Alfred Mirashi
Të dashur qytetar Shkodran
une jam tu i lexu mesazhet e juaja, jam shum i gzum
qe po kritikoni, dialogoni, jepni ide, shani.
Dikush e tepron, dikush asht simpatik e simpatike,
por kush ka batutën ma te forte Jo me ofendu, por që na ban me qesh.
Une do i dhuroj nje skulptur “Çelës të Vogël”
te derdhun ne bronx! Mramja e mire te tanve
E shum flm, sepse Bixhisteni po bahet objekt bisedet. Tung
Meditime përballë Çelësit
nga Zija Vukaj
Së pari, ndjesë o Çelës, që po t’i ngul sytë tash 3 herë brenda pak ditësh, por më bie rruga përditë këndej. Jo vetëm mua, por gjithë bashkëqytetarëve të mi e më gjerë.
Së dyti, për momentin nuk po mundem me të thur’ asnjë vjershë, pasi nuk po më frymëzon fare forma jote hermafrodite dhe as masivi yt brun.
Së treti, e vetmja dëshirë e imja do të ishte të të shihja ty ose një sivëlla tëndin krah për krah me kullën Eifel e të bëja krahasimin mes dy bukurive, pasi kjo vërejtje m’u bë qysh në kuvendimin e parë me ty. Por, meqenëse ditën e shugurimit tënd kanë asistuar personalitete tepër të rëndësishëm, që kanë hedhur dritë, na kanë hequr çdo dyshim se ti je i domosdoshëm si një brumbull metalik i tokës të lëshosh hijen tënde krenare dhe mospërfillëse dhe t’i shtrish këmbët sa jorgani i rotondos.
Tani…
Veprat e artit kanë destinacione dhe adhurues të ndryshëm. Një vepër letrare a muzikore, a pikturore, a kinematografike etj., nuk shijohet me detyrim nga të gjithë banorët e qytetit. Do të ishte absurde. Nuk ka pse të “dënohet” gjithë Shkodra të lexojë romanin tim, të dëgjojë kompozimin tim muzikor, të shohë pikturën time as çdo performancë tjetër. Ndryshe qëndron puna me aplikacionet apo veprat që zënë hapësirat publike të qyteteve- pronë e çdo qytetari, pra bustet, memorialet, obelisqet, lapidarët etj. Vendosja e tyre, sidomos kur vlerat estetike të tyre janë tepër të dyshimta dhe të refuzuara në masën 90% nga reagimet evidente të banorëve të qytetit, bëhet problematike. Së pari duhet një deux ex machina për t’i bërë fakt estetik. Së dyti, krijohet premisa e mbivendosjes së shijes së disave mbi shijen e një shumice, pa marrë mundimin të mendohet se pjesa që po i mbivendosesh ka edhe ajo shije e kulturë, ka udhëtuar njësoj si ti në labirinthet e dijes e të globalizmit dhe i njeh barabar teoritë dhe praktikat neo-liberale, por i mungon deux ex machina.
Së treti riaktivizohet virusi fshatarak i “sindromës së demiurgut” (të mençurit të fshatit) që zbret t’u tregojë fshatarëve se cilat janë gjërat e mira dhe të këqija, si do të jetë koha nesër etj., duke i “dënuar” t’u shfaqen para syve në rrugën e tyre të pafajshme halucinacionet e veta.