Shqipëria, kjo hale mediatike…
nga Alba Kepi Alimehmeti
Shqipëria, kjo hale mediatike… ku një gazetar/e dinjitoz nis ditën duke u lutur që këpucët që po lidh t’i shtyjnë dimrin se kompania për të cilën punon është më holl se ai e nuk ka “vakt” ta paguaj rregullisht. Ecja e çrregullt ia ka fërkuar thembrat sa goma i është puqur me lëkurën, por këto këpucë do ia dalin ta mbajnë të ndjek lajmin duke e parë me sy e jo duke e vjedhur o ia urdhëruar dikush.
Shqipëria, kjo hale mediatike… ku seksi oral quhet gazetari investigative e punëdhënësit e kësaj gazetarie nuk i prek as hetimi e as ligji, mjaft të kenë fotografinë e sulltanit në zyrën redaksionale.
Shqipëria, kjo hale mediatike… ku gazetari/ja i paaftë që nuk flet e as shkruan shqipen letrare, paguhet aq mirë, me pyetjet e gatshme dhënë nga zyra e shtypit e institucionit për të cilin po ndjek lajmin apo nga grupi afarist që e ka punësuar.
Shqipëria, kjo hale mediatike… ku të gjithë bëhen gazetarë, e dalldia social për të lexuar emrin në një portal u jep tagër të vjedhin fjalë, opinione, histori jete, e botues që mjaft të mbushin faqe shkelin çdo rregull të deotologjisë së profesionit.
Shqipëria, kjo hale mediatike… ku ish sigurimsi e ish oficeri i regjimit, drejton emision politik o shkruan “editoriale” në median më historike opozitare, e njerëz pa profesion vetëquhen analistë, publicistë, shkrimtarë…
Shqipëria, kjo hale mediatike… ku detyrimet ndaj profesionit ngatërrohen me politikën nga ata që politikën e përdorin për xhepin, e interesi i thellësisë së tij me organin jashtëqitës në gojë, ndyt mashtrime e shantazhe ndaj çdo gazetari/e dinjitoz.
Shqipëria, kjo hale mediatike… ku media është facebooku, lexuesit patronazhistë socialë e gazetari/ja me këpucë pa thembër, veç një punëtor/e që përpiqet të mbijetojë në këtë dalldisje urrejtje ndaj së vërtetës.
Ah, gazetari/ja me X5 o kështjellë banimi, jo nuk është i tillë. E mban si koperturë për to be popular!
Kjo hale mediatike e bërë e tillë qëllimisht me haraç Shqipërinë!
Javë të mbarë!
Marrë nga Muri i FB, Alba Alimehmeti – Kepi, 13 shkurt 2023