back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Bariu dhe Kërraba Misterioze – nga Robert Martiko

Gazeta

Robert Martiko
Robert Martiko

Bariu dhe Kërraba Misterioze

nga Robert Martiko

Një bari në mal, duke nxituar të zbriste në kryeqytet, hodhi pa kujdes kërrabën, që hyri në një të çarë shkëmbi, nga ku buronte ujë i pijshëm për gjithë mbretërinë. Në ultësirë pa njerëz të alarmuar nga mungesa e ujit, të grumbulluar para pallatit të mbretit. E kuptoi menjëherë se kërraba e tij ishte shkaku që kishte shkaktuar të keqen.

I shtrënguar nga rrethanat, mbreti shpalli premtimin me kasnecë, edhe në fshatrat më të largëta të mbretërisë, se kush do të sillte përsëri ujin, do t’i jepte bijën e vetme për grua. Kështu iu krijua mundësia bariut në fjalë që, duke hequr kërrabën nga e çara e shkëmbit, të martohej me princeshën.
Mirëpo çobani rastiste të ishte një njeri pak i veçantë. Kur u gjend me pasuri, gjëja e parë që bëri, ishte të kërkonte të mësonte në shkollat më të mira të botës. Më pas, i nxitur nga një dëshirë e madhe, që iu bë pothuajse obsesion, nisi të shpërndante djathtas e majtas njohuritë, që kishte marrë nga frëngjtë e mësuar.
Ngaqë ishin gjëra të reja, oborrtarët, këshilltarët dhe gjithë filozofët e mbretërisë, e shihnin me dyshim. As mbreti donte ta dëgjonte. Bariu bënte fjalë për kuptim jete, rilindje shpirti, ndërgjegje historike, domethënë për ca gjëra të padëgjuara kurrë më parë; jo vetëm sipas librave por edhe në praktikë, ato kanë aq shumë vlerë, saqë ndryshojnë botën.
Oborrtarët thoshin midis tyre se nuk është e mundur një njeri i vetëm, të tërheqë për hunde shumicën. Ndërkohë, asnjë e kundërshtonte përveçse ndonjë molusk pa shtyllë kurrizore, i përgjumur, me mendje e karakter të shuar. Më të zgjuarit e mbretërisë, nuk ishin aq idiotë sa të mos e kuptonin se me çfarë lloj dijesh të mykura, mund të kundërshtohen më gjigantët e mendimit, të të gjithë kohëve të njerëzimit.
Pikërisht nga dijet e tyre të thella kishte ndryshuar fati i shoqërisë në vendet ku perëndon dielli. Shtetasit e mbretërisë do të mund të shpëtonin përfundimisht nga skllavëria, vëllavrasja, do të përfitonin lirinë e brendshme, qëllimin për një jetë me cilësi dhe sa e sa të mira të tjera. Ishin gjëra që mendimi oborrtar hileqar, edhe nuk i dinte, por edhe i pengonte për t’i mësuar njerëzit e thjeshtë.
Kjo gjendje e bëri bariun të mendonte se graniti është një material mjaft më i butë nga trutë-shkëmb-beton-armé të njerëzve, ndonëse e paguajnë me mijëra herë, me gjak, në arkën e Historisë. Donte t’i vinte një emër kësaj kërrabe të dytë, të çuditshme, kokëfortë, që nuk mund të shkulej kurrsesi nga shkëmbi. Mbante mbretërinë të bllokuar mendërisht, me pasoja të tmerrshme për shtetasit.
Nuk kishte idenë e kërrabës as romancieri më i adhuruar i mbretërisë, një lloj tipi i fryrë me pompë, i përkthyer në mjaft gjuhë të botës. Mjafton të lexosh me sy të brendshëm, të kujdesshëm, pergamenat e tij të fantaksura dhe e kupton menjëherë boshllëkun e madh.
Çfarë të ishte vallë kjo kërrabë e çuditshme që nuk ka burrë nëne në botë për ta nxjerrë nga shkëmbi? Do të ndodhte një revolucion i madh i përgjithshëm, në mendim, një çlirim i vërtetë shpirtëror…
Për të zgjidhur enigmën, thonë se, një natë, bariut iu shfaq në ëndërr Zarathustra, profeti i famshëm persian, i cili ka jetuar më shumë se shtatë shekuj para Erës së Krishtit.
I pëshpëriti bariut në vesh se kërraba misterioze e ka fjalën “Kohë”. -Shtoi më pas, duke u larguar, i tretur në ca avuj të bardhë mistikë, se kur nuk ekziston ideja e Kohës, një fakt i tillë, i mbyt të gjitha mbretëritë tip shpelle pa pik mëshire, pa kursyer as kafshët e pyllit, të përjashtuara nga kuptimi i gjërave dhe i jetës, qysh në origjinën e Krijimit të Botës…

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.