back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Si mundën të na jepnin aq mirë kohë, kur donin t’i linin pa kohë aq keq? – nga Visar Zhiti (Përsiatje e pakët për Mitrush Kutelin e Bilal Xhaferrin, me shkas dy libra të tyre)

Gazeta

Visar Zhiti 2024
Visar Zhiti 2024
Si mundën të na jepnin aq mirë kohë, kur donin t’i linin pa kohë aq keq?
nga Visar Zhiti

Përsiatje e pakët për Mitrush Kutelin e Bilal Xhaferrin, me shkas dy libra të tyre

Kur kthehesh në qytetin tënd, ashtu siç ke mall për rrugët dhe miqtë e atëhershëm, brenda në shtëpi të kap edhe një mall tjetër, për ca libra që i ke dashur dhe ke dëshirë t’i shfletosh, nuk i gjen më, të kanë humbur, të kanë dhënë shumë, kërkon më shumë se sa në raftin e vjetër, në kujtesë…
Ja, gjeta novelat “Në një cep të Ilirisë së poshtme” të Mitrush Kutelit dhe romanin “Ra Berati” të Bilal Xhaferrit. Ç’duan të më thonë prap? Po tani duhet të them unë diçka për ta, se ata na thanë dhe na dhanë shumë. Po ja, që edhe librat kanë fatin e tyre ose mos fatin si autorët.
Mitrush Kuteli, rrëfimtari magjepsës i shqipes, i dëgjoja dhe zërin e asaj që lexoja prej tij.
Bilal Xhaferri po ashtu tregonte bukur, me një romantizëm real, që mungonte në letra.
Si shkruajtën ashtu?

Mitrush Kuteli "Në një cep të Ilirisë së Poshtme"
Mitrush Kuteli “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”

Si e krijoi atë jetë ilirike Kuteli, si e shpiku mrekullisht, kur mungonte shumëçka për atë kohë, përveçse ca emrave, luftrave e datave historike? Po Bilal Xhaferri me kohën e Skënderbeut ku e gjeti atë përditshmëri arbërore, kur vetëm kronikat turke diheshin që ishin tutje në Stamboll apo në Vatikan për rrethime kështjellash e vite masakrash e kryengritjesh, kur mbrohej Europa e Shqipëria e mbyllur si burg ishte pa Europë, por me një diktaturë të çmendur.
E kush e linte Mitrush Kutelin apo Bilal Xhaferrin të dilnin jashtë vendit, te shkonim bibliotekave të mëdha apo arkivave? Ata dhe brenda vendit keqtrajtoheshin.
Mitrush Kuteli kishte kërkuar “leje krijuese”, siç thuhej atëhere, për të shkruar një roman për Ilirinë, nuk ia dhanë, çështje biografie, se ai kishte qenë në burg politik, etj, etj, kur “leje krijuese” ndodhte t’u jepej dhe gjoja ca letrarëve që zhgrapsin vargje për partinë e luftën e klasave, që llapaqenërojnë dhe sot.
Po si i shkruajti Kuteli tregimet ilirike, që mundën të botoheshin një dekadë pas vdekjes së tij, aty nga viti 1983?

Ra Berati - Roman nga Bilal Xhaferri
Ra Berati – Roman nga Bilal Xhaferri

Ndërsa Bilal Xhaferri ishte çam me baba të pushkatuar nga regjimi, punëtor krahu, që iu ndalua dhe botimi dhe mundi të arratisej, mërgoi në SHBA. Që andej në vitin 1971 nisi për në Prishtinë, që ishte nën Jugosllavi, romanin “Ra Berati” me shpresë se mos e botonin atje, por jo, hall tjetër ky, por duhej të binte perandoria komuniste dhe diktaturat e saj, duhej të vdiste dhe autori, që ai roman të dilte në dritë pas më shumë se 30 viteve. Me një si ndjesë, që në Prishtinë dhe dinë ta kërkojnë, por jo në Tiranën e tiranëve…
Që të dy ata shkrimtarë, ndryshe nga Realizmi Socialist që sundonte, mes pengesave dhe persekutimeve, krijuan kohë të madhe, nga ajo e humbura e kombit, ilirike dhe arbërore, që s’gjendej. E kam fjalën për kohën letrare. Po ku e morën? Si? Vërtet kush ua dha atë frymë të mistershme? Nuk do mjaftonte vetëm talenti i padiskutueshëm. Por një fuqi siperane, divine, u besoi atyre kohë, kur koha i linte pa kohë.
Ishte epoka e pamëshirshme e bronzit heroik të socializmit real, pa asnjë heroizëm, kryeneçe si bronzi, që s’donte ta ndjente mishin dhe gjakun njerëzor, madje e aftë të thyente kocka jete, por ka dhe mbarime, përmbysje dhe ndryshime siç ka dhe revanshe egërshane të asaj që s’do të ikë, ndërkaq tani janë në bronz në qytetet e tyre Mitrush Kuteli në Pogradec dhe Bilal Xhaferri në Sarandë, por bronzi është tjetër, është ai i kujtesës.
Do të doja të çoja lule në statujat e tyre, por nisa më parë këto fjalë.

Visar Zhiti, 14 shtator 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.