back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

“Mirësia” e Anton Çehovit – shënime rreth autorit

Gazeta

Anton Chekhov
Anton Chekhov
“Mirësia” e Anton Çehovit shënime rreth autorit

“Nëse çdo njeri
do të bënte gjithçka të fuqisë e tij, në tokën e tij,
sa e mrekullueshme do të ishte bota!”
Anton Çehov

“Ich sterbe” (po vdes). Me këto fjalë dhe një gjysmë buzëqeshje në fytyrën e tij, më 15 korrik 1904, në Badenvveiler në Pyllin e Zi, vdiq nga konsumimi, shkrimtari rus Anton Chekhov (1860-1904). Para se të shqiptonte fjalët fatale, mësohet se ka pirë një gotë shampanjë dhe i ka buzëqeshur ëmbël gruas së tij, aktores së teatrit Olga Knipper.

Anton Chekhov (1860-1904)
Anton Chekhov (1860-1904)

Çehovi lindi më 29 janar 1860, në Taganrog, Rusi, në një familje të varfër. Edhe pse kushtet ekonomike s’ishin të mira, Antoni arriti të vazhdonte studimet, edhe duke punuar. U diplomua në vitin 1879. Menjëherë mbas kësaj u regjistrua në shkollën e mjekësisë në Moskë. Pas diplomimit, bëhet asistent-mjek në një qytet të vogël provincial dhe pikërisht aty, si një vëzhgues i kujdesshëm, fillon të grumbullojë detaje dhe vëzhgime të tipave të ndryshëm njerëzore që frekuentonin klinikën ku ai punonte: fermerë, zyrtarë, tregtarë etj. Fytyra, gjeste dhe qëndrime të rusëve të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilët shkrimtari do të jetë në gjendje t’i riformatojë në tregimet e tij dhe veprat teatrale.
Çehovi, i cili nuk do ta braktiste kurrë profesionin e mjekut, filloi të shkruante si qysh kur ishte student për të fituar ca para (në fakt ai do të shkruante se: mjekësia është gruaja e tij legjitime, kurse letërsia e dashura e tij) dhe në fakt veprat e tij të para letrare janë skica provinciale në të cilat mbizotëron aspekti humoristik, por që me kalimin e kohës shkrimi, duke u bërë edhe edhe arsye e jetës, do të fitonte forcë dhe kohezion më të madh. Përmbledhjet e tij të para me tregime të shkurtra – Tregime të ndryshme në të Perënduar, – dolën gjatë viteve 1886 dhe 1887 dhe u vlerësuan mjaft nga publiku dhe kritika. Krahas narrativës, ku ai do të arrinte maja mjaft të larta me tregimet e tij, Çehovi do t’i përkushtohej edhe teatrit, fushë në të cilën do të arrijë përsosmërinë absolute me vepra si Pulëbardha, Xhaxha Vanya, Tre motrat dhe Kopshti i Qershive: Janë vitet kur shkrimtari në bashkëpunim me regjisorin Stanislavskij krijuan shfaqje legjendare në Teatrin e Artit në Moskë. Fama dhe pavarësia artistike e arritur, nuk e ndryshojnë shpirtin e shkrimtarit. Ai punon shumë për të ndërtuar shtëpinë e parë të popullit në Moskë me bibliotekë, sallë leximi dhe auditor; ai lufton gjithashtu për të ndërtuar spitale dhe shkolla; fillon ndërtimi i stacionit të parë biologjik të Krimesë; ai ndërmerr një udhëtim të vështirë dhe të rrezikshëm për në ishullin Sakhalin, për të studiuar kushtet e jetesës së të burgosurve dhe në Krime, ku u shpërngul për shkak se vuante nga tuberkulozi, ku do të ndërtonte edhe një shkollë.
***
Vladimir Nabokov, në librin e tij “Leksione të letërsisë ruse” (botimi Garzanti), pohon se është mirësia ajo që e përshkon fundekrye veprën letrare të Anton Çehovit. “Chekhov arrin të na përcjellë një ndjenjë të bukurisë artistike shumë më plotë se mjaft prej shkrimtarëve që besojnë se e dinë se ç’është proza e pasur dhe e bukur. Dhe ia arrin kësaj duke u dhënë vezullim gjithë fjalëve të tij me të njëjtën dritë të zbehtë dhe duke i ngjyrosur të gjitha saktësisht me të njëjtën gri, një ngjyrë e ndërmjetme midis asaj të një gardhi të vjetër dhe të një reje të ulët. Shumëllojshmëria e ngjyrave të tij, vibrimet e humorit të tij magjepsës, thellësia e thukët artistike e karaktereve, gjallëria e detajeve dhe shpërbërja e jetës njerëzore theksohen prej të qenit e rrethuar dhe e ngjyrosur prej një mjegullnaje verbale lehtësisht e ylbertë” (Vladimir Nabokov).
Çehovi e përshkruan jetën ashtu si ajo ishte: ai e ndjente absurditetin e saj dhe letërsia duhet ta shprehë këtë zbrazëti. Arti s’është kurrë didaktik. Madje, në një letër ai shkruan: “Ne e përfaqësojmë jetën ashtu siç është, pikë… Nuk do të na shtyni të shkojmë më tutje, as me kamxhik. Ne nuk kemi synime as të afërta e as të largëta pse në shpirtin tonë ka zbrazëti absolute” (letër Aleksej Suvorin, marrë nga “Pa intriga dhe pa finale”, Botime të Minimum Fax). E vërteta dhe ndershmëria janë baza e shkrimit të mirë. “Jeta është një marshim drejt burgut. Letërsia e vërtetë duhet të mësojë se si të arratisesh, ose ta premtojë lirinë” (Anton Chekhov, nga Fletoret e Doktor Çehovit, Feltrinelli Editore).
Nabokov thekson: “Idealistët çehovianë të paefektshëm s’ishin as terroristë, as socialdemokratë, as bolshevikë të rinj, dhe as të numëroheshin ndër anëtarët e panumërt të partive të panumërta revolucionare ruse. Ajo që ka rëndësi është se heroi tipik çehovian është bartës fatkeq i së vërtetës njerëzore, të paqartë por të bukur, e që s’është në gjendje as ta mbajë këtë peshë dhe as ta heqë qafe atë. Ajo çka vërejmë në gjitha tregimet e Çehovit është një pengesë e vazhdueshme, por është pengesë e dikujt që pengohet, sepse po sheh yjet. Ky njeri i pakënaqur i bën edhe të tjerët të pakënaqur; ai nuk i do sivëllezërit e tij, as njerëzit më të afërt, po vetëm ata më të largëtit. Gjërat për Çehovin janë njëherësh qesharake edhe trishtuese, por s’mund ta vërejmë trishtimin e tyre nëse s’e kuptojmë anën e tyre qesharake, sepse këta dy elementë jetojnë të ndërlidhur mes tyre…” (Vladimir Nabokov).
Por, Çehovi është një prej nesh.

Marrë dhe përkthyer nga blogu Il Pontile

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.