back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Letërsia Shqipe e Shekullit të XX – Panoramë e Fillimviteve ‘40 – Leka Ndoja

Gazeta

Leka Ndoja - Monografi "Nikoll Dakaj mes përkthimit të antikes dhe përndjekjes"
Leka Ndoja – Monografi “Nikoll Dakaj mes përkthimit të antikes dhe përndjekjes”
Letërsia Shqipe e Shekullit të XX
Panoramë e Fillimviteve ‘40 nga Leka Ndoja

Konteksti politik
Fillimi i viteve ‘40, e gjeti fushën letrare shqipe para ndryshimeve drastike ku kryesisht ato politike do të krijonin vështirësi për zhvillimin normal të letërsisë, në mungesë të lirisë politike dhe kufizimit të veprimtarive kombëtare. Institucionet e reja kulturore dhe arsimore sollën nga ana tjetër ndryshime të strukturës kulturore dhe të botimeve. U shtuan botimet bilinge shqip-italisht të fushës propagandistike të Imperos Romane, krahas botimeve të ideologjisë fashiste, monografi dhe përkthime.
Gjithashtu u konstitua, Instituti i Studimeve, i varur nga Ministria e Arsimit, nën drejtimin e Mustafa Krujës, i cili zgjeroi bashkëpunëtorët e vet me studiuesë arbëreshë dhe italianë si Nicola Lo Russo Attoma dhe Zef Valentini.
Filloi një veprimtari më e dendur në fushën albanologjike ku mund të përmendim rinovimin e teksteve shkollore, botimin e antologjisë Shkrimtarët Shqiptarë në 2 vëllime, botimin e Serisë Visaret e Kombit, 12 vëllime, projektin e krijimit të Atlantit Gjuhësor të Gjuhës Shqipe, atlantin gjuhësor të arbëreshëve të Italisë, të nisur nga Eqrem Çabej, dhe përgatitja e fjalorit 40.000 fjalësh hartuar nga Mustafa Kruja. Në fushën arkeologjike u bënë disa ekspedita përveç asaj të Ugolinit në Butrintin antik.
Fusha e botimeve letrare dhe arsimore vihesh drejtpërdrejt në kontrollin e censurës që ushtrohej zyrtarisht nga Luogotenenca, Mëkambësi i Mbretit, Jakomoni por edhe nga shoqatat e shërbimet sekrete që ndiqnin zhvillimet politike dhe kulturore në Shqipëri. Një ilustrim të ndërhyrjes shtetërore italiane ka dhënë Ernest Koliqi në periudhën e mërgimit të tij në revistën “Shêjzat” kur pohon se pati marrë udhëzime për censurimin e Fan Nolit dhe të Faik Konicës në tekstet shkollore.
Ndryshimet e kohës së pushtimit, do të ndiheshin edhe në politikat e botimeve kryesore të revistave më të njohura të kohës Hylli i Dritës dhe Leka. Në këtë kohë u botuan gazetat kryesore Bashkimi i Kombit, Tomorri dhe Tomorri i vogël, gazetë kulturore e rinisë fashiste, ku nisën të zhvilloheshin letrarët e rinj të fundviteve ‘30, si Gaspër Pali, Kolë Ashta, Sterio Spasse, Lazër Radi, etj.

Sistemi letrar në fillim të viteve ‘40
Në fillim të viteve ‘40, letërsia shqipe pësoi një hiatus, i cili u shkaktua nga progamet e reja kulturore që solli pushtimi italian i vitit 1939, shoqëruar me mbylljen e dhjetëra gazetave dhe revistave kulturore. Mbyllja e tyre u shoqërua me censurën ndaj Faik Konicës, i cili kishte kundërshtuar pushtimin fashist si ambasador i Shqipërisë në Washington, gjithashtu edhe të Fan Nolit.  Ulja e numrit të botimeve u shoqërua me rënie të prodhimit letrar të shkrimtarëve të njohur si Asdreni, Lasgush Poradeci, Et’hem Haxhiademi dhe Ernest Koliqi, por u shfaq një shtim i përkthimeve.
Ndërsa Mitrush Kuteli, gradualisht e rriti vëllimin e prodhimit letrar nga Rumania dhe me kthimin e tij në Shqipëri në 1943, u vu në qendër të sistemit letrar deri në vitin 1945.
Në fillimvitet ‘40, në Shqipëri prodhimi dhe mendimi letrar dominohej nga Lazër Shantoja, Vinçens Prennushi dhe At Zef Valentini, të cilët kërkonin të zinin qendrën e zhvillimeve kulturore letrare krahas studentëve tanë të ardhur rishtas nga Italia. Me rithemelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, u organizua edhe një konferencë shkencore lidhur me gjuhën e përbashkët shqipe dhe standartizimin ku pati mendime për vendosjen e toskërishtes nga gjuhëtari Namik Resuli, por edhe në këtë periudhë studiuesit vijuan të bazoheshin në gjuhën e mesme të Elbasanit si formë e gegnishtes, lidhur me gjuhën e përbashkët.
Njëkohësisht me konsolidimin e figurave të njohura në vitet ‘30, u përvijua një gjeneratë e re letrarësh që botonin nëpër fletore dhe periodikë si Gaspër Pali, Injac Zamputti, Vedat Kokona, Kolë Ashta, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, ing. Injac Ndoja, Myzafer Pipa e Qemal Draçini, por kryesisht prodhimi letrar u dominua nga mendimi kombëtar, folklori, kritika dhe përkthimi.
Nga përkthimet klasike në vitin 1941, botohet “Të fejuemit” Histori mileneze e të XVII-të qindvjetë” e Aleksandër Manzonit, përkthyer prej At Mark Harapit.
Veprat e veçanta në prozë, si letërsi e mirëfilltë ishin të pakta si drama lirike “Damjani himariot”, tregimet “Zemra njerzish” 1940, “Aty nën hijen e Rozafës” 1944, të Injac Zamputtit si dhe vëllimet me tregime të Vasil Alarupit.
Viti 1941 solli ndryshime përsa i përket qendrës së sistemit letrar me vdekjen e At Gjergj Fishtës, për të cilin u zhvillua një konferencë ndërkombëtare në Shkodër dhe botimi studimor “At Gjergj Fishta 1871 – 1940” Numër përkujtimuer/ botue nëpër kujdes t’At Benedikt Dema O.F.M. “Distaptur”, 1943.
Humbën jetën Gaspër Pali dhe mendimtari Vangjel Koça. Gjithashtu ndryshoi panorama e revistave letrare kulturore; u mbyll revista Përpjekja e Branko Merxhanit, ndërsa gazeta letrare Bota e re, ishte mbyllur që më 1937, ndërsa bashkëpunëtorët e kësaj gazete Vedat Kokona, Nexhat Hakiu, u shfaqën në revistën “Shkëndija” drejtuar nga Ernest Koliqi dhe Selaudin Toto.
Faik Konica e mbylli ciklin e jetës më 1942, Krist Maloki u tërhoq nga aktiviteti kritik në Austri, ndërsa Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli u përqendruan më shumë në fushën e kritikës. Kështu rënia e prodhimit letrar u ndie fillimisht në rrethin kulturor të Korçës dhe të Gjirokastrës që kishin pasur zhvillime të mira gjatë viteve të pavarësisë.
Mitrush Kuteli botoi më 1944, antologjinë e Fan Nolit “Mall dhe brengë”, duke e rikthyer këtë autor, në sistemin letrar, pas mënjanimit të tij gjatë kohës së pushtimit italian.
Këto ndryshime krijuan kushtet që të mbushej kjo zbrazëti, ndërsa në qendër të zhvillimeve letrare u vendos revista “Shkëndija” e drejtuar nga Ernest Koliqi, i cili afroi bashkëpunëtorët e tij të gazetës kulturore “Illyria” të cilën e drejtonte në vitet e monarkisë 1935-1937.
Në këtë revistë u përqendruan përveç Koliqit, Dom Lazër Shantojës, Frano Alkës dhe Karl Gurakuqit që ishin përfaqësues të letërsisë në viteve ‘20 edhe të rinjtë kryesisht përkthyes dhe kritikë si Pashko Gjeçi, Nikoll Dakaj, Fiqret Fterra etj.
Njëkohësisht në këto vite pritej të ndodhte ndërrimi i gjeneratës letrare të Rilindjes, pavarësisht se aktorët kryesorë vepronin në SHBA si Faik Konica dhe Fan Noli, të cilët ishin shprehur kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

Sistemi letrar shqiptar në kohën e pushtimit gjerman
Nikoll Dakaj me mbylljen e revistës Shkëndija të Koliqit, nisi të botonte përkthimet e tij në shtypin e të përkohshmeve, kryesisht në gazetën Balli i Rinisë. Ai botoi me pseudonimet: Basho Jona, Melibeu, N.D., NI, etj.
Në këtë kontekst u botua revista “Kritika” e Arshi Pipës që doli në 4 numra në vitin 1944. Revista u përqendrua në fushën e botimeve dhe në metakritikë (në vlerësimin e kritikave të Mitrush Kutelit si botues i Lasgush Poradecit dhe Fan Nolit). Botim tjetër me rëndësi ishte botimi në Shkodër i revistës letrare “Era” nga Qemal Draçini e Muzafer Pipa.
Gjithashtu në këtë periudhë, në vitin 1944, u shënua një akt pozitiv si botimi i veprës të ndaluar të Migjenit “Vargjet e lira”, që me botimin e kufizuar më 1937 të pak kopjeve, dhe të ndaluar më pas, pati një sukses të madh. Vepra e Migjenit u fut në qendër të prodhimit letrar dhe për t’u paracaktuar si vepra model, gjatë periudhës së mëpasme të realizmit socialist deri në vitin 1990, madje duke u vlerësuar si libër mesianik për ardhjen e revolucionit. Ky autor dhe pjesë të veprës u shfrytëzuan nga kritika e mëpasme e realizmit socialist si kundërpeshë ndaj letërsisë së ekskomunikuar të Fishtës, Koliqit dhe Konicës.
Në këtë kohë u zhvilluan botimet e elaborateve mbi Shqipërinë etnike si studimi “Kosova djepi i shqiptarizmit”, më 1943 i Hamit Kokalarit dhe studimi antropologjik “Raca shqiptare” i Jakov Milajt.

Nikoll Dakaj e Pashko Çoba (Tiranë 1942 - B. Çoba)
Nikoll Dakaj e Pashko Çoba (Tiranë 1942 – B. Çoba)

Kthimi nga studimet
Në këtë mjedis të sistemit letrar u ngjiz krijimtaria e Nikoll Dakës, i cili duhej që t’i kthente vendit kontributet e pritshme prej tij. Në Ministrinë e Arsimit u njoh me Karl Gurakuqin e Ernest Koliqin që e emëruan pedagog në Liceun e Elbasanit pastaj në atë të Tiranës. Në Elbasan do të njihej me profesorin e latinishtes Filip Fishtën. Në këtë kohë u njoh edhe me Shefqet Peçin në pozicionin e Prefektit të Internatit me të cilin pati një konflikt të bujshëm – gjë që do ta ekspozonte në kohën e regjimit komunist ndaj persekutimit.
Në liceun e Elbasanit ai u njoh me Papa Josif Mihalin, i cili i vuri kurorën shejtë dhe bekoi martesën e tij me zonjën Aleksandra Bushkja. Me At Josifin, ai do të ishte bashkëvuajtës në kampin e punës të Kënetës së Maliqit dhe do të ishte dëshmitar i vrasjes makabre të tij më 26 tetor 1948. Ndërsa At Josifi rrëzohej dhe kërkonte ndihmë, mbeti i shtypur në llucë në thellukat e kënetës së Maliqit, nën këmbët e policëve të kampit që u grahnin rreshtit të të dënuarve të marshonin me vrap drejt frontit të punës, pa kthyer kokën mbas.

Pjesë nga Monografia, “Nikoll Dakaj mes përkthimit të antikes dhe përndjekjes”, – Leka Ndoja, 2021, fq. 20-40

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.