Ndërron jetë ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Astrit Lulushi
Astrit Lulushi, ish-gazetari dhe producenti i njohur i Zërit të Amerikës në shqip, u nda nga jeta të mërkurën më 4 shtator 2024, në moshën 70-vjeçare, në Woodbridge të Virxhinias.
Rrugëtimi i Astritit për në Amerikë, ishte dëshmi e dëshirës dhe guximit për t’i ikur komunizmit dhe diktaturës në Shqipëri, drejt lirisë dhe një jete më të mirë. Në vitin 1985, Astriti u arratis nga Shqipëria dhe erdhi në Amerikë, ku filloi një jetë të re dhe më vonë solli edhe familjen e tij.
Një vit me pas, Astriti filloi një karrierë të shënuar 30-vjeçare tek Zëri i Amerikës. Zëri, figura dhe fjala e tij u bënë të njohura dhe të dashura për dëgjuesit dhe shikuesit ndër vite për tema që nga mjekësia dhe shkenca, diaspora shqiptare në Amerikë dhe historia.
Roli i tij prapa skene, ishte po aq i rëndësishëm si producent kryesor i emisionit televiziv Ditari.
“Largohem i përmbushur dhe i nderuar që kam qenë në shërbimin tuaj, ju dëgjues dhe shikues të mrekullueshëm të programeve të Zërit të Amerikës”, u shpreh ai kur doli në pension nga Zëri i Amerikës në korrik të vitit 2019.
Astriti u nderua me “Çmimin e Karrierës”.
Astriti kishte një jetë të pasur krijuese, si autor i 17 librave, shkrimeve të shumta, poezive dhe reflektimeve.
Kolegët, ish-kolegët dhe miqtë e kujtojnë Astritin si një njeri me pak fjalë, shumë pasione, përkushtim, kuriozitet dhe thellësi mendimi.
“Ai njihej nga të afërmit si një njeri me fjalë pak, por me mendjen e një filozofi dhe shpirtin e një poeti. Një njeri i një kohe tjetër, një intelektual i qetë që nuk pushoi së shkruari”, thuhet në njoftimin e përgatitur nga familja për largimin e tij nga jeta.
Ai lë pas bashkëshorten, vajzën dhe familjen e saj, vëllezërit dhe motrën e tij. Djali i tij ndërroi jetë para disa vjetësh.
Ne ish-kolegët e tij të Zërit të Amerikës, do ta ndjejmë humbjen e tij.
Nderimet e fundit për nder të Astritit do të bëhen të martën më 10 shtator, ndërsa varrimi më 11 shtator.
Marre nga Zëri i Amerikës
Të qoftë e lehtë Andej, Astrit Lulushi…
nga Faruk Myrtaj
(Ngushëlime Familjes, bashkëshortes Ilirianë, miqve, lexuesve të tij)
“Me në fund zbrita edhe unë në Tokën e Premtuar, zbrita ne Neë Jersey, Astrit! Paskemi qenë kaq afër!” – i shkrova, në Korrik të 2013.
Menjëherë m’u gjegj: Më thuaj ku, kur, si do të takohemi…
Ishim shkruar me njeri-tjetrin, në rrjetet online, Astriti dinte të gjendej kur të duhej ty, o njeri, mjaft të ishe i vërtetë me të, mjaft të bëje përpjekje ta njihje e të kuptoje botën, njeriun dhe ta falje edhe kur nuk bëje dot më të mirën…
Enciklopedi ishte, në dijen për nga qasej, si enciklopedist iu ofrua lexuesit në shqipen e bollshme, pasi bletëronte dhe e kthente në nektar prej tërë kulturave të botës…
Nuk e pati të lehtë… la tërë ç’kishte pas vetes dhe çau detrat për të arritur si fat të parashkruar, mbase, në Tokën e Premtuar që e bëri Zë të Veçantë Amerike për Ditarin e Shqiptarëve kudo që ishin…
Nuk është kollaj të arrish në Amerikë, dhe as të mbijetosh aty…
Unë vetë, mezi e ujdisa një vizitë, dhjetë vjet pas arritjes në Toronto Canada (ku e di njeriu se ç’tokë i premtohet në këtë jetë?!) dhe Astriti me priti te Metroja e Uashingtonit.
U përqafuam aq natyrshëm sa na dukej se bashkë kishim qenë edhe në jetët e mëparshme edhe pse nuk do shiheshim më…
Atë ditë, na gjeti aty Betim Muço, ndjesë pastë, me familjen e tij. Sapo dëgjoi në bisedë për problemin e fëmijës së Astritit (të cilin edhe unë aty e dëgjova – nuk ndante trishtim Astrit Lulushi) gati më “urdheroi” se do shkoja me ta. Më tepër akoma: e morëm edhe Astritin me vete dhe shkuam në një pikë të bekuar, prej vërteti turistike, por ku kishte edhe disa monumente të paharrueshme dot për mbijetesën e Njeriut.
Bëmë edhe disa foto-rasti: tek e fundit kjo është jeta, një lloj drame, të cilën bëjmë mirë ta luajmë me sa më shumë buzëqeshje…
Të qoftë e lehtë Andej, Astrit…!
Marrë nga Muri i Fb, i Faruk Myrtaj, 5 shtator 2024