back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Refuzimi i lirimit me kusht nga burgu i ferrit komunist – nga Bedri Blloshmi

Gazeta

Bedri Blloshmi 2013
Bedri Blloshmi 2013
Refuzimi i lirimit me kusht nga burgu i ferrit komunist
nga Bedri Blloshmi

Më 27 mars 1991, na lajmëruan se do të liroheshin 8 të dënuar me kusht. Midis tyre isha dhe unë. Në bisedë me shokët, u thashë se nuk do ta pranoja lirimin me kusht. Shokët u përpoqën shumë që, unë, të shkoja kur të më thërrisnin emrin.
Sipas listës që thirrej, të burgosurit dilnin tek dera dhe i çonin në një dhomë jashtë burgut, ku bëhej një gjyq formal. Më thirrën emrin: “Bedri Blloshmi, hajde te porta”.
-Nuk vij, – u thashë, – nuk dua të lirohem me kusht.
Atëhere disa shokë që po përpiqeshin të më bindnin, më kapen prej krahësh, më çuan tek porta ku priste polici. Dola jashtë, polici më shoqëroi te një dhomë aty pranë. Me t’u futur brenda, u ula në një stol. Përballë kisha trupin gjykues të ulur pas një tavoline. aty ishte edhe komandanti i burgut që diçka i thoshte gjykatësit, në vesh e me shenja, duke lëvizur duart.
Atëhere fillojmë, – u dëgjua zëri i gjyqtarit, – I dënuar çohu në këmbë dhe përgjigju pyetjeve.
dëgjoj edhe ulur, – i thashë unë.
I dënuar çohu në këmbë se kështu është rregulli, je përpara trupit gjykues.
Ju thashë, dëgjoj edhe ulur. komandanti i burgut, me sa kuptova i pëshpëriti gjyqtarit në vesh që të vazhdonte e të mos më ngacmonte me formalitete.
i dënuar, si e keni emrin? – vazhdoi gjyqtari.
Nuk e mbani mend se kë keni thirrur? – iu përgjigja unë.
-Ç’është ky more? – iu drejtua gjyqtari komandantit të burgut. s’më ka bërë vaki me asnjë të dënuar kështu. Qenka fare i pabindur.
Pyetje: a e pranon fajin i dënuar? sot, do të lirohesh nga burgu. Do të ta falim dënimin e mbetur. partia mendon për ty edhe pse ke bërë faj dhe, pse këtu ke mbajtur qëndrim të keq. Pashë dhe raportet e komandës.
-Përgjigje: – po pse more kriminelë, çfarë faji kam bërë?
-Ç’faj të pranoj more të poshtër? Ju më pushkatuat vëllain bashkë me kushëririn vetëm pse ishin intelektualë dhe mua ma shkatërruat jetën. Shih si më keni thinjur para kohe, more kriminelë. Xhaxhain ma vdiqët në burg. familjen ma internuat
edhe babanë ma futët në burg. Çfarë ju bëmë? Çfarë? Jeni ju që duhet të më jepni llogari për çfarë i keni bërë familjes sime, o të poshtër, o barbarë, o vrasësa.
-Ç’është ky more? – iu drejtua përsëri gjyqtari komandantit. Ky qenka i çmendur e ju propozoni ta lironi para kohe.
-Të çmendur, kriminelë e të poshtër jeni ju të gjithë o këlyshët e komunizmit,- fola gjithë mllef. gjyqtari nuk e zgjati më, mblodhi letrat mbi tavolinë, ingjeshi në çantën e zezë, u ngrit e doli jashtë i nervozuar, dhe tha: i dënuar je i liruar që nga ky çast. Qëndrova te dera e burgut duke kërkuar të futesha brenda. Ata të komandës më flisnin qetësisht, ik tani se je i liruar. Unë ngula këmbë të futesha përsëri brenda.
Pas pak u hap dera e burgut. U futa brenda i nevrikosur. Të gjithë shokët e dënuar u mblodhën rreth meje duke më qortuar.
-Po ti vetëm për ata prindër të kishe pranuar të shkoje në shtëpi. Ne s`e kuptojmë këtë kokën tënde, s’ka ndonjë gjë se po lirohesh me kusht. Këta mbaruan, ti po e sheh. Nuk bën mirë kështu. ti s`e kupton që këta morën fund?’
– Po të doni më bëni një kafe, mbase më qetëson, – iu përgjigja unë, se për të tjerat di vetë se ç’bëj. Këta kriminela edhe në grahmat e fundit, duan të na tregojnë dhëmbët duke na vënë edhe kushte.

Bedri Blloshmi në Burgun e Spaçit
Bedri Blloshmi në Burgun e Spaçit
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Gjykata e Rrethit Mat Nr. 118 akti – Nr. 74 i vendimit

Vendim “Në emër të popullit” Gjykata e Rrethit Mat e formuar nga:
Murat Lleshi – gjyqtar
Pashka Daçi – nd. gjyqtare
Vitore Limaçi – nd. gjyqtare
t’asistuar nga sekretare Sabrie Kaziu,
me pjesmarrjen e prokurorit Ferid Muça, në repartin 321 Burrel, me datë 26.03.1991, mori në shqyrtim çështjen e veçantë me të gjykuarin Bedri Blloshmi, i biri i Samiut dhe Nadires, i datëlindjes 1950 me objektin: lirim para kohe me kusht, “neni 42 c” të kodit penal. Gjykata si mori provat e nevojshme, dëgjoi të gjykuarin i cili kërkoi pafajsi se mbahet pa të drejtë në burg, prokurori që kërkoi rrëzimin e kërkesës së repartit 321 Burrel, shqyrtoi aktet shkresore.
Vëren: Reparti 321, Burrel, ka propozuar për lirimin para kohe, me kusht, Bedri Blloshmin. rezultoi se me vendimin penal nr. 45, datë 13.06.1977 të Gjykatës së Rrethit Librazhd është dënuar me 25 vjet heqje të lirisë për krimin e sabotimit në ekonomi. Ka vuajtur efektivisht 14 vjet, 11 muaj e 18 ditë, ka fituar me falje 5 vjet e 5 muaj e 29 ditë, me punë 5 muaj e 16 ditë. I kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vjet e 22 ditë. Në gjykim i gjykuari pretendoi se jam dënuar me pa të drejtë, nuk jam i penduar, si dhe mbahem pa të drejtë në rregjim burgu. Nuk kam bërë ndonjë kërkesë dhe nuk kërkoj të lirohem para kohe me kush. Një ndër kërkesat e nenit 42/c të kodit penal, është që i dënuari të tregojë se me sjelljen e me punën e tij të jetë përmirësuar. Në rastin konkret i pandehuri ka pretenduar në lidhje me fajësinë si dhe vuajtjen e dënimit nuk ia ka arritur qëllimit edukativ të tij, e si e tillë nuk plotëson kërkesat e nenit 42/c të kodit penal për lirim para kohe me kusht, pasi dhe nga fashikulli personal i tij, rezulton se në vazhdimësi ka masa ndëshkimore nga komanda e repartit, faktet sa më sipër u provuan me thëniet të gjykuarit, propozimit të repartit 321 Burrel, fashikulli personal i të gjykuarit…
Për këto arsye: Trupi gjykues, bazuar në nenin 42/c të kodit penal.
Vendosi: Rrëzimin e kërkesës së repartit 321 Burrel për lirimin parakohe me kusht të të gjykuarit Bedri Blloshmi. Kundër këtij vendimi lejohet ankimi ose protestë brenda 5 ditëve në gjykatën e zonës Tiranë, afat ky që fillon tre ditë pas shpalljes. U shpall në repartin 321 Burrel me datë 26.03.1991
Sekretare – Sabrie Kaziu (firma)
Gjyqtari – Murat Lleshi (firma) (vula)
Shënim: vërtetohet një origjinalin.
Kryesekretarja e gjykatës (firma, vula)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.