back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Robert Elsie – “Skyfteri” i Naltësive Shqiptare – nga Filip Guraziu

Gazeta

Filip Guraziu
Filip Guraziu
Robert Elsie – “Skyfteri” i Naltësive Shqiptare
nga Filip Guraziu

Megjithëse e kam ndjekë “prej larg”, por dashunia për “ botën” shqiptare e kanadezit me origjinë gjermane, Robert Elsie e shprehun botnisht nëpërmjet veprave të shumta albanologjike më ka krijue vazhdimisht jo vetëm emocion, por edhe respekt të veçantë.
Përkushtimi intensiv intelektual i këtij eruditi për vlerat e “shqiptarizmit”, përban nji rast unikal të pandigjuem në historinë e studjuesve të kulturës shqiptare dhe të pakrahasueshëm në vlerë, cilësi e sasi me çdo albanolog shqiptar ose të huej të maparshëm.
Robert Elsie leu në Vancouver (Kanada) me 29 Qershor 1950. Arsimin e mesëm e kreu në Vancouver, kurse studimet në shkollën e naltë për filologji klasike dhe gjuhësi i përfundoi në vjetin 1972 pranë “British Columbia University”. Rezultatet e nalta në provimet universitare i mundësuen bursë studimi në universitetet ma prestigjoze të Europës. Në vjetin 1978, mbrojti doktoraturën në Universitetin e Bonn-it (Universität Bonn)
Prej këtij viti e mbrapa iu krijue mundësia me vizitue Shqipninë në kuadrin e “takimeve shkencore” midis Institutit së Gjuhësisë së Universitetit të Bonn-it dhe Akademisë së Shkencave të Shqipnisë dhe po ashtu për disa vite me radhë mori pjesë në Seminarin Ndërkombtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare në Kosovë, ku mësoi gegnishten.
Këto udhëtime që vazhduen deri në fillimin e viteve 80-të i ngjallën nji interes të veçantë për Shqipninë e mbyllun dhe për kulturën e saj të panjohun në botë. Mbasi mësoi shqip dhe i thelloi njohunitë e tij në kët gjuhë, Robert Elsie vendosi me iu kushtue albanologjisë, fushë në të cilën ai ma vonë do të bahej nji ndër ekspertët ma të njohun. Elsie asht sot autor i ma shumë se gjashtëdhetë librave dhe artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë (Gjuhësi, letersi, kritikë, histori, fonetikë, folklor, përkthime, artit fotografik etj.) Falë veprave e përkthimeve ne gjuhën angleze e gjermane, vlerat e kulturës dhe të vërtetat e problematikave shqiptare “fituen za” në botë. (“Lahuta e Malsis – At Gjergj Fishta” u përkthye në anglisht; poezitë e Migjenit në gjermanisht, etj etj.; veprat mbi Çamërinë e Kosovën i kujtuen botës gjenocidet kriminale të paharrueshme të grekëve e të serbëve mbi popullin shqiptar etj.)
Mbas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Jashtme Gjermane në Bonn dhe prej vjetit 2002 deri 2014, për Tribunalin e Hagës si përkthyes edhe në gjykimin e Sllobodan Millosheviçit.
Robert Elsie asht anëtar i Shoqatës së Europës Juglindore (Südosteuropa – Gesellschaft), Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës si dhe Anëtar Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Gjithashtu Robert Elsie asht dekorue prej Presidentit të Shqipnisë z. Bujar Nishani me “Medaljen e Mirënjohjes”
Për shkaqe natyrore u nda prej kësaj jete në paraditen e së hanës me 2 Tetor 2017, në qytetin e Bonn-it – Gjermani, me dëshirën për prehjen e tij të përjetëshme në dheun Shqiptar, gja që e dëshmoi dhe e realizoi shoku i tij i jetës, Stephan Trierweiler, në Theth të Dukagjinit, ku u varros me nderime në datën 18 Tetor 2017.

Robert Elsie 2013
Robert Elsie 2013

Para disa viteve kam pasë shkrue: “…jetojnë në histori, ato skyfterë, që me fluturimin e tyne, botës i japin vlerë…”
Po, Robert Elsie ishte i tillë, ai ishte skyfter i naltësive, por…, ishte edhe ma tepër se aq: ishte “shqipja e naltësive të vlerave shqiptare”.
Kjo “shqipe” fluturoi e vrojtoi pothuej të tanë botën, prej Vancouever-it në Kanada, Sh.B.A., Europë, Gjermani, Itali, Francë, Angli, Ballkan etj., e prej naltësive me synin e sajë të mpreftë vlerësoi malet shqiptare, ku u ndal dhe nuk u largue ma…! Shqipja u dashunue me tokën e shqipeve! Ajo “shqipe” e ardhun prej Vancouver-it u ba bijë e kësaj toke prej të cilës nuk u nda kurrë ma, por qendroi e perqafueme në përjetësi…!
Ai sot fizikisht nuk asht ma në mes nesh. Ne nuk mundemi ta përjetojmë buzëqeshjen e tij të pafajshme e as ta ndigjojmë zanin e tij melodioz, ndërsa argumentonte me sy kritik, por me dashamirësi, problematikat shqiptare…
Për njerëzit e zakonshëm jeta ka nji fund, por për Robertin, “shqipen e naltësive, që me fluturimin e sajë, botës shqiptare i dha vlerë” nuk ka fund, ka vetem përjetësi. Janë veprat e Robert Elsie që jetojnë me ne dhe me brezat që do të vijnë.
E verteta asht se shqiptarët andej e këndej kufinit politik e patën nderue dhe u patën tregue mirenjohës për Robertin, por “Mirënjohja” a ka kufi?
Njerëzit e Mëdhaj, janë të Mëdhaj, pikërisht sepse janë të thjeshtë!
Kështu ishte edhe i ndjeri Robert Elsie. Z. Trierweiler ia zbatoi dëshirën e tij, vorri modest në Theth ku prehet Robert Elsie provon sa ma nalt.

Varri i Robert Elsiesë në Theth-Fushë
Varri i Robert Elsiesë në Theth-Fushë

Por, në mbrendsinë time ndij se vepra e këtij kolosi, qëndrimi i tij fisnik e thjeshtësia e tij na detyrojnë moralisht drejt nji mirënjohje përherë e ma të madhe… Ndoshta kishte me qenë dinjitoze, nderim e mirënjohje për të ndjerin Robert Elsie zbatimi i nji mikroprojekti në vendin ku pushon në Theth që nënkupton: risistetimimin estetik të vorrit modest tue e lanë të paprekun në origjinalitetin e tij, ngritjen e nji muzeu në kujtim të veprës së Robert Elsie, në nji ndërtesë karakteristike thethiane nji katëshe në zonën rrethuese jo larg vorrit dhe vendosjen e bustit të albanologut të madh në nji pozicion të përshtatshëm para hymjes në muze.
Ju kujtoj të nderuem lexues, se kujtimi e nderimi i albanologut te madh Robert Elsie jo vetem na jep nder ne shqiptarëve, por përban edhe nji “vlerë shtesë” shumë të randësishme për aktivitetin turistik të Thethit.

Gazeta Panorama, datë 24.08.2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.