back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Të hetohet shkelja e të drejtave të fëmijëve… – Kërkesë Parlamentit për Komision Hetimor për databazën SMIP nga Artur Shkurti Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Gazeta

Artur Shkurti
Artur Shkurti
Te hetohet shkelja e të drejtave të fëmijëve…
Kërkesë Parlamentit për Komision Hetimor për databazën SMIP
nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Kërkesë Parlamentit për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar bazueshmërinë në ligje të Databazës SMIP që:
-shkel të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e liritë e qytetarit prind, familje,
po përthith në mënyrë të paligjshme funksione të sistemit arsimor shqiptar,
shkel hapur e plotësisht në mënyrë masive nenet 66 dhe 67 të ligjit 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar”
-shkel hapur e plotësisht kërkesat e ligjit 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”
ka organizuar punën në nivel tepër të lartë për çaktivizimin e të gjitha institucioneve që duhet të monitorojnë zbatimin e ligjit (opozitë, prokurori, avokati, opinion publik, media, këshill i lartë i drejtësisë, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, avokat i popullit, sindikata të arsimit etj).

E nderuar zonja Lindita Nikolla,
Kryetare e Parlamentit
Të nderuar deputetë të Parlamentit Shqiptar,
Çështja për të cilën po ju shkruajmë bie saktësisht në fushën tuaj të veprimtarisë, sepse shkolla “Udha e shkronjave” që përfaqësojmë, i ka shpenzuar të gjitha ankesat në instancat e tjera, nga presidenti, nga Qeveria, Ministria e Arsimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, prokuroria, mediat, opozita, sindikata, komisioni parlamentar i edukimit dhe mjeteve të informimit.
Arsyeja që u shkruajmë është dëmtimi masivisht në mënyrë qelizore i sektorit më të rëndësishëm trashëgues që ka shoqëria dhe kombi shqiptar, që është sistemi arsimor parauniversitar.
Çështja bie saktësisht në fushën tonë të profesionalizmit: është dëmtuar sektori ku bëjmë pjesë, është dëmtuar masivisht ligjshmëria në sektorin ku bëjmë pjesë, është dëmtuar privatësia e fëmijës shqiptar, me pasoja tepër të rënda afatgjata për tjetërsimin e personalitetit të tij, të mirëqënies dhe të sigurisë. Për pasojë në të njëjtin nivel dëmtohet kombi shqiptar.
Problemi lind që nga janari i vitit 2022 dhe vijon deri më sot dhe e ka emrin Veprimtari e Databazës Qëndrore SMIP (Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar). Të gjitha shkollat publike dhe private, përveç shkollës “Udha e shkronjave”, po e mbushin databazën me miliona fakte në ditë. Për çdo fëmijë tashmë databaza ka mbi 2000 fakte. Në kushtet e përpunimit të këtyre qindra e mijëra fakteve për një fëmijë, është plotësisht e mundur që fëmija të përpunohet së jashtmi, dhe po aq të përpunohet edhe familja shqiptare, pa vetëdijen e plotë të tyre.
Citojmë dy nene të rëndësishme të “Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) e Bashkimit Evropian”. Preambula 38 Linku: https://gdpr-info.eu/recitals/no-38/ “Mbrojtje e veçantë e të Dhënave Personale të Fëmijëve”.
“Fëmijët meritojnë mbrojtje specifike në lidhje me të dhënat e tyre personale, pasi ata mund të jenë më pak të vetëdijshëm për rreziqet, pasojat dhe masat mbrojtëse në fjalë dhe të drejtat e tyre në lidhje me përpunimin e të dhënave personale. Një mbrojtje e tillë specifike duhet, në veçanti, të zbatohet për përdorimin e të dhënave personale të fëmijëve për qëllime të marketingut ose krijimit të profileve të personalitetit ose përdoruesve dhe mbledhjes së të dhënave personale në lidhje me fëmijët kur përdoren shërbimet e ofruara drejtpërdrejt për një fëmijë. Pëlqimi i mbajtësit të përgjegjësisë prindërore nuk duhet të jetë i nevojshëm në kontekstin e shërbimeve parandaluese ose këshilluese që i ofrohen drejtpërdrejt fëmijës.”
Preambula 43 e GDPR https://gdpr-info.eu/recitals/no-43/ “Pëlqimi me vullnet të lirë”:
“Për të siguruar që pëlqimi jepet lirisht, pëlqimi nuk duhet të ofrojë një bazë ligjore të vlefshme për përpunimin e të dhënave personale në një rast specifik kur ka një çekuilibër të qartë midis subjektit të të dhënave dhe kontrolluesit, veçanërisht kur kontrolluesi është autoritet publik dhe prandaj nuk ka gjasa që pëlqimi të jetë dhënë lirisht në të gjitha rrethanat e asaj situate specifike. Pëlqimi supozohet se nuk jepet lirisht nëse nuk lejon dhënien e pëlqimit të veçantë për operacione të ndryshme të përpunimit të të dhënave personale, pavarësisht se është i përshtatshëm në rastin individual, ose nëse ekzekutimi i një kontrate, duke përfshirë ofrimin e një shërbimi, varet mbi pëlqimin pavarësisht se pëlqimi i tillë nuk është i nevojshëm për një kryerje të tillë.”
Qeveria dhe Ministria në mënyrë të paligjshme organizuan praktikisht detyrimin e shkollave që të mos merrnin fare pëlqim, pra që është një nivel më i lartë i dhunës shtetërore ndaj të drejtave elementare. Sidoqoftë provohet që ata e kanë detyruar prindin të praktikojë shkeljen e të drejtës së mbrojtjes së fëmijës (pra anashkaluan vullnetin e lirë). Që kjo mbrojtje e fëmijës të aktivizohej do të duhej që shkolla t’i dërgonte njoftim prindit, t’i kërkonte mendim lidhur me çfarë shkolla dhe shteti do të bënte me këto të dhëna, përse i donte etj. Ministria zëvendësoi në mënyrë të rrufeshme për të gjithë prindërit shqiptarë shërbimet e ligjshme me shërbime të paligjshme. Në mungesë të shërbimeve të ligjshme, prindërit u detyruan të përdorin shërbimet online. Që ata t’i përdornin këto shërbime online, duhej të legalizonin shërbimet e databazës qëndrore online SMIP.
Nëse një shkollë apo institucion arsimor është përfshirë në paligjshmëri me databazën SMIP duke dëmtuar të dhënat personale sensitive atëherë ai institucion është çaktivizuar nga mbrojtja e ligjshmërisë, pra nuk ka asnjë arsye morale dhe ligjore t’ju shkruajë, është nxjerrë jashtë. Nëse prindërit juristë, apo të politikanëve, mediave, apo çdo nëpunësi që do ta kishte për detyrën denoncimin e paligjshmërisë, u gjendën të përfshirë në punë e sipër me shkollën nga shkelja e të drejtave të fëmijëve të tyre dhe konvertuan shërbimet e ligjshme me të paligjshme, kjo nuk do të thotë se ata nuk janë në gjendje të kuptojnë paligjshmërinë, por do të thotë që ata u gjendën befas “të korruptuar” nga shërbimet e paligjshme, pra nga “e marr notën dhe sjelljen në shkollë” u konvertua në “merr informacionin nga databaza SMIP”. Kjo praktikë e shpejtë, e beftë, “korruptuese” dhe turpëruese njëkohësisht i çaktivizoi masivisht prindërit dhe institucionet. Ata e kishin për turp të aktivizoheshin me vonesë dhe faktikisht nuk kanë reaguar e nuk po reagojnë. Kjo nuk e bën dëmin më të vogël, por më të madh. Mund të mos bjerë në sy është tjetër gjë, por dëmi është duke u bërë më i madh e më i madh, çdo ditë që kalon.
Paradoksalisht prindërit, mësuesit opinioni po mendojnë afërsisht kështu: “Derisa të gjithë po dëmtohen, atëherë dëmi që po i bëj unë fëmijës duke mos u interesuar për të ndaluar këtë vepërimtari të paligjshme është më i vogël”. Është e kundërta: dëmi që ka fëmija është edhe më i madh, sepse fëmija, jo vetëm që po dëmtohet individualisht, por ai po dëmtohet edhe kombëtarisht edhe shoqërisht. Nëse do të dëmtohej vetëm individualisht do ta gjente zgjidhjen tek kombi e shoqëria. Po ku ta gjejë ndihmën, kur vetë shoqëria dhe kombi kanë rënë kaq poshtë sa asnjë nuk reagon?
Kjo veçanërisht është bërë e qartë këto dy muaj, që megjithëse i kemi njoftuar publikisht e privatisht dhe ua kemi dhënë argumentat, vijojnë të punojnë me ritëm të lartë duke vjedhur të dhënat personale të fëmijëve dhe duke mbushur me të një databazë qëndrore në mënyrë të paligjshme, të ndaluar qartësisht nga ligji 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniveristar”. Numri i institucioneve arsimore, të hetimit, gjykimit, apo mbrojtjes juridike, apo edhe parti politike, media, e opinion publik që janë çaktivizuar është kaq turpërues për shoqërinë shqiptare.

JO - databazes SMIP
JO – databazes SMIP

Ndaj ju shkruajmë ju që jeni organi më i lartë i ushtrimit të sovranitetit të popullit. Më konkretisht po ju sqarojmë mbi situatën:
Me anë të VKM 742, datë 3 dhjetor 2021, duke iu referuar një ligji mbi databazat shtetërore u skicuan varfërisht tiparet e databazës SMIP (Sistemi i Menaxhimit të Informacionit për Parauniversitar). Si bazë ligjore për VKM 742 u ofrua vetëm ligji 10325 (23.9.2010) “Për bazat e të dhënave shtetërore”. Ndërkohë që nga kjo databazë ndikohet i gjithë sistemi arsimor shqiptar parauniversitar, asnjë lidhje asnjë referencë nuk u bë me ligjet 69/2012 “Për arsimin parauniversitar”. Ndërkohë që kjo databazë do të shkelte masivisht kërkesat e ligjit 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” duke qenë databaza më e madhe në vend e të dhënave personale me miliona fakte që regjistrohen çdo ditë nga puna e mijëra shkollava, e mësuesve me 340 000 fëmijë çdo ditë të vitit, asnjë referencë nuk u bë nga VKM 742. Ndërkohë që Ministria e Arsimit të paktën duhej të prodhonte ndonjë akt normativ, edhe ajo (Ministria) nxori një akt normativ fiktiv, Urdhërin 589 datë 16.10.2023, të cilin qëllimisht nuk e botoi në Fletore Zyrtare që të mos kishte fuqi ligjore, por t’i gënjente mësuesit dhe shkollat sikur ajo po nxirrte akte normative. Praktikisht shkollat që po i marrin të dhënat e fëmijëve (nota, sjellje, mungesa, kurrikula që po ndjekin) dhe po i hedhin në databazën SMIP, janë duke punuar pa një bazë ligjore. Kjo do të thotë që nëse prindi i hedh në gjyq, ato shkollat dhe mësuesit masivisht dalin të humbur.
VKM 742 u krijua nga Qeveria qëllimisht pa detyrime për mësuesit, për shkollat, për institucionet në varësi, ose thjesht me detyrime “fiktive” (pra të duket sikur është detyrim, por të mos ketë detyrim në asnjë pikë”. Në të njëjtën sjellje u bashkua edhe Ministria e Arsimit, duke krijuar edhe ajo akte fiktive normative. Pra si qeveria dhe Ministria bënë sikur po detyronin, por në fakt aktet që nxorën nuk ishin detyruese.

Çfarë do t’i pengonte të ishin detyruese? Asgjë, por pse nuk e bënë? Sepse e kishin të pamundur të arsyetonin detyrimin e mësuesve, pa marrë më parë firmën e prindit siç kërkonin ligjet, pa shkelur ligjin 69/2012 dhe plot nene të tjera që thjesht ua ndalonin të merrnin kaq shumë të dhëna personale pa një nevojë të vetë fëmijës, të vetë prindit, por qartësisht me nevojë të jashtme për të përvetësuar të dhënat personale në atë mënyrë që veprimtaria kalon në cilësimin “Veprimtari survejuese e fëmijëve”.
Plani për marrjen e të dhënave personale do të dështonte nëse do të respektoheshin kërkesat e ligjeve 69/2012 “Për arsimin parauniversitar” (veçanërisht nenet 66, 67) dhe ligjit 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Atëherë u organizua puna që këto të dhëna personale masive, të përditshme, nga klasa 1 deri në 12, të merreshin nga sistemi arsimor, por të merreshin pa respektuar ligjin dhe ndërkohë paligjshmëria t’u ngarkohej mësuesve dhe drejtuesve, por jo vetë Ministrisë apo Qeverisë. Praktikisht mësuesit u detyruan, por ligjërisht detyrimi mungonte.
Prindërit dhe fëmijët janë të dëmtuar, sepse megjithëse ligji 69/2012 ua ndalon shkollave t’i eksportojnë të dhënat jashtë shkollës, ato janë duke e bërë këtë punë dhe nuk kanë asnjë detyrim ligjor për ta bërë.
Kjo do të thotë që praktika është e paligjshme, por ligjet janë në rregull. Pra ne nuk duam të kërkojmë që parlamenti duhet të ndreqë ndonjë ligj, por Parlamenti Shqiptar duhet të kërkojë llogari “Pse nuk zbatohet ligji 69/2012 “Për arsimin parauniversitar2 dhe pse nuk zbatohet ligji 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Çfarë vëmë re që na shqetëson shumë në këtë situatë? Megjithëse, brenda dy muajve kemi prodhuar artikuj të shumtë sqarues që i kalojnë 200 faqet A4 dhe informacioni është ndarë masivisht në institucionet kryesore të vendit, në shkolla, në zyra arsimore dhe tek mijëra prindër, përsëri nuk ka asnjë reagim. Asnjë reagim nga institucione shtetërore që ne u kemi shkruar individualisht dhe që e kanë detyrim ligjor monitorimin.
Cili është dëmi që do të ketë shoqëria dhe vetë shteti? Fëmijët janë të survejuar dhe në databazë tashmë për çdo fëmijë ka mbi 2000 fakte (informacione) që mund ta klasifikojë Shqipërinë si unike në shkeljen e privatësisë së fëmijëve. Me informacionin që ka Databaza SMIP është në gjendje të japë shumicën e tipareve të personalitetit të fëmijës, dhe kjo është e dhëna private më sensitive që mund të ekzistojë. Me këtë armë në dorë të të tjerëve (pra me të dhëna personale të marra në mënyrë të paligjshme) prindi dhe familja do të konkurrohet ndjeshëm nga personat apo institucionet që kanë akses në të dhënat e tij private, por që nuk do të duhej ta kishin këtë informacion. Ne jemi të bindur që kjo po ndodh edhe me fëmijët e deputetëve të parlamentit shqiptar. Kjo do të thotë se janë bashkuar disa arsye bashkë: a) ka një moskuptim të dëmit, b) ka një paraqitje fiktive sikur kjo është veprimtari e ligjshme dhe c) mungesa e plotë e formimit në këtë çështje, dhe ç) qartësisht tregon edhe një nivel të ulët të funksionimit të demokracisë në shtetin tonë, ku shquan mungesa e opinionit publik.
Shumë nene të ligjit 69/2012 kanë dalë nga zbatimi, edhe pse ato janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Urdhri 31, 21 janar 2020 që përmban rregulloren e institucioneve arsimore po përthithet masivisht e në mënyrë të paligjshme nga funksione që menaxhohen përmes Databazës SMIP. Kjo e bën tepër të kontestueshme ligjërisht veprimtarinë e shkolalve. Herët a vonë prindërit do ta kuptojnë këtë paligjshmëri të shkollave si në raport me privatësinë e fëmijëve ashtu edhe me funksionet e shkollës dhe atëherë do të fillojnë gjyqet e prindërve ndaj shkollave dhe vetë Qeverisë, që ne besojmë që ata do t’i fitojnë masivisht, sepse është e drejtë që t’i fitojnë, por ndërkohë i gjithë sistemi arsimor do të shkatërrohet nga këto gjyqe sepse ato rëndë do të dëmtojnë burimet njerëzore me të cilat mbahet shkolla dhe sistemi arsimore dhe nga ana tjetër edhe financat do të prishen. Do të shkatërrohet komunikimi dhe bashkëpunimi i prindërve me institucionet arsimore dhe në përgjithësi shoqëria shqiptare do të bjerë në nivele edhe më të ulta të besimit tek njëri-tjetri. Sistemi arsimor do të pësojë rënie të ndjeshme si në burime njerëzore, si në cilësi, si në besueshmëri. Harmonia ndërmjet mësuesit dhe familjes do të prishet. Mundësia për eksperimente sociale (të pavetëdijshme, të pamiratuara ligjërisht) që nxitet nga informacioni konkret i identifikueshëm do të rritet në nivele që asnjë shoqëri tjetër nuk i ka dhe kjo do të sjellë shthurjen masive morale.

Databaza SMIP i plotëson të gjitha kriteret për t’u quajtur se po “survejon” fëmijët shqiptarë. Nuk duhet t’i ketë të dhënat personale të përditshme të fëmijëve dhe i ka.
Ne u kemi shkruar shumë institucioneve shtetërore dhe private dhe opinionit publik dhe me keqardhje konstatojmë që askush nuk po kujdeset që ta marrë seriozisht këtë.

Ne nuk dimë që të ketë diçka më serioze se sa kjo.
Në emër të shkollës “Udha e shkronjave”:
Me konstatimin tonë të bazuar se Sistemi Arsimor Parauniversitar Shqiptar publik dhe privat, ka dalë masivisht nga shinat e ligjit, për shkak të përfshirjes së tyre të detyruar në jashtëligjshmëri për të plotësuar Databazën SMIP, Me deklarimin se institucionet shtetërore më të larta, përgjegjëse për hetimin apo monitorimin e ligjshmërisë, kanë dështuar të vendosin ligjshmërinë në dy vjet të veprimit të Databazës SMIP (2022-2024) në të gjithë sektorin e sistemit arsimor parauniversitar. Me deklarimin se kjo veprimtari rëndë cënon të drejtat e fëmijëve, të drejtat dhe liritë e qytetarit, cilësinë tonë si komb dhe cilësinë e vetë shtetit shqiptar.

Ne kërkojmë i kërkojmë Parlamentit të Shqipërisë të ngrejë Komision Hetimor Parlamentar duke u përqëndruar kryesisht në:
Hetimi i shkeljes së të drejtave të fëmijëve, të të drejtave dhe të lirive të qytetarëve.
Hetimin e Databazës SMIP, të vlefshmërisë së bazës ligjore me të cilën ajo mbushet;
Shkeljen e ligjit 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar” sidomos nenet 66, 67 dhe të ligjit 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”;
Hetimi i dëmeve të shkuara, të sotme dhe të ardhme që do të kenë fëmijët dhe familjet shqiptare nga kjo veprimtari e paligjshme;
Hetimi i dëmeve të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar;
Hetimi i praktikës së shkollave në Republikën e Shqipërisë me këtë databazë, dhe dëmet që ato kanë nga kjo veprimtari;

Bashkëngjitur disa artikuj dhe analiza të botuara:
VIDEO (podcast) Ligji 69/2012 dhe shkeljet e databazës SMIP
VIDEO (podcast) VKM 742 Bazë fiktive ligjore
VIDEO Emisioni në A2 CNN (Artur Shkurti)
Artikuj të botuar në blogun e shkollës
Me respekt dhe konsideratë,
Artur Shkurti
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

19 Mars 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.