, na tregojnë se sa i hollë është filli i jetës dhe sa e pabesueshme dhe e trishte është një ikje si kjo e mikut të mirë dhe të talentuar, Albi Brahusha.
Kujtojmë se: Albri Brahusha u lind në Shkodër në vitin 1973. Në vitin 1996, kreu studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ai ka qënë jurist pranë Insitucionit të Prefektit në vitin 1997-1999, shef i zyrës juridike të Prefekturës në vitin 2000, Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit të Politikave Rinore pranë Ministrisë së Kulturës nga viti 2000-2003.
Në vitin 2014-2015, emërohet përgjegjës i zyrës së programeve të zhvillimit pranë Drejtorisë Arsimore Shkodër. Në fushën artistike ai është autor i disa librave dhe botues i revistës “G&G”, ndërkohë që është autor i veprave teatrale të vëna në skenën e Teatrit “Migjeni” si: “Përrallat gënjejnë”, me regji të Serafin Fankos, “Vizita e fundit”, “Ishulli i Shitenit”, “Drejt perëndimit”,” Përtej kufijve të pushtetit”, “Eldorado” me regji nga Fatbardh Smaja e Spiro Duni, të cilat u vlerësuan me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
E megjithatë, Albi Brahusha nuk është më prej datës 6 shkurt 2024. Ai do t’i mungojë Shkodrës, siç do të mbetet një dhembje për familjen dhe të afërmit, kolegët dhe miqtë. Sepse vdekja është e tillë: tinëzare dhe e pamëshirshme. Ajo nuk pyet për moshën, për arritjet tuaja, për ëndrrat dhe projektet. Ajo, vjen e të thotë: Ndalu, deri këtu ishte rruga jote, çfarë ke synuar dhe ke përmbushur ato mbeten, shpirti yt dhe të tjerat i përkasin përjetësisë.
Lamtumirë miku im, Albi Brahusha!

Marrë nga muri i FB Albert Vataj, 6 shkurt 2024

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Disa paragrafe në homazh të Albri Brahushës, një penë e vyer për teatrin shqiptar.
    (Copëz nga një shkrim i imi i dikurshëm)
    Vizita e njerëzve në një muze është gjëja më normale, por jo për “muzeun” statik me personazhe stereotipe të dramës “Vizita e fundit” të Albri Brahushës. Teksti i tij funksionon si montazh ironik i kohëve të shkuara. Autori përdor kundërvënien e kohës urgjente të ngjarjes që pritet të ndodhë, domethënë vizitës, dhe kohën e pafund të pritjes nga ana e Historisë dhe të gjithë personazheve që paraqesin të shkuarën aq “të lavdishme”. Kjo e shkuar është shpesh e pranishme gjatë dialogut. Madje me bëmat e së shkuarës heronjtë e pavionit fillojnë të maten me njëri-tjetrin. Nga ana përmbajtësore këta janë disa personazhe klishe ose simbole të stereotipizuara, që janë marrë ironikisht nga paradigma kohore e historisë, e cila i ka prodhuar. “Pa mua nuk do të ishit heronj, por njerëz të zakonshëm, të harruar në turma dhe në varret e pafund e të paemër të botës, do të përpëliteshit baltrave duke shërbyer si ushqim për barërat e këqija për të dalë prej tyre pastaj kështu siç jeni farë të këqija” (Brahusha, Albri: Vizita e fundit, Teatri “Migjeni”, Shkodër, 1997, f. 12.) Përmes këtij dialogu, prodhohet konflikti me anë të të cilit strategjia autoriale bën të mundur asgjësimin e Historisë (si rrëfimtare ngjarjesh, faktesh dhe ndodhish) dhe të barazvlershmit të saj në kohërat më moderne, Televizionit, që shfaqet si një tjetër personazh në këtë dramë.
    Drama e Brahushës “Ishulli i Shitenit” fillon me një hyrje jo të zakonshme dhe përfundon pa një fund. Zhvillimi nga kuptimi i caktuar drejt pakuptimësisë së përgjithshme është i pranishëm brenda këtij teksti letrar. Ky tip teksti ka një rrjedhë ritmike dhe emotive. Si përfundim, në lidhje me dramën “Ishulli i Shitenit” të këtij autori, mund të themi se zhvillimi dramatik varet nga një proces i dyfishtë: kuptimësi-pakuptimësi, si dhe nga shpejtimi i vrullshëm i ritmit që përcillet me rritjen e tensionit. Ja se çfarë shkruan autori në një fletëpalosje të shfaqjes “Ishulli i Shitenit”, përmes së cilës i uron mirëseardhjen spektatorëve:
    “Hyrje në Ishull. Ishulli i Shitenit është një vend virtual. Banorët e tij po ju ftojnë të ndiqni një situatë, e cila ka ndodhur mijëra vjet përpara ose do të ndodhë mijëra vjet prapa. Ishulli nuk ndodhet në mes të detit, por në mes të fantazisë suaj, ku format, ngjyrat, tingujt dhe numrat përzihen për të krijuar idetë. Ishulli është krijuar bashkë me ju. Ai ka formën e një mase të palëvizshme, që quhet humanizëm. Ndaj idesë përpara se të shfaqet, i duhet të ndalet në Ishull, për të marrë trajtën përfundimtare. E gjithë kjo ndodh në harkun e disa sekondave dhe shpesh kur ju ndiheni të vetmuar. Ndërkohë po ju paraqitet një orë e gjysmë për efekt reflektimi.
    Mirë se erdhët në Ishull!”

    Marrë nga postimi i profesor Gëzim Puka – Muri i fb i Arjola Zadrima

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.