back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Mirnjoftje… Poezi nga Gjezeko (Gjergj Kola)

Gazeta

Bukuri shqiptare...
Bukuri shqiptare…

Mirnjoftje…

Poezi nga Gjezeko (Gjergj Jozef Kola)

1
Ti vajzë shqiptare
Qi lidhe fijen e hollë të fatit tand të vetëm
Në tezgjahun tem mbi gunga malesh të ndame përgjysë
Dhe shtrive gishtin tand të hangun deri në rranjen e pritjes
drejt altarit të ksaj gjallesës teme të rujtun në nji lis të premë
nga rrufetë e nguluna nëpër gjokse kuajsh pa gjurmë,
për me marrë unazën e gërvishtun
me emnin tem prej shkronjash shqipe,
t’lame në lumejtë prej gjaku kulçedrash t’hueja
dhe sa sh’njergjat i kalove përballë katedralesh të rrëzueme
nën thundra djajsh ngjyrë terri ku fëmijve tuej
i gërvishtën n’ballë shkronja arabe me trajta gjarpnish
dhe fjalët shqipe u strukën nëpër fole shqiponjash
me rranjë drandofilash në kujtesë.
E megjithatë ti nuk ike prej fatit tem e nuk më braktise
me nji grusht vezësh të plasuna n’udhëkryqin e madh të kohës…

2
Ti vajze shqiptare
Qi e lidhe fijen e hollë, të fatit tand të madh
Me rrugicën teme ku sa herë njerzit çoheshin para brymës
Me mbledhë me nji shishe shpreset qumshtin e dallëndysheve,
që kishin harru me ardhë përgjithmonë
dhe lotin e foshnjes e pastrove me flokët e Rozafës
tek tkurrej për herë e ma thellë nën dheun e gurtë,
ndërsa fëmijtë tuj i mbështjellnin me teserat e kuqe dhe zinxhirët
me bombat e së keqes i lidhnin nëpër duert e tyne të brishta
para se me i lëshu në boten e madhe
qi qeshte me bunkerët e vegjël
ku rriteshin krijesa Hekurbetoni
t’ateizmit dalënjirit me ftyrën e qoftëlargut…
E megjithatë ti nuk ike prej fatit tem
e nuk më braktise me nji grusht vezësh të plasuna
në udhëkryqin e madh të kohës…

"Vajza Shqiptare" Jan F. P. Portielje
“Vajza Shqiptare” Jan F. P. Portielje (fb. I.Seci)

3
Ti vajze shqiptare
Qi kur u hap deti nga dy anët
dhe turma e lirisë mori rrugën nëpër portet botës,
ndejte këtu afër mejet në rradhën e pafund tuj pastru bashkë
prej thojve të hangun nga pritja, të zezën e kohës
ngulun thellë deri në mishin e rrjepun
e prap më zg’jodhe mue, si shokun e nji jetës tande të vetme
dhe fluturove me sqepin e pelikanit plot me dashni të re
Në folenë teme të harrume mbi asfaltin e rrjepun
të ksaj Demokracie buzëplasun prej njerzisht qi s’qeshen kurrë,
si njerzit, me njeni tjetrin dhe etnit e tyne i vranë poetet
e në kafkat flokëprishuna thyen lëvozhgat nga dolën përbindshat,
që s’mësuen kurrë me i kërku të falun dritës…
E megjithatë ti nuk ike prej fatit tem e nuk më braktise
me nji grusht vezësh të plasuna
në udhëkryqin e madh të kohës…

4
Ti vajze shqiptare
Me krahnuerin tand të mbushun me hekura dekoratash
Prej sokoleshe, trimneshe, burrneshe
e urdhnash të shtremtë shekujsh
ku struken gjinjtë e mbushun me të njajtën dashni të brishtë
e zjerm përvlues qi rrit sytë e fëmijve
me dritën e ambël të nadjes së freskët
me puthjen e frymës së parë,
dhe mbështjell jetën teme
me fijen e artë të fatit tand të vetëm…
si shejtja Mari e vizatueme në fytyrën e erës
ku dashnija përditë bjen drandofile të freskëta
prej asaj lulishtes së vetme të qytetit,
qi asnjikohe s’e betonoj ne hekur
dhe zemra jote asht kthy në fole dritet
për vezët e pangjyra të festës që pritet me ardhë
tuj plasë në njimijë ngjyra për me na la prej baltës së njirit
e me të shndërrue ty n’hyjneshën e vetme
qi e lidhe fatin e hollë të fijës së trashe të jetës
me këtë tezgjahun tem dalëbrinjsh nëpër botë.
Kshnella 2013
(marrë nga muri i fb i Herr Kola Herr)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Gjithë miqve të mi të shumtë, tashma të shpërndamë nëpër botën mbarë, që gjetët kohë e më uruat përvjetorin, unë gjej rastin t’Ju falenderoj nji për nji, dhe t’Ju uroj nji të shtunë të kandshme…
    Përzgjodha nji poezi të nji mikut tim, të cilën e konsideroj nji hymn për gruan shqiptare… dhe u përpoqa që bukurinë e vargjeve të tij ta përcjell edhe me bukurinë artistike të figurës së gruas shqiptare…
    Ju falemnderës gjithve ju miqtë e mi…
    të falemnderës edhe ty Gjergj Kola!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.