back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Tregim mbi konvertimin e një fshati të Karadakut nga krishtërimi në islam! – nga Ahmet Asani

Gazeta

Ahmet Asani
Ahmet Asani
Tregim mbi konvertimin e një fshati të Karadakut nga krishtërimi në islam!
nga Ahmet Asani

Rreth mënyrës së konvertimit të fshatrave të Karadakut nga krishtërimi në islam ka tregime të ndryshme, nga ato më tragjiket sikur rasti i Martirëve të Karadakut, e deri te ato më komiket sikur rasti i një fshati të Karadakut, tregim ky të cilin si fëmi e kam dëgjuar nga më të vjetrit, e që këtu do t’ua tregoj në origjinal, ashtu si e kam dëgjuar!
Nga që tregimi ka edhe skena humori, bëhuni gati për të qeshur!
Lexim të këndshëm!

Besimet fetare...
Besimet fetare…

***
Në një fshat të largët të Karadakut, i cili kishte ngelur i krishterë, nga frika se mos ndëshkoheshin, fshati merr vendim që shpejt të konvertohej. Nga që fshatrat tjera ishin disa hapa përpara, kishin bërë faltore, xhami dhe kishin imam, fshatarët e këtij fshati të largët malor, kishin vendosur me i kry gjitha punët rreth konvertimit brenda një dite. Nga që nuk gjenin hoxhë, i cili duhej të shkonte vullnetarisht në atë fshat të largët malor, bajraktari i fshatit kishte marrë vendim që ta kidnaponin një hoxhë në qytet!
Një ditë bajraktari thirri pleqësinë e fshtatit dhe marrin vendim me zgjedhë djalin ma trim të fshatit e me dërgue në Gjilan, për me kidnapu atje një hoxhë! Nejse, merret vendimi dhe e caktojn Markun, një djalë i ri, trim dhe i shkathët! Bajraktari ja jep Markut kalin e shalës dhe një revole dhe e porosit që mos të kthehet pa hoxhë në fshat.
Qëllon ajo ditë të jetë e premte.
Marku ishte afruar pranë xhamisë së qytetit dhe priste kur të dilte hoxha, ta përcjellte atë dhe diku rrugës ta kidnaponte! Mirëpo, për fatin e keq të tij, ajo ditë kishte qenë dita kur ishin pas kthyer haxhitë nga Qabja, dhe kur del xhemati nga xhamija një pjesë ishin me plisa kurse haxhitë dhe vetë hoxha mbanin të gjithë kapuça të haxhive!
Ra në hall Marku, s’dinte cilin ta merrte! Nis xhemati të shpërndahen rrugëve e rrugicave të Gjilanit, Marku i lshohet mbrapa një të riu dhe po e përcjellë! Kur dolën në një rrugë ku s’kishte njerëz, Marku i del të riut përpara, i nxjerr revolen dhe i thotë, hyp në kali se t’vrava, mos pyet pse, kur të dalim nga qyteti të tregoj!
Nga frika se do të vritej, i riu me kapuç të haxhive hyp n’kalë, edhe Marku i hyp kalit dhe të dy vazhdojnë rrugën!
Kur largohen nga qyteti, Marku i tha të zbriste nga kali dhe të dy u ulën në një kodrinë prej nga shihej fshati! Si e ke emrin zotni hoxhë, e pyeti Marku të riun me kapuç të haxhive në kokë! Emrin e kam Hysen! – ju përgjigj i riu, por nuk jam hoxhë! Mos me shit përralla ja ktheu Marku dhe ja tregoi gjithe historinë e fshatit pa hoxhë!
Pavarësisht të gjithave, ti Hysen djali do të sillesh si hoxhë, e urdhëroi Marku! Kur të shkojmë në fshat do të sillesh si hoxhë, unë do të bëhem ndihmësi yt dhe një dite do ta mundësoj të largohesh nga fshati e të kthehesh në shtëpinë tënde! – Në regull! – ja ktheu Hyseni Markut dhe u nisën për në fshat.
Rrugës, Hyseni e lut Markun që kur të vijnë në fshat ta përgatis shpejtë një lejkë (pocerrkë), t’ja hap një vrimë dhe ta mbush me miza të bletës e ta mbyll me një tapë! U kry – tha Marku, – punë e lehtë është kjo për mua! Për mos me zgjatë më shumë, erdhën të dy në fshat, u prezantua Hyseni si hoxhë, e shpalli Markun për ndihmës dhe ja la emrin Hasan.
Hoxha kërkoi nga fshatarët që t’i hiqnin tavolinat e karrikat dhe të vinin për ta mësuar faljen e namazit! Erdhën meshkujt e fshatit në kishë, e cila tani u bë xhami, kishin marr postaqitë me vete dhe po prisnin çfarë do ju thoshte hoxha!
Shumë lehtë, – ju tha Hyseni, – çka t’baj unë bani edhe ju, çka t’them unë thoni edhe ju! Në rregull – i thanë fshatarët dhe nisi lutja! Allahu ekber hoxha – Allahu ekber fshtatarët! U përkul Hyseni dhe ra në sexhade, u përkulën edhe fshatarët dhe prekën dërrasat e dyshemes me kokat e tyre!
Hysenit për sherr i kishte hy hunda në një plasë mes dërrasave dhe nuk po mund ta nxirrte kurrqysh! O hunda bërtiti Hyseni, “O hunda” bërtiten fshatarët! Ngriti zanin Hyseni, “hunda nuk po baj hajgare” edhe fshatarët të gjithë me za të naltë: “hunda, nuk po baj hajgare!”
E nxorri Hyseni disi hundën nga plasa e dërrasave dhe e ndërpreu namazin! Kaq për fillim, u tha fshatarëve! Mirëpo një fshatar filloi të dyshonte dhe ju drejtua hoxhës që t’ua tregonte fshatarëve kuranin! Nuk mund të ketë hoxhë pa kuran, ju drejtua fshatari hoxhës! Ashtu i tha Hyseni dhe e luti Mark-Hasanin që t’ja sjellte lejkën (pocërrkën) që e kishte bërë gati!
A po e shihni këtë lejkë? – ju drejtua Hyseni fshatarëve, – Po i thanë ata! Eh, kjo lejkë është plot e përplot me kurana! Fillimisht vetëm mund ta afroni lejkën deri te veshi dhe ta dëgjoni zanin e bukur të kuranave, ma vonë do t’ua tregoj kuranat, por me kusht qe ju t’i puthni ata e jo të ikni nga kuranat!
Pasi që të gjithë me radhë e dëgjuan gumzhitjen e bletëve te mbyllura në lejkë, Hyseni hoqi tapën nga lejka dhe i lëshoi bletat! Filluan fshatarët të vrapojnë si të çmendur pas bletëve që t’i puthnin ato, fytyrat e fshatarëve u bënë me gunga nga kafshimi i bletëve, u bë rrëmujë e madhe në xhami dhe Hyseni shfrytëzoi rastin të ikte nga fshati!
Kur përfundoi rrëmuja e shkaktuar nga bletët, fshatarët panë që nuk ishte hoxha në faltore dhe ju drejtuan Markut: “O Hasan ku met bre hoxha?!” – e Marku iu përgjigj: “Hoxha i mori nja dy kurana me vedi dhe iku prronit teposhtë!”

*Karadaku përfshin fshatra të rrethit të Gjilanit, Bujanocit, Preshevës, Kumanovës e Shkupit!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.