Henrik Gjoka – proza si memorial negromant i diktaturës
dhe refleksit të saj si dokuart (faction)
nga Leka Ndoja
Henrik Gjoka iu paraqit publikut së pari me romanin “Simfonia në Ishullin Simon” i njohun me inicialet Henrik S. G., ndonëse evokonte atësinë (të dënuemin politik, Spiro Gjoka, të internuem me tim atë në ishullin e Zvërnecit në vitet ‘60 të sh. XX) intrigoi lexuesin pasi nuk njihej deri në vitin 2003. Romani mori çmimin vjetor të M. Kulturës “Petro Marko”. Ky roman për morinë e indekseve jetësore të autorit mund të kategorizohet te proza autobiografike.
Personazhi kryesor – emigrant i periudhës postkomuniste ‘91 – 2000, vendoset i vetëm në nji pension në Paris pa indekse retrospektive. Përshkrimi i vështirësive të jetës sociale dhe si emigrant shoqërojnë narracionin. Skena kryesore përshkrimi i mjeshtrit muzikant në Ishullin Simon të lumit Senë dhe ai student që përshkruen si Eden, Ishullin Simon dhe mjeshtrin muzikant nomad që si guru i drejton mendimin për filozofinë e jetës, personazhit autobiografik.
Retrospektivat e familjes së tij – ndërthuren me travajet e raportit me të njohurit në universitetin e Parisit dhe plagët sociale dhe lëkundjes së personalitetit përmes gërshetimeve narrative psikologjike. Pas nji periudhe në Paris ai arrin në krizë ekzistenciale dhe për të gjetë ekuilibrin e dikurshëm viziton familjen në vendlindje dhe në vende të ndryshme të Italisë për të rigjetë dashuninë familjare dhe intuitën e mbijetesës së kohës së komunizmit.
Rrëfimi shoqërohet përmes krizën sociale të familjes në komunizëm. Familja në paraqitjen e saj të disintegrueme argumentohet nga 2 faktorë bazë: regjimi i komunizmit në Shqipni dhe emigracioni si lojë e absurdit.
Mbijetesa nën aventurat erotike me aristokrate e të kujton Kurtizanet e Balzakut. Ndërsa libri i tij i parë “Gjuetia e pëllumbave” por botue mbas romanit “Simfonia në ishullin Simon” paraqitet si dëshmi dokumentare e dënimit të tij – dominojnë në këtë libër voluminoz 600 faqesh, linja e tragjizmit e pasojat e shock-ut të nji 20 vjeçari në burgjet komuniste me perversionet e pakufishme.
Përdorimi i inicialeve dhe pseudonimeve mikrotopografike për bashkëvuejtesit, dhe aktorët e diktaturës në kampet e punës i kthen personazhet në fiction – duke krijue paqartësi te receptuesit.
Përshkrimet e Gjokës e bajnë mjeshtër të detajit dhe misanskenës – mungesa e plotit e fut krijimtarinë e tij në romanin psikologjik edhe në romanin e tij të fundit “Sonata për gruan e një tjetri”. Mosprania e autorit në agregatet e sistemit letrar dhe kulturor e mistifikon biobiblografinë e tij, ndonëse e pengon procesin e vlerësimit të veprës së tij për kritikën militante të përditshmërisë kulturore që rend pas sensacioneve – edhe kështu kemi nji zgjedhje:
Heshtja që reshtet nga proza e radhës – bixarre e Henrikut.
Marrë nga Muri i FB Vrethee Lnika, 5 shkurt 2024