back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Tmerri i shkurt-marsit 1997, në qytetin e Vlorës – nga Kostandin Koliqi

on

|

views

and

comments

Kostandin Koliqi
Kostandin Koliqi
Tmerri i shkurt-marsit 1997, në qytetin e Vlorës
nga Kostandin Koliqi

Po e shkëpus këtë pjesëz, nga materiali kryesor që bën fjalë për ngjarjet e viti ‘97, në kujtim të dëshmorëve Besnik Hidri dhe Lekë Qoku, rënë në krye të detyrës, në zyrat e tyre të punës, por… edhe për mos t’u harruar edhe pse kjo periudhë që po kalojmë, është gati të përsëritet ajo gjëme e madhe dhe ky do të jetë fundi ynë si popull…

Shtypi i Huaj për ngjarjet e shkurtit 1997, në VlorëShtypi i Huaj për ngjarjet e shkurtit 1997, në Vlorë
Shtypi i Huaj për ngjarjet e shkurtit 1997, në Vlorë

…Më datë 25, mora informacionin se më 26 Shkurt, do të goditej dhe do të asgjësohej SH.I.K-u. Më datë 26, bie një shi shumë i madh, sa u duk se qyteti i Vlorës, po bashkohej me detin… Plani i sulmit mbi SHIK-un, u shty.
Më datë 27 Shkurt, vjen në Vlorë, Gjeneral Bujar Rama. E vëmë në dijeni për planin që shumë shpejt do të zbatohej nga kryengritësit, për vendimin e Komitetit të Shpëtimit Publik dhe i sygjeroj të largoheshin me gjithçka kishim aty. Megjithse pak paramesnate, i kthehen të rrahur dhe të shqyer, shoferi i tij dhe shoqëruesi, nga familjet e të afërmëve, ku kishin vajtur, sepse i kishin kapur poshtë pallatit dhe pasi i rrahën edhe do t’i kishin vrarë, por shpëtuan se u dolën në mbrojtje të afërmit, ai prap nuk vendosi t’i tërhiqte vartësit e vet nga Vlora.
Besnik Hidri, një nga oficerët më të mirë të SHIK-ut, e shoqëroi eprorin e vet dhe e nxjerrr nga Vlora, pastaj lajmëruam policinë, për të shoqëruar Gjeneralin… Nuk mund të besonim policin e emëruar nga Komiteti i Shpëtimit Publik, krijesë kjo, e lindur nga krimi ordiner dhe ai politik. Po më datë 27 Shkurt, në Vlorë u pa sekretari i PS, z. Rexhep Mejdani. Ngarkoj njerëz për ta shoqëruar, në distancë, derisa ai, i shoqëruar nga udhëheqës të revoltave, futet në vilën e Brokajve.
Të nesërmen, më 28 shkurt, në paraditen e asaj dite, Rexhep Mejdani largohet nga Vlora. Më pas informohem se, pasi ishin kritikuar shumë ashpër nga Rexhepi, për mosasgjësimin e punonjësve të SHiK-ut, në vilë u vendos që të asgjësohej SHIK-u brënda asaj dite.
Data 28 shkurt, ora 18.30, isha në trotuarin e godinës së grevës, te lulishtja afër godinës nuk mund të shkelte askush, që nuk njihej nga rojet. Në këtë moment, në rrugë, afër godinës, ndalojnë një furgon dhe një veturë, me targa të Lushnjes. Nga vetura zbresin 4 veta. Ata shkojnë drejt shkallëve të universitetit, atje ku ishte drita më e fortë. Fillojnë të improvizojnë një grindje. Nxirret një thikë dhe bëhet sikur goditet. Tjetri që u “godit”, bie në tokë. Tre të tjerët, i hipin makinave dhe nisen në drejtim të SHIK-ut. Personi që ra në tokë, ngrihet dhe bërtet, “më vranë shikasit”. “Tek SHIK-u”. Unë shpejtoi për në zyrë, në Kuz Baba. Lidhem me godinën, ku ishin, në sherbim, 16 veta. Lekë Qoku, m’u prezantua si përgjegjës. I them se turmat po vijnë drejt godinës, më shpjego se çfarë po bëjnë. Leka më thotë se turma po vendoste një makinë, riportabël, me kazan të ngritur, në hyrje të portës së oborrit, si duket për t’u mbrojtur nga kundërgoditja që mund të merrnin nga godina. Raportoj lart për situatën e krijuar. Nga Leka më vjen informacioni se bëhej fjalë për rreth 80 deri 100 veta të armatosur. Kishin edhe granatahedhës. Hapet zjarr kundër godinës. Nga vila e Brokajve, qëllohet me mitraloz dhe bëhet zjarr thikë. Qëllohej edhe nga një godinë tjetër, në krahun tjetër të godinës së SHIK-ut, njerëzit që ishin brenda, qëllonin në ajër. Nga turma nuk u vra apo plagos asnjë që ishte aty atë natë. Nga turma qëllohej nga 20 metra larg godinës. Pyes Lekën se çfarë shihte dhe a i shihte ata që hapnin zjarr apo jo? Ai më përgjigjet: “Në dhomë shoh vetëm tym e flakë, jashtë shoh vetëm gra dhe fëmijë. Ata që na qëllojnë, janë fshehur pas grave dhe fëmijëve dhe nuk mund t’i godasim dot. Shikojmë vetëm flakët e armëve të tyre!” Lidhem, pak me vështirësi me pjesën tjetër të grupit që ndodheshin në Vilat e Ujit të Ftohtë. Ju kërkoj që të kthehen se shokët e tyre janë goditur dhe nëse mund t’i ndihmonin dot. Ata mundën të afrohen deri tek porta e Akademisë Detare, sepse, pjesa tjetër ishte mbushur me njerëz.
Nga porta e Akademisë, deri te godina e SHIK-ut, është afër 200 m. Nuk mund të jepnin asnjë ndihmë. Gjithçka villte zjarr, ishte llahtar. Një qytet i armatosur me ç’të mundte, hapte zjarr vdekjeprurës, kundër një grupi punonjësish të shteti të tyre.
Leka me thotë: “Kosta, jam plagosur!”. Zëri i tij vinte duke u shuar. Ai shton: “Këtu është vetëm tym e flakë. Shoh afër meje dy trupa të shtrirë. Më ka hyrë një plumb në kraharor dhe më ka dalë prapa, në shpatull…!” Efektivi ishte i armatosur për të mbrojtur zyrat e tyre të punës, por nuk mund të vrisnin gra dhe fëmijë. Por edhe si organ informativ, ne asnjëherë nuk kishim detyrë për të hapur zjarr, aq më tepër kundër turmave.

Ngajrjet e vitit 1997 në Vlorë
Ngajrjet e vitit 1997 në Vlorë
Orët më të tmerrshme të jetës sime

TV-të, kishin filluar të jepnin lajmin e sulmit të turmave të armatosura kundër SHIK-ut. Lajmet ishin nga më të ndryshmet dhe më të tmerrshmet. Mjet komunikimi ishte vetëm telefoni, të paktën, në ato momente. Me familjen bisedova për herë të fundit, rreth orës 22.oo të datës 28 shkurt, pastaj rreth fatit tim, familja dinte vetëm nga ato që thoshte televizori. Tirana kërkonte informacione të hollësishme, me ata që vriteshin dhe piqeshin të gjallë në godinë, duhej të komunikoja në çdo sekondë, por isha tepër i pafuqishëm t’i ndihmoja.
Nga komunikimi telefonik me Tiranën, në një moment, vë re habinë e Presidentit për atë që po ndodhte, qe godina e SHIK-ut u sulmua me armë!! Përse kjo habi?! A mos vallë, ai nuk i kishte marrë informacionet, të plota dhe të sakta, gjatë gjithë muajit, të cilat, personalisht, ja bëja prezent, sipas detyrës që kisha, Ministrit tim!!
U binda për këtë rreth, orës 2.30 të datës 1 Mars, sepse, nga ministri im, m’u kërkua që të merrja një automatik dhe të luftoja kundër një turme prej, 10-15 mijë vetësh, në shumicë, të armatosur…!?!
Nuk e di se kujt i duhej vdekja ime…!!

Dëgjoja, urdhërat e Presidentit, të cilët ishin për të mbrojtur objektet, por pa vrarë asnjëri, kundër turmave të mos qëllohej në asnjë mënyrë, dhe këto urdhëra qenë të tilla nga fillimi deri në fund të detyrës së tij, ndërsa mua më urdhëronte, eprori im që të luftoja kundër turmave, duke e ditur fare mirë se detyra e shërbimeve informative është vetëm dhënia e informacionit dhe jo e të luftuarit…
Nga specializimet e bëra në disa shtete perëndimore, me shërbimet e tyre informative, si edhe nga eksperienca, di se pa informacion, nuk mund të drejtohet familja dhe jo një shtet i tërë, aq më tepër një shtet si i joni ku gënjeshtra ishta e para dhe e fundit gjatë 45 vjetësh diktaturë komuniste. Si përfundim, them se nuk jam gabuar, Presidenti nuk është informuar realisht për atë çka po ndodhte dhe për situatën që po agravohej, në Vlorë. Ai në shumicën e rasteve, po mashtrohej dhe them se kur e informonin, informacioneve reale u vinin ndonje gjethe përsipër…
Ora 12.30, SHIK-u goditet me granatahedhës. Gati, tërë kati i i dytë, shëmbet. Në këtë çast ndërpritet komunikimi me telefon. Mbetën, për dijeninë time, 6 të vrarë, ndërsa 10 të tjerët, shqyejnë një nga dritaret e siguruara me hekura dhe dalin duke iu kacavirur kodrës. Atje u dalin disa nga banorët vlonjatë, të cilët i strehojnë nëpër shtëpitë e tyre. Evakuimi i tyre për në Tiranë, një nga një, do të fillonte vetëm pas dhjetë ditësh. Nuk kalojnë shumë minuta dhe më vjen një tjetër telefonatë nga jashtë, që më njoftoi se Besnik Hidri ishte hedhur nga kati i dytë dhe ndodhej tek oborri i shkollës së marinës, e cila është ngjitur me ndërtesën e SHIK-ut. Në të vërtetë, Besnikun e kishte nxjerr atje, presioni i goditjes nga granatahedhësi dhe se, kolegu ynë e kishte gjetur të shtrirë në bar. Marr në telefon komandantin e marinës, një pusht djalë, për ta ndihmuar, sepse Besniku ishte i gjallë. Ai më përgjigjet se nuk mund ta ndihmonte se kishte hall se mos e vrisnin rrebelët.
Kolegu im, merr Besnikun në makinë për ta çuar atje ku i thashë unë, në spital, por rruga ishte plotësisht e bllokuar nga rrebelet e armatosur dhe se po t’i shikonin, do t’i kishin vrarë që të dy. Atëhere, e porosis që ta dërgonte në Pashaliman, ku më pas do të çoja një infermier.
Pas ndërtesës së SHIK-ut, u vjen rradha depove dhe reparteve, afër godinës. Goditet komanda e marinës dhe shkolla e Marinës. Për 2 orë shkatërrohet gjithçka. Ora 2 e mëngjesit. Rethohem në Kuz Baba. Nuk sulmohem pasi ndërhyjnë disa oficerë vlonjatë të cilët, pothuajse më marrin në mbrojtje.
Numëroj katër herë tentativë për sulm kundër zyrave që kishim në Kuz Baba. Më në fund, me makinën e një oficeri vlonjat, largohem fshehurazi në drejtim të fabrikës së çimentos , në Pallatin e Sportit dhe mbërrij tek “Kulaçi”, në Skelë.
Sapo arrij atje, më ndalon një grup i armatosur, rreth 2000 veta. Kishin ngritur një barrikadë në rrugë dhe kishin lënë vetëm një shteg të vogël si kalim. Një burrë, me një hu të madh në dorë, më urdhëron të zbres nga makina. Nga makina, duke zbritur, para sheshit te universitetit, fare afër, shikoj 4 trupa të shtrirë. Ishin të shokëve tanë.
Një grua i binte njerës prej kufomave me sopatë, duke e coptuar. Një tjetër, shumë e shëmtuar në fytyrë, ngjyente duart në trupin e Lekë Qokut. Ai po jepte shpirt. Gruaja e shkurtër, ngjyente duart në gjakun e Lekës dhe ia tregonte turmës, duke u ngërdheshur me histerizëm. Gjaku i kullonte duke i përlyer edhe krahët.
Shtanga dhe me hipi një tmerr i vërtet për atë që po shikoja, por edhe, në një farë mënyre, më ndihmoi se më largoi nga ajo frikë që në këto raste e kap njëriun duke ditur se çfarë mund të më ndodhte, kur isha i rrethuar nga njerëz të armatosur që të vrisnin për qejf…
Të pasnesërmen, më vjen lajmi se ajo grua ishte Luiza Hoxha, deputetja e sotme e Kuvendit shqiptar. Ai që kishte hurin, ndoshta në një moment dobësie, më thotë: “Ikni, frikacakë!” dhe na la të lirë.
Hyj në Pashaliman dhe gjej 14 oficerë dhe kapterë. Takoj aty oficerin që kishte sjellë Besnik Hidrin. Më tregon vendin se ku e kishte dërguar. Kur hyra atje, pash që trupi i tij ishte fryrë krejtësisht, gjysmën e krahut dhe syrin e djathtë, e kishte të shpartalluar. E pyeta: “Besniku je?” Ai më përgjigjet vetëm me një lëvizje qepallash. O Zot i madh, si ishte katandisur… Në ato kushte, ishte e pamundur për të bërë diçka për ta shpëtuar nga vdekja…
U lutem oficerëve të nxjerrin anijet nga baza në det të hapur për mos t’u pushtuar nga rebelët. Ndërsa ata më përgjigjen: “Ik që këtej se po të gjetën këtu, bandat e Gjinushit dhe të Brokës, do të na vrasin ty edhe ne!!” Lajmëroj për ardhjen e një helikopteri. Mbërrin në orën 4 e 15, por për Besnikun ishte shumë vonë. Besniku, ky djalë i mrekullueshëm dhe nëpunës i shkëlqyer, vdes gjatë rrugës për në spital, të paktën, mua kështu më thanë…
Kuadrot që ishin atë natë, ose më mirë ato ore të para të mëngjesit të datës 1 Mars 1997, në Pashaliman, u kishte hyrë tmerri nga bandat dhe kreu i tyre që e njihte mirë bazën, pasi kishte punuar aty si ndihmësmjek, me gradën e Kapterit, por tani thirrej Gjeneral. Por më shumë se kjo, më befasoi Komandanti i Divizionit të Fierit, Gjeneral Syrja Isufi i cili më kërkon që të largohem se “…po erdhi Zabiti pastaj, mjerë neve, thotë gjenerali!!!”
O Zot i madh, çfarë gjenerali kishte Ushtria jonë.
Gjenerali ishte me banim në Vlorë!

Marrë nga Muri i FB Kostandin Koliqi, 26 shkurt 2024

Related Images:

Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.