back to top
11.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Përjetësia dhe shpella e mendimit – nga Robert Martiko (Dy fjalë për një çmim letrar)

Gazeta

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko
Përjetësia dhe shpella e mendimit
nga Robert Martiko

(Dy fjalë për një çmim letrar, qe sigurisht nuk është i vetmi i kësaj natyre)

Nuk është nevoja të humbasësh kohën
për të lexuar një libër të panjohur
kur mund të dëgjosh vetë autorin, të flasë për të.
Këtë bëra, për të marrë një ide rreth romanit të
Mira Meksit “Parisi vret”, që iu dha çmimi “Shkrimtari i vitit 2023”.

E dëgjova shkrimtaren në YouTube, në një intervistë të saj. Posa e dëgjova thashë: “O Zot i madh, kur do të vijë ajo ditë e bekuar, kur shoqëria shqiptare do të fitojë lirinë nga mendimi i mbyllur në shpellë i intelektualëve të saj më të dëgjuar? Më kot e pret çlirimin shqiptari nga politikanët. Jo! Liria e Vërtetë vjen vetëm nga mendimi intelektual. Është e mundur shkrimtari, dhe kur banon në një nga metropolet më të mëdha të botës, si Parisi, të vijojë të mbetet në rutinën e shpellës, duke mos arritur të kuptojë gjënë më bazë, më çliruese, më të jashtëzakonshme, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë njerëzimin, që është Koha?
Arsyeja është fare e thjeshtë pse arrita në këtë konkluzion. Sepse Mira Meksi as e ka idenë e njohurive filozofike, diçka që nuk mund të konceptohet as për talentet më të përbindshme, si Dante, Da Vinçi, Mikelanxhelo, Shekspiri, Hugoi, Gëtja dhe 1001 të tjerë. Pa ato njohuri do të ishin xhuxhë kaluar xhuxhëve. Karakteristikë e tyre bazë ishte se njohuritë filozofike si dhe njohja e domosdoshme e stafetës së mendimit botëror, në mijëvjeçarë, vlejnë për të hapur Kohën. Jo për ta mbyllur me shtatëqind dryna, siç ndodhi nga Realizmi Socialist nën Diktaturë dhe as për ta mbajtur të mbyllur, siç ndodh sot, kur intelektuali i lartë nuk thellohet. Bëhet fjalë për një shpellë të vërtetë të blinduar në çdo vend të botës, ku nuk ekziston as ideja e atyre Tokave të Zjarrta të mendimit çlirimtar, që ndryshuan fatin e shoqërive perëndimore. Gjithçka filloi me Rilindjen Shpirtërore në Evropë, ndërkohë që në Shqipëri, historikisht, nuk ekziston ideja as sot e kësaj dite.
Konkretisht, Mira Meksi e ndërton romanin e saj për një shkrimtar, nga ata të ish Realizmit Socialist dhe nuk kupton gjënë më thelbësore, Kohën. Flet se ajo vetë ka qenë e persekutuar dhe se janë vrarë shumë njerëz në kufij. Duke e aprovuar plotësisht humanizmin e saj, autorja nuk kupton se gjithë tragjedia, jo vetëm sa përmendi në intervistë, erdhën nga një Diktaturë ku merrnin pjesë edhe gjithë efektivi i propagandës së shkrimtarëve. Është e mundur, që në vend të zbulojë shpirtin e përjetësisë së një Qyteti-Drite, siç është Parisi, ku ndriçon një plejadë e pafund gjenialësh të Arteve dhe Letërsisë… Meksi të merret me tema profane, që lënë Kohën shqiptare të mbyllur?
Unë kam shumë të njohur nga shkrimtarët e kohës së kaluar, që më nderojnë me miqësinë e tyre. Dhe i admiroj të gjithë ata që në biografitë e tyre nuk duan as t’i përmendin shkrimet vëllavrasëse nën Diktaturë. Nuk ka kuptim për një shoqëri të shëndetshme të ndjehet e përçarë. Përkundrazi. Por, kur bëhet fjala për të ardhmen e shoqërisë, veçse të jeshë një profan i mjerë, jo shkrimtar për të mos kuptuar se çfarë është Koha.
Nuk ka gjë më të tmerrshme më tragjike, më mishngrënëse, të matur në shekullin e kaluar me mbi 100 milionë të vrarë nga Koha. Realizmi Socialist ktheu kohën e gjithë ish Lindjes së Kuqe, shekuj të tërë pas, me ushqimin e helmuar të përçarjes që la pas. Janë 1001 patologji që shqiptari i ndesh sot në çdo hap të jetës. Me këtë lloj Kohe duhet të merret shkrimtari, në mënyrë që ta ndryshojë, ta hapë, dhe të mos merret me krijime të lehta.
Prandaj pyetja ime direkt për çdo intelektual, diçka që them me dashuri është: “Je intelektual duke kuptuar Kohën, me qëllim për ta hapur në emër të së mirës së përgjithshme apo je thjesht një mendje-hallvë!?” Pasi është sikur intelektuali të dojë të shkatërrojë komplet gjithë vetveten dhe të mos dojë të dallojë këtë lloj Kohë çlirimtare për shoqërinë. Pikërisht me këtë Kohë punuan gjithë artistët dhe shkrimtarët më të mëdhenj të njerëzimit. Ndërsa në Shqipëri nuk ekziston as ideja e saj.
Kam besim te talenti i Mira Meksit, dhe për të mirën e saj i them se, mundësisht, duhet të fillojë të marrë mësimet e para të filozofisë. Do ta ndihmojë shumë futja në skemat e Historisë, që fillojnë nga koha e vjetër e Ilirisë, ku përmend gjarprin-simbol, që ka trajtuar te libri “Mallkimi i Priftëreshave Ilire”. (Edhe këtë e mësova nga fjalët e saj në YouTube). Sot vija rrethore është kthyer në një vijë të drejtë, që bën lidhjen logjike, çliruese të ngjarjeve historike. Ndryshoi fati i Njeriut. Ka më të madhe nga kjo…?! Skemat e Kohës nuk janë piktura apo vizatime për t’i varur në mur. Pikërisht për të lidhur të kaluarën me të sotmen u ndërtuan të gjitha veprat më të pavdekshme të njerëzimit. Të gjitha të tjerat, pa këtë lidhje, janë pa vlerë, sepse nuk futen në jetën e përditshme të njeriut për t’i ndryshuar cilësinë e jetës.

Sa për komisionet e dhënies së çmimeve, meqenëse janë të tipit shtetëror-burokratik-beton-arme-ballkanas, nuk jam edhe aq i sigurt nëse diçka do të kuptojnë nga kjo temë me karakter çlirues, ekzistencial, rilindës. Përveç kësaj akraballëqet, ndërhyrjet për të marrë një çmim pa vlerë për shoqërinë, e di që janë të vështira për t’i vënë në jetë.
Të dua të shtoj se më shumë nga çmimet tokësore, vlen drita e plejadave yjore, si ato që përjetësuan Lasgush Poradecin në jetë të jetëve, i cili në vitin 1944, porsa filloi vëllavrasja, i tha muzës së tij poetike të ndalonte, e di që nuk do të më kuptojnë. Por, të paktën shpresa le të më bëj të besoj se shoqëria shqiptare do të shikojë një ditë të bardhë nga mendimi i lartësuar intelektual, nëpërmjet futjes për herë të parë në mendim të Rilindjes Shpirtërore, që ndan dy botë.
Të gjitha të tjerat janë sikur thonë: “Rrofte shpella!”

 
 
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.