Rreth intervistës së z. Elmi Berisha
E pashë kët reagim shumë të qëlluar të zonjës Buçpapaj, e cila po bën një punë të jashtëzakonshme për ta nxjerrë në pah të vërtetën, të cilën perpiqet që ta vejë mbi baza të drejtësisë dhe për të mirën e kombit tonë. Shkrimi i saj dallon nga deklaratat e një kryesie të vetëshpallur me mandat shumëvjeçar, e cila nga kodra pisket duke shpërndarë shumë të pavërteta që nuk e kanë asnjë bazë reale, sepse baza është shkatërruar. Degët e Vatrës janë demobilizuar, antarsia nuk bashkpunon më me qëndrën, sepse i ka rënë tanimë legjitimiteti! Kurse znj. Buçpapaj i ka shkoqitur hë për hë të gjitha këto deklarime ashtu siç kërkohet, duke e shtjelluar edhe kapjen e kësaj kryesie nga politika socialiste ditore, që këtu është shtjelluar shumë drejt.
Unë pajtohem me të gjitha që janë thënë këtu nga gazetarja, por për të qënë edhe më konkret po ndalem tek një pikë shumë me interes për të gjithë ne, dhe që është shume aktuale sot.
Kur moderatorja e pyet të intervistuarin për nivelin e marrëdhenieve Qeveri e Kosovës SHBA, ai nuk përqendrohet tek esenca e problemit, por kamuflon me fantazira të fabrikuara për të dalë i pastër me të gjitha palët e posaçerisht me idete e kryeministrit te Kosovës socialdemokrate, që realisht janë sllavokomuniste e që u ka skaduar afati. Kjo tregon më së miri stabilizimin e marrëdhenieve të shkëlqyera Kryesi e Vatrës me Tiranën, Prishtinën, Shkupin e gjetkë. Me termin marrëdhenie të shkëlqyera në politikë nënkuptohen marrëdheniet mes qendrës dhe spiunëve, kurse të tjerat janë normale dhe të përkohshme.
Më erdhi mirë se Vatra qenka shëndrruar në një satelit socialist mbi re të zeza dhe nuk e shofin përtoke që ta marrë vesh edhe antarsia e gjerë kët fenomen!
Prend Qetta – Vatran
Intervista e Elmi Berishës tek Zëri i Amerikës
pas pritjes nga z. Alexander Kasanof Zv. Ndihmës Sekretari në DASH
nga Elida Buçpapaj
Pritjet që u bëhen shqiptarëve në Departamentin e Shtetit shoqërohen zakonisht edhe me intervista tek Zëri i Amerikës, të cilat ndiqen me shumë vemendje nga opinioni publik. Ka prej atyre që pritjen apo intervistën ta keqshfrytëzojnë për të legjitimuar shkeljet dhe abuzimet e tyre personale.
I intervistuar tek Zëri të Amerikës ishte edhe z. Elmi Berisha, i cili, me grupin e tij të besnikëve, u prit nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor z.Alexander Kasanof, që ka zëvendësuar z. Gabriel Escobar.
Në lidhje me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit unë do të sjell këtu një koment të ekspertes së shkëlqyer Amerikane të rajonit të Ballkanit Ivana Stradner, e cila, sapo u mor vesh lajmi i emërimit, në rrjetin X do të shkruante ekzaktësisht: “Unë besoj vërtetë se ai do ta rikthejë demokracinë në rajon dhe nuk do të ndjekë gjurmët e paraardhësave. Best wishis, Mr. Kasanof!”
Kur e lexova këtë koment të Ivana Stradner m’u ngroh zemra, sepse Ballkanit i duhet pikërisht demokracia. Që vendet përkatëse të drejtohen nga liderë me integritet të pastër e të pashtantazhueshëm si Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, të cilët duke mos patur skeletë nëpër dollapë e sirtarë, nuk shesin për interesin vetjak interesin e vendit të tyre që përkon me interesat Euro-Atlantike, dmth edhe me interesat e SHBA. Vjosa dhe Albini me insistimin e tyre mbrojnë kësisoj interesat e vetë Amerikës.
Tani do të kthehem tek intervista e z.Elmi Berisha, i cili sipas vlerësimit të shumë Vatranëve si: Lek Mirakaj, Valentin Lumaj, Nazo Veliu, Ervin Dine, Idriz Lamaj, Mark Mernaçaj, Agustin M. Mirakaj, Viktor Vorfi, Ramiz Mujaj, Marjana Bulku etj. nuk ka legjitimitet dhe përfaqëson standardin e shkelësit të rregullave të demokracisë, që përdor drynat për t’ua mbyllur dyert e Vatrës aktivistëve të saj.
Një pyetje rreth ngërçit në Vatër prita që t’i drejtohej z. Elmi Berisha. Sepse gjithë bota mbarë e di se Vatra është e përfshirë nga një krizë e madhe.
Veprimtarët e lartpërmendur kanë shprehur shqetësimin se lidërshipi aktual ka vendosur censurën ndaj Vatranëve, të cilëve u është mohuar e drejta e fjalës. Amendamentin e parë të Kushtetutës së SHBA e ka shkelur po ashtu edhe ndaj bashkëpunëtorëve të vjetër të Vatrës dhe Diellit (sikur është autorja e këtyre rradhëve).
Vatranët kanë shprehur shqetësimin se z. Elmi Berisha ka krijuar një klimë armiqësore, pasi përdor fshesën e hekurt të përjashtimit të Vatranëve, të cilët pastaj i çon nëpër gjykata. Sikur ishte rasti i Dr. Gjon Buçaj, një veterani me mbi gjysmë shekulli kontribut në Vatër, ish Kryetar i Vatrës, arratisur nga regjimi komunist dhe i përjashtuar nga Elmi Berisha.
Pas gjyqit kundër Dr. Buçajt, Elmi Berisha me celulë ka paditur në gjyq në grup tjetër të Vatranëve, të cilët në mënyrë publike dhe demokratike kanë kërkuar kthimin e legjitimitetit në Vatër, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe votim transparent, pasi Kuvendi i shkurtit mbajtur në vitin 2021, nuk i ka mbyllur procedurat, ndërsa Elmi Berisha në vend të respektimit të demokracisë, ka përdorur fshesën e hekurt ndaj atyre Vatranëve, shumica e të cilëve kanë ardhur në Amerikë direkt nga internimet e diktaturës.
Po përmend këtu Agustin M.Mirakaj, i biri i Moisi Mirakaj, i burgosur politik si armik i regjimit komunist, ndërsa Agustini vetë i lindur dhe rritur në internim duke iu mohuar të gjitha të drejtat njerëzore, sot shtetas Amerikan, i cili thotë se “Udhëheqja e vetëshpallur e Vatrës trillon e ngre akuza ndaj meje si të ishte një trup gjyqësor i kohës së regjimit komunist të 1945!”
“Kemi krijuar marrëdhënie të shkëlqyera institucionale që nuk kanë ekzistuar më herët mes Vatrës dhe Prishtinës zyrtare, parlamentit të Kosovës, njëkohësisht edhe Tiranës zyrtare, Shkupit zyrtar dhe gjithandej.” Nuk është e vërtetë, Vatra ka patur gjithmonë marrëdhënie me institucionet në respekt të Kanunores krijuar prej 1926, por jo me PS. Ndërsa, është i vërtetë pohimi i z.Elmi Berisha tek ZiA se ai dora vetë ka krijuar lidhje të shkëlqyeshme institucionale me qeverinë e Tiranës, qeveri që akuzohet për afera korruptive eklatante dhe që shpesh nga shtypi botëror identifikohet me një narkoshtet. Edvin Rama njihet për korruptimin deri edhe të ish shefit të FBI-së McGonigall.
Unë mendoj se, prej kohës që z. Elmi Berisha ka krijuar lidhje të shkëlqyeshme me qeverinë e Edvin Ramës, ka shkatërruar çdo lidhje dhe rrugë bashkëpunimi e transparence me grupimin e madh e të spikatur të Vatranëve, të cilët i ka përjashtuar, dhe i ka çuar nëpër gjykata.
Shtypi i lirë në rrezik jete
Këtu më duhet të bëj një parantezë dhe të nënvizoj rrezikun ku ndodhet sot shtypi i lirë i cili përndiqet deri në Perëndim nga tentakulat e zeza të Edvin Rames.
Shtypi i lirë shqiptar në Perëndim nuk ka fatin që të ketë zyra avokatie sikur ka Zëri i Amerikës, kështu që lufton me mish e me shpirt për të ekzistuar, sepse Edvin Rama i përndjek me gjyqe, me gjoba me sulme kibernetike si një armik i përbetuar që është i shtypit të lirë.
Ku janë “sukseset” e Vatrës së Elmi Berishës?
“Këto vitet e fundit Vatra ka bërë një punë të madhe, të shkëlqyeshme bashkëpunimi mes Departamentit amerikan të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë, Kongresit, Senatit” – i tha z. Elmi Berisha gazetares së ZiA. Habi e madhe! Dua të di se cilat janë konkretisht “bashkëpunimet e shkëlqyera” të Vatrës së Elmi Berishës me institucionet e përmendura më sipër?! Ku janë emrat?
Unë mendoj se “sukseset” e përmendura prej tij janë vetëm hiperbola që nuk reflektojnë realitetin. Nuk di që Elmi Berisha me celulë të ketë bërë takime në Shtëpinë e Bardhë, në Senat, Kongres, në Departamentin e Shtetit. Në pesë vjet sa herë është pritur nga DASH ? Një apo dy herë? Nuk ka si z. Elmi Berisha të ketë autoritet dhe ndikim për t’u pritur e përcjellë, kur prej pesë vitesh, Vatra paraqitet në krizën e saj më të thellë prej krijimit të saj 113 vite më parë.
Autoriteti fitohet duke repektuar sistemin e vlerave në një sistem pluralist demokratik dhe jo me përjashtime, gjyqe e censurë. Këtë konstatim e bëj si një gazetare me mbi tridhjetë vjet eksperiencë, që kam ndjekur çdo ditë ngjarjet në botën shqiptare dhe në diasporë dhe që, me lobin më të fuqishëm në SHBA atë të kongresmenit Joe Dioguardi, Shirley Cloyes DioGuardi dhe AACL-LQSHA, kemi një bashkëpunim të ngushtë prej tre dekadash.
Në këtë pozitë ku ndodhet sot Vatra duke bashkëpunuar ngushtë me qeverinë e Tiranës, jo vetëm që ka dalë nga shinat e Etërve krijues të saj, por si një copy paste e Tiranës zyrtare ka mbjellë një klimë antidemokratike e antivëllazërore m’u në zemër të New Yorkut ndaj shumë Vatranëve, që përfaqësojnë Shqiptaro-Amerikanë të nderuar, shumica prej të cilëve janë ish të burgosur politikë apo bij e nipër të armiqve të Enver Hoxhës, që tani Elmi Berisha pa patur legjitimitet po ua mohon të drejtën e fjalës, po i dënon me përjashtime nga Vatra dhe me gjyqe që kanë kosto me dhjetra mijë $.
Marrë nga Muri i Elida Buçpapaj, 1 Shtator 2024