back to top
19.5 C
Tirana
E martë, 22 Tetor, 2024

Paç Bekimin e Zotit, Përqafimin e Engjujve dhe Dritën e Parrizit, Nana jeme! – nga Tef Prela

Gazeta

Agetina Prela - Daragjati dhe Tef Prela
Agetina Prela – Daragjati dhe Tef Prela
Paç Bekimin e Zotit, Përqafimin e Engjujve dhe Dritën e Parrizit, Nana jeme!
nga Tef Prela
në kujtim të nanës time Agetina Prela – Daragjati,
me rastin e 30 vjetorit të vdekjes

Çdo humbje jete asht dhimbje, pikëllim, kujtesë, përmallim për shokët, miqtë, të afërmit e tjerë, por mbi të gjitha humbja e nanës kalon çdo kufi. Ajo të ka dhanë pikërisht atë jetë, që dhurohet vetëm nji herë.
E pra, para 30 viteve kjo nanë, Agentina Daragjati Prela, mbylli sytë përgjithmonë për t’u bashku atje nalt me engjujt e Parrizit.
Nuk ishte nji vdekje e lehtë për të, mbas shumë sakrificave jete dhe mbas nji paralize 10 vjeçare që e gozhdoi në shtrat tue vuejtun, por me dinjitet, qetësi, pa u ankue e vajtue e përherë me dashni e ambëlsi, tue ju lutë Zotit për gjithçka.
Po kush ishte Agentina Daragjati – Prela?
Ajo u lind në Shkodër nga prindët Gaspër Daragjati, nji tregtar fisnik e i ndershëm, dhe nga e ama Angje bija e Shan Dedës, patriot i vyer që Gjergj Fishta, i kushton shumë vargje te “Lahuta e malcis”.
Agetina po ashtu si e motra Cesarina, shpalos talentin e saj për muzikë e sidomos pikturë që në moshën e fëminisë. Baba i saj i nxitun nga kto dhunti i angazhon mësime private nga piktoret e njohun Kol Idromeno e ma vonë Simon Rrota, tue i dërgue edhe në kurset të specializueme në Kroaci.
Qysh herët Agetina prezanton arritjet e para tue pikturue pejsazhe, portrete, natyre morte e tjera të cilat ruhen akoma sot te shpia e vllait tim Leonardi.
Agetina regjistrohet edhe në shkollën stigmatine të vajzave në Shkodër, e cila ishte një universitet i vërtet për formimin kulturor, përfshi letërsinë, filozofinë, matematikën, muzikën e gjuhët e hueja. Mjafton të përmendin profesorat e kësaj shkolle, ai i letërsisë Padër Gjergj Fishta, i filozofisë Anton Harapi, apo i muzikës Martin Gjoka (mësues i Prenk Jakovës). Agetina ishte nxansja eksellente me diftesën e pjekurisë me të gjitha notat njish, dëftesë që e ruej me fanatizëm edhe sot. Nana gjithnji lexonte shqip, frëngjisht e italisht, po ashtu pikturonte pa lanë mbas dore punët e detyrimet familjare. Ajo kishte edhe nji vesh muzike të përpunuem, gja që e detyrojnë babën Gaspër, që të fillojë mësimet e pianos, madje nji pianoforte ja jep në pajen e saj. Martohet me zotni Tonin Prelën, i cili mbasi kryen studimet e mesme e të nalta në Bari e Trieste laurohet ndër 9 ekonomistat e parë shqiptarë për ekonomi-comercio.

Deftesa e Agetina Daragjati - Prela
Deftesa e Agetina Daragjati – Prela

Pianofortja në familjen tonë na ushtroj dhe edukoj pasionin për muzikën që u ba edhe hobi i im primar.
Andrra ime mbas mbarimit të shkollës së mesme ishte muzika!!!
Por nuk që e thanë kurrë!!! Nuk ishte privilegj, madje e pamundun të zgjidhje degë me preferencë! Mbas shumë përpjekjeve, falë mikut të familjes tonë, profesor Cancos, arrita të fitoj nji të drejtë studimi (por jo bursë) në degën gjuhë ruse. Megjithëse plotsoja të gjitha kriteret ekonomike.
Këtu fillon dilema e madhe e familjes.
Duhej shlye pagesa për 4 vite shkollë të naltë. Koha nuk priste! Nana ime mbas konsultimit me babën vendosin të shesin pasuninë ma me vlerë: pianoforten. Vendim sa i vështirë po aq i dhimbshëm…
Kujtoj daljen e pianofortes nga shpia si nji arkivol dhe vajtimin e nanës e temin. Lamtumirë hobi im i dashur!!
Falemnderit nanës Agetine për sakrificën sublime.
Më linde, me rrite, me shkollove, me sjellje, edukatë, kulturë qytetare, gjuhë të hueja etjerë. Mbasi mbarova shkollën, u diplomova fillova punën si mësues pa harrue asnji herë deri në ditën e vdekjes, të ndaj diçka prej të ardhunave të mija modeste për nanën që shpenzoj aq shumë për shkollimin tim.

Agetina Daragjati dhe Tonin Prela
Agetina Daragjati dhe Tonin Prela

Krahas punës, fillova një hobi të ri: sportin si gjyqtar futbollit. Këtë dëshirë ma injektoi edhe baba im, Tonini, nji dashamirës i pasionum i futbollit Italian. Shpejt ngjita shkallët në arbitrimet superiore. Nana ime edhe pse e sëmunë me inkurajoi edhe në këtë fushë duke pa në televizor çdo ndeshje timen. Filluan pengesat edhe për mue, që nga letrat anonime, kthimet nga avioni, deri në mohimin e titullit si arbitër ndërkombëtar. Megjithatë, opinioni sportiv e qytetar më vlersuen gjithmonë për ndershmëri e dinjitet. Edhe nana ime, si pjesë e këtij opinioni me inkurajonte. Në fundin e viteve ‘90, kur demokracia po afronte arrita me dalë jashtë shtetit, në Turqi e Itali. Nanës time i rrëshqitën lot gëzimi.
Këtu nis dilema e dytë!
Në nantor të vitit 1990, përgatitem të shkoj në San Marino. Po afronte fundi i karrierës time. Para se të nisem, takohem me nanën në shtratin 10 vjeçar, e cila pasi më përqafon më lutet që të qindroja atje te njerzit e dajës, me mundësi tërheqjen e familjes.
Unë, mes lotëve dhe bekimit të saj pa mendue gjatë i përgjigjem: “Kurrë nuk qëndroj, nuk mund të la ty kështu dhe bile sa të kthehem po të sjell nji borsë elektrike për lehtësimin e trupit tand. Insistimet a saja nuk e kthyen vendimin tim dhe dilema u mbyll. Aspak nuk u pendova dhe mbasi i solla borsën elektrike.
Nana me lot në sy mbasi më përqafoj njashtu e sëmunë randë me paralizë disavjeçare m’u drejtue me kto fjalë:
“Falemnderit biri im, që asnjiherë nuk më harrove. Zoti ta priftë mbarë!!!!
Edhe un kam ruejtë nji kujtim për ty e fëmijtë tu… dhe më dhuroi në versionin italisht, librin “Cuore” të De Amicis. Le të jetë nji manual me vlerë educative, nji udhërrëfyes për mbarvajtjen e jetës familjare!
Mbas 4 muejve, nana ime e mirë që nuk kursej asgja për mue, mbylli sytë në amshim.
Para se të vdiste në muejt e fundit e pyeta: “Çfarë dëshire ke nanë?!” Ajo që a pëlqente shumë muzikën m’u përgjigj: “Të ndigjoj këngët melodioze të Modugnos dhe të Gagliardit…” Unë lajmërova mikun tim të ndjerë Rrik Cefa, që i imitonte perfekt kto dy kollosa. Pasi kënduem së bashku me kitarë “Come le viole”, “Io ti amo cosi”, “Dio come ti amo”, “Volare” e tjera, nana Agetinë e kënaqun e me lot ndër sy na përqafoj me mall të dyve!
Kush nuk ka shkrue për nanën! Kush nuk ka këndue për Nanën! Nga kanga e vjetër Mamma, prej Pavarotit e deri te legjenda Charles Aznavour…
Jam në Amerikën a largët, falë urimeve tueja. Lutem për ty nanë e dashtun kudo: në kishë, në familje, në evente festive.
Porosis shokët e miqtë që ta zbukurojnë herë mbas here sado pak vorrin tand!
Mbetesh nji ikonë e shejtë e pazevëndsueshme nana ime e shtrenjtë Agetinë.
Paç Bekimin e Zotit, Përqafimin e Engjujve dhe Dritën e Parrizit, Nana jeme!
Të puthi e të përqafoj i përlotun e i përvuejtun.
Djali yt Tefi

Marrë nga muri i FB Tefë Prela, 25 prill 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.