Ardhja e Romanit të parë shqip duke tejkaluar Kompleksin e Edipit
“Marcia” e Dom Ndoc Nikajt shtyn kufijtë –
nga Visar Zhiti
“Drita kishte fillue me zbardh e dilli me shndrit…” Kështu nis romani i parë shqip, kjo është fjalia e parë e tij, e shkruar në shekullin XIX, kur Shqipëria ishte ende nën Perandorinë Otomane dhe gjuha shqipe kishte qenë e ndaluar në atë perandori dhe shkronjat e saj ishin mallkuar…
Po për ç’dritë bëhej fjalë ashtu, për lirinë e pritur me shekuj, ç’po zbardhte, gjuha e letërsisë shqipe, që do të ngrihej e do të bëhej e gjallë, romani shqiptar që do të arrinte majat dhe njohjen botërore?
* * *
Mbas 132 vjetësh harrim, sapo (ri)doli vepra “Marcia” e shkrimtarit Dom Ndoc Nikaj, e shenjuar si romani i parë shqiptar, por i shmangur si i tillë në Historitë e reja të Letërsisë, që hartonte regjimi dhe arsyet kanë qenë vetë romani, përmbajtja e tij kristiano-europiane dhe autori, që megjithëse i quajtur si ati i romanit shqiptar, pati një jetë të trazuar e dramatike, vdiq në burgun e fitimtarëve të pas Luftës II Botërore dhe kështu duheshin harruar si ai dhe vepra dhe Europa…
Pra, shkaku i vërtetë ka qenë pushteti diktatorial i komunistëve shqiptarë, Realizmi Socialist që ata vendosën me forcë si e vetmja metodë letrare, që do të duhej të ushtrohej në Shqipërinë e çliruar, por jo të shqiptarëve…
Sjellja e këtij romani shënjues, pra, është një sfidë dhe një vetëqortim emancipues, një ngjarje jo vetëm letrare e kulturore, një akt shoqëror me rëndësi dhe shpresë ecurie.
“Plasje hareje në shpirt”
Qysh herët, për shkrimtarin tjetër themeltar, Ernest Koliqi, (edhe ai me vepër të ndaluar dhe i dënuar me vdekje nga regjimi i dikurshëm), leximi i Dom Ndoc Nikajt do ishte “një plasje hareje në shpirt”.
Me sa poezi është thënë, me ç’duf e ç’pikëllim…
Si një Meshë në Katedrale apo në letrat shqipe
Prej kësaj “hareje”, nxitoj të them se romani “Marcia”, më i hershmi dhe më i riu ndërkaq, u përurua këto ditë në qytetin e Dom Ndoc Nikajt, në Bibliotekën “Zoja e Shkodrës” në Katedrale, në ditën e 160 vjetorit të lindjes së tij, duke i ngjarë kështu një meshe të munguar gjatë në letrat shqipe.
Dhe më duhet të ndërmend tani se Katedralja, ku Dom Ndoc Nikaj ka qenë aq shpesh, në fillimet si seminarist, i gjallë dhe i vdekur, si shpirt më pas, nisi të ndërtohej, kur romancieri i parë s’kishte lindur ende dhe mbaroi kur ai do të ishte 6 vjeç dhe, kur do t’i avitej nëpër mendje romani “Marcia”, në Katedrale u vendosën 3 kambanat, që erdhën nga Venecia në vitin 1890.
Dy vjet më pas, kumboi romani i parë në gjuhën shqipe. Dhe krijuesi i tij do të ishte vetëm 28 vjeç. Vepra u shtyp në Shkodër. Shqiptarët e përpinë librin.
Romani i parë – si një katedrale tjetër e re…
* * *
Shtëpia Botuese “Onufri”, e mirënjohur për prurjet në letrat shqipe, sa bashkëkohore po aq dhe klasike e të traditës, është ajo që na solli romanin “Marcia”.
Theksohet në botim se përgatitësi është shkrimtari Andreas Dushi, gjë që duhej veçuar, jo vetëm pse ai e gjurmoi së fundmi romanin “Marcia” të vitit 1892, e gjeti dhe na e solli duke e pajisur me parathënien e tij korrekte e të kursyer, me shpjegimin e fjalëve anakronike të tekstit, tërheqin vëmendjen hulumtimet për zanafillën e romanit, në është përkthim dhe nga ku, kur tashmë ai është një realitet gjuhësor shqip dhe një realitet i ri letrar.
Përveçse një pune që do të duhej të ishte bërë me kohë dhe çuditërisht nuk bëhej, që pritej dhe vononte dëshpërimisht pakuptueshëm, dalja e “Marcia”-s është dhe si një mrekulli, sipas meje.
Mrekullia…
Rivjen romani i parë shqiptar, për herë të parë mbas botimit të tij të hershëm dhe të harruar para dy shekujsh, – shkruajta unë për kopertinën e botimit.
“Marcia” i Dom Ndoc Nikajt është një narrativë plot mistikë, ku gërshetohen historikja me fantastiken, kujtesa baladeske, sa jona, po aq dhe ballkanike, (fjala është për konstruktin shpirtëror të shkrimtarit tonë,) me ato hebraike, kapërcimet nga bota reale në atë hyjnore, me personazhe biblikë, varrosjet për së gjalli si dukuri e qendresës së jetës, por dhe e qytetit të tij. (Shkodrës si frymë dhe Romës, ku zhvillohen ngjarjet e romanit…).
Po ky shkrimtar një vit pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1913) do të botonte romanin tjetër “Shkodra e Rrethueme” në formë ditari, që në Historinë e Letërsisë Shqipe do të njihej si romani i parë shqiptar.
Pse kjo zhvendosje? Apo do të duhej që romani i parë i letrave tona të ishte patjetër me subjekt patriotik, kur vetë gjuha është patriotizmi më i madh. Apo nga që romancieri ynë i parë vdiq në burg në moshë të thyer, i dënuar nga diktatura e fitimtarëve të pas Luftës II Botërore.
Kompleksi i Edipit të letrave të mëpastajme shqipe, atëvrasja e rëndë e romanit të parë shqiptar dhe autorit të tij, kërkonte një qortim. Dhe ora erdhi.
Dhe shënimi im mbyllet, e përsëris:
Është shkrimtari i ri Andreas Dushi, i cili u shfaq në letrat shqipe me roman që 18 vjeç, që kryen këtë akt, ai sjell romanin më të vjetër shqiptar duke e shtyrë kështu fillesën e tij një shekull më tej, në të XIX dhe nëpërmjet Botimeve “Onufri” u arrit mrekullia.
Dua ta vazhdoj se kjo është forcë e mëtejshme e kujtesës kolektive, e kërkimit të rrënjëve, ato lëvizin, – siç e thotë dhe Ernest Koliqi që në titull të një drame të tij, është vizion, në fund të fundit gëzim, po aq sa i përbashkët i njerëzve të letrave, po aq dhe familjar, dua të them se duhet te jetë i çdo familjeje që flet shqip. Siç duket dhe si joshje duke formëzuar kështu më mirë idenë dhe simbolikën, libri i porsadalë ka për redaktore jo rastësisht një pedagoge, Luljeta Dushi, nënën e përgatitësit të botimit.
Në shtjellën e romanit
E përsëris prapë, nisja do të ishte profetike: Drita kishte fillue me zbardh e dilli me shndrit… Ngjajnë me vargjet e eposit fjalët e para të romanit të parë, që unë i lexoj si ogure.
Janë 13 krerë në roman… si 12 apostujt me Krishin në mes si frymë, jo si personazh… Dhe e tillë është dhe fryma e romanit. E parë kjo nga sot, duket si një porosi europianizuese ndaj vendit që lëngonte fundin e një perandorie, që e shkëputi Shqipërinë nga Europa, familja e saj e natyrshme, për 500 vjet. Edhe Naim Frashëri, që do te bëhej poeti kombëtar, kështu shkruante: “…o dritë e uruar,/ që lind nga perëndon…”
Kur është botuar romani, Naimi ishte gjallë dhe sigurisht do të ketë marrë vesh atje në Stamboll, ku jetonte dhe punonte në drejtoritë perandorake të mbikëqyrjes së kulturës, se edhe ai librat e vet i botonte jashtë, në Bukuresht.
Ngjarjet e romanit të parë në shqip zgjodhën të jenë në Romë, besoj jo rastësisht dhe si kohë zgjodhën, me qëllim patjetër, atë të paskryqëzimit të Krishtit, kur mbartësit dhe përhapësit e një besimi të ri dhe ideve të reja, që do të ndryshonin botën përndiqeshin, persekutoheshin rëndë, dënoheshin me vdekje mizore.
Protagonistja e romanit, Marcia, një vajzë pagane, që shërbente në tempull, është e detyruar të ikë, se përndiqej i vëllai i saj, përndjekja në fis do të shtohej më pas hatashëm në diktaturat e Lindjes, dhe kështu Marcia nis një jetë prej të përndjekure, të fshehtë, të nëndheshme, me vuajtje, që mua më kujton nëntokën e galerave të burgjeve tona, të Spaçit e të Qafë-Barit.
Marcia dënohet me varrosje për së gjalli në një shpellë, në terrin e katakombeve, ku e shpëtojnë miqtë, gjithmonë fshehurazi. Edhe atëherë kishte shumë që të braktisnin, por do të shtoheshin vonshëm, duke patur dhe një doktrinë mbrapsht, “politika në plan të parë”.
Dhe kështu Marcia e gjen veten mes të krishterëve klandestinë, që e kthejnë dhe atë në të krishtere, me besimin te një Krijues i vetëm, me birin e Zotit, Krishtin, dhënë njerëzve me Biblën e Re, atë të dashurisë. Marcian e pagëzon fshehurazi papa i fshehur Klementi.
Mbi të gjitha kjo është një thirrje humane “për dashni t’madhe për njerz” (fq. 50). “Beso, duj dhe shpresó” (fq. 53). Dhe më pas:
“Nji gjak i dlir e i kullúm do ta lajn kët tok t’përlyeme me gjith far t’zezash për para se t’temelohet kjo bina e ré” (fq. 55)
Kreu i mëpastajmë është “Dy popujt”. Autori na thotë se ka dy Roma, ajo perandorakja, zyrtarja, sunduesja dhe një tjetër “t’asaj Rome… jo me shpat sikurse deri at her por me gjýq e me dashtuni” (fq. 58) Me gjyq: kupto drejtësinë e munguar. Dhe: “Dashtnija shkonte tuj i’u shtue n’zemër e féja tuj ngul rráj për dit e ma fort” (fq. 58.)
Por do të vinin kohëra të djallit, që do të sillnin urrejtjen në qendër dhe luftën e klasave, pra mes njerëzve, Luftë civile në kohë paqeje, e kam quajtur.
Marcia me shoqe do të jenë murgeshat e para, motrat e mëshirës, “Nënë Terezat” e bamirësië.
Në fund të romanit ato shkojnë t’u shërbejnë të burgosurve dhe Marcia në burg gjen befas të vëllanë, Severin, i dënuar si misionar i Krishtit. Teksa e torturonin, e motra i gjendet, i mjekon plagët dhe kur e pyesin se cila ishte: “Jam motra e martirit”, – thotë dhe ajo përfundon keq, e hedhin mes luanëve në Koloseun e famshëm, atje ku sot vijnë turistë nga e gjithë bota, e vizitojnë dhe bëjnë foto të lumtur.
“Marcia o kshtenimi n’filles t’vet” mund të quhet dhe romani i martirëve. Në parathënien e tij Andreas Dushi shpjegon: “E gjithë vepra në vetvete përcjell frymën e gëzimit të martirëve dhe dëshirën e të krishterëve për ta pasur atë hir: vdekjen për fenë e tyre. Ky është mesazhi që Nikaj synon të tejçojë edhe në Shqipëri, çka si një lloj profecie, ndodh të jetëzohet me martirët shqiptarë gjysëm shekulli më vonë.”
Mes tyre, martir, do të jetë dhe Dom Ndoc Nikaj. Në atë lloj burgu, ku Marcia gjeti të vëllanë, Shqipëria diktatoriale dhe e pafe, do të mbyllte Shkrimtarin e saj të romanit të parë për ta humbur përgjithmonë.
Kreu i fundit i romanit është “Luftimi i mbramë”, pra ka dhe një luftë të fundit me harresën, të harrimit të padrejtësive, të së keqes.
Kjo na takon neve, të gjallëve të sotshëm, për të nxjerrë Dom Ndoc Nikajn nga dhëmbët dhe kthetrat diktatoriale të harresës së qëllimtë dhe hungërimave të Realizmi socialist, që po e shqyenin. Ai ishte i mbuluar me gjakun e romaneve të tij.
* * *
Do desha të them se romani “Marcia” lexohet me ëndje dhe të trondit, me skena mbresëlënëse, ku përzihet masivja me vetanaken dhe bota e brendshme me qytetin, aq shumë Romë, në ndryshueshmërinë e tij thelbësore si ndryshime të botëkuptimit dhe të kuptimit të botës, po dhe me copëza Shkodre, kështu më duket, si me copëza të theyra pasqyre a gdhendje në dru, me një florë si humane, me personazhe spikatës, silueta dramash, që flasin shkurt dhe zgjedhshëm, e folmja shkodrane kumbon shpirtërisht, me shfletimet biblike, edhe pse ka shumë turqizma, që ndoshta në një botim të mëpastajmë mund të zevendësohen, gjithmonë me gjuhën e autorit dhe te qytetit të tij. Krerët si “Deka” apo “T’ngjallmet”, “Hapsi” (Burgu), etj, më kanë lënë mbresa të pashlyeshme dhe në tërësi i shoh si faqe të shkëlqyera të letërsisë tonë të traditës.
Rëndësia e këtij romani është e pa zhbëshme më, me një estetikë shembullore, e ardhur nga larg
Kartela Dom Ndoc Nikaj
Në vazhdim të atyre që e kujtonin, të përpjekjeve për ta risjellë të plotë dhe me madhështi shkrimtarin tonë Dom Ndoc Nikaj, edhe unë u jam bashkuar, aq sa mundej, për ta trajtuar në shkrimet e mia, në sprovën “Panteoni i nëndheshëm”, (2010) dhe më tej në “Kartela të Realizmit të denuar” (2020).
Po risjell nga kartela e tij në plotësim të shkrimit tim:
Dom Ndoc Nikaj (1864 -1951)
Shkrimtari plak, ai që kishte shkruar romanin e parë të letërsisë shqipe, kur gjuha shqipe ishte ende e ndaluar nga qeveria e pushtuesit turk, që do të mbyllte sytë në burg. E arrestuan në moshën 82-vjeçare, më 1946, me akuzën se donte të përmbyste me dhunë pushtetin e porsavendosur të komunistëve.
Ndoc Nikaj mësimet e para i mori te françeskanët në vendlindje, në Shkodër, pastaj në Kolegjin e Jezuitëve dhe u bë meshtar. Fare i ri nisi të shkruante letërsi, vepra fetare, shkencore, histori e politikë e kushtrime lirie. Iu përkushtua çlirimit kombëtar, bashkëpunoi me Konicën, shkroi libra shkollorë, madje dhe e arrestuan, por bëri 46 ditë burg dhe prapë vazhdoi misionin që i kishte caktuar Zoti.
[…]
Babai i romanit shqiptar, Ndoc Nikaj, ka dhe 7 romane të tjera të pabotuara, edhe drama etj. Ai është pararendësi i Mihal Gramenos, Foqion Postolit, Mit’hat Frashërit, Ernest Koliqit, “Balzaku ynë” e kanë quajtur… dhe guxuan dhe e arrestuan atin, në pleqërinë e tij të bardhë. Të zezë, thuaj. Plaku-perëndi, më duket! Vunë prangat mbi ato duar që duhej t’i puthnin. Sikur donin të dënonin ashtu së paku dhe ata 500 vjet punë të klerit katolik shqiptar. Ai, martir në qeli. E kishte menduar varrin, por jo burgun nga bijtë e tij. I pa, i duroi dhe 5 vjet. Teksa shekulli kaloi mesin e vet, Ai kaloi në botën e të vdekurve.
Dhe krijimtaria që la, është e begatë, por ende e pabotuar, mund të jenë dhe nja 30 tituj të tjerë që presin. Po ku janë rrugët dhe sheshet me statujën e tij? Qelia ku e mbyllën, të bëhet muzé. Pse kanë druajtje t’i afrohen ikonës së tij supreme? Ngaqë një atdhe ka dënuar atin e romanit të vet?…
Ndoc Nikaj është i pavarr, por edhe vepra e tij.
Kompleksi i Edipit në Letrat Shqipe
– në vend të mbylljes –
Shpesh janë goditur dhe shembur pararendësit në letrat shqipe, themeltarët, është vrarë tradita identitare, etj.
“Meshari” i Gjon Buzukut apo “Kanuni” i Lek Dukagjinit apo dhe poemat pranë tyre janë parë si antikitete, vlera muzeale, edhe si vjetërsira dhe jo si “rrënjë që lëvizin”, burime jete, që arrijnë të sotmen duke e shenjuar për të ardhmen tonë.
Nëse poetit kombëtar, Naim Frashëri, i shmangej një pjesë e krijimtarisë, ajo mistike dhe fetare, madje dhe erotike, si me “kufizime ideore”, ndërsa poetit tjetër Kombëtar, At’ Gjergj Fishta, i ndalohej vepra e tërë, madje dhe eshtrat e tij hidheshin në lumin Drin, si në përndjekjet që u bëheshin të krishterëve, të treguara në romanin “Marcia”, Shqipëria diktatoriale gjithmonë ka dënuar prijëtarët apo themeluesit, Ernest Koliqi i ikur ishte dënuar me vdekje, shkrimtari Mitrush Kuteli, nderkohë dhe autori i parë të një libri me kritika, u burgos, shkrimtarë nga Kleri, sidomos atij katolik, u pushkatuan dhe u burgosën, gazetarë, poete, Profesor Arshi Pipa, drejtori i parë Radio-Tiranës, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Bubani, ndërrohej opera e parë shqiptare me një tjetër, romani i parë me një titull tjetër, etj..
Në burg vdiq tragjediani i parë shqiptar, Et’hem Haxhaidemi ashtu si dhe Dom Ndoc Nikaj.
Kompleksi i Edipit i letrave shqipe, jo në letrat shqipe, atëvrasja është një dukuri e rëndë dhe prej kësaj frike, është kaluar dhe në të kundër, në birvrasje. Janë vrarë bijtë si poetët Trifon Xhagjika, Vilson Blloshme e Genc Leka, është varur Havzi Nelaj, varja e fundit në të gjithë Europën Lindore.
Ndërkaq është ndjerë dhe dukuria e ringjalljes në letrat shqipe, jo të menjëhershme, erdhi një “letërsi tjetër” nga ajo e ndaluara apo nga mërgimi i detyruar si Konica apo Martin Camaj dhe pari një prurje të dëshpërimisht të begatë nga burgjet dhe internimet.
Meritojnë studime të veçanta dhe të posaçme.
Riardhja e parë pas 132 vjetësh botim të “Marcia”-s sjell një ndryshim me rëndësi, besim në tejkalimin e Kompleksit të Edipit të letërsisë tonë, ndërkaq, siç e thamë, jo vetëm e shtyn romanin e parë në Historinë e Letërsisë Shqipe një shekull më tej, – dhe kjo u arrit me romancierin më të ri, simbolikë dhe shpresë e re, – por tregon që në zanafillën e tij romani shqiptar është me rrënjë në kulturën perëndimore, me atë frymë kristiane, të shenjtë e humane – kolonë kryesore në formimin e ndërgjegjes së Europës së Bashkuar, pra letrat shqipe kështu do të ishin letërsi Europiane, me dramën e tyre, po aq dhe universale…