Tri takime me Ministrat Famëzi të Diktaturës
rrëfime nga Fatmir Keqi
Para disa ditësh, në faqen përkushtuar vuejtjeve dhe kalvarit 50 vjeçar të shumë familjeve shqiptare, por edhe të mendimeve patriotike e atdhetare, Radiandradi.com/ të mikut tim Jozef Radi, lexova për nji postim me nji titull paragjykues: “Fëmija 7 vjeç i lutet xhelatit!”
M’u duk titull i pavend e me nji gjykim të deformuem edhe komentova, duke i premtue me shkruejtë pak ma gjatë për nji rast timin personal…
Duhet të ketë ndodhë në vitin 1961, kur isha diku të 10 për 11 vjeç. Ishte nji komunikim me njenin nga ministrat ma të frikshëm të asaj kohe, diçka e ngjajshme me lutje e atij djalit 7 vjeçar, që i kërkonte diktatorit t’ia lironte familjen nga interrnimi! Në vitin 1954, familja jonë mbasi i kishte mbarue internimet e Beratit dhe të Tepelenës ishin kthye në shtëpi… dhe vetëm baba im ishte ende në burg, kurse axha i vogël ishte në internim! Nana me ne fëmijët ishim vendosë në Tirane, ku kishte gjetë edhe punë përmes miqsh! Nusja e axhës, me nji fëmijë të vogël, jetonin sa tek prindët e saj e sa tek ne, ndërsa pjesa tjetër e familjes sonë të madhe jetonin në Ishëm.
Në vitin 1957, babën e posaliruem nga burgu e internuen me gjithë axhën në Savër të Lushnjes. Mendoj se baba ka qenë shumë puntorë e i shoqnueshëm, po mbi të gjitha ishte i përgjegjshëm e shumë largpamës…
Jo shumë kohë pasi i internuen në Savër, autoritetet nxorën nji urdhën apo udhëzim që kush e sillte familjen për me popullue Myzeqenë ku ishin ngritë shumë kampe interrnimi, lirohej nga apeli, (në atë kohë bahesh 3 herë në ditë apel). Baba tue mendue ma shumë për të vëllanë se për vete, pse ishte ma i ri, po edhe për vehten e tij, ia mbushi mendjen nanës që të bashkoheshim të gjithë në Savër dhe ashtu u ba! Unë klasën e parë e kam ba në Savër dhe më duket se aty ka fillue jeta ime!! Pa u mbushë viti aty në Savër, baba gjeti mundësi dhe bleu nji shpi në Karbunarë, nji fshat jo larg Savrës, po ishte kooperativë ku unë bana klasën e dytë dhe gjysmën e së tretës. Kjo lëvizje e babës kishte për qëllim të na largonte nga Myzeqeja dhe kampet e internimit, dhe të vendoseshim o në Durrës o në Tiranë. Por ikja nga fshati Karbunarë, nuk do të binte në sy për keq, si fjala vjen nga Savra!
Në ma pak se dy vjet, baba bleu edhe nji shpi në Babrru, diku afër Tiranës e tue qenë larg prej nji kampi internimit e pat ma të lehtë të largoheshim e të vendoseshim në Babrru. Ndërkohë, kur ishim në Savër baba kishte marrë edhe dy djemtë e vëllait tjetër që ishte arratisë, që t’i shkollonte e t’i punësonte.
Në vitin 1960-‘61, mbasi u prish3m me BS, ishte ba mjaft e vështirë me ba pashaportizime të deklasuemit në Tiranë, bile edhe mjaft nga ata që ishin aty, i larguen nga Tiranë në qytete të tjera apo i internuen! Baba me gjithë njohjet që kishte, u mundue mjaft, por qe e pamundun!
Nana ishte pak ma e vendosun dhe ma luftarake, mbasi ajo bashkë me ne fëmijët e kishte pasë pasaportizimin në Tiranë qysh para 3-4 vjetësh dhe nuk la zyrë pa trokitë e pa u përpjekë për nji zgjidhje. Shumë miq e këshilluen që t’i drejtohej Ministrit të Mbrendshëm, Kadri Hasbiut si autoriteti ma i nalte për pasaportizimet e kategorisë sonë.
U mundue disa dite e shkreta se mos e takonte i t’ia dorëzonte nji lutje, por nuk e lejonin kurrsesi… Atëherë e vendosi t’ma ngarkonte mue at detyrë dhe për 3-4 ditë qëndruem për disa orë të selia e Ministrisë në pritje që ministri të dilte nga zyra e të hynte në makinë. Pasi u sigurue se unë e njifsha personin e duhun dhe u gjet koha e përshtatshme për t’ia dhanë letrën… ditën tjëtër e vendosëm të veprojmë.
Pikrisht, sa doli ministri nga porta dhe zbriti aty 3-4 shkallë unë iu afrova dhe iu drejtova me letër në dorë, shoqnuesi nxitoi dhe u mundue të më ndalë, por unë dredhova dhe iu afrova shumë afër. Ndërkohë ministri ia bani me dorë shoqnuesit që mos me më pengue. Ai e mori letren time… e nuk di nëse e lexoi apo jo, por mbas pak muajsh (6 apo 7 ndoshta) nji ditë të bukur në mëngjës herët pa u çue njerzit prej gjumi, nja 200 policë e ushtarë e kishin rrethue shpinë tonë e kur banë njerzit me dalë për punë, i ndaluen dhe i urdhnuen me marrë plaçkat se: “Do t’ju largojmë prej këtu!” I ngarkuen nji pjesë të plaçkave dhe na hodhën në Durrës, përpara sheshit të Komitetit se ashtu ishte atëhere dhe jo bashki! Unë me vëllanë nuk shkova, por dolëm të kullosim nji lopë që kishim e na lejuen sepse nuk kishin ku me vue lopën…
Ato ditë edhe ai vit, po edhe tre vitet në vazhdim 1961-1962-1963, mbeten për mue vitet ma të vështira e të paharrueme…
Në Durrës, mbasi ndejtën gjithë ditën në diell dhe kur një përfaqësue i Komitetit u tha se: “Ne nuk kemi banesa për qytetarët tanë, ju e keni mbarue internimin, dhe mund të shkoni nga të doni, po ne nuk ju bajme dot derman e as ju detyrojmë se ku të shkoni!” Ky ishte ai komunikimi i detyrueshëm me Ministrin e Mbrendshëm të asaj kohe dhe nuk e di se si mund ta konsiderojë autori i shkrimit të djalit shtatë vjeçar…
Ma vonë do të tregoj edhe dy takime të mia të rastësishme, më ministrat më famëzinj të asaj kohe.
22 qershor 2024
***
Siç ju rrëfeva edhe më sipër, viti 1962 për mue mbetet viti ma i zi i jetës e ma i vrazhdi. Pasi na e mbyllën shpinë e nuk na linin të banonim as në shpinë tonë u shpërndamë si zogjtë e korbit kur thonë! Unë e kisha fillue klasën e pestë dhe qëndrova tek motra bashkë me nanën derisa të mbaronte semestri! Nana i shërbente çdo ditë babës në spital pasi ishte shumë keq! Vëllezërit dhe axha ishin shpërnda në punë të ndryshme e rrallë takoheshim! Në kët gjendje të hallakatun vdes edhe baba, e gjendja bahet ma skëterrë!
Baba para se të vdiste, i thotë nanës që ma thirr djalin e madh të bisedojmë si do bani. U thotë të dyve që kam bisedue me dy miq nji në Shijak e nji te Ura e Zezë (kështu quhesh Fushë-Kruja n’ato kohna) për nji shpi me qera dhe i kam dhanë edhe kaparin. Ju vendosni vetë se ku do të shkoni. Po ato ditë nana vendosi me shkue në Fushë-Krujë, pasi në Krujë kishte të motrën e në Laç të afërmit e saj por edhe miq të tjerë të familjes tonë rreth e rrotull.
Ngarkoi ato pak plaçka që kishin ngelë e bashkë me të kunatën shkuan te shpia që i kish thanë i shoqi! Të zotin e shpisë e kishte thirrë këshilli popullor dhe e kishin kërcënue që nëse na pranonte, do të kishte pasoja, e kur shkuen nana me të kunatën ai nuk i pranoi e ato mbetën në rrugë për nja dy javë mbulue me ndoj copë plasmasi. Nana, në fakt u kthye të nesërmen te i shoqi pasi ishte shumë i sëmurë e n’ato ditë ndrroi edhe jetë duke e lanë familjen të hallakatun, ai qe aq shumë ishte mundue t’i bante bashkë!
Mbas dy javësh aty në rrugë, u gjet nji mik që ndërhyni e na gjeti nji shpi me qera pak larg po për ne qe shpëtim, në lagjen Kullas! Kështu filloi jeta jonë atje dhe falë Zotit, po edhe njerzve e familjeve të atyshme, për ne filloi nji jetë e qetë e u grumbulluem të gjithë bashkë! Me ndihmën e miqve e shokëve, të gjithe djemtë për punë u rregulluen në ndërtim, mbasi n’ato kohë kishte shumë nevojë për krahë pune dhe filloi ndërtimi i fabrikës së çimentos.
Sa mbaroi semestri i parë, unë erdha në Fushë-Krujë edhe e vazhdova shkollën aty! Në pushimet e verës edhe unë si shumë fëmijë të asaj kohe hymë në punë për të sigurue paret për libra e fletore. Ishim nja 7-8 çuna të nji moshe o pak ma të mëdhenj se unë që punonim te ndërtimi i fabrikës. Nji ditë, ishte ditë rrogash, data 7, nuk e mbaj mend se e kujt muaji, po besoj se korrik se ishte shumë nxehte dhe të gjithë ishin grumbullue tek barakat e kantjerit, ku ndaheshin rrogat.
Siç po rrinim në pritje e të shkujdesun të gjithë, kur vijnë disa xhipa dhe nji veturë dhe na del kryeministri i vendit Mehmet Shehu. Ato të partisë edhe drejtuesit e rrethit kush qëlloi aty me vrap u afruen ta përshëndesin e ta respektojnë, kur sakaq u hap lajmi që ka ardhë i pari i vendit. Kur na pa ne fëmijve aty rrotull ai pyeti: “Po këta a punojnë?” I thanë po e na bani me dorë që të afroheshim. U afruam e pasi na dha dorën nji nga nji e afroi njanin dhe filloi ta pyesë tue ia fërkue shpatullat e ma mbas edhe kokën. Në çastin që po i fërkonte kokën nji gur pak ma i madh se ta zen dora, ra mes nesh pothuëj në kambët tona e njikohsisht u ndigjue dhe e bërtituna e Mark Çakallit: “Unë ja shi nanën Mehmet Shehut!!” Të gjithë sa ishim shtangën, ndërsa Mehmeti e shtyni fëmijën që po përkëdhelte e fëmija u përplas për tokë! Askush nuk po merrte frymë po shoqnuesat më vrap u turrën në drejtimin kah erdh guri. Marku ishte nji puntor me të meta që po ta ngacmoje pak nuk lente fjalë pa thanë sidomos për drejtuesit e ndërmarrjes por edhe të shtetit…
Ishin dy kruetanë që e ngacmonin vazhdimisht e atë ditë i thanë se tëe kanë dhanë pak lek se ka dhanë urdhën Mehmeti e ai u vërsul aty me gurë! Atë ditë Marku do e kishte pësue keq prej shoqnuesve, po ndërhyni sekretari i partisë e dikush që kishte ardhë nga Komiteti që e shpëtuen, por Mehmeti në atë çast u tmerrue aq sa e përplasi fëmijën që po përkedhelte!
Nji herë tjeter do të rrëfej takimin e rastësishëm me ish ministrin e mbrendshëm të asaj kohe.
23 qershor 2024
***
Pak me vonesë, por simbas fjalës po e shkruej edhe nji takim të rastsishëm mbas 10 vitesh nga i pari, me ish ministrin e mbrendshëm e kriminel, Kadri Hazbiun.
Tani, mbas kaq vitesh besoj se edhe shumë prej shtresës sone i vjen keq se çfarë pësoi ajo familje prej asaj që vetë ata kishin krijuar për të tjerët e që një ditë do ta pësonin edhe vete. Sidomos për Agronin, djalin e tyne krejt i pafajshëm. Në atë kohë ata hiqeshin sikur kujdeseshin shumë për fëmijët ndaj edhe unë do t’ju tregoj nji rast që isha vetë i pranishëm.
Ishte viti 1971, viti i dytë për mue në shërbimin ushtarak. Nga nji herë ata që nuk të duen tue dashtë me të hangër me dhambë, për arsye që veç ata i dijnë, bajnë vetëm sikur të puthin. Kështu më ndodhi edhe mue në 1970, mbasi kisha mbarue verën e shkueme gjimnazin. Më thirrën ushtar në mars kur baheshin zakonisht mobilizimet, por më lane si shumë të tjerë të moshës sime. Mbas tre muejsh më thirrën prap e më dërguen në Gazermim, në Tiranë. Vetëm dy vetë nga Kruja shkuem ushtarë në Tiranë. Ai tjetri ishte komunist dhe e dërguan te Diko Zeqo, Batalioni i Sigurimit.
Gazermimi ishte ndërmarrje ushtarake, por ma shumë me civila dhe kryente të gjitha riparim-shërbimet e Ministrisë së Mbrojtjes me gjithë dikasteret mvartëse të saj, e ku unë aty nisa të punoj si specialist ndërtimi dhe mirmbajtjeje me pak ushtarë të tjerë e pothuaj ishim të pavarun, por punën e banim shumë mirë, prandaj edhe privilegjoheshim nga pak. Në vitin e dytë, mbasi kisha krijue edhe pak opinion ma të mirë, isha ma i lirë mbas kohës së punës.
Në at kohë na u sëmue nana dhe e shtruem te Spitali Civil, për operim nga ekinokoku! Unë rrija gjithë mbasditen aty, deri nga mesnata e ma vonë. Në at kohë,ë aty në spital ishin hapë edhe kurse të ndryshme për laborante dhe disa vajza nga Fushë-Kruja kishin ardhë në ato kurse. Kur morën vesh për nanën time ato filluen të vijnë pothuej çdo ditë e t’i sillnin edhe ndoj gjà dhe qëndronin deri vonë me muhabete. Sot due sinqerisht t’i falenderoj ato për mirësjelljen e tyne, mbasi ato ishin me biografi të mirë, e vajza oficerash.
Në ato ditë në dhomën e nanës sollën edhe nji vajze 12 vjeçe, me infeksion në mushkri, dhe ishte vërtet keq. Ishin nga Skrapari o Tepelena, s’e kujtoj mirë, por e ama e vajzës ishte e motra ose kushërinë e parë Kadri Hazbiut, ndaj edhe fliste për të me njifarë idhnimi, mbasi e kishin mbajtë në spital gati nji muej, dhe ajo vetëm ishte përkeqsue.
Në fakt, sa erdhi në spital në Tiranë u përmirsue mjaft dhe prisnin t’i vinte dajua që po vononte pafund. Vajza e sëmurë u miqsua mjaft me ne e sidomos me ato vajzat që vinin të vizitonin nanën time dhe kënaqesh e shpesh merrte pjesë në bisedat tona.
Mbas 12 ditësh që ishte aty në spital nji mëngjes i thanë se do t’i vinte “dajua”. Nana ime ishte operue dy ditë ma parë e më duhesh t’i qëndroja vazhdimisht te koka. Shoqnuesi që erdhi para ministrit më bani shenjë që të rri e të mos dal jashtë, ndoshta i tha e ama e vajzës. Mbas pak hyni ministri. Për bela, nga pakujdesia apo mendjemadhësia, kur hyni në derë e kishte cigaren e ndezun. Vajza sa e pa i bërtiti me të madhe sa u ndigjue edhe dhomat e tjera: “Përjashta, dil përjashta! Ku shkon ti me cigare?”
Ai nuk foli, por shkoi e fiku cigaren dhe u kthye me nji farë buzqeshje servile, por vajza nuk u dha. Ajo i kërkoi llogari se ku ishte nga kaq ditë dhe pse e kishin lanë aq gjatë atje. Ndejti dhe pak kohë me pyetje e pergjigje të zakonshme, por gjithnji me hatermbetje. Mbas pak kohe ministri u largue duke na përshëndetë edhe ne kur doli të dera!
Ky ishte një dëshmi nga interesimi i tyne për fëmijët, apo për të afërmit e tyne e jo ma të të tjerëve! 11 korrik 2024