back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Freskim i Kujtesës…! – nga Ahmet Laholli

Gazeta

Rrugicë midis Barrakave
Rrugicë midis Barrakave në Savër
Freskim i Kujtesës…!
nga Ahmet Laholli

Personi që shihni në këtë foto, quhet Caush Gjyshja.
Jemi bashkë, në tetor të vitit 2023, në qytetin e bukur të Lushnjes, ku
na prezantoj rastësia. I palodhuri, Sofo Kuqeshi, mbas atij takimi të këndshëm që kaluam në Savër, më solli me makinën e tijë në Lushnje, në hotelin ku isha vendosur, dhe ku u çmalla shumë me të, si me vëllanë tim. Shume kohë të ndarë e të përlotur, mbasi kishim kaluar një jetë së bashku, nën diktaturën enveriane, që s’tregohet kurrë e plotë!
U çmalla shumë, me të gjithë ata që gjeta, në ato momente aty në Savër, ku kisha kaluar një jetë!

Më erdhi keq se Caushi kishte pësuar një aksident, por faktikisht kur u takuam ishte kthyer në gjendje normale. Kështuqë bashkë, u futëm në botën e kujtimeve të dikurshme.
Caushi në rininë e vet ishte shumë njeri aktiv. Për ca kohë ishte përgjegjës i Kinoklubit, ku bënte edhe detyrën e moderatorit mikrofonik në qendrën e zërit, brenda kinemasë së Savrës… Dhe një ditë rrebeshi e stuhije, ne të brigadës foragjere, që ushqenim 400 lopë, ishim vazhdimisht përballë natyrës së egër e gjithnjë në pune, me profesion si tezgaxhinj, ku nxirrnim me krahë tërfil ose jonxhë nga parcela në skaje, mbasi ishte baltë e madhe dhe qerret s’mund të futeshin brenda nëpër skolina, sepse fundoseshin dhe qetë nuk kishin fuqi të tëhiqnin. Atëhere na duhej ne, robërve të detyruar e të interrnuar t’i shpëtonim lopët në stalla nga mosngrënia, po edhe qetë që punonin bashkë me ne si vëllezrit tanë!!
Ata me zgjedhë… po edhe ne të zgjedhosur përjetësisht!! E po të guxoje të lije shenja pakënaqsie, shpejt a vonë mund të arrestoheshe, pse “nuk zbatoje vijën e partisë”. Ato kafshë të zgjedhës, shpesh trajtoheshin më mirë se ne të interrnuarit e barakave që ishim baza e fuqisë punëtore të krahut. Tezgat tona të mbushura e kishin kularin me ngarkesë dy kuintalësh, mbasi punonim si dyshe.

Ahmet Laholli dhe Caush Gjyshja
Ahmet Laholli dhe Caush Gjyshja

Brigadier kishim Shefqet Kabën. Atë ditë, ai ia dha emrat tanë Caushit, për punën e shkëlqyer në atë ditë të vështirë, mbasi i shpëtuam qetë pa ngordhur ugareve.
Në mëngjes, ndërsa gjithë puntoria po shkonte në punë, dëgjon në altoparlant Caushin duke lexuar emrat tanë si punëtorë të sakrificës: Ahmet Laholli, Myzafer Kulla, Sofo Kuqeshi, Pjetër Delia, Lefter Çapaj, Luan Laholli, Myfit Bylykbashi, Rahmi Spahiu, Hatman Neza, (që ishte grua por i jepnin punë të rënda burrash, pse vishej me pantallona) Memeci, një djalë që vinte nga Karbunara dhe ishte në skuadër me ne të interrnuarit. (Mbasi edhe ne duhej të ishim shurdhë-memecë… ndaj na përkiste ta kishim edhe atë në formacion…).
Atë ditë brigadier Shefqeti na kishte njoftuar se meritonim pagë dyfishe dhe lavdërime në “qëndrën e zërit”, ku Caush Gjyshja na quajti “heronjtë e baltës e të moçalit”, mbasi sakrifikuam dhe shpëtuam ushqimin e lopëve, e mbi të gjitha qetë…
Më vonë, kur Caushin e hoqën nga Kinemaja, e pamë të bëhej këpuctar. Ishte djalë i mirë, po fatkeqsisht ne nuk punonim me këpucë, e ai na ngjiste veç çizmet që na shqyheshin nga përdorimi njëvjeçar. Ato na mbusheshin me vrima në të katër anët, e ndodhte që Caushi s’kishte më as pulla e as mastiçe për t’i riparuar. Atëherë ai raportoi te përgjegjësi i sektorit, dhe i kërkoi që të na pajisnin me çizme të reja, mbasi ato tonat nuk mbanin më as pulla. Nëpër llucën e Myzeqesë, as me kavo nuk dilje dot!!!
Një ditë, e pashë me një radio dore me antenë, e cila merrte edhe me valë të shkurta. Mua më duhej ajo, sepse dëgjoja radio Pragën, ku mund të dëgjoja këngë të vjetra italiane, po edhe Zërin e Amerikës, edhe Prishtinën, nganjëherë edhe Radio Moskën në shqip, që fliste kundër diktatorit.
E pyes Caushin: “Sa lekë ma jep mua këtë radio?” Caushi më tha se nuk punonte mirë,
por nëse e doja do të ma jepte 6 mijë lekë, me këste nga 500 lekë në muaj! “Por i dua 1000 lekë sot në dorë!” – më tha.
Ramë dakort dhe i dhashë 1000 lekët…
Në 6 të darkës e provova radion te valët e shkurtra dhe ma mori Zërin e Amerikës. M’u duk vetja sikur po flisja me babanë, që e kisha të arratisur atje prej vitesh. Jam gëzuar në maksimum, sa s’thuhet!
Tani çdo të shtunë e të dielë ndiqja Radio Pragën, ku jepesh vetëm muzikë italiane dhe këngëtarë me emër tëv madh dhe me këngët më të bukura të tyre.
Nuk e zgjata shumë borxhin me Caushin, mbas dy muajsh ia lava komplet, aq sa Caushi u habit. Po radio kishte edhe difekt, – më tha – dhe prisja që të ma ktheje!!
I thashë se e shita 5000 lekë në Korçë, sepse vërtet kishte difekt. Në fakt s’e mbaja dot lumturinë që ndjeja. E mbaja sekret  radion, dhe vetëm me vëllanë e madh Luanin e kisha folur. Nuk doja të bija fare në sy se kisha radio dore. Isha njëfarë thëngjilli i mbuluar, dëgjoja muzikë dhe lajme nga më të ndryshmet, e askush s’e dinte.
Më vonë Caushin e ngarkuan të fuste në punë banjot popullore, që ishin fare pranë barakave. Ishin me ujë çezme, i cili ngrohej me kaldajë me drunj, e ku ne mund të laheshim me dhjetë lekë të vjetra për çdo fundjavë… po ne që ishim miq Caushi, laheshim shpesh edhe falas.
Një herë qëllova të lahesha mbasi doli Ismail Prengjoni nga banjo! Rahmet pastë, burrë zotni nga Tropoja, që i binte çiftelisë dhe lahutës. I lodhur e i drobitur nga puna e rëndë, e kishte dobësi në të dëgjuar, por në shtëpi çlodhej kur merrte çiftelinë dhe qetësohej dhe veshi i ëmbëlsohej prej atyre tigujve, po edhe unë, që e kisha komshi kënaqesha sa herë e dëgjoja. Ishte burrë zotni, Ismail Zherka. Në Tropojë i kishte rënë edhe sharkisë. Ishin familje fisnike e besnike po edhe shtëpi trimash…
Ismaili doli nga banja mbas larjes dhe unë hyra. Kur shoh poshtë, një tufë me njëqind lekëshe. Ende nuk ishin lagur. Pa u xhveshur, i mora dhe ja futa në xhep xha Ismailit. Kuptohej, ishin lekët e bukës, e duke u veshur, i kishin rënë të shkretit. Ai e futi dorën në xhepin e tij, dhe më falenderoj shumë, mbasi u sigurua se i kishin rënë atij nga xhepi!
Kur ja dhashë, më pa Caushi i cili më tha: Ahmet, ku i gjete ato lekë që ia dhe Ismailit?
-Përdhè i gjeta, dhe i dhashë pa u xhveshur.
-Po mirë, po sikur t’i kenë rënë ndonjë tjetri, atëhere kush do t’ia japë.
-Caush, – i thashë – ato ishin lekë të thata, së paku do të squlleshin gjatë kohës kur xha Ismaili ishte duke u larë. (Sepse ne laheshim nganjëherë edhe 40 minuta!!!) – Prandaj mos ngul këmbë kot. Ato janë lekët e bukës së kalamjve.
Atëhere Caushi pak si me humor më tha: “O Ahmet, po i ndanim bashkë!”
-Aaaaa, jooo Caush! Këtë nuk do ta beja kurrë! Po të kisha atë ndërgjegje që shpreh ti, i fusja më kollaj në xhepin tim. Por hallalli është hallall. Po të me bien mua lekët e bukës, me të cilat mbaj familjen për dy javë? Ç’të bëj ku të shkoj e të kërkoj borxh! Se fëmijet duan të hanë!
Atëhere Caushi më tha: -Ahmet, qënke vërtet njeri zemërmirë dhe tepër i drejtë!
Ndërsa e bëmë këtë bisede mes meje, Sofos dhe Sokrat Ndreçkës, Caushit tashmë i qe freskuar mirë kujtesa!

Marrë nga Muri i FB, Ahmet Laholli, 14 Shkurt 2024

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Me Ahmet Lahollin (Laho Selim), kemi ndarë jo vetëm shumë vite dhe biseda bashkë në Savër, e sigurisht ruajmë kujtime pozitive të mjaftueshme për ta respektuar njeri-tjetrin. Edhe pse kemi më shumë se tre dekada pa u takuar! Me që vazhdimisht i mbledh me kujdes dhe i paraqes kujtimet e Savrës, nuk mund ta lija jashtë këtë histori të rrëfuer nga Ahmetit, në udhëtimin e tij të fundit në atdhe, çka dëshmon edhe në fjalët e veta se mbetet njeri me kujtesë të hekurt, edhe pse mosha nganjëherë ka filluar të bëjë lojrat e saj me mjaft prej nesh!
    Përgëzimet e mia Mete!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.