Ndahet nga jeta piktori i njohur, Ali Oseku
Vuante nga një sëmundje e rëndë.
Piktori i njohur Ali Oseku është ndarë nga jeta ditën e sotme, 2 prill 2024. Oseku njihet si një prej artistëve më emblematikë të artit shqiptar në 50 vitet e fundit
Fatkeqësisht ai nuk arriti të fitonte dot betejën me sëmundjen e rëndë.
Ali Oseku (1944-2024) – lindi në Tiranë, në një familje me origjinë nga Gjakova. Liceun artistik e mbaron në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve, në vitin 1969. Pas studimeve, artisti fillon punë si skenograf në TOB.
Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979. Pas kësaj periudhe, artisti punon si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit. Pas viteve ‘90, do ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase.
Marrë nga gazeta Panorama
Ali Oseku më pyeti: E di si vizatoj unë?
nga Visar Zhiti
Sot ai vizatoi vdekjen e tij. Iku…
Një nga piktorët më të fuqishëm
në artin shqiptar, – po shkruajnë gjithandej.
Kujtoj që e burgosën dikur… Por s’ka të dikurshme, edhe e dikurshmja është e tanishme…
Kur më çuan në burgun e Spaçit, ai s’ishte më aty, por flisnim mirë për të dhe unë e di se sa vlerë ka të flasin mirë dhe në burg…
Në librin tim, në burgologjinë “Rrugët e Ferrit” kam një si vinjetë për të, që më duket se shpjegon diçka…
Piktor edhe në Ferr:
-Po piktorin Ali Oseku e gjete ti? – më pyeti.
-Jo, – i thashë.
-E di si vizatoj unë? – më pyeti ai një ditë. Zëri i Astritit Xh. (që po më tregonte) u bë i lagësht, si i ujitur. I thashë: jo. Dhe piktori Ali Oseku më mori gazetën “Drita”, e mbaja për ca poezi, dhe, siç po të thosha, ja, më tha Ali Oseku, kështu vizatoj unë, dhe i mbushi anët e bardha të gazetës me gra me kostume popullore. Sa bukur! Një si sfilatë mallëngjyese, panair… Ra çanga për punë dhe Ali Oseku e la gazetën poshtë jastëkut në shtratin e tij. Mbas 3 minutash e thirri operativi. Ç’të duhet ty që vizaton femra në burg? – i tha. Je dënuar pak, ç’të duhet që rri me armiq të përbetuar? Lëri vizatimet dhe shiko të riedukohesh, more vesh? Ma tregoi vetë, po më thoshte Astriti, por ai ishte piktor i përbetuar…
U shqetësuam. Të kemi kujdes nga kushdo, pranë e jo pranë, thamë. Në burg përvoja të hyn në punë, por dhe nuk të hyn, thoshte shkrimtari mustaqelli. Digjesh. Por vepro me intuitën e çastit dhe… si të jetë shkruar.
***
E di si vizatoj unë? Më ka mbetur në mendje kjo pyetje, që provokon veten dhe sa herë e shihja në Tiranë, më kujtohej. Pyetje-shkak për të vizatuar dhe atje ku ishte tmerrësisht e pamundur, nuk lejohej me rregulloren e mizorëve, kur sundonte Realizmi Socialist
Piktori Ali Oseku u përgjigj po vetë: Me guxim dhe me ndershmëri, duke qenë vetvetja, me art.
Kështu ai vizatoi dhe jetën e tij…
Marrë nga Muri i FB, Visar Zhiti, 3 prill 2024