back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

I zëmëruari i përjetshëm – Me Kasem Trebeshinën pas çdo datëlindjeje… nga Visar Zhiti

Gazeta

Kasem Trebeshina (1926-2017)
Kasem Trebeshina (1926-2017)

I zëmëruari i përjetshëm
Me
Kasem Trebeshinën pas çdo datëlindjeje…
n
ga Visar Zhiti

-Ç’do të themi për shkrimarin Kasëm Trebeshina? – Kështu kisha pyetur një ditë pas një datëlindje të tij… që s’e kishin kujtuar fare, edhe pse shkrimtar me njohje dhe i burgosur që i përflitej disidenca dhe rebelimi zëmërak?
Pse kjo mëri e ndërsjellte me të? Edhe tani…?
Rrallë ndodh të ketë një marrëdhënie të tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…
…po sjell një shkrim timin, që nuk deshën të ishte parathënia e një libri për Kasëm Trebeshinën, pastaj nuk desha unë si pjesë e vorbullës dhe sherrnajës, por gjithsesi doli…
Është datëlindja e 98-të e tij, kur ai s’është më që prej 7 vjetësh…

Kasem Trebeshina & Visar Zhiti
Kasem Trebeshina & Visar Zhiti

1.Dimë që Diktatura dënoi shkrimtarin, që kishte dënuar Diktaturën

Gjithmonë dita më pas ka rëndësi tjetër, dita pas fitores, që mund të jetë humbje, pas rënies, që ka brenda hovin e ngritjes, pas kryqëzimit nga ku rrjedh gjaku i ringjalljes.
Një ditë pas datëlindjeve të Kasëm Trebeshinës ç’do të mund të thuhet? Për kundërshtarin e pandreqshëm dhe të zemëruarin e gjithmontë, që duket sikur kumton tani vetëm me heshtjen, por folëse, me të shk(r)uarën, me shumë libra të pabotuar, me të burgosurin e lirë, me të lirin e vetburgosur?
Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe “credo”, atë të lirisë së vërtetë dhe të vërtetave të lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, që pengohet.
Duket sikur njeriun e vënë në provë fuqi të mbinatyrshme, tragjedira, përmbytje, murtaja, perëndi dhe gjysmë perëndi, luftëra dhe shtypje, por dhe gjera më të pakta në dukje, frikëra të ndryshme dhe uri, por dhe kërcënimet, një hetues, gardian e gjykatës, por mbi të gjitha dashuria, siperania, dashuria, miqësia, mirënjohja, bëmat e qëndrimet, qofshin dhe fare të vogla për të zbuluar sfidat dhe se sa njeri është. Po në përballje me njeriun cilët jemi?
Duke gjakuar për të qenë sa më i vërtetë dhe më i natyrshëm, vetmitar dhe shoqëror gjithsesi, kam kërshërinë të shpalos në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës, ku më faniten të fshehta të tjera të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbrrijmë tek tirania dhe sistemi i saj dhunues, por dhe zbresim te vetburgimi i mëpastajmë sokratik, ku njeriu mbyllet si në shpellë. Pra, duket si një kthim në gjenezë.
Tani shkrimtari vërtet është mënjanuar shumë, gjithë mister të zymtë edhe kryeneçësi mospërfillëse, demiurg në mbrëmjen përthellonjëse të moshës, tashmë dhe i ikur, por dhe në atë që quhet horizonti i pritjes. Nuk ka rëndësi në arrin të thinjet fantazia e shkrimtarit a është fantazmë, po ç’bëjnë librat e tij, kur Trebeshina shumicën e dorëshkrimeve e ka të pabotuar, na thuhet, të një krijimtarie ethanake, treçerek shekullore.
Jetëshkrimi për Kasëm sjell mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë, dashuritë si dhe do të mund të na japë njërin nga çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira…

Kasem Trebeshina gjatë Luftës
Kasem Trebeshina gjatë Luftës

2.Partizan dhe Shkrimtar

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me idealin e tij dhe asketizmin e tij dhe që ndryshon ngadalë, fat i kacafytjes dhe i mbylljes rrënuese, i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa di për të. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i (ç)misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit a të burgut, dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër, oficer dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej dhe përfundoi në një burg të ri.
Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve, ndërsa flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit… dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.
U shpreha kështu metaforikisht, në stilin e Kasëm Trebeshinës, si i hazdisur, nga që i çmoj guximet e tij, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që tani Trebeshina nuk është aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, nuk janë lënë t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, vrasje të pabesa, të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.
Kasëm Trebeshina është njeriu që ka kërkuar vazhdimisht të ndeshet, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja është e madhe. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij me të parët e vuri përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar dhunën e shtetit të tij dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndie fitimtar, por humbës asnjëherë, ama. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohon. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i mirë dhe i butë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërron demokracinë, nuk kënaqet as me të, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën, edhe kombësinë…
Kasëm Trebeshina na përshfaqet partizan, trim i çartur, që lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere:
“Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë, /…/, Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë.” (Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)
Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme.
Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.
Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, gati një vit më i vogël se ai, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in? Natyrisht që letërsia ndahet nga ai që e prodhon atë dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.
Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën. Lidhja as sot, që gati nuk ekziston, (ashtu siç është bërë nga ana tjetër gërmadhë dhe burgu i Spaçit,) s’di ç’qendrim të mbajë me Trebeshinën, me veten, me shkrimtarët e Realizmit Socialist, me ata që u dënuan me burg, që u pushkatuan, me veprat e tyre, me Kohën, me kohërat, me të tashmen, me risitë letrare, etj. Fjala s’është se ç’mund të thotë, por çfarë mund të bëjë dhe Lidhja e Shkrimtarëve s’ribëhet dot, kurse shkrimtarët si individualitete, si qytetarë edhe shqetësohen dhe ndodh që ta ngrenë zërin, por të kondicionuar nga e kaluara e tyre. Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhojnë dot liri.
Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demaçi kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”
Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere, kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë. Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Për mua ka rëndësi kumti i saj. Kasëm Trebeshina e mbart këtë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj metode, e përjashtuan, e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një grevë të tillë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por e morën për të çmendur ata që ishin më të çmendur dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Dhe e burgosën prapë.
Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë tradicionalë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë të zymtë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.
Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, Greqi é Turqi, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin adhuruesit e tij shkretanë.
Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më akte të tilla kaq mizore dhe në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

Trebeshina - Në botimet e "Buzukut"
Trebeshina – Në botimet e “Buzukut”

3.Kadare dhe Trebeshina, Trebeshina dhe Kadare.

Megjithëse i padëshirueshëm, madje dhe i pakuptimtë na duket se ka mbetur pezull një konflikt që shfaqej herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotuara me heshtje të “K. T.”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtëletrare.
Do të duhej të ndalej pak këtu.
Trebeshina, sipas meje, ka një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e vërtetë. I pari i thotë burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruajë me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar edhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për propagandë dhe trembur, për të torturuar të gjithën, si rrjedhojë njeri-tjetrin dhe veten. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun.
Po dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj, madje bukur, po edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim edhe partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu siç u këndoi poeti, në atë lartësi. Nëse nuk i meritonin ato vargje, atëhere nuk u përkasin atyre, por arsenalit të letrave shqipe, iluzioneve dhe kompromisit, gabimeve dhe harrimeve. Shpresoj që as dhe letërsisë.
Trebeshinën s’e la vendi, shteti më saktë, ta botojë veprën dhe pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.
Por ne, kur dalim jashtë letrave, duam qetësinë e brigjeve, pushimin e stuhisë, paqen, ku lexuesi të shkojë lirisht te njëri breg e te tjetri, te ishujt apo në detin e pamatë dhe t’i gjejë të gjitha, mrekullinë e ëndërruar.
Kur Faik Konica botonte shqip në SHBA përrallat arabe, 100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një kardinal i njohur, por edhe Darvini, sipas një ankete, të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’e këtij libri…”
Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, ashtu si lexuesit edhe krijuesit e tij. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin.
Shtoj prap tani se lexuesi korrigjon. Arrin të bëjë pajtimin e atyre që s’u pajtuan asnjëherë edhe kur s’janë më. Sepse ka veprën…
Jo të brazojë, të japë vlerat, detyrë parësore e Kritikës së munguar.
E them me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura, as aq jetëgjata sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme.
Sa më larg zilive Lidhjes, të jashtburgut dhe për burgun, të lavdisë dhunuese dhe krenarive hiperbolike, sepse që të gjitha nuk janë letërsi, por lëndë për letërsinë. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

Kasem Trebeshina në studion e tij... qershor 2016
Kasem Trebeshina në studion e tij… qershor 2016

4.Emblematiku

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë ndërgjegjen e shëndoshë kolektive, përgjegjësinë dhe guximin qytetar.
Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën si heronj për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditëshme.
Që e gjitha të shndërrohet në letërsi dhe art…

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Zyba Hysa
    Të vësh në një poltron dy shkrimtarë që s’kanë asgjë të përbashkët në mendimet e tyre ndaj diktaturës, ku njëri është viktimë e tjetri pjesë e diktaturës (e them në aspekt të përgjithshëm) sinqerisht më rrënqethet shpirti!
    Unë jam (kështu mendoj) shkrimtare dhe aty derdh shpirtin, mendjen, gjithçka të qenies sime, nëse krijimtaria ime s’do ishte kështu, s’do ishte imja! Kam dyshime për veprën “Kadare” ajo më duket mikse, mbase e krijuar nga një grup i posaçëm, ashtu si vepra “Enver Hoxha”. Unë lexoj vepra, ku gjej letërsi që më ngazëllejnë kuantet e shpirtit!
    Me gjithë respektin që kam për ju, i miri dhe bujari Visar, nuk pajtohem me këtë këndvështrim, por s’kam të drejtë t’u gjykoj, ai është mendimi juaj, por unë nuk mundem kurrësesi ta shpreh e ta mbështes, kjo jo në emër të urrejtjes (unë nuk e njoh urrejtjen) por në emër të së vërtetës, në emër të dhimbjes, në emër të lirisë!
    Ai sistem nxori në shesh, karakteret, intelektet, nxori cilët ishin shqiptarët e vërtetë dhe cilët barbarët e shqiptarizuar!
    Kush u bë palë me diktaturën dhe mbeti palë me të deri në vdekje, në dejet e tij, nuk ka pasur gjak shqiptar, se kurrë nuk kërkuan sikur një herë ndjesë!
    Këtu ndahemi bashkë mik i mirë, por gjithashtu kemi shumë gjera që na bashkojnë…
    Të uroj shendet dhe jetë!
    Shqipëria ka plot diva të letërsisë, por fatkeqësisht, ende hija “madhështore” e Kadaresë i ka lënë nën hije, jo se i mund me vlera, por me metodën e egër të spostimit, se po preve lisat edhe shkurret duken të larta!

    Visar Zhiti – Zyba Hysa
    E respektoj mendimin tuaj, por dhe unë më sipër bëra komentin tim si dhe ju për dy shkrimtarë që s’kanë asgjë të përbashkët, përveç të qenit shkrimtarë.
    Po nuk folëm, pa patur frikë se ç’do të thonë, nuk pasurohemi në mendime për të zbuluar të vërtetat tona…

    Sadedin Mezuraj
    Jeta e Kasem Trebeshinës është pak e ngatërruar. Pjestar i Sigurimit të shtetit dhe ekzekutues, i burgosur/ i internuar dhe me pas i punësuar në Bibliotekën Kombëtare, autor i të ashtuquajtures “Promemorie” por asnjë dëshmi nuk gjendet. Të tjerët janë dënuar për një fjalë goje kurse Promemorja është e ububushme. Si u tregua regjimi aq zemërgjerë me K.T. kur nuk kishte pyetur për figura themeluese dhe shtylla të sistemit totalitar?
    Një fakt u zbulua/ u hamendsua për Milan Kundera si ish bashkëpunëtor i shërbimit të fshehtë çek në rininë e tij dhe gjithë reputacioni i tij si shkrimtar disident u vu në pikëpyetje.
    Kur lexoj për intrigat që luheshin në radhët e disidencës çeke, për strategjitë se kush duhej mbështetur e kush duhej mënjanuar, nuk është çudi që edhe ndaj Trebeshinës, pertej kusureve te tij, te jene luajtur mekanizma te tille ne prapaskene.
    Veprat e tij, dorëshkrime të shkruara në kohën e regjimit komunist dhe të botuara pas ‘91 janë letërsi mirëfilli dhe disidencë letrare dhe ideologjike.
    Duhet dalluar disidenca politike, pra kundërshtarë të cilët diktatura komuniste i burgosi dhe pushkatoi, nga letërsia tjetër, jo e socrealizmit, e mbetur në dorëshkrime, e shkruar në shtëpi ose në burgje dhe e botuar pas 90-se. Nuk e di nëse mund të quhet disidencë kur ajo nuk u publikua gjatë regjimit si dëshmi e kundërvënies jo vetëm estetike por edhe politike ndaj tij. Si mund të jetë disidente një vepër kur ajo nuk qarkullon as në mënyrë klandestine!?

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.