back to top
-2.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

10 vjet pa ty o Dr. Pjetër Pepaj – nga Fritz Radovani

Gazeta

Dr. Pjetër Pepa (1942-2014)
Dr. Pjetër Pepaj (1942-2014)
10 vjet pa ty o Dr. Pjetër Pepa
nga Fritz Radovani

Pritja me buzqeshjen Tuej dashamirse në klinikën dentare të Shkodrës, s’na lejon me kalue përvjetorët pa Ju kujtue, o i Nderuemi Doktor Pepa!
Ju ishi një tubë vllazën të paharrueshëm në Arrën e Madhe të Shkodrës plakë, që keni trashigue vetitë mikpritëse dhe burrnore të njenës ndër lagjet ma të vjetra dhe të nderueme të qytetit tonë të bukur të Veriut!
E Shkodra, nuk i harron kurrë Bijtë e Saj të shtrenjtë e të nderuem! Ajo me kujtesën e Saj të skalitun ndëer Gurt’e Rozafës, kujton me respekt Mikpritjen Tuej vllaznore gjithmonë të haptë e bujare si vetë Shkodra!
E pra, Ajo Shkoderlocja të lindi, të rriti edhe të Burrnoi o Pjetër Pepa!
Jo larg nga kryqzimi i rrugve të Arrës së Madhe në Shkodër, ku asht edhe Kisha e Kuvendi i Françeskanve të vjetër të Shkodrës, nën tingujt shumë të bukur t’atyne kumonve asht le me 18 Dhetor 1942, Pjetër Pepa. Jo larg shtëpisë edhe asht shkollue në tetëvjeçaren e asaj lagjes së tij të vjetër. Në vitet 1960-1965, ka krye Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji, ku asht kenë student i dalluem në të gjitha drejtimet. Asht emnue në klinikën dentare në Shkoder në vitin 1965. Ishte i prirun për studime e ajo asht arsyeja që s’asht shkëputë asnjëherë prej librave. Dr. Pjetër Pepa ishte ndër dentistët ma të përsosun dhe të preferuem të Shkodrës. Kujtoj shumë mirë kur botimet e para shkencore i ka fillue në vitin 1966, në revistat periodike: “Shëndeti”, “Shëndetësia Popullore” , “Buletini Shkencave Mjeksore” , “Buletini Stomatologjik”, dhe në organet e shtypit periodik, ku ka botue edhe artikuj të karakterit historik dhe kulturor.

Pjetër Pepaj me Papa Gjon Palin e Dytë
Pjetër Pepaj me Papa Gjon Palin e Dytë

Në vitet 1969-70, Dr. Pjetri, ka shërbye në Lokalitetin e Dukagjinit, ku ka vazhdue me mbledhë materiale studimore nga ajo krahinë. Në vitin 1972, ka krye kursin 3 mujor në Universitetin Shtetëror në Tiranë, dhe ka dhanë disa provime në Fakultetin e Histori-Filologjisë mbas-universitare edhe për gjuhët italisht, frëngjisht e gjermanisht që kishte prirje për ato. Në vitin 1974, asht specializue prap pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Gati dhjetë vjet, ka drejtue repartin e Shërbimit të fëmijëve në Klinikën dentare në qytetin e Shkodrës, ku dallohej për kujdesin e madh që tregonte për shëndetin e tyne: gjithmonë i qeshun dhe i gatshëm.
Në periudhën 1990-1996, asht angazhue në proceset demokratike, e asht kenë zgjedhë Deputet i Kuvendit Popullor për dy Legjislatura rradhazi.
Dr. Pjetër Pepa ka krye edhe detyren e Ambasadorit të Shqipnisë pranë Selisë së Shenjtë – Vatikan, gjatë vitit 1997, kur aty drejtonte Papa Gjon Pali i II, dhe kujtohet mirë nga qytetarët e Shkodrës komunikimi i Tyne.
Ishte viti 1998, kur asht kthye në profesion të lirë si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Mjekësisë, Dr. Pepa mbante detyrën e Shefit të Shërbimit të Pedodontisë pranë Albanian – University e, Shefi i Sektorit Shkencor të Departamentit të Stomatologjisë pranë këtij Universiteti.

Pjetër Pepaj - Dosjet e Diktaturës
Pjetër Pepaj – Dosjet e Diktaturës

Ishte Anëtar i Komisionit Historik për Kanonizimin e Martirëve Shqiptarë per Vatikanin. Asht i dekoruem nga Presidenti i Republikës i asaj kohë me “Medaljen e Trimërisë”, dhe ishte i zgjedhun nga Kuvendi Popullor me detyren e Anëtarit të Bordit Drejtues të “Institutit Studimor për Krimet e Komunizmit në Shqipni”. Ka shumë vlerë saktësia historike!
Dr. Pjetër Pepa asht autor i shumë botimeve shkencore, kulturore dhe politike, ku përfshihet edhe libri “Dosja e Diktaturës” Tiranë 1995. Nder botimet ma të randsishme të Dr. Pjetrit mbeten ato historiko-fetare të vitit 2007, me titull “Tragjedia dhe lavdia e Kishës Katolike Shqiptare”, ndër dy vllime, e “Familje Martire për Fe e Atdhe”, ku spikat mjeshtria e Autorit në paraqitjen e saktë e, gjithshka e dokumentueme historikisht.
Me datën 23 Mars 2014, plot 10 vjet ma parë Dr. Pjetër Pepa, u nda nga kjo jetë papritmas, tue lanë nji dhimbje të thellë për ne që ishim larg nga Shkodra.
Qyteti i Shkodrës humbi një nga qytetarët e përgaditun si mjek dhe, një nga dijetarët e njohun e të pazëvendsueshëm në fushën historike.
Institucionet e interesueme të Shkodrës për Veprat e Dr. Pjetër Pepajt, asht mirë që të ribotojnë prej thesareve të Tij kryesisht ato Vepra që janë aq të domosdoshme për edukimin atdhetar të Rinisë Shqiptare. E mos harroni se Veprat e Tij historike kërkohen edhe n’Australinë e largët!
Mjerisht qytetarët si Dr. Pjetër Pepa, nuk vijnë shpesh qytetit Shkodrës!
Kujtimi i Dr. Pjetrit kjoftë i Përjetshëm!
Melbourne, 21 Mars 2024

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.