back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Presioni dhe pengimi i Drejtësisë, nga Rama tek Veliaj – nga Enton Abilekaj

Gazeta

Gazetari Enton Abilekaj
Gazetari Enton Abilekaj
Presioni dhe pengimi i Drejtësisë, nga Rama tek Veliaj
nga Enton Abilekaj

Erion Veliaj që prej 10 ditësh u shmanget mediave, zgjodhi të komunikojë me publikun me një video të gatshme. Regjistrimi i sikletshëm, i shpërndarë masivisht sot në media dhe platforma sociale, është një përzjerje e shantazhit politik të brendshëm dhe presionit ndaj Drejtësisë, por në asnjë fjalë, asnjë fjale të vetme nuk kishte ndjesën për paratë publike të humbura nëpër xhepat e bashkëpunëtorëve të tij, nuk kishte as keqardhjen për dëmin ekonomik që ka sjellë afera e 5 D.
Kur e krahason përgjegjësinë e tij për drejtorët e arrestuar, me atë të Edi Ramës, është e qartë që po bën shantazh publik, është e qartë se i thotë shefit të tij, që edhe mund ta shkarkojë apo t’i kërkojë dorëheqjen se rastet janë njësoj dhe se ai është po aq i korruptuar sa Kryeministri, që do të thotë se largimi i tij nga zyra, është precedent për largimin e Kryeministrit në rastet e ngjashme të së shkuarës apo të ardhmes, që janë me shumicë.
Ky shantazh publik, i veshur me servilizmin publik qe e karakterizon, të shoqëruar me lëpirjen e neveritshme që i ka bërë Edi Ramës në dekada, nuk ka asnjë vlerë për publikun. Është thjesht një komunikim i ngjashëm më atë që Saimir Tahiri dhe Arben Ahmetajn e bënë nga studioja e Fevziut kur po ndienin se shefi ishte duke i lëshuar. Rezultati dihet tashmë për dy të parët, por nuk është e thënë që fati i tyre të parathotë atë të Veliajt.
Problemi i fjalës së Kryetarit të Bashkisë ishte tek sjellja ndaj SPAK. Duke vlerësuar të tre të arrestuarit – drejtorë të niveleve më të larta në Bashki dhe më pas duke e përjashtuar mundësinë që ai vetë të ketë firmosur apo bërë presion apo ndikuar në një vendim të paligjshëm, Veliaj pengon Drejtësinë.

Dueti (Rama- Veliaj) (Kryeministri & Kryebashkiaku)
Dueti (Rama- Veliaj) (Kryeministri & Kryebashkiaku)

Edhe pa këtë fjalim shantazhues, SPAK kishte çuar në Gjykatë një dosje të gjymtuar, ku nuk përfshiheshin të gjitha bisedat që përmendin edhe rolin e Veliajt. Edhe para fjalimit të sotëm, GJKKO nuk guxonte as ta përmendte emrin e Veliajt, kur kërkonte hetimin e autoritetit kontraktor. Duke e përjashtuar veten, duke qëndruar në një zyrë të pushtetshme, duke patur në dorë prishjen e provave, duke qenë ende një i hetuar i mundshëm, Veliaj ushtroi presionin politik mbi Drejtësinë. I kujtoi SPAK-ut të trembur se ai do vazhdojë të punojë në atë zyrë dhe se pushteti i tij nuk ka ndryshuar, se fati i tij do të jetë i njëjtë me atë të Edi Ramës.
Edhe nëse deri sot Veliaj nuk do kishte bërë asgjë të paligjshme, sot ai ka ushtruar presion mbi Drejtësinë dhe e ka penguar Drejtësinë të veprojë.
Një rast i tillë nuk është i paprecedent. Ai thjesht ka kopjuar Edi Ramën kur e shpalli Dritan Zaganin armik dhe bandit, vetëm se ish-polici denoncoi Habilajt që përfitonin në trafikun e drogës nga kushëriri i tyre që ishte Ministër i Brendshëm. Pasi Drejtësia italiane veproi, po Edi Rama distancohej nga Saimir Tahiri, ndërsa Zagani ishte dhe vazhdon të jetë në azil politik.
Ishte Edi Rama që mbrojti inceneratorët dhe vazhdon te ndihet krenar për atë që ka bërë, duke e bërë Drejtësinë të zhvendosë hetimin nga procedura e mbushur me shkelje, tek të brendshmet e familjarëve të atyre që Kryeministri nuk i do më.
Është përsëri Edi Rama që mbrojti sterilizimin dhe garantoi publikisht se koncesioni do të vazhdojë, vetëm pak ditë pasi SPAK filloi arrestimet. Po ai del me vrap të deklarojë se bashkëpunëtorët e afërt të tij, kanë ngrënë mollë dhe dardha pas shpinës, ndërkohë që dosja ëahtë ende në shqyrtim dhe ai mund të ishte një nga bashkëfajtorët.
Të gjitha këto janë pengim i Drejtësisë, presion i ushtruar publikisht me pasoja të qarta. Për shkak të këtij presioni SPAK i ka devijuar hetimet për aferat e mëdha, duke i bërë qesharake.
Nuk ka pse të jesh prokuror mediatik për ta kuptuar që drejtues i Qeverisë qendrore apo vendore, me pozita të fuqishme në parti, nuk mund të hetohet nëse është në detyrë, aq më pak kur e ushtron pushtetin publikisht për të devijuar hetimet. Për këtë arsye, jo vetëm në Europë, por edhe në Zimbabve, drejtuesit e ekzekutivit japin dorëheqjen sapo bashkëpunëtorët e tyre akuzohen zyrtarisht nga Drejtësia.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.