back to top
14.5 C
Tirana
E diel, 6 Tetor, 2024

A e meritonte At Bellusci një lamtumirë të tillë? – Reagim i Dr. Ornela Radovicka

Gazeta

 Ornela Radovicka dhe At Belushi në Kosovë
Ornela Radovicka dhe At Belushi në Kosovë
A e meritonte At Bellusci një lamtumirë të tillë?
Reagim i Dr. Ornela Radovicka

Dr. Ornela Radovicka, drejtuese e Qendrës Albanologjike mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe, themeluar nga At Bellusci më 1980)

Derisa arbëreshët ishin në vaj për humbjen e kolosit të tyre At Bellusci, me sa duket përfaqësuesit e institucioneve te larta shqiptare, shtriheshin në plazhet e Europës!?
Arbëreshi Kolos At Antonio Bellusci (At Ndon Belushi) u nderua me lot nga populli arbëresh, Kosova, Mërgata Shqiptare (shqiptare-kosovare), emigrantët shqiptarë përqark, personalitete të Kishës Bizantine, Latine, mitropolitë arvanitas, si dhe përfaqësues të ardhur nga Diaspora e Amerikës, Bytyqët, dhe për turp asnjë përfaqësues fizik nga institucionet e larta, qeveritarë shqiptarë, nga ambasadat apo nga konsullatat në Itali në pjesëmarrjen e ceremonisë së At Belluscit!

At Bellusci na la në ditë të gabuar periudhe vere, e mbi të gjitha “weekend”, ku funksionarët e lartë shqiptarë të etur për të dalë, (natyrisht se gjyshërit apo baballarët tanë deri dje, me arna në prapanica, të cilët hanin fasule të paktën tre herë në javë dhe mezi ia dilnin ekzistencialisht), sot nipërit e tyre funksionarë të institucioneve, gjezdisin plazheve, sepse kanë trashëguar barkpangopësinë e paparë të shkretët, dhe kështu do mbeten se janë zengjinë të rinj, nuk kanë fatin kurrë të jenë fisnikë. Aktori i madh napoletan Toto, thoshte: “Signore si nasce non si diventa!”, (zotni lindesh, nuk bëhesh)!
Sidoqoftë, nuk do zgjatem në hollësira, sepse nuk ia vlen t’iu jap rëndësi gjërave që nuk e meritojnë, por nuk mund të qëndroja indiferente që nga momenti kur Prifti Arbëresh i Frasnitës (Frascineto) me origjinë rumune, Zoti Gabriele, i cili po përgatiste denjësisht ceremoninë dhe i duhej lista e falënderimeve të delegacioneve, mu afrua dhe më pyeti:
Ornela, mund të më jepni emrat e përfaqësuesve të institucioneve të larta të ardhur nga Shqipëria? – Mendojeni se sa në vështirësi u ndodha unë, unë Ornela Radovicka, që shkruaj nëpër gazetat e deklaroj, kritikoj me shpatë të madhe këta priftërinjë të huaj që mesha në arbërisht mos të shkurtohet, që mesha të këndohet vetëm në arbërisht për të shpëtuar gjuhën, që të hapin kurse në gjuhë arbërishte, etj., në ato çaste ndihem si një mizë, përballë një akti të tillë.
Shteti Shqiptar duhet ta nderonte birin e tij, që kishte bërë shumë për të!
Një funeral, kaq të madh e kaq të nderuar nga bota “eklaziatike” të një kolosi si ishte At Bellusci i njohur nga njerëzit e thjeshtë në 5 kontinente!? Ula kokën, nuk bëra zë, dhe brenda meje zieja si ai poçi me fasule që kishin ngrënë baballarët e gjyshërit e këtyre përfaqësuesve që tashmë as nuk denjonin për një funeral as edhe për 5 minuta!
Ah sa larg ishin nga ai prezantim që i bëri Kosova, me përfaqësuesin e saj të lartë, z. Prof. Dr. Vehbi Miftari, Kreu i Missionit të Republikës së Kosovës pranë Selisë së Shenjtë!
Kosova prezantoj denjësisht edhe me Mërgatën e saj. Ishin Përfaqësuesit e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë me Kryetar z. Musa Jupolli dhe sekretar z. Mentor Thaqi, nëpërmjet dy veprimtarëve shembullorë: Nënkryetarët e saj, z. Rexhep Rifati me qëndrim në Zvicër dhe z. Hazir Mehmeti me qëndrim në Austri!
Miku Rexhep Rifati, si dhe miku Hazir Mehmeti, të cilët me lot në sy, të lodhur, të rraskapitur, mbërritën në mënyrë dinjtoze në atë kishë madhështore, ku prehej trupi i At Belluscit!

Nga ceremonia Mortore e At Belushit
Nga ceremonia Mortore e At Belushit

Vapa e madhe deri në 45 gradë Celsius nuk i ndaloi në pjesëmarrje nderimi, nuk janë të rinj as mik Haziri dhe as mik Rexhepi që i ka kaluar të 80-tat, por kanë vlerat më humane të të qenit Njeri. Këto vlera o i ke, o nuk i ke!?
Shqipërinë e përfaqësonin dy persona: zonja Brizida Gjikondi, ardhur nga Shqipëria dhe shoqatën e saj, Tamara Gjikondi (ishte ajo bija e At Belluscit, që sa herë që vjen në Itali, ngreh si ai “gomari” jo rraqe e shiringa botoks, por libra mbi kurriz dhe pasuron bibliotekën, ndërsa në Shqipëri e ka pritur vëllazërisht në shtëpinë e saj dhe e shoqëronte at Belluscin nëpër Tiranë, duke e promovuar veprën e tij)!
I ardhuri tjetër ishte z. Franco Calimà, përfaqësuesi i Shoqatës “Pal Engjëlli” në Tiranë, miq të denjë të At Belluscit, që e kanë mbështetur me zemër dhe vepër, e të cilët edhe ai donte shumë!
Në rrjete sociale i vetmi institucion që nderoi për punën e tij At Belluscin ishte Qendra e Studimeve dhe Publikimeve mbi Arbëreshët, me Drejtuesen e saj Prof. Diana Kastrati, vajza e mikut të tij të ngushtë, studiuesit Prof. Jup Kastrati.
Asnjë fjalë ngushëllimi Akademia e Shkencave në Tiranë, ajo që promovoi me lekët e shtetit shqiptar veprën e Tito Johalas, të cilin Aristidh Kola e kundërshtonte sepse mohonte origjinën e tij arvanitase, dhe e kritikonte sepse ishte kundërshtar i Belluscit, (janë të dokumentuara këto tek revista “Lidhja”, ku Johalas deklaronte se arvanitasit kanë ardhur rreth shekullit XVI në territoret greke, dhe e quan të paaftë Belluscin, kjo është tjetër temë që më takon të shkruaj në të ardhmen pasuese)!

Nga ceremonia Mortore e At Belushit
Nga ceremonia Mortore e At Belushit

Kush ishte At Antonio Bellusci (Prof. Dr. Ndon Belushi)?
1-At Bellusci, Profesor Doktor, studiues, hulumtues i botës arbëreshe dhe asaj arvanitase.
2-Autor i 25 veprave shkencore mbi kulturwn, etnografinë, historinë arbëreshe.
1-At Belushi, mik dhe sivëlla e bashkëveprimtar i Ernest Koliqit. Furnizonte Ernest Koliqin me materiale arbëreshe, i cili i publikonte tek “Shejzat”.
2-Prifti, studiues, shkencëtar gjuhe, historian në vatrën e tij iu hapi derën si vëllezër atyre dhe bashkëpunoi me ta, dhe për këtë Prof. Eqrem Çabej i dorëzon At Belushit nderimin “Honoris Causa”.
3-Priti refugjatët e Shqipërisë në vitin 1990-1991. I ndihmoi të sistemoheshin dhe për këtë flasin faqet e Revistës Lidhja, botuar në ato vite.
4-I vetmi pjesëmarrës arbëresh në Kuvendin Ilir më 1972, (mbi të gjitha një prift, në kohën e regjimit komunist, kur shteti deklarohej “ateo\ laik”), e ndaluan të shkonte me avion, por At Bellusci merr makinën e tij dhe niset nga Bari, me traget në Tivar dhe hyn në Shqipëri nga Hani Hotit!
5-Hulumtues në terren për 40 vjet tek arvanitasit e Greqisë!
6-Arkivi i tij me mijëra e mijëra kaseta incizimi mbi arbërorët e Greqisë, si dhe mbi 2500 fotografi.
7-Është autor i listës së 920 fshatrave arvanitase (arbërore) me toponimet e tyre origjinale, ku janë regjistruar dhe incizuar më tepër se 3000 persona.
8-Bashkëpunoi me: Aristidh Kola, Vangjel Lljapi, Jorgo Mihas Marugas e shumë arvanitas të tjerë, që ruajtën dhe ruajnë identitetin e tyre arbëror! Në Greqi ndalohet tri herë, arrestohet dhe lëshohet falë metropolitëve arbëreshë në Greqi.
9-Themelues i revistës “Vatra jonë” 1963.
10-Themelues i revistës internacionale “Lidhja”, 1980.
11-Themelues i Qendrës Albanologjike, 1980.
12-Themelues i Bibliotekës “A. Bellusci”, 1960.
13-Hapi shkollën e parë për fëmijët shqiptarë në diasporë pranë bibliotekës së tij, në vitin 1994!
14-Në vitin 1973, riktheu nga riti latin në rit bizantin kishën e arbëreshëve të Falconara Albanese, një akt unik, (mund të konvertosh një person ose disa, por jo një fshat të tërë)!

***
1-Mbrojtës i Çështjes së Kosovës, duke qenë i pari që në vitin 1989, kur Kosova diskutohej ende “për shkelje të të drejtave të njeriut”, At Bellusci hodhi tezën Kosova Republikë!
2-Ishte i pari që në vitet 1998-1999, luftën ndaj Kosovës e konsideroi “një gjenocid” dhe i dedikoi po në këtë vit artikuj dhe kopertinën e revistës së tij “Lidhja” kësaj tragjedie bërë popullit kosovar.
3-At Bellusci ishte i vetmi Anëtar Nderi i Lobit “Lidhja Shqiptare- Amerikane”, themeluar nga ish Senatori amerikan, arbëreshi J. DioGuardi, për Çështjen e Kosovës.

***

Puna dhe veprimtaria e tij është nderuar me:
“Medalja Presidenciale” nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Vjosa Osmani – Sadriu!
Medalja “Naim Frashëri” me urdhër të Presidentit të Republikës së Shqipërisë!
Medalja “Lidhja e Prizrenit”, nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova.
Medalja e Nënë Terezës!
Më 06 maj 2024, (para pak javësh), u nderua me Medaljen “Dielli Dardan” për veprimtari jetësore nga LKSHM dhe u shpall Anëtar Nderi i LKSHM-së, (iu dorëzuan gjatë vizitës punuese dhe kulturore e kërkimore të rreth 40 pjesëmarrësve nga LKSHM)!
At Bellusci me thjeshtësinë dhe dashurinë e tij punoi për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës tek arbëreshët e Italisë, zgjoi ndjenjat arbërore të arvanitasve, përforcoi dhe rriti ndërgjegjen kombëtare tek shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës Lindore, si edhe Mërgatës dhe Diasporës Shqiptare, kudo që ndodhen shqiptarë, që ata mos të harrojnë gjuhën shqipe.
Çdo gjë që rrethonte botën arbërore, At Bellusci ishte atje, i palodhur, energjik si një gurrë e pashterëshme për kombin shqiptar.
A e meritonte ky kolos indiferencën e institucioneve shqiptare?

Ornela Radovicka
Qendra Albanologjike mbi Gjuhën dhe Kulturen Arbëreshe, themeluar nga At Bellusci më 1980

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.