back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Gjithmonë në rrezik… e t’mos mbytesh kurrë!!! Edmond Hasani

Gazeta

Mondi - variant pranveror
Mondi – variant pranveror

Gjithmonë në rrezik… e t’mos mbytesh kurrë!!!

Nga e përdishmja e rrëfimeve të Edmond Hasanit…

Me gozhdë, grisa suvanë e murit poshtë parvazit të dritares ku ulesha gjithmonë në mësim dhe formova inicialet e tua!
Po me atë gozhdë, mbi bangën ku uleshim ndonjeherë bashkë shkrova trajtesën e ëmbël të emrit tënd! Tek lëkura e fortë e blinave para gjimnazit gdhenda gërmen tënde të parë… natyrisht me po atë gozhdë!
Një ditë rastesisht, u gjenda tek vc-të e shkollës dhe një gozhde m’u ngul në shpirt kur pashë inicialet e emrit tënd që zbukuronin muret me lagështi urine!
Gozhda është gjithmonë brenda meje, bashkë me trajtesën e ëmbël të emrit tënd!
…Kalojne vite! Po dara e tyre s’e ka shkulur ende gozhdën që s’ndryshket kurrë!!!
12 janar 2014

Mondi - Mbi mjegull
Mondi – Mbi mjegull

Na mbyti mjegulla!
Asgjë s’të josh jashtë! Mjegull lugina, rrethinat, qyteti, madje dhe malet! Mjegull në shpirt, mjegull dhe në fb! Edhe kur diçka si dritë shpon mjegullnajën e ftohtë nuk është Dielli, nuk është Zoti! Eshtë ndonjë femër e bukur që të shikon, të buzëqesh, të komplimenton e pasi zhduket… të le përsëri aty ku të gjeti: Në mjegull!
Po mbase është mirazh, mbase iluzion! E nuk ka as Diell, as Zot e as femër!
13 janar 2014

Nëse trishtimi ka nje melodi… mirë është ta dëgjojmë…!

Mbase sonte Kristiano Ronaldo fiton atë që meriton! Ndërkohë mbase një shishe e kusur verë do ta thaj diku e një status do formësohet para se mezet të përgatiten në guzhinë! Mbase ndërkohë edhe mjegulla vërtetë do shpërndahet në pjesë të zhdrejta e do të kem mundesi ta shikoj Diellin, Zotin dhe Femrën!
Mbase… mbase… mbase…!
Na iku jeta me mbase… por sa e bukur është kjo mbase… si një vetmashtrim i shndritshëm si mjegulla mbi trekëndeshin e Bermudeve!!!
13 janar 2014

Mondi dhe Cristiano Ronaldo
Mondi dhe Cristiano Ronaldo

Mjegulla u shpërnda, jufkat i hëngrëm pothuaj të gjitha, mishin e zhdukëm pa lënë gjurmë, shëndetin e Gimit e ngritëm deri në lodhje… Pimë gjithçka të pijshme… Cristiano e fitoi “Topin e Artë”, Dumja vazhdon të jetë debil!!!
E ç’kërkoj më nga jeta?!?
13 janar 2014

Kam një dhembje koke që pak nga pak do bëhet e padurueshme!
M’u kujtua një dhembje koke që miku im Dumja pati në çastet kur arkivoli ku shtrihej i ndjeri, babai i tij i nderuar, do të dilte nga apartamenti për t’u përcjellë në banesën e fundit!
-Mondi, – më tha, – vdiqa nga koka! Çfarë t’i bëj! Unë me shokët kishim pirë siç na ndodh gjithmonë në të tilla evente… dhe ju përgjigja menjëherë: “Dëgjo, – i thashë – kinezët kur kanë ndonjë dhembje fizike në ndonjë pjesë të trupit i shkaktojnë vetes një dhembje më të madhe se e para në një vend tjetër… në këtë mënyrë ajo harrohet!”
Dumja, që nuk po kuptonte asgjë nga terapia kineze me shikonte si i çmendur ça po thoja! Kohë nuk kishte dhe arkivoli po dilte! Menjëherë e afrova kokën e Dumes nga vetja, i kafshova vetullën, e cila filloi të gjakosej! Gjyli, çau një cigare dhe i vuri duhan mbi vetull, si manikote! Pas një minute Dumja më tha: Flm Doktor, tani jam i qetë!!!
Po ku ta gjej unë tani ndonjë kafshues vetullash???
13 janar 2014

Personalisht nuk me joshin kurrë ca anketime mediatike, të porositura majtas apo djathtas lidhur me të ashtuquajturin, Njeriu i Vitit!
Këtë vit nja dy media proqeveritare Top Kanali dhe Mapo kane gjetur Ramën si Njeri të Vitit 2013! Nëse do të më pyesnin mua  do të thoja se Njeriu i Vitit e meriton të ndahet në mes Ilir Metes që rrëzoi Berishën dhe ngriti Ramën dhe Protestuesve antikimikë!
Ama unë personalisht në fshehtësi, si Njeri të Vitit 2013, do të shpallja njeriun që më dhuroi kamerën me të cilën bredh lart e poshtë maleve që rrethojnë qytetin tim! Çdo njeri ka Njeriun e tij të Vitit, i cili është e rrallë fare të jetë politiqen, sidomos politiqen shqiptar!
14 janar 2014

Natë me hënë....
Natë me hënë….

Po qëndroja i kuriozuar pranë gurëve të varrezës së vjetër, kur pas meje dëgjova zërin e ngrohtë të Shpresës, shoferes së makinës së funeraleve e cila më pyeti: Varrin e Filizit po sheh? Nuk e njihja Filizin, dhe s’po dija ç’të thoja! Pas pak minutash e kuptova se dikur, dikur një vajze e re, bareshë e quajtur Filiz, ishte dashurur me Qetsorin, një grindavec i cili para se të shkonte ushtar, nizam në Jemen, kish vendosur ta vriste Filizin, sepse nuk mund ta merrte me vete në luftë, por edhe nuk mund ta linte si objekt bukurie relaxuese në sytë e bariut Jeton!!!
I menduar hoqa sytë nga myshqet mbi gurin e varrit të Filizit dhe i brodha ata në fytyrën gjithë rrudha të Shpresës! Befas një pyetje më kaploi trurin: Po Shpresa a ka patur në jetë ndonjë Jeton apo Qetsor???
…Në lokalin e parë që ndeshëm rrugës ajo duke pirë me mua fernet më tha: “Ehhhhhh, ça fat m… paskam pas! Sa mirë do ishte ta kisha pasë emrin Filiz???”
“Vërtet, do ishte bukur… dhe unë do vija tek varri yt për të pastruar myshqet e për të lexuar aty: Filiz, viktimë e dashurisë apo xhelozisë???”
Rrudhat e Shpresës u rrudhën edhe më tepër e duke më parë me ngulm më tha: “Tallu, ti tallu, ama mësoje se brenda disa varreve ca zemra akoma rrahin!!!”
Kur u ndamë po pyesja veten: “Mos vallë kishte të drejtë Shpresa me rrudha për ato zemrat që vazhdojnë të rrahin edhe brenda varreve???
15 janar 2014

Mondi - variant '91
Mondi – variant ’91

Ishte viti 1991!
Mund të isha kacavjere edhe une tek litaret e ndonje vapori apo me not shpine te kaloja Otranton, por në çastin e fundit… një kameriere e divorcuar nga Sukthi na tha: “Mbushini edhe një herë gotat para se të ikni…” e kështu pas dy orësh e pashë veten në Milot, drejt vendlindjes!
15 janar 2014

Mondi... dhe 100 vjeçaret
Mondi… dhe 100 vjeçaret

Ka patur raste kur ajo nuk ishte 100 vjeç!
Përçart, në gjumë më thoshte para pak minutash se unë i ngjaja, Musait, gjyshit tim në pamje, në leximin e librave dhe në krehjen e vetullave!!!
Unë vetullat nuk i kreh, por siç duket tek unë e gjora sheh të shoqin e munguar prej dekadash ose do me patjetër të më njesoje me të shoqin e saj! E le të flasë, nuk e ndërpres edhe pse hidhet degë më degë, edhe kur si plakë e lashtë labe stoike si shkrepat e Karaburunit më shet mend për karakterin e saj, edhe kur me thotë se unë krehërin e saj ia kam dhënë një kurve, edhe kur i thotë gruas time ish-volejbolliste të na kendojë një këngë si dikur në estradë, edhe kur i afrohem ta puth… ajo më shtyn duke më thënë “moooos, se njerëzit që janë rrotull nuk e dinë që je nipi im”… edhe kur fillon të kërkojë duke qarë vajzën e saj që prej 7 muajsh nuk jeton më, edhe kur këndon Vajzën e Valëve, edhe kur për të 1000 herë me tregon sesi i mori me gurë ca italiane që po hanin fiq tek bahçja e saj në Dukat, edhe kur pasi pi kafen më akuzon mua se ja piva unë…!
E shoh me dhembje këtë grua të madhe! Habitem me veten pse e dua kaq shumë, pse e kam dashur kaq shumë! Ka patur raste kur ajo nuk ishte 100 vjeçe dhe unë ato raste i ndjej, i shikoj, në përçartjet e saja që në fakt nuk janë përçartjet e një të sëmure shekullore, por ngjarje të treguara me ndjenjë nga një grua që jetën e jetoi si një kapitene anije… gjithmonë në rrezik dhe nuk u mbyt kurrë!!!
15 janar 2014

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.