back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Është dashuri, është vëlla! – rrëfim nga Alda Butka – Aliçka

Gazeta

Alda Butka - Aliçka
Alda Butka – Aliçka
Është dashuri, është vëlla!
rrëfim nga Alda Butka – Aliçka

Në vitin 1951, familja ime ishte e syrgjynosur.
E di si quhet shqip, e di dhe pse e jepnin si masë antishqiptarët. E di dhe ç’shpresonin të arrinin, por ama… di dhe që nuk ia arritën ashtu siç donin, deri tek shpirti… Sigurisht, tek ai, që kishte shpirt.
Ishin në Matohasanaj të Tepelenës.
Gur, gur e shkëmb e gur! Gjyshja, babai, halla. Xhaxhanë e vogël, ia besoi hallës së saj, tjetrin e morën ushtar, në xhenjo.
Babanë e caktuan mësues, 19 vjeç, aty në fshat. Shkolla, ishte një shtëpi me dy dhoma. Në njërën, futën familjen e mësuesit dhe në tjetrën, zhvillohej mësimi. Nxënësit ishin të të gjitha moshave. Kishte fëmijë, po edhe burra…
Asnjë lajm prej një kohe të gjatë, nga dy djemtë e vegjël. Varfëri e tejskajshme. Me vete kishin marrë vetëm dy lecka, që mundën dhe që u mbetën nga bredhjet sa andej-këndej.
Një ditë, një fshatar i thotë babit, fshehurazi nga të tjerët:
-Isha në spital, në Tirane e kushëriri më tha: “Ky ushtari, në krevatin ngjitur, është djali i Safet Butkës. Gjynah, djale i ri, po e lënë të vdesë. Po ikën kot!!”
S’mora vesh gjë më shumë e as i fola dot…
U trondit shumë! Ishin aq të lidhur me njeri- tjetrin. Babi kishte marrë rolin e prindit për më të vegjëlit, që 13 vjeç. Iu rrotullua bota. Nënës nuk donte t’i thoshte. Çfarë mund të bënte ajo e shkreta, aq e re, në mes të atyre maleve?!
Kur filloi të errësohej, e ndau mendjen të nisej. Në këmbë, sigurisht. Ec e ec nëpër natë, mes shkëmbinjsh e shkrepash, edhe për të mos e parë kush, edhe për të gjetur shtigje të binin shkurt.
“A do ta gjej dot gjallë?!” – vetëm kjo fjali e godiste si gur në kokë. Eci pa ndaluar, se donte që dita, ta gjente larg Tepelenës e vendeve të internimit, për të mos qënë i dyshuar.
Kishte veshur një palë këpucë të vjetra. Në një vend, ndaloi pak dhe pa gjak. Atëhere e kuptoi që rridhte nga këmbët e tij. Ashtu vazhdoi gjithë natën.
Në mëngjes e mori një makinë. Copa-copa e bëri rrugën deri në Tiranë, nga frika se mos e njihnin dhe lajmëronin.
Xhaxhi Xakja, shpëtimtari ynë në shumë situata, pa llogaritur frikën dhe hallin e fëmijëve të tij, e ndihmoi ashtu me shpirt e me zemër, siç dinte vetëm ai! Ishin jetimet e djalit të xhaxhait të tij, të rritur me dashuri e dhimbsuri vëllezërish.
E siguroi që do kujdesej, si të ishin vetë aty dhe e porositi 100 herë të ikte menjëherë, se e dinte ç’e priste.
Ashtu i uritur e i rraskapitur, me këmbët plagë, vendosi të nisej.
Pa dalë ende nga Tirana, e kapën!!
Shkojnë në fshat nga Dega e Brendshme. U hap fjala që mësuesi kishte tentuar të arratisej dhe ishte burgosur.
Nëna aty në dhomë, me vajzën e vogël, pa njeri pranë, e tmerruar! “Ç’ishte kjo, o bir?! Si na le vetëm, o bir?! Korba unë!”
Pas pak e mblodhi veten. “Nuk na e bën Salua këtë neve! Gënjejnë!!
U mblodh fshati. Filluan të vinin dhe nga fshatrat rrotull, se në shkollë nuk kishte vetëm fëmijë të fshatit dhe mësuesin e njihnin.
Filloi mbledhja.
-Donte të arratisej djali i armikut. E kapëm djalin e tradhëtarit. Ku ishit ju, si nuk e kapet që këtu?!
Heshtje…
-Flisni, flisni!
Heshtje…
-Fol ti, më plaku, se ke luftuar për këtë vend, ke qenë partizan! Fol, se ti thua të vërteën!- iu drejtua një plaku nga Kashishti.
Burri u ngrit.
-Nga familja ime, kam luftuar vetëm unë. Nga familja e mësuesit, kane luftuar e kanë dhënë jetën që nga gjyshi, me dhjetra. Kanë edhe këngë, që i këndojmë dhe ne këtu. Ju na e sollët për mësues dhe ne e duam. Kur mbaron mësimin me fëmijët, fillon me burrat derisa mbaron vaji i llambës. Këtë shkollën, që ishte si ahur, e rregulloi me duart e tij. Punëtor i madh. Kur thotë ai vjersha patriotike, qajmë dhe ne me mustaqe. Mos na merrni më qafë, të na prishni shkollën! Nuk ikte ai, të linte një grua të re e një copë kalama vetëm, se është burrë kolonjar. Silleni këtu, kur ta thotë ai me gojën e tij që donte të ikte, qofsha unë i turpëruar e me merrni mua! – dhe u ul.
Atëhere morën zemër e filluan të ngrihen njeri pas tjetrit të gjithë, me fjalët më të mira.
U mblodhën e shkruan letra e i nisën në Tiranë…
E dënuan me disa muaj për largim pa leje nga vendqëndrimi i detyrueshëm. Kur u kthye në fshat, nëna i tregoi se sa ishin kujdesur të gjithë ata fshatarët, që mes asaj varfërie të tmerrshme, i linin te parvazi i dritares kush një kokërr vezë, e kush nje gotë qumesht…
-Po si e bërë, o babi, kur e dije ç’të priste?!- e pyeta, kur ma tregoi. Isha nja 11-12 vjeçe.
-Ku ka “Si” e “Pse”?! Është vëlla, është dashuri! Kam dhe një gjë tjetër: Sa të jesh e sa të rrosh, mos m’i harro kurrë ata njerëz nga Matohasanaj e nga Kashishti, kurrë!
Kur shkova për herë të parë në Tepelenë, më 1994, kolegu më thotë: “I urrej këto vende, këto male! Këtu ka qenë në burg dhe babai, dhe gjyshi im”. Nuk fola. Lotët i kisha gati. “Çfarë bënë ata, çfarë?!” – mendoja me vete. Doja t’i hapja krahët e t’i përqafoja ato male të thata, gri.
Nuk ndjeja urrejtje, jo!

Marrë nga Muri i FB Alda Butka – Aliçka, 25 mars 2024

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.