back to top
8.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

“Amish Country” – rrëfime nga Avis Gjyshja

Gazeta

Avis Gjyshja në Juneau, Alaska
Avis Gjyshja në Juneau, Alaska
“Amish Country”
rrëfime nga Avis Gjyshja

(“Amish Kantri” është një tregim që ka kohë që rri në kompjuterin tim. Është pak më i gjatë se sa e lejon formati i Fb-ut, ndërkohë që mua më dhimbet ta shkurtoj dhe ca më shumë. Për këtë arsye po postoj vetëm pak nga ky tregim.
…Përfytyrimet e mija të dikurshme për Amerikën niseshin nga Kolombi e eksploratorë të tjerë dhe kanë qenë gjithmonë të ndikuara dhe nga letërsitë e Xhek Londonit, Heminguejt e bashkë me to dhe nga filmat “Spaghetti Western” të Sergio Leones. Dhe as që e mendoja se do të vinte një kohë që unë do të “zbuloja” një tjetër Amerikë, e ndryshme nga ajo e Kolombit dhe pak ose aspak e ngjajshme me filmat që shihja e librat që lexoja.
Tregimi “Amish Kantri” ka të bëjë me një komunitet njerëzish të Amerikës time që quhen amishë dhe që janë me origjinë nga të krishterët anabaptiste të Zvicrës e të Gjermanisë, prej nga ku dhe qenë shpërngulur për t’i shpëtuar persekutimit të tmerrshëm fetar që shkonte deri në djegie mbi turra drush, varje e prerje kokash. Fillimi i komunitetit të tyre në Shtetet e Bashkuara daton më 8 tetor 1737, ditë kur veliera “Charming Nancy” pruri në portin e Filadelfias 21 familjet e para amishe, të cilat, në të kundërt me Europën prej nga ku erdhën e ku nuk ekzistojnë më, janë shtuar dhe përhapur në disa nga shtetet e Amerikës së Veriut dhe Kanada.
Amishët bëjnë një jetë shumë të thjeshtë e të mënjanuar, e cila ka ndryshuar pak ose aspak për afër treqind vitet e fundit që ata jetojnë në SHBA. Jeta e tyre është pa energji elektrike dhe pa asnjë lloj tjetër teknologjie që lidhet me jetën moderne, por pavarësisht këtyre kufizimeve të vendosura nga vetë ata, nuk është fare e vështirë të shohësh se sa me sukses ata kanë ruajtur e zhvilluar vlera të tilla si familja, komuniteti e tradita dhe se si në marrëdhënjet e tyre me njëri tjetrin e me botën jashtë komunitetit, shfaqin sinqeritet e përulësi të pandryshuar, durueshmëri, modesti e vetë mjaftueshmëri mbresëlënëse. Praktika mahnitëse e jetesës së tyre është një realitet i habitshëm që të kujton ëndërrat e socializmit utopik të Thomas More e që shkon në kundërshtim të hapur me individualizmin agresiv që dominon mënyrën e sotme amerikane të jetesës.
Për shumë arsye unë ndjehem i tërhequr e i mrekulluar nga kultura dhe çudirat e këtij komuniteti. Dhe përveç kësaj, jam i dashuruar edhe me natyrën e vendit ku ata rrojnë. Pranverat e Amish Kantrit më kujtojnë pranverat me ngjyra limoni e freski shirash të vendlindjes time, ndërsa vera dhe vjeshta e tij, më sjellin në mëndje fushat flokëverdha të pikturave të Van Gogut…
(Për ata që duan të dinë më shumë rreth amishëve le të shohin një postim të mëparshëm timin. Adresa e tij është: https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=348676785544510&id=100012065733778 por mund ta lexoni më poshtë:

Amish Country - Ohio
Amish Country – Ohio

Amish…

Njëherë kur babai im ishte këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe peshkonte me mua, ndodhi që harruam një kallam peshkimi në një nga parkingjet në anë të një lumi këtu afër – rreth 100 dollarë gjë. Pas disa ditësh, kur na ra rruga andej, ne pamë se ai kallam vazhdonte të ishte prap po atje, por tani i paketuar e i mbështetur mënjanë nga njerëz të panjohur, gjë kjo që e habiti aq shumë tim atë, sa që e tregonte në mënyrë të vazhdueshme sa herë që e pyesnin se si ishte Amerika.
Herë të tjera, kur kalonim fshatrave, në disa prej hyrjeve të oborreve të shtëpive në anë të rrugëve ne shikonim të ekspozuara prodhime të stinës dhe im atë që nuk dinte anglisht që të mund të lexonte shënimet që tregontin se ku duhej t’i vinim paratë dhe as shihte ndonjë shitës aty vërdallë, habitej me mua se si unë shkoja dhe merrja gjëra atje. Më pyeste dhe me shaka i thoja se janë falas…

***
…Ditën e kësaj ngjarje, unë isha për gjueti në Thumb të Michiganit, një zonë kjo e përmëndur nga unë edhe në tregimin “Gjueti drerësh në Flynn të Michiganit” por dhe e njohur si një nga vendbanimet e komuniteteve amishe (*shih shënimin në fund të këtij postimi). Dhe si zakonisht kur shkoj atyre anëve, edhe atë ditë, ktheva në një fermë të tyre, për të blerë disa produkte bujqësore të stinës.
Kisha qenë dhe herë të tjera në atë fermë, por këtë radhë, në gjithë atë hapësirë nuk dukej këmbë njeriu… Disa lopë e kuaj kullosnin tutje, ca pula bridhnin nëpër oborr, disa karroca të zeza dy e katër rrotëshe ishin të parkuara rresht e bukur mbi barin e gjelbër të oborrit të fermës, ndërsa në xhamin e derës së atij ambjenti që shërbente si dyqan ishte një shënim dore (ai që ju shihni ne foton shoqëruese!) në të cilin thuhej:
“Përshëndetje!
Ne nuk jemi këtu sot. Ju lutem ndihmoni vehten tuaj. Paratë vendosini në kuti.
Faleminderit!
Pa qenë i bindur se ç’duhej të bëja, trokita dhe shtyta ngadalë derën e dyqanit e cila si gjithmonë ishte e pakyçur. Përsëri heshtje dhe asnjë shenjë njeriu. Zarzavatet si zakonisht, të shoqëruara edhe me etiketat respektive të çmimeve, ishin të vendosura nëpër disa rafte të thjeshta, ndërsa mbi tavolinën e vetme të atij ambjenti dukej një kuti plastike ku klientët, sipas shënimit në derë, duhej të vendosnin paratë për gjërat që merrnin nga dyqani.
Mora një arkë me qepë, e cila sipas etiketës kushtonte 26 dollarë dhe hapa kutinë plastike që të fusja paratë. Pashë se kutia ishte mbushur aq plot sa që për të liruar pak vënd për ato të mijat m’u desh t’i ngjeshja paratë që të tjerët kishin futur aty para meje…

Amish Counties në Shtetet e Bashkuara
Amish Counties në Shtetet e Bashkuara

(*Shënim shpjegues: Amishët janë një komunitet që ndjekin mësimet e Jacob Ammann, themelues i një sekti kristian Anabaptist, i cili jetoi në Zvicër në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Rreth 400.000 nga ata jetojnë sot në Pennsylvania, Wisconsin, Michigan, Missouri, Kentucky, Ohio dhe Indiana të Shteteve të Bashkuara, ndërsa një pjesë tjetër në Ontario të Kanadasë. Ky sekt, është një degë e shkëputur e Kishës Protestane që ndalon brenda vetëvehtes përdorimin e arritjeve teknologjike, predikon pacifizmin dhe kundërshton luftërat e përdorimin e masave shtrënguese për ruajtjen e rendit shoqëror. Antarët e këtij sekti njohin vetëm një betim – atë mbi bibël kur pagëzohen dhe që ndodh në moshat 16-18 vjeç dhe refuzojnë me përulësi çdo lloj betimi tjetër për flamuj apo për kushtetuta. Të parët e amishëve, për t’i shpëtuar persekutimit fetar në Zvicër, Gjermani e Austri ku dhe jetonin në ato kohë, aty nga mesi i shekullit të tetëmbëdhjetë emigruan në Amerikën e Veriut dhe që atëhere e deri sot, ata vazhdojnë të dallohen nga gjithë komunitetet e tjera kryesisht për mënyrën e çuditëshme të jetesës, veshjet tipike, mospërdorimin kategorik të gjërave që i përkasin zhvillimit modern siç janë mjetet e motorrizuara, energjia elektrike e të gjitha llojet e pajisjeve që lidhen me përdorimin e saj si psh pajisjet elektro-shtëpiake, radiot, televizorët, telefonët etj etj. Për transport dhe punë amishët nuk përdorin asesi mjete të mekanizuara por vetëm krahët e tyre dhe kuajt. Fëmijët e tyre shkojnë në shkolla të vetëfinacuara nga vetë komuniteti, vetëm për 5 muaj, aq sa për të marrë pak njohuri fillestare për shkrimin e numrat. Brenda për brenda komunitetit ata flasin në një dialekt të vjetër të gjermanishtes, i cili në Shtetet e Bashkuara njihet me emrin Pensilvania Daç (Pennsylvania Dutch) dhe është një gjuhë e cila nuk shkruhet. Jeta e tyre është shumë e thjeshtë, me kriminalitet pothuaj zero, pa alkool, pa duhan dhe pothuajse të gjithë merren vetëm me bujqësi e blegtori. Ata nuk përdorin farëra hibride, as plehra kimike e as insekticide apo pesticide. Për udhëtim, përdorin karroca të lehta dy ose katër rrotëshe të tërhequra nga kuajt e të quajtura bagi (buggy).
Ky komunitet ja ka ndaluar vehtes librat, instrumentat muzikorë dhe kërcimin. Në raste dasmash e di që këndojnë, por nuk kam pasur rast të shoh ndonjë tekst të këngëve të tyre. Di që nuk përdorin pasqyra, nuk dalin në foto dhe as varin piktura nëpër muret e shtëpive të tyre. Shtëpitë e amishëve dallohen që larg e para sepse pothuaj gjithmonë pranë tyre ka stalla blegtorie, karroca në oborr, vegla bujqësore që tërhiqen nga kuaj, rroba të varura në tela për tharje etj. Duhet thënë se shtëpitë e tyre janë përgjithësisht të bardha, kanë gjithmonë shumë dritare dhe nuk përdorin perde.
Burrat mbajnë mjekërr por jo mustaqe, vishen standard me kapele strehëgjera, xhaketa e pantallona shajaku që varen me rripa apo dizga siç i themi ne në shqip, ndërsa gratë po ashtu fustane të gjata standarte të zeza ose blu, përparëse me ngjyra të çelura dhe kapele të bardha për të martuarat e të zeza ose blu për të pamartuarat.
E gjithë praktika amishe rregullohet sipas një kodi sjelljeje që në gjermanishten e tyre të vjetër quhet Ordnung dhe që bazohet në dy koncepte kryesore – e para refuzimi kategorik i grup sjelljeve që ata i quajnë Hochmut dhe që përmbledhin krenarinë, arrogancën, zilinë, apo kënaqësinë e të qenit më mirë se tjetri, dhe e dyta vlerësimi absolut i atyre sjelljeve që ata i quajnë Demut dhe që nënkuptojnë përulësinë e qetësinë në gjykimin e çdo gjëje. Si masë ekstreme dhe më e madhja e mundëshme, për ata që shkelinnë mënyrë të patolerueshme kodin Ordnung dhe praktikat e tjera të jetës amish, është ajo që quhet “shan” (shune) e që konsiston në përjashtimin nga komuniteti dhe shkëputjen e marrëdhënieve për jetë a vdekje me shkelësin e rregullave.
Në fytyrat e amishëve mund të shohësh në çdo kohë buzëqeshjen dhe dhimbjen por kurrë urrejtjen, arrogancën e të tjera gjëra të kësaj natyre. Praktika e jetesës së komunitetit Amish është në kundërshtim të hapur me individualizmin agresiv që dominon mënyrën e sotme amerikane të jetesës.
Lindja, rritja dhe edukimi i fëmijëve me kodin e sjelljes Ordnung dhe lidhja e tyre me komunitetin, i cili është thelbësor për mënyrën amishe të jetës, janë funksionet më të mëdha të familjes Amish. Amishët besojnë se familjet e mëdha janë një bekim nga Zoti dhe të paktën të gjithë ata që kam njohur unë kishin nga shtatë deri trembëdhjetë fëmijë e të gjithë i shihnin djemtë si shumë të nevojshëm për të kryer punët e tyre bujqësore. Dhe shifrat tregojnë se komuniteti amish, pavarësisht çudirave në raport me mënyrën e jetesës së të tjerëve, vazhdon e rritet me ritme të shpejta..
Amishët me ndërgjegje e kënaqësi e kanë izoluar vehten nga bota moderne aq sa duket sikur jetojnë shekuj pas saj, në botën e tyre të mirë e të çuditëshme,e cila duket të jetë një parajsë tjetër lloj, ndoshta me më shumë vuajtje fizike por pa hallet e botës tonë zhurmëmadhe e plot stres.

Ndërsa këtu më poshtë është vetëm fillimi dhe fundin i tregimit “Amish Kantri”)

Një familje Amish
Një familje Amish
Fillimi – “Bruce Mansion” dhe hera e parë në Amish Kantri

Për të vajtur në Amish Kantri, mua më duhet të marr drejt veriut me njërën prej rrugëve më të njohura të Gadishullit të Thambit të Miçigenit të Shteteve të Bashkuara. Rruga quhet Van Dajk dhe emri i saj është zgjedhur në nder të një njeriu, origjina e të cilit ishte nga vendi i Van Gogut.
Rreth një orë e pak pasi lë shtëpinë, në një kryqëzim, mes një fushe pa anë, pa njerëz dhe pa zhurma e aroma, çfaqet një vilë e vjetër, forma dhe ngjyra e së cilës të kujtojnë një dhëmballe të ndryshkur të sapo nxjerrë nga varri. Një tabelë pothuaj e kalbur në gardhin përballë rrugës, thotë se ajo quhet “Bruce Mansion” dhe se është ndërtuar më 1876, nga John Bruce, një emigrant i pasur skocez i cili kishte ikur nga vendi i tij për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë për ca krime që sot nuk e di më njeri se çfarë qenë e sa dënoheshin.
Në fakt, europiani i parë ishte çfaqur në këto anë rreth 20 e pak vjet përpara John Bruces. Pas tij kishin ardhur dhe të tjerë që pasi përzunë indigjenët vendas Sauk, ndërtuan në këtë vend një qyteze të vogël e të bukur të quajtur Bërnsajd.
Por bashkë me të bardhët erdhën dhe zjarret. Dhe një ndër ta qe edhe ai i shtatorit të vitit 1881, që ndryshoi njëherë e përgjithmonë dhe të ardhmen e gadishullit e ngeli në histori me emrin Zjarri i Thambit. Ky zjarr ktheu në thëngjinj gjithçka përfshi dhe Burnsiden e asaj kohe. Dhe çuditërisht, e vetmja gjë që shpëtoi qe vila “Bruce Mansion”. Të habitur nga përjashtimi, priftërijtë bënë kryqe e mallkuan, ndërsa njerëzit e thjeshtë thanë se as zjarri nuk e djegërka dot djallin.
Ajo që sot e dinë të gjithë, është se historia e ndërtesës vazhdoi me tersllëqe e mbrapështi që nuk mbaruan kurrë. Të gjithë ish pronarët e saj, duke filluar nga vetë John Bruce e deri tek i fundit që guxoi ta blinte, humbën pasuritë dhe u çmëndën ose vranë vehten.
Në tabelë shkruhet se pronari i fundit i saj quhej Xhan Uoker.
Dhe njëlloj si dhe për të tjerët, tabela thotë, se tersi nuk e fali as atë. I humbi të gjitha, duroi shumë, deri sa një ditë, i lodhur e mëndjeprishur nga prapësitë që nuk ju ndanë, mori një litar dhe u ngjit në njërën nga papafingot mbi çatinë e vilës. E lidhi diku, bëri një lak, futi kokën në të dhe u hodh që nga maja e papafingos…
Javë më vonë, njerëzit panë hutat që rrotulloheshin mbi vilë dhe ndjenë erën e rëndë të kërrmës që mbushi hapësirën rreth ndërtesës. Thyen derën dhe ajo që panë qe një kufomë e prishur që tundej në litar.
Kjo ndodhi në vitin 1926 dhe që atëhere e këtej njerëzit dhe gazetat thonë se fantazma e Xhan Uokerit del pas çdo perëndim të dielli dhe ecën rreth shtëpisë. Thuhet edhe se atë e shoqëron dhe fantazma e një gruaje me qafë të gjatë dhe e veshur në të verdha.
Ndërsa shtëpisë nuk i afrohet më njeri…
-Who knows?!… – thonë amerikanët për raste të tilla dhe ikin tutje e shohin punën e tyre.
Ndërsa për mua, “Bruce Mansion” që nga dita e parë që e pashë, ngeli aty si shenja përkujtuese e fillimit të jetës së të bardhëve në zonën e Thambit. Dhe rastësisht po aty fillon dhe Amish Kantri – vendi i çuditshëm, ku jeta ka ngelur disa qindra vite mbrapa. Historia e “Bruce Mansion” dhe e Amish Kantrit i përkasin njëlloj të sotmes dhe të shkuarës.
Djegia e pyjeve, hapi hapësira të mëdha për toka bujqësore gjë që ndolli bujq e blegtorë të rinj nga Europa dhe pjesa tjetër e Shteteve të Bashkuara. Midis tyre erdhën dhe pak familje amishe që me kalimin e kohës u shtuan dhe i dhanë edhe emrin asaj zone që sot njihet si Amish Kantri.

Një familje Amish
Një familje Amish

***
Ata që më folën për herë të parë për amishët e që më vonë dhe më çuan atje, ishin Kola dhe Lazri, dy bashkëpatriotë të mij shqiptarë që megjithëse kishin vite para meje në Amerikë, prapë vazhdonin e punonin shumë dhe vetëm rrallë kur gjenin ndonjë çikë kohë të lirë, merrnin dyfekët e dilnin për ndonjë lepur. Dhe ishte gjuetia ajo që u bë edhe shkak i njohjes tonë.
Kur i pyeta se çfarë ishin amishët, ata ngritën supet dhe më thanë se amishët ishin amishë. Gjëja e vetme që ata dinin, qe se amishët përveç se nuk përdornin energji elektrike e mjete të motorrizara nuk përdornin kurrë kimikate, plehra kimike, hormone, farëra hibride e të tjera dhe çdo prodhim bujqësor apo blegtoral i tyre ishte bio.
-Hajde! – më thanë njëherë, – Të blejmë një viç dhe ta ndajmë!
…Dhe në një mëngjez të ftohtë e me qiej të pastër tetori, morëm rrugën për në Amish Kantri. Kur mbërritëm në kryqëzimin ku gjendej “Bruce Mansion”, Kola e ktheu makinën në një rrugë që shkonte drejt verilindjes.
Dhe atje ku rrugët e asfaltit u bënë rrugë dheu dhe në sinjalistikën rrugore u shfaqën shenjat e karrocave amishe, Kola tha se ishim futur në Amish Kantri.
Kish dalë dielli dhe thyerjet e reflektimet e rrezeve të tij nga milionat e piklave të vesës nëpër gjethet e mështeknave në anët e rrugës e kishin ndezur deri në çudi të verdhën e tyre vezulluese.
Ne ecnim ndërsa arat shkëmbeheshin me copëza pyjesh të ndezura nga ngjyrat e vjeshtës. Ndërsa lindja llamburiste nga rrezet e diellit të sapo dalë, në perëndim e në jug, dukeshin fusha të përgjumura e pllakëza kënetash me copa mjergullash që rrinin pezull mbi to. Kurse tutje në veri, mbaj mënd, që fund qiejt e horizonteve blu, digjeshin flakë nga e kuqja dhe portokallia e ndezur e pyjeve të panjave.
-Këtu është – tha Kola dhe pashë që e ktheu makinën drejt ca stallave e koçekëve të vjetër drithi që u çfaqën pas pyllit të mështeknave. Hapëm dyert dhe brenda makinës u fut erë silazh dhe mollësh të thartuara.
Matanë koçekëve dukeshin ca pemë krahëvarura ku zhauronin tufa harabelash, në të djathtë ngriheshin ca ndërtesa të vjetra druri dhe më tutje llamburiste një shtëpi e bardhë dykatëshe e me shumë dritare. Ndërsa larg, majë një kodre, prapa degëve të pemëve që e fshihnin përgjysëm, dukej kryqi i palëvizur e kaba i krahëve të një mulliri me erë që më kujtoi kohë e libra të vjetra. Ca pula vinin vërdallë nëpër oborr, një tufë pëllumbash bënte rrathë të shpejtë në qiellin mbi fermë, një qen na u afrua dhe filloi të na nuhaste dhe një burrë me veshje të çuditëshme, i shoqëruar nga një fëmijë me veshje të ngjajshme me të, u çfaqën në hyrjen e një stalle të madhe e shtrëmbaluqe prej druri. Trupi i drejtë dhe i gjatë i burrit, kostumi blu i errët prej shajaku, këmisha e bardhë si bora, pantallonat me dizga, çizmet e lëkurës, mjekrra e gjatë dhe pa mustaqe, kapelja e zezë strehëgjerë e pothuaj elegante dhe buzëqeshja e ndrojtur e mirëdashëse që i ndriçonte sytë blu e i zaptonte gjithë fytyrën, më pruri menjëherë në mendje Zhan Marenë e filmave të fëmijërisë time. Foli me Kolën, na përshëndeti dhe ne të tjerëve dhe bëri me shenjë ta ndiqnim drejt ndërtesës së madhe anash shtëpisë.
Ishte amishi i parë që shihja dhe m’u duk sikur dera nga doli, ndante dy botë dhe dy kohëra shumë larg njëra tjetrës.
-Të kishja këtu babanë të shihte – them me vehte dhe eca pas shokëve. Aso kohe unë nuk kuptoja anglisht dhe shokët më përkthenin…

Koha e ndalur në jetën e banorëve Amish
Koha e ndalur në jetën e banorëve Amish
Mbyllja – Vdekja e Uein Joder

Henri Miler më çoi fjalë se kishte vdekur Uein Joder dhe se varrimi do të bëhej të martën në orën njëmbëdhjetë në varrezat e Amish Kantrit…
Ishte e shtunë, lajmi qe hutues dhe njeriu që më lajmëroi nuk dinte të më thosh më shumë. Dhe ngaqë amishët nuk përdorin telefona, i tronditur siç ishja, i hipa makinës dhe u nisa për në Amish Kantri…
Tregimi i Henrit qe i shkurtër dhe pa shumë detaje. Kur qe errur dhe Uein nuk qe kthyer në shtëpi, familjarët qenë shqetësuar dhe kishin dalë ta kërkonin por nuk kishin gjetur gjë e shqetësimi veç qe shtuar. Një nga jo amishët që banonte afër fermës së Uein kish telefonuar policinë e cila kish mbërritur shpejt dhe kish filluar menjëherë kërkimet nga ajri dhe toka.
Nata nuk kish dhënë gjë dhe veç të nesërmen një nga helikopterët e policisë kishte dalluar diçka që ngjante si një dorë njeriu mbi akujt afër bregut të kënetës. Dhe kur qenë afruar pilotët kishin parë se poshtë akullit nxinin trupat e Ueinit dhe qenit të tij.
Kishja gjuajtur për rosa të egra në atë kënetë dhe të gjithë e dinin se atje kishte burime e rryma të ngrohta nëntokësore që gjatë dimrave i bënin akujt e saj jo uniform e të pasigurtë. Sipas Henrit kur i nxorën, në dorën e ngrirë të Ueinit ishte një shuk leshi nga kurrizi i qenit dhe nisur nga kjo e të tjera prova, policia kish thënë se Uein qe mbytur në përpjekje për të shpëtuar qenin, i cili dukej se kish rënë i pari në vendin fatal.
– Kështu deshi zoti – e mbylli Henri. – Shërbesat do të bëhen në shtëpinë e Uein ku edhe mund të vish. Ndërsa varrimi është caktuar të martën, më njëmbëdhjetë, në Maple Valley.
-Jo! – i thashë ngaqë nuk dija se si të sillesha me rregullat e tyre plus që më vinte turp që do të dalloja si dhija mes deleve në shtëpinë e tij – Do vij në varreza!
Me mbytjen e Uein unë kishja humbur njërin nga dy shokët e mij më të mirë amish. Dhe për herë të parë atë ditë Amish Kantri m’u duk i huaj e doja të largohesha ndërsa rruga e kthimit për në shtëpi e gjatë dhe e lodhëshme.
Megjithëse unë e doja Uein si një shok shumë të mirë, midis nesh, kishte qenë gjithmonë ajo barriera e ngurtë dhe e pandryshueshme e vetë izolimit që ngrinin amishët rreth jetës së tyre. E besonim dhe e respektonim njëri tjetrin por kurrë nuk kishim shtrënguar njëherë duart, nuk kishim bërë asnjëherë shaka, nuk kishim qeshur me ndonjë gjë, nuk kishim marrë nëpër gojë njeri e as nuk i kishim folur njëri-tjetrit ndonjëherë për probleme familjare.
Por sa herë që unë lija makinën në fermën e tij, kur kthehesha gjeja gjithmonë mbi kofkën ose karroceri, prodhime të stinës të cilat i merrja pa thënë faleminderit.
Vetëm njëherë kur donte të ndërtonte një pompë që të nxirrte ujë nga pusi duke përdorur një mulli me erë, I thashë që të më linte ta ndihmoja dhe kaq. Gjërat i prura të gatëshme, vetëm i montuam, projekti funksionoi dhe e kuptova që u gëzua shumë por njëlloj siç unë, nuk më tha faleminderit….
Rrugës në kthim qeshë i hutuar dhe me dhëmbje në shpirt. Rënja e Uein në akull, më pruri në mëndje historinë e dhimbëshme të martirit amish Dirk Willems, i cili më 16 maj 1959, u dogj i gjallë mbi një turrë drush në Asperen të Hollandës. Ditën e ekzekutimit të tij frynte shumë erë, gjë e cila nuk e linte zjarrin të ndizej mirë e të mbaronte punë shpejt dhe për orë të tëra klithmat e dhëmbjeve të tij u dëgjuan deri në skajet më të largëta të qytetit. Sot shumë njerëz e kujtojnë Dirk Willems për makabritetin e ekzekutimit të tij, por mua ndryshe nga të tjerët më ka ngelur në mendje fakti se ai u kap ngaqë u kthye mbrapsh për t’i shpëtuar jetën njërit prej ndjekësve të tij, i cili njëlloj si Uein, kish rënë nën një shtresë akujsh. Dhe ky akt i paprecedent fisnik e dashurie ndaj armikut u bë shkak i kapjes dhe ekzekutimit të tij. Askush sot nuk e di se çfarë pamje kishte fytyra e Dirk Willems, por përmes mjergullës së dhimbjes, mua sot më duket se ai kishte fytyrën e Uein Joderit.

Koha e ndalur në jetën e banorëve Amish
Koha e ndalur në jetën e banorëve Amish

*** 
…E marta erdhi shpejt. Gati një orë para varrimit parkova në anë të rrugës që kalonte pranë varrezave. Varreza amishe, dukej si një tjetër çfaqje e skajshme e thjeshtësisë së jetës së tyre. E gjendur mes fushës së madhe, syri s’të shihte tjetër veç ca rreshtave të shtrëmbëra me gurë të thjeshtë varresh dhe ca pllangave të përbaltura me ngjyrë dheu të cilat i mendova si varre të rinj akoma të pambuluar nga barërat. Pamja të thoshte se amishët pasi i vinin një gur tek koka të vdekurve të tyre, iknin e nuk ktheheshin më mbrapsh për t’i parë ata.
Jo larg meje, në një copë are të lënë për parkim, ishin dy karroca, ndërsa brenda varrezave gërmonin një grup amishësh që me kapelet e zeza strehegjëra e mjekrrat e gjata më kujtonin ca kapuçonë të zinj nga letërsia e vendit tim.
Është fund dimri dhe megjithëse akujt kanë filluar të shkrijnë e borë bie më rrallë, lagështia të futet deri në palcë. Qiejt janë të vërejtur e pa përmasa, fushat të ngrira me ngjyrë dheu e kalbësije, ndërsa pylli i vjetër i mështeknave që dukej aq i bukur në verë e në vjeshtë, i ngjan tani një lëvereje të stërmadhe e të dalë boje që duket sikur e kanë harruar varur në horizontin e pangjyrë të anës tjetër të kënetës.
…Pres në makinë deri sa shoh që pas shelgjeve të kthesës del karvani i zi i funeralit. Në ballë prin një karrocë e madhe tip vagoni e tërhequr nga katër kuaj e pas saj një varg i gjatë me bagi, siç quhen karrocat një kuajshe amishe. Kur karrocat fillojnë e parkohen në fushën pranë gardhit të drujtë të varrezave afrohem dhe unë e përzjehem me turmën dhe kërkoj me sy për Henri Milerin. E di se shoqërimi me të do më ndihmojë e do ma bëjë më të lehtë sikletin që ndjej. Të gjithë burrat janë me mjekrra të gjata, me pantallona, jelekë, këpucë, kapele strehe gjëra, të gjitha korb të zeza përveç këmishave të bardha mëngë gjata, ndërsa gratë si gjithmonë pa tualet, me flokë të futura nën kapelet e bardha të lidhura nën mjekër, këpucë të sheshta e fustane të gjata e të zeza me shumë pala. Shoh amishët që rrethojnë karrocën e madhe, kuajt që nxjerrin avull dhe dalloj nja katër pesë që ngrenë në sup arkivolin. I palyer, i pa veshur, pa doreza dhe pa zbukurime, arkivoli duket si një kuti e madhe dërrase. Nuk ka lule dhe as kurora, ndërsa fytyrat e amishëve mundohen të mos shprehin pikëllim. Për amishët, shprehja e pikëllimit ashtu si dhe e emocioneve të tjera është e palejueshme e aq më tepër në ngjarje të tilla të cilat merren si shprehje të drejtpërdrejta të vullnetit të Zotit. Si e gjithë jeta e tyre edhe funeralet amishe mbështeten vetëm në rëndësinë e thjeshtësisë e lavdërimin e perëndisë dhe përdoren si mundësi për të reflektuar mbi Zotin dhe komunitetin. Vdekja është vendim i Zotit dhe të vdekurin as nuk e lavdërojnë e as nuk e qajnë. Dhe ngaqë çdo lloj dekorimi rrezikon të largojë vëmendjen nga rëndësia e Zotit, lulet dhe kurorat janë gjithashtu të ndaluara.
Nuk ka një që drejton, por të gjithë duket se e dinë se çfarë duhet të bëjnë…
Dalloj Henrin midis turmës, i afrohem me kujdes dhe e prek në brryl. Henri tund kokën dhe më bën shenjë që t’i qëndroj afër.
Që aty ku jemi duket arkivoli me kapakun e lëshuar shtrëmbër në tokë të cilin e kanë hapur afruar në buzë të varrit. Dalloj fytyrën ngjyrë dheu të Uein, sytë e mbyllur, flokët e gjata dhe mjekrrën e tij të thinjur dhe e kam të vështirë ta përputh pamjen e tij të sotme me atë kur ishte gjallë. I kanë veshur një këmishë të bardhë qumësht, jelek pantallona e këpucë sterrë të zeza dhe ndërsa e shoh, mendoj gjithë trishtim se Uein si gjithë amishët e tjerë nuk ka lënë prapa as edhe një foto dhe fytyra e tij do të harrohet shpejt. Fotot sipas amishëve nxisin narcizmin dhe rrisin vetëkënaqësinë dhe si të tilla janë të ndaluara në komunitetin e tyre. Dhe kjo është dhe arsyeja se përse kukullat e fëmijëve amishë që më tmerronin në fillim, nuk kanë fytyrë.
Kur arkivoli fillon të ulet në varr amishët ulin kokat dhe me sy në tokë fillojnë si me komandë të këndojnë këngë korale. Këndojnë në gjermanishten e vjetër por vija melodike, ritmi i ngadaltë dhe solemniteti i këngës më trondisin thellë. Dalloj shprehjen “O Perëndi, o Atë, ne Ju lëvdojmë Ju dhe mirësinë Tuaj” të cilën ma kish përkthyer në anglisht vetë Uein kur ishte gjallë dhe më duket sikur dhëmbjet e këngës së tyre vijnë si gjëmime tërmeti nga thellësia e tokës. E njoh historinë e këngëve amishe dhe e di se ato janë hymne fetare anabaptiste, të cilat u shkruan pesëqind e ca vjet më parë nga themeltarët e kishës amishe, kur në pritje të ekzekutimit me djegje mbi turra drush, rrinin të mbyllur në burgun e kështjellës së Passau-t në Bavarinë e Poshtëme. Me këto këngë, amishët përcjellin gëzimet, meshat dhe të vdekurit e tyre. Dhe në to ka aq shumë pikëllim e solemnitet, aq shumë vetmi e dhimbje për trojet nga të cilat u detyruan të iknin, por çuditërisht nuk ka protestë e as ankesë për vuajtjet e tyre. Bashkë me solemnitetin duket dritë dhe ndjehet bindja se Zoti nuk do t’i braktisë kurrë njerëzit që e duan.
Dëgjoj zhurmën e dheut që bije mbi dërrasën e thjeshtë të arkivolit dhe hymni që po këndojnë më vjen si “Kori i skllevërve” të “Nobuko-s” të Verdit. Kujtoj vargjet “Va pensiero, sull’ali dorate.. Oh mia patria, si bella e perduta” dhe filloj e bëhem nostalgjik e sytë më mbushen me lotë për dheun tim të bukur e të hidhur, në anën tjetër të botës.
-Ikim – thotë Henri që është pranë meje dhe më shtyn lehtë me dorë…

***
…Edhe në kthim rruga ime kalon përsëri pranë “Bruce Mansion”.
Shoh se qielli në perëndim është bërë i kuq si prushi i zjarrit që dogji dikur qytezën e Bërnsajdes dhe me vehte them se do hapet koha. “Bruce Mansion” kishte qenë aty që para lindjes së Uein, është edhe sot pasi ai ka vdekur dhe besoj se do të jetë aty edhe pasi të vdes unë. Eshtë gjysëm errësirë dhe në sfondin e kuq të qiellit, dritaret e errëta, pa xhama e pa korniza të ndërtesës, më duken si gropa sysh të një kafke të vjetër, gjë që më trishton e më kujton pamundësinë njerëzore për të ndaluar kohën që ecën e nuk ndalet kurrë…
…Herën e parë kur erdha në Amish Kantri ishte vjeshtë dhe shpendët iknin drejt jugut, ndërsa tani po vjen pranvera dhe shpendët fluturojnë në të kundërt. Dhe kjo është fiks edhe koha kur mua fillon e më prishet gjumi nga ëndërrat me netë të lyera me hëne, lulëkuqe e të korra njomështake që tunden si dallgë deti nga erërat e pranverave të vendlindjes time.

p.s. Fotot janë të mara nga albumi i Avis Gjyshes

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.