back to top
18.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Po sikur “ai” t’ishte at Gjergj Fishta?! – nga Fritz Radovani

Gazeta

At Gjergj Fishta në rininë e tij
At Gjergj Fishta në rininë e tij
Po sikur “ai” t’ishte at Gjergj Fishta?!
nga Fritz Radovani

Kam ndigjue, po nuk e dij sa asht e vërtetë: Duhet t’jenë llafe!!
Flitet, se At Gjergj Fishta asht kenë marrë edhe me politikë, thonë disa…
At Gjergji nuk ka kenë as i pari dhe as i fundit që asht marrë me politikë, madje, edhe ka mbajtë fjalime në Lidhje të Kombeve, që kujtohen edhe sot mbas njëqind e sa vjetësh. Po a ua di kush vleren atyne Fjalimeve?! – Ha dreq, as nuk i zen kush me gojë as çka u tha, as kush i tha?! Disa vetë kur i përmendin, ia venë në gojën e nji tjetri, ndërsa atij tjetrit shpesh mundohen me ia ndrrue emnin si dikur: “Hiqja Lenës e venja Prendës!”
A i shifni njikto shkronja që jeni tue lexue? Na asht dashtë me u ba 20 a 25 vjeç për me marrë vesh se prej germës A e deri tek Zh, i ka shpikë, pra bash njaj Frati i zbathun i katundit Fishtë. Askujt nuk i shkon mendja me thanë të pakten me vedi: “Po sikur mos t’i shpikte Ai Frati i lidhun në bel me konop rreth’e rrotull, po me shkronja turke, do të vazhdojshim na me shkrue prrallat e Skënderbegut?! – Jo! Se ishte turp me shkrue turçe, se edhe Ahmet Zogu ma parë se me mësue shkronjat shqipe (po i pat dijtë), ka pasë shkrue me alfabetin arab, se ashtu i erdh ma lehtë!! Por, çudia qindron tek zhvillimet historike të Popullit Shqiptar, që edhe mbas 500 vjetësh robni turke, vazhdonin me u knaqë me “haxhimakulle e sherbet” e, nuk ju shkonte mendja me u zgjue e me pa rretherrotull shpisë së vet a asht tue ndryshue gjà, së paku, kur fillojnë me ardhë dallndyshat tek na?!
Flitej nënzà, se aty kah vjeti 1927, një klerik katolik i “albanskij narod” kishte shkue larg e ma larg, madje, deri te Stalini dhe, jo nji herë po dy herë, në BRSS… Shumë Shqiptarë sot këto katër shkronja të mdha, as dijnë me i zbërthye, se për me i marrë vesh hama – dreq, as nuk i shkon mendja! E, për mos me i mbetë hatri drejtuesve të qeverrisë së Tiranës, thonë se “me siguri, ai që ka pasë mendue me u lidhë me rus, pa pvetë kend asht kenë njaj frati i Veriut, “se i ka bërë veprimet në kokë te vet!”
E, as vetë Ai Frati, s’ua prishë qejfin edhe pse i shef tue ia hapë vorrin!
Shumë vorrmihës t’asaj kohë t’marrakotun kah padija e fukarallëku i mendjes së tyne, edhe sot me i pvetë për “400 e sa letra, që ai filani nga stoli pranë vatrës, i ka shkrojtur Everit tanë…”, me mendjemadhësi, kanë për të thanë: “Po, ore ai ka qenë, se i njohim shkronjat, ai fshatari i pafytyrë i Fishtës, që donte të mësonte edhe Enverin, dijetarin tanë t’math!”
E po të rreshtoni dijetarët e sotëm, të Akademisë Antishkencore të asaj Tiranës së Esad Pashës me të Gjirokastrës së Ever efendisë, nuk do të gjeni jo sot, po asnjëherë ndonjë budalla si “Ai i Fishtës”, që “i paska shkue në Moskë mendja, me rregullue Popullin Shqiptar me Stalinin!!”

At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)
At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)

Ndërsa, si dhe në ç’mënyrë ka mendue ai “At Fishta”, me varrosë pa u marrë vesh në “Shqipninë komuniste mbas vitit 1944…!!”, atë e di vetëm ai!
N’se nuk më besoni mue, lexoni letrat që i ruen sot Arkivi i Shtetit!!
Nuk ka asnjë randsi se kush asht Autori? Mjafton që “Letrat janë shkrue nga nji shqiptar e janë lexue po prap nga një i “ashtuquajtur shqipëtar”!
Se sa efekt kanë ba ato letra në kokën e Everit tanë, atë e tregon jo vetëm koha, po e dishmon ma mirë se gjithshka “vlera e dërguesit të letrave” që edhe pse Ai ka humbë sa kohë me “shprazë kokën e vet për me mushë atë kokën b… t’Everit !” prap, rezultati asht kenë i barabartë me 0 – ZERO!!!
Ky rezultat më ZERO, më ka shty me ia kalue autorsinë e letrave Atij “fshatarit Fishtës sonë”, se vetëm Atij me i thanë se asht kenë “komunist” kur ka shkue tek Stalini, apo kur i ka shkrue 400 e sa letra Everit tanë, mbas të gjithë atyne Epiteteve që i kanë veshë për shpine, mbas vitit 1944 as, për këto Epitetet e sotme jam i sigurt se nuk i mbetë hatri aspak!
Dhe, se këta Epitete ju vunë para vdekjes a mbas vdekjes, nuk ka asnji pikë randsije, sepse as Ai vetë dhe Askush, s’ka mbetë me u pergjegjë!
Madje, “ata dijetarët nga Jugu edhe gëzohen fort kur lexojnë se: “Everi ynë nuk i ka pergjegjë fare një kleriku katolik nga Veriu, tue kenë Frat!”
Ndërsa, Veriu edhe sot krenohet me Emnin e Përjetshëm të Fratit tonë!
Fatkeqsisht, edhe un atë ditë me 6 Janar 1940, kur më ka marrë në duert e Tija, nuk kam dijtë me folë asnji fjalë me Ate Fratin e Nderuem, veç i ngula sytë tek nja Burrë, njashtu si sot! E… deri kur?! – Nuk e di… Pra, o At Gjergj Fishta!!
Po, Shqipnia yte o At i Bekuem, Rrnoft’e kjoftë ndër shekuj t’shekujve, bashkë me Emnin Tand të Madh e të Pavdekshëm!
Melbourne, 16 Mars 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.