back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

“Vdekja” e Poezisë – esse nga Emi Krosi

Gazeta

Studiuesja Emi Krosi
Studiuesja Emi Krosi
“Vdekja” e Poezisë
esse nga Emi Krosi

Ka ardhur koha e “vdekjes” së poezisë.
Ajo ka ka kohë që ka vdekur, por kemi harruar ta “varrosim”.
Nëse togfjalëshi “vdekje e poezisë” është kaq e rëndomtë, dhe domosdo ca kritizerë të zellshëm, që janë dhe poetë dhe kritikë, do të vërsulen “mbi prenë” që ta shqyejnë, pra mbi poezinë, ajo do të mëkojë edemën e të zakonshmes mbi të jashtëzakonshmes. Por, vërtetë po “vdes poezia”?
Shekujt, kur poezia receptohej së një gjë e çmuar, e vyer, e shenjtë, kur ajo mbarte shenjime silistike plot ngjyra dhe shija e ndjenja aq të ngrohta, me plot vibrime prej shpirtrash romantike, rebelë, të çlirta, duke ngjizur kumtësinë e ngjyrave të shpirtrave të poetëve, që merrte trajta të çuditshme, ka perënduar. Koha kur grekët lexon lirikat dashurore të Safos iku. Apo, kur poetët persianë çlironin energji shpirtrash të lirë besimit të së mirës kundër së keqes. As, babilonasit e lashtë, arkadasit, sumerët nuk janë më, që të lexojnë “aventurat” e të pavdekshmit të Utnapishtimit (Epi i Gilgameshit: 2009). Çfarë përjetoj bota, kur ka lexuar “Këngët e Solomonit”, brenda një libri të shenjtë? Po, kur Dantja shpalli testamentin e tij të pavdekshëm të jetës dhe vdekje, të Ferrit dhe Parajsës? Cilin beson njeriu, vdekjen, jetën apo poezinë danteske? Ndoshta të treja bashkë! Ndoshta asnjërën prej tyre! Se, sa herë, zjarri, trëndafili, vera, Zoti, jeta dhe vdekja ka qenë simboli i mijëra vargjve të lira, që janë shkruar dhe po shkruhen, por nuk lexohen më, përse?!
Ndoshta “Vdekja e poezisë” (Cherry: 2013), është dhe si ndërlikim dhe kufizim i komunikimit, që nuk kapërcen dot më, botët dhe jetët tona. Poezia, u ndesh me termin modernizëm që pas botimit të veprës “Toka e shkretë” e Eliotit në 1922. Por drama e Prufrosku-t, se universi është pronë e secilit prej nesh (Eliot: 1995), a nuk është edhe zgjatimi i dilemës hamletiane “to be or not to be”, deri në fillimin e një lëvizjeje tjetër po aq të gjithanshme të quajtur, post/modernizëm? Për sa i përket “modernes”, termi i referohet shumë lëvizjeve të poetëve dhe shumë stile të përdorura në shekujt 20 dhe 21. Termi “modernizëm” referohet, për një ndarje të dukshme nga traditat e kaluara, d.m.th nga romantizmi, realizmi e shumë “izma” të tjerë, por përsëri nuk u zhbë poezia. Por, ashtu si poezia dhe vetë post/modernizmi “po vdes” duke ia lënë kohës emërtimin e epokës së re, tash qarkullojnë shumë emra – performatizmi, metamodernizmi, dixhimodernizmi, post-postmodernizmi, po i përmend vetëm disa. Ndoshta duhen vite para se të arrihet një konsensus i vërtetë (Eshelman: 2014). Por, përsëri poezia vazhdoj të mbijetojë. Pas shumë, uljengritjeve të saj, ajo shkruhej, por lexohej nga “shijues” të saj, dhe kumtohej nga dekodues dhe njohës dashamirës të kodeve poetike, teksa kungimi metaforik i saj shfaqej në formën e një metanarrative si teknikë postmoderne , ajo përherë e më shumë po i nënshtrohej një keqpërdorimi (Walker: 1996), se brenda një vepre arti është krejt normale, sidomos sot, kur arti shihet më shumë si kombinim sesa si krijim. Autori/poet postmodern, nuk e koncepton origjinalitetin si shpikje “ex nihilo”, por si mënyrë specifike e trajtimit të një objekti, në postmodernizëm, shpjegimi i këtij procesi kthehet në parimin e gjithëpushteshëm, që shkruajnë të gjithë, por nuk lexon askush. Kur nuk lexohet, si mund të mbijetojë një vepër poetike?
Vdekja, si motiv poetik, përhap një hije të paqartë mbi jetën, tek krijimet e poetëve. Ajo është shmangur vazhdimisht duke “provokuar diversitet mes tyre”, që me mprehtësi ata e ndriçuan poezinë moderne dhe si përulësi të saj. Një model i pashmangshëm në të gjithë ekzistencën e lloji njerëzor: vetëdija për jetën, ardhja e vdekjes, se vdekja është më e shumta një mister, por kur “vdekja” mposht dhe poezinë, kush do të shkruajë për vdekjen poetike, atë të njëmentën, apo atë të sajuarën? Nëse autorët, librin ndoshta më i studiuari nga (teoricienët dhe kritikët letrar), të Wellek & Waren, janë ndoshta “ëngjëjt”e fundit të një teorie letrare, ku gjithë universi poetik është pëmbledhur aty, në “Teoria e letërsisë” (Wellek & Waren), tashmë kur poezia ka “vdekur”, nga shumë shkrues të zellshëm, apo lexues ëndërronjës, përmes smartfonëve duke lundruar nëpër rrjetet sociale, saora “gdhihen” poetë. Por, çfarë poetësh. Me mijëra klikime dhe mesazhe në facebook, instagram, tik-tok, a thua se poezia ka mbetur një “mall pa zot”. Ajo është një “mall stok”, pasi ajo vetëm “prodhohet”, nuk kultivohet, nuk shitet, aq më pak të lexohet. Këto “gjenitë” e sotëm që duan të lënë gjurmë, ca gjurmë të mëdha madje (por vetëm pak njerëz lënë gjurmë vërtetë në këtë botë), që i quajnë “idhull” dhe gërmëtarë “idjotë”, që vetemërohen ose emërtohen: Gjeni. Po, po gjeni!!! Vallë, a nuk po ndodh sot në gjithë botën poetike kjo? A, mos thoni pastaj, se dhe shkruesit dixhitalë po shkruajnë poezi. Pse jo. Se fundja, vetë vetëdija krijuese e poetit, është e mbushur me fanitje dhe fantazma, se poeti është i rrethuar nga fantazmat (Yeats: 1956), pra “fantazmat” e mira apo të këqija, po fërgëllojnë në shtjellat e kohës, po tëhollojnë poezinë dhe po e futin në “vrimën e gjilpërës”, dhe bota që po mahnitet nga dixhitalizimi i shpejtë, ku edhe fantazmat do të shkruajnë poezi, një ditë.
Poezia, ka “vdekur”.
Ejani ta varrosim!

Vdekja e Muzës - Georges Antoine Rochegross
Vdekja e Muzës – Georges Antoine Rochegross
Bibliografia:

1.Bucur, R. David. (2011). Modern poetry and crisis. Bulletin of the Transylvania University of Brasov.
2.Cherry, Kelly. (2013): The Life and Death of Poetry. Louisiana State University Press
3.Eliot, S. Tomas, (1955): Tokë e shkretë, përkth: Rudolf Marku, “Lidhja e shkrimtarëve”, Tiranë.
4.(2009): Epi i Gilgameshit, përktheu: Anton N. Berisha, “Argeta LMG”, Tiranë.
5.Eshelman, Raoul. (2014): Performatism, the epoch after postmodernism. “Symbol, No. 2”, Tirana – Prishtina – Skopje.
6.Walker, Thomas. (1996): “Postmodernism and the study of the future.” Futures Research Quarterly
7.Wellek & Waren: (2007): Teoria e letërsisë, përkth: Abdurrahman Myftiu, “Onufri”, Tiranë.
8.Yeats, B. William. (1956): Autobiographies p.12. London: Macmillan.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.