Daragjatët, shkodranët e famshëm
që sollën fabrikat e para në Shqipëri që në 1860-ën
dhe rrënimi i tyre nga komunistët…
nga Dashnor Kaloçi
Sipas dëshmisë së Henrrik Daragjatit, një nga të parët e më të njohurit e kësaj familje të vjetër shkodrane, ka qenë Ndoc Pjetër Daragjati, i cili u martua me një vajzë të re bashkëqytetare të tij, që quhej Luke Ndoca, e cila rridhte nga familja prej së cilës ka marrë emrin e saj rruga e vjetër Ndocaj. Nga ajo martesë atyre u lindën tetë djem, të cilët u quajtën: Pjetër, Gaspër, Nush, Ndrekë, Kolë, Gjon, Zef dhe Lazër. Ndonëse Ndoc Daragjati nuk kishte bërë për vete ndonjë shkollë të madhe, ai u kujdes për arsimimin fëmijëve të tij. Kështu, të tetë djemtë e Ndoc Daragjatit, fillimisht u shkolluan në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës, i cili në atë kohë ishte një nga kolegjet më të famshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
I madhi i fëmijëve, Gjoni, ishte një ndër gjashtë nxënësit e parë të qytetit të Shkodrës i cili kishte mbaruar shkollën e parë (të mesme) Tregëtare që ishte hapur prej italianëve në atë qytet që në vitin 1900.
Vëllai tjetër, Kola, i cili që në moshën dhjetëvjeçare u dërgua për të studiuar pranë Kuvendit Franceskan të qytetit të Breshias në Itali, nuk pati fatin të jetonte gjatë pasi vdiq fare i ri. Kolë Daragjati shkruante vazhdimisht poezi dhe kishte pasion të madh letërsinë.
Shtëpia e vjetër ku ka banuar prej kohësh familja e Ndoc Pjetër Daragjatit, ndodhet edhe sot aty në rrugën e Gjuhadolit dhe ajo është një shtëpi tipike shkodrane e ndërtuar me një arkitekturë të stilit të vjetër ku bie në sy porta kryesore e saj që është ndërtuar që në vitin 1896. Po kështu në ambientet e brendëshme të saj bien në sy, çardaku, parmakët e drurit, qypi, lug prej guri etj.
Para 100 vjetëve të shkuara, ajo ndërtesë karakteristike shkodrane u transformua duke u kthyer në stilin e kohës. Që asokohe dhomat e saja kanë qenë të gjitha të zbukuruara me oxhakë dhe tavolina të rrumbullakta e të gdhendura me mjeshtëri me mozaikë të veçantë, rafte me pasqyra të mëdha e me zbukurime artistike, si dhe poltrone që ishin blerë në Venedik. Po ashtu në muret e saj rrinin të varura, pasqyra artistike, fotografi, piktura, kobure dhe kandila të bukur e të mëdhenj të varur si llampadarë. Në tangarin prej bronxi e më një punim të rrallë artistik (mangallin e prushit) që është blerë në Turqi dhe është përdorur nga ajo familje prej dhjetra vjetësh, shkruhet: “Hanem Hatixhe, gruaja e të ndertit Hasan Pasha 1871” (i përkthyer nga i ndjeri Hamdi Bushati). Ajo shtëpi karakteristike shkodrane, u dëmtua lehtë nga bombardimet që u bënë mbi qytet në vitin 1913, kur Shkodra gjendej e rrethuar nga ushtritë serbo-malazeze. Aty nga viti 1923, oborri i shtëpisë ishte zbukurua me një pemë kaki që u soll nga jashtë në një fuçi me dhe. Në atë kohë ajo pemë u quajt “Molla e Adamit”, pasi jepte fruta gjithnjë. Pamje të jashtëme e të brendëshme të mjediseve të kësaj shtëpie kanë qenë të fokusuara që para 100 e sa vjetëve nga fotografët e njohur të familjes Marubi dhe në Fototekën e saj janë ruajtur një numër i madh negativash nga kjo familje.