back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Pirro Dollani ose Vullneti i Pakufishëm – nga Kristaq Jorgo

Gazeta

Kristaq Jorgo
Kristaq Jorgo
Pirro Dollani ose Vullneti i Pakufishëm
nga Kristaq Jorgo
Urim në 70-vjetorin e lindjes

Çdo njeri ka Shembujt e vet në jetë. Njëri prej shembujve të mi është mësuesi im i gjuhës shqipe në gjimnaz dhe, që prej asaj kohe, shoku dhe miku i shtrenjtë Pirro Dollani.

Ai mbush sot 70 vite jetë.
Ka njerëz me mendje të bukur. Ka njerëz me shpirt të bukur. Ka njerëz me jetë të bukur. Fuqia që i ndan këto virtyte është dorështrënguar. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë, siç duket, përherë. Nga mizëria e pafundme e individëve, të përzgjedhurit e Saj nuk janë të shumtë. Prej tyre, një grupi iu bekon mendjen, një tjetri shpirtin, një të treti jetën. Nuk fal shpesh dy bekime njëherësh dhe rrallë të tre bekimet bashkë. Duke u dhënë këtyre të fundit, më të paktëve, më të mirëve, krahas bekimeve edhe barrë të rënda prove. Të parat – bekimet, Ata ua falin të tjerëve me një bujari të shenjtë pa kursim. Të dytat – barrët, i përballojnë vetë, me stoicizëm e shpresë të palëkundur.
Këta janë Njerëzit, të Përzgjedhurit, Lulja e Racës Njerëzore! Edhe vetëm një mendim i shkurtër për ta i fal njeriut gëzim, paqe, kurajë, dëshirë jete, mirësi, fisnikëri. Pirro Dollani – njëri prej tyre. Ai vetë ndoshta nuk e di këtë, me siguri do të thotë “jo”, por kjo është në logjikën e gjërave. E dimë ne, miqtë e tij. Dhe secili prej nesh ndien në vetvete një haré, kur mendon se Perëndia/Jeta/Fuqia i ka falur këtë bekim – njohjen dhe miqësinë e këtij Njeriu.
Prej dy dekadash tok me familjen në ShBA, duke kapërcyer me vullnet heroik sa e sa dallgë të mëdha jete, përkthyes i një vargu autorësh të shquar të letërsisë bashkëkohore amerikane në shqip dhe i një kryevepre të letërsisë shqipe në anglisht, mik nobelistësh dhe personalitetesh të kulturës së atdheut të tij të dytë, kurrë i ndarë prej të parit, Pirro Dollani është një Margaritar i Rrallë Njerëzor për dhjetëra shokë e miq të tij e qindra të njohur në të dy kontinentet.
Edhe 100 vite të lumtur Mësues, Luftëtar i pamposhtur, Mik i shtrenjtë Pirro Dollani!
Edhe 100 vite të lumtur Heroit tuaj e tonit, të dashur Elfrida, Arba e Gjergj!
Bashkë me Edlirën ju përqafojmë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.