A është globali lider arrogant, prepotent, përçmues,
egocentrik, kokorosh, smiracak, lajkatues, flirtues… psikopat?
nga Zamir Gjurgji
Ish-kryeredaktori dhe botuesi i “Foreign Policy”, Moises Naim, ka detajuar e kartelizuar personalitetin e një udhëheqësi global, duke iu referuar Shoqatës Psikiatrike të SHBA-së që ka shtjelluar veçoritë dhe kriteret për të pikasur narcizmin patologjik, që njihet edhe si “Çrregullim i Personalitetit Narcizik” (NPD). Sipas vëzhgimeve te tyre, personat që e mbartin karakterizohen nga megalomania e pandërprerë; nevoja e pafre për t’u admiruar dhe mungesa e empatisë. Shfaqen tepër arrogantë, kanë ndjeshmëri superioriteti dhe sjellje të prirura për të zaptuar pushtet. Vuajnë nga brishtësia e egove; nuk tolerojnë kritikën dhe priren të përçmojnë të tjerët për të dalë në pah. Mbështetur në manualin e këtij organizmi të psikiatrëve amerikanë, cilido që vuan nga çrregullimet e personalitetit narcizist shpalos të tilla simptoma:
1.Ndjesi madhështie dhe pritshmëri për t’iu njohur e pranuar sundimi.
2.Fiksim ndaj vegimeve për pushtet, sukses, intelekt dhe tërheqje trupore.
3.Perceptim i qenies së pashembullt, superior dhe që bën pjesë të grupimet apo institucionet e shtresës a klasit të lartë.
4.Nevojën e pandërprerë për t’u admiruar nga të tjerët.
5.Vetëbindjen se gëzon të drejtën për t’u trajtuar në mënyrë të veçantë dhe synon nënshtrimin e të tjerëve.
6.Prirjen për të shfrytëzuar të tjerët, për të nxjerrë përfitime vetjake.
7.Paaftësia për të qenë empatik me ndjeshmëritë, dëshirat dhe nevojat e tjetrit.
8.Smira e shfrenuar dhe vegimi se të gjithë të tjerët janë smirëzinj ndaj tij.
9.Prirja për t’u shfaqur i vrazhdë dhe hundëpërpjetë.
10.Prirja për të përçmuar si kundërshtarët ashtu dhe ithtarët.
Marrë nga Muri i FB, Zamir Gjurgji, 3 prill 2024