back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Festa Shqiptare e Ditës së Lirisë në Westchester dhe fjala e veçantë e zotit Agim Rexhaj – nga Idriz Lamaj

Gazeta

Idriz Lamaj
Idriz Lamaj
Festa Shqiptare e Ditës së Lirisë në Westchester,
dhe fjala e veçantë e zotit Agim Rexhaj
nga Idriz Lamaj

5 maji i së së djelës së shkuar në Valhalla të Westchesterit, qëlloi nji ditë gri me shi të imtë, e megjithatë, në Ditën e Lirisë, që mban emrin e Martirit: Nik Marash Merrnaçaj, djaloshit 30 vjeçar që humbi jetën në ditët e protestave kundër regjimit komunist, kishin ardhur ta nderonin shumë njerëz, të të gjitha moshave. Për mua ishte kënaqësi e madhe me qenë pjesë e kësaj ceremonie serioze, o jo siç ndodh rëndom në aktivitetet tona, sa për me kalue rradhën!!
Edhe pse shiu i butë nuk reshti përgjat dy orëve që u krye ceremonia përkujtimore, asgjë s’e ndali festën e përgaditur me kujdes, dashuri, respekt e dinjitet. Ra në sy serioziteti i të gjithë folsave, edhe trajtimi i mjaft detajeve, disa prej të cilave ia vlen të nënvizohen. Fjala vjen, përfaqësimi institucional prej shtetit amerikan; diskutimi i deputetes Bardeli prej qarkut të Shkodrës, e cila e përshëndeti takimin përkujtimor nga salla e Parlamenti; pjesmarrja e mjaft grave në foltore, të cilat e thanë me kurajo fjalën e tyre, ku u dallua toni pasionant dhe i vendosur i këshilltares së distriktit nr. 9 të NY, Emiljana Ulaj; fjala e zotit Mark Gjonaj që kishte ardhë në takim së bashku me nanën e tij të moshueme Rozën; intelektuali e shkrimtari patriot Mëhill Velaj në pak fjalë përcolli një mesazh të rëndësishëm; po edhe gazetarë si zonja Marjana Bulku qe foli për kultin e heroit apo zoti Jozef Radi, i cili krahas përshendetjes solli edhe një letër të Marash Merrnaçajt shkruar para dhjetë vitesh, dëshmuan se serioziteti dhe përkushtimi i gjithsecilit i dha një përmasë më të plotë fjalës së tyre po edhe asaj ceremonie përkujtimore, e cila kremtohet për të 34 vit rradhazi, e ku familja Merrnaçaj vazhdon me u kujdesë deri në detaje, që gjithçka të shkojë sa më mirë, e nga viti në vit përpiqen ta pasurojnë me elemente të rinj.
Ajo çka e trembi shiun që vazhdoi gjithë kohës ishin këngët dhe vallet tradicionale të brezit të ri. Djem e vajza malsore të bukur si drita, të veshur me kostumet tradicionale të Kelmendit, po edhe fëmijë të vegjël dëshmuan se shpirti i tyre është përplot me atdhe, me dashuri e mall po edhe me besim. Kjo rini malësore po i jep një tjetër ngjyre mërgimit tonë të dikurshëm, ndaj shpreh bindjen e thellë se diçka e mirë, që ma mbush shpirtin me shpresë e besim, po vjen.

Rinia duke e percjelle Ditën e Lirisë - Westchester, 5 maj 2024
Rinia duke e percjelle Ditën e Lirisë – Westchester, 5 maj 2024

Edhe prezantuesit Sokol Smajlaj dhe Valbona Preldakaj bënë figurë mjaft të mirë në prezantimin e gjithë të të ftuarve po edhe në organizimin e grupit artistik “Kelmendi”, gjithashtu edhe televizioni “Albanian Culture” që e ndoqi gjithë takimin…
Por, ajo çka desha të nënvizoj prej kësaj ceremonie përkujtimore ishte fjala e zotit Agim Rexhaj, “Kryetar Nderi i Vatrës”, i cili jo vetëm nderoi familjen e Merrnaçajve në kujtim të Nikës, po s’e anashkaloi as situatën ku ndodhet Vatra sot, e cila për çudi(!!!) kësaj here s’kishte asnjë përfaqësues zyrtar të sajin dhe s’pati asnjë kronikë përcjellëse, çka dëshmon se qëndrimi i drejtuesve, vazhdon të jetë inatçor e i ashpër… edhe ndaj heronjve të lirisë, si Nik Merrnaçaj. Sigurisht, ata që dikur patën premtuar se do të bënin gjëra të mëdha e patriotike, si duket i kanë harruar premtimet o patriotizmi i tyre ndjehet funksional vetëm në raportet apo fotografitë me përfaqësuesit e lartë të shtetit (apo të shteteve shqiptare në Ballkan), dhe s’po u gjendet as koha e as gjuha të merren me komunitetin shqiptarëve e as të nderohen siç e meritojnë, heronj si Nik Merrnaçaj.
Fjala e zotit Agim Rexhaj u duartrokit disa herë dhe la përshtypje të mirë tek gjithë pjesëmarrësit. Vetë nana e Heroit Nik Merrnaçaj, gruaja stoike dhe e paepur: Mrí Dedja, u çue në këmbë e përqafoi dhe e falenderoi me gjithë zemër folësin. Një çast prekës, çka e nderoi zotit Rexhaj, dhe shpirtit të tij të paepur në mbrojtje të Vatrës dhe vlerave kombëtare shqiptare.

E ndërsa shiu i imtë vazhdonte me atë monotoninë e tij, flamuri shqiptar u lartua në qiellin e Westchesterit, si dëshmi  që njerzit me vullnete të forta s’ka fuqi që mund t’ua prishë festën. Isha fizikisht dhe shpirtërisht pjesë e asaj feste të bukur e dinjitoze, dhe këta pak rreshta, siç i ndjeva edhe i shkrova…
Idriz Lamaj, 6 maj 2024

Shënim: Fjalën e zotit Agim Rexhaj, si dhe prezantimin që iu bë atij nga folësat e programit po ia bashkangjis shkrimit tim, mbasi, edhe unë e vlerësova mjaft fjalën e tij.

Agim Rexhaj (Nderi i Kombit) gjatë fjalës së tij
Agim Rexhaj (Nderi i Kombit) gjatë fjalës së tij

Prezantimi i zotit Agim Rexhajt nga Sokol Smajlaj
Federata Panshqiptare “Vatra” dhe Gazeta Dielli kanë gjetur gjithnji një mbështetje pa rezerva prej familjes Merrnaçaj. Marashi, Pjetri, po edhe Marku, Leka gjithnji kanë qenë në krah të kësaj Federate jo vetëm si mbështetje morale po edhe materiale. Sigurisht kohët kanë ndryshue, e s’asht ma ajo “Vatra” e dikurshme e figurave të nalta si Konica e Noli, po as e Pipës dhe Karagjozit, megjithatë në shpresojmë se më ndihmën e Zotit po edhe mendjeve të kthjellta, gjanat kanë me me ndryshue par mire dhe ka me u gjetë gjuha e marrveshjes. I ftuem me thanë dy fjalë për Ditën e Lirisë, asht vatrani i hershëm zoti Agim Rexhaj, “President Nderi i Vatrës”.

Agim Rexhaj (Nderi i Kombit)
Agim Rexhaj (Nderi i Kombit)
Historinë e Vatrës e shkruejnë historianët
dhe s’kanë me mujtë kurrë me shkrue interesaxhijtë e kohës!!
Fjala e zotit Agim Rexhaj në Ditës e Lirisë në Westchester

Të nderuem familjarë e bashkatdhetarë,
të nderuem autoritete politike, fetare e intelektuale
Sot në kët 5 maj, ndjehem i nderuem trefish që jam i ftuem me thanë fjalën teme n’emën të Vatrës, në këtë Ditë të Lirisë së Shqiptarëve, e cila mban emnin e djaloshit idealist, malsorit krenar dhe martirit të demokracisë, Nick Merrnaçaj, dhe ta përkujtojmë sëbashku figurën dhe veprën e tij ndër breza. Së pari me Nikën i përkasim të njajtit brez, dhe kena përcjellë beteja të përbashkëta për çlirimin e Kosovës nga prangat e Jugosllavisë titiste po edhe shpëtimin e Shqipnisë nga zgjedha e diktaturës enveriste që e kishte shkatërrue popullin shqiptar; së dyti pse Marash Merrnaçajn e kam njoftë dhe e kam vlerësue jashtzakonisht për kontributet e tij në Vatër, po edhe në komunitet, dhe kam admirue te ai shpirtin e bashkëpunimit, përkushtimit dhe sakrificës; së treti, ndjehem i nderuem pse Familja Merrnaçaj vazhdon me e mbajtë nalt si pakkush kët flamur, e kjo ndodh pse brezi ma i ri i kësaj familjeje ndjehet krenar për brezat e maparshëm dhe e vazhdon me shpirt këtë traditë të trashëgueme edhe n’Amerikën e Madhe të Demokracisë e Lirisë. Prandaj sot e ndjej për detyrë me falenderue dy miqtë e mi të mirë e të urtë, Lekë e Mark Merrnaçaj, me të cilët kohët e fundit na asht dashtë me përballue edhe do beteja të vështira, n’emën të atyne idealeve të pastra që dikur i patëm mbrojtë me djem guximtarë e sypatrembun si Nick Merrnaçaj. Në kët rast të veçantë, s’mund të la në heshtje emnin dhe personin e z. Mark Merrnaçaj; bir i derës heroike shekullore të Kelmendit, lindë e rritë në kampet shfarosëse të regjimit sllavokomunist të Enver Hoxhës, i cili menjiherë mbas ramjies së komunizmit në Shqipëri, me plagë në trup erdhi në Shtetet e Bashkueme të Amerikes e qysh në ditët e para të tij në kët vend angazhohet me mish e me shpirt në Federatën VATRA, ku jep ndihmën e tij pa u kursye në asgja. Mark Merrnaçaj, kontributi yt i ndershëm dhe atdhetar në Federatën VATRA, s’mund të cënohet kurrë nga askush. Historinë e Vatrës e shkruejnë historianët dhe s’kanë me mujtë kurrë me shkrue interesaxhijtë e kohës!!

Rinia duke e percjelle Ditën e Lirisë - Westchester, 5 maj 2024
Rinia duke e percjelle Ditën e Lirisë – Westchester, 5 maj 2024

Në kët 5 maj të Dëshmorve, e përshëndes tubimin tuej, që jo simbas meje po prej shumë shqiptarësh, vlersohet si ndër modelet ma të bukura e ma domethanëse të komunitetit tonë, sepse asht dëshmia ma e vërtetë se liria e demokracia as vijnë dhe as mbahen në kambë, pa heronj të vërtetë dhe idealista.
Prandej, edhe nji herë Ju përshëndes dhe ju falenderoj nga zemra për këtë ftesë në Ditën e Lirisë së Shqiptarëve, e cila denjësisht mban emnin e nji heroi si Nick Merrnaçaj.
U kujtoftë e u nderoftë ndër shekuj, jeta dhe vepra e tij heroike.
Agim Rexhaj, 5 maj 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.