back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

“Poshtë udhëheqësi kryesor” – Revolta në burgun e Qaf-Barit – nga Bedri Blloshmi

Gazeta

Bedri Blloshmi 2013
Bedri Blloshmi 2013
Poshtë udhëheqësi kryesor” – Revolta në burgun e Qaf-Barit
nga Bedri Blloshmi
Marrë nga libri “Gjykata e Lartë zbret në Pukë”

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Hetuesia e Përgjithshme – Tepër Sekret
Nr. 568/1 Prot Ekzemplar Nr.1

Tiranë, më 26.05.1984
Lënda: Për hetimin e një grupi armiqësor të dënuarish në Qaf-Bari
Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH
shokut Simon Stefani – Tiranë

Më datën 25.05.1984, rreth orës 8.00, në repartin e riedukimit Nr. 311 në Qaf-Bari në Pukë disa të dënuar për krime të rënda kundër shtetit kanë kundërshtuar në mënyrë flagrante urdhrat e komandës së repartit dhe më pas kësaj në mënyrë të organizuar kanë sulmuar personelin e shërbimit me thika, leva hekuri, drurë, lopata, gurë, tulla e mjete të tjera rrethanore duke plagosur dy vetë e goditur shumë të tjerë.
Komanda e Repartit në bashkëpunim me Degën e Punëve të Brendshme dhe Hetuesinë e rrethit morën masa për parandalimin e veprimeve të mëtejshme duke bërë izolimin e kryesorëve dhe hetuesia bëri ndalimin e 24 të dënuarve më tipikë në këtë ngjarje.
Hetuesia e Përgjithshme u njoftua për ngjarjen në orën 21.45. Për vetë rrezikshmërinë dhe rëndësinë e kësaj vepre armiqësore si dhe numrin e madh të të ndaluarve, për të zhvilluar hetime të shpejta e me cilësi dhe për të goditur menjëherë veprimtarinë armiqësore, dërguam menjëherë në vend një grup prej 10 hetuesish për hetime, të cilët i kryesoi kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme.
Nga hetimet intensive të zhvilluara u arrit që brenda 48 orëve të përfundojnë hetimet dhe dosja në dy vëllime ju paraqit gjykatës për gjykim më 26.05.1984

Heronjtë e Revoltës së Qafë-Barit
Heronjtë e Revoltës së Qafë-Barit

Veprimtaria armiqësore e zhvilluara nga të dënuarit

Hetimet vërtetuan veprimtarinë armiqësore në grup të organizuar për 12 të dënuar si Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Lush Prel Bujshgjoka, Konstandin Sotir Gjordeni, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Tom Kol Ndoja, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Bajram Islam Vuthi, Hysen Halit Tabaku dhe Ndue Martin Pisha.
Nga tërësia e provave të administruara rezultoi se në mëngjezin e datës 22.05.1984 i dënuari Ndue Pisha meqenëse u kthye nga turni i tretë i punës pa realizuar normën u urdhërua nga komanda e repartit që të shkonte në punë dhe në turnin e parë për të realizuar normën e prapambetur për një vagon mineral.
I pandehuri Ndue Pisha fillimisht ka pranuar të shkojë në punë, por më vonë i nxitur nga të pandehurit Sokol Sokoli, Sokol Progri, Tom Ndoja etj. ka kundërshtuar urdhrin e komandës. Për këtë arsye i pandehuri Ndue Pisha u thirr në komandë për ta bindur të zbatonte urdhrin. Aty kanë shkuar në mënyrë të organizuar e të pajisur me gurë e tulla në duar të pandehurit e sipërpërmëndur të cilët e kanë rrëmbyer Nduen me forcë dhe kanë dalë jashtë.
Komanda e repartit ka urdhëruar të gjithë të dënuarit të mblidheshin për apelim në mencë. Në mes të të tjerëve u urdhërua për të dalë jashtë i pandehuri Sokol Sokoli. Ai duke dalë jashtë tërhoqi me vete edhe disa të dënuar të tjerë të cilët dolën forcërisht dhe të gjithë të pandehurit të grupuar kundërshtuan urdhrin e komandës për t’u futur përsëri në mencë.
Pasi u bindën nga ana e komandës filloi përsëri apeli në mencë. U thirr i pandehuri Kostandin Gjordeni i cili sapo doli jashtë ka bërtitur pa asnjë shkak me zë të lartë. Në këtë moment gjithë të pandehurit rrëmbejnë stolat ku ishin ulur, sulmojnë e qëllojnë me to e me grushta e shqelma policët dhe pasi shqyejnë derën dalin jashtë e rrëmbejnë thika e leva hekuri të përgatitura dhe të fshehura, gurë, tulla, shkopinj e mjete të tjera rrethanore dhe vazhdojnë sulmin në drejtim të policëve
Në këto rrethana personeli i shërbimit është tërhequr dhe ka dalë jashtë rrethimit. Më aktivë në veprimet e tyre ishin 8 të dënuar Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Konstandin Gjordeni, Haxhi Baxhinovaski, Vllasi Koçi, Tom Ndoja e Martin Leka. Këto u bënin thirrje dhe nxisnin dhe të dënuarit e tjerë për t’u hedhur në sulm kundër oficerëve të policisë duke ju thënë: “maskarenj” pse rrini? hidhuni në sulm. Kjo është beteja e fundit”. I pandehuri Vllasi Koçi, pasi ka bërë thirrje të tilla me armiqësi, është bashkuar me grupin e të dënuarve që kundërshtuan fillimisht dhe ka bërë thirrje armiqësore “Viva Duçe”, poshtë udhëheqësi kryesor.
Për të ndaluar sulmin e grupit armiqësor që shtohej vazhdimisht me të dënuar nga nxitjet që i bënin njëri-tjetrit, komanda e repartit është e detyruar dhe ka urdhëruar të hapet zjarr paralajmërues duke qëlluar në ajër. Ndërkohë sulmi po vazhdonte dhe po intensifikohej egërsia e veprimeve të dënuarve duke kryer akte terrori. I pandehuri Haxhi Baxhinovski, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit, emigrant jugosllav nga Kosova dhe banues në Fier, me një thikë të përgatitur më parë ka goditur për të vrarë instruktorin politik dhe e ka plagosur në bark.
Në këto momente të acaruara komanda ka urdhëruar të hapet zjarr në drejtim të dy të dënuarve më të avancuar Konstandin Gjordeni dhe Tom Ndoja, dhe u plagos lehtë në supin e majtë i pari. Pas këtij veprimi të dënuarit u tërhoqën.
Gjatë hetimit zbuluam se pjesa më e madhe e të pandehurve kanë bashkëpunuar dhe kanë bërë përgatitje dhe për t’u arratisur jashtë shtetit në Jugosllavi. Kjo vepër u vërtetua plotësisht vetëm për katër prej tyre. Në biseda me njëri-tjetrin këta kishin bërë një plan për t’u arratisur pasi të vrisnin rojet e policisë gjatë ndërrimit të turneve të natës; të vishnin rrobet e tyre, t’u merrnin çelësat e pasi të tërhiqnin të dënuar të tjerë të arratiseshin në Jugosllavi. Gjithashtu kishin menduar rrugë të tjera për t’u arratisur si duke hedhur në erë me dinamit motorat e ajrit e pikat e dobta të galerive nga mund të dilnin jashtë.
Bashkëpunimi në mes të pandehurve për këtë vepër është bërë aty për aty nën motivin e armiqsisë së thellë ndaj Partisë e pushtetit Popullor. Ky ka qenë si pretekst pasi ata kanë menduar ose kanë patur armiqësi prej kohe. Shumë nga të pandehurit thanë me armiqësi se donin të vdisnin në përleshje.
Të gjithë të pandehurit u akuzuan dhe dërguan në gjyq për veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit në bazë të nenit 50/1 – II e 13 të Kodit Penal ndërsa Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lulash Bushgjoka, Ndue Pisha edhe për tradhëti ndaj Atdheut në formën e përgatitjes për arratisje në bazë të nenit 47/gj – 11 – 13 të Kodit Penal. I pandehuri Vllasi Koçi u akuzua dhe për agjitacion e propagandë kundër shtetit në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal.
Nga hetimi doli se të pandehurit janë të moshave të reja 5 prej tyre deri 26 vjeç dhe 7 nën 40 vjeç.
Shtatë nga të pandehurit janë nga rrethet e Bajram Currit e të Shkodrës, të zonave Lekbibaj e Dukagjin dhe i quanin “grupi i veriut”. Këta dalloheshin për agresivitetin e armiqësinë e tyre. Disa të dënuar që u pyetën si dëshmitarë thanë se me masat e marra shpëtuam prej tyre dhe ramë në qetësi.
Pothuajse të gjithë të pandehurit janë dënuar si armiq për krime të rënda kryesisht për tradhëti ndaj atdheut, 6 prej tyre, ndërsa 1 për diversion dhe 5 për agjitacion e propagandë.
Për të ndaluarit e tjerë akuza u pushua. Bashkëpunuan me organet e punëve të brëndshme që këta persona të mos rikthehen përsëri në Qaf-Bari por të shkojnë në reparte të tjera.

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.