back to top
8.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Poetët që nuk bërtasin – nga Zhaneta Barxhaj

Gazeta

Zhaneta Barxhaj
Zhaneta Barxhaj
Poetët që nuk bërtasin
nga Zhaneta Barxhaj

Në kohën e luftës dhe urisë për vëmendje, në të cilën jetojmë, ka edhe nga ata që refuzojnë të jenë pjesë e arradhës brohoritëse nën prozhektorët e delirit. Këta janë shpesh ata më të vërtetët, që e ngjyejnë penën liqeneve të fshehura të qenies dhe e derdhin në letër. Ashtu të ajërt, të butë, pa britma.
Alfons Zeneli është padyshim një nga penat që shkruan kësisoj, që end lehtë shpirtin mbi letër dhe depërton thellë në shpirtin e lexuesit, duke e tronditur në qoshet më të errëta, në skutat më të fshehta.
Këto rreshta nuk po i hedh si një analizë e mirëfilltë profesionale, se kjo kërkon një kohë dhe hulumtim të caktuar, por po hedh disa mendime në rolin e lexuesit. Dhe lexuesi “ka gjithmonë të drejt딑.
Poezia e Alfonsit ka disa veçori krejt origjinale, mbështjellë me rrjetën e mëndafshtë të një shpirti poetik të pasur.
Së pari, dua të veçoj gjuhën në shkrimet e tij. Shqipen e gjen të gjithën aty, të plotë, të ëmbël në gjithë dimensionet e saj, dialektore dhe letrare. Një model atipik i shkrirjes me përsosmëri të gegnishtes me gjuhën letrare, duke e bërë një model unik në atë që themi “gjuha na përket të gjithëve” .
Me natyrshmëri di të ngërthejë në vargje ndjesitë dhe gjuhën, si të jetë duke luajtur me kuba. Kështu shkrihen krejt bukur brenda poezive fjalët shqip, që si në dialekt si në gjuhën letrare të godasin fort.

*
Vizatojnë fishkëllimat
hiret e verdhë të këngës.

*
Buz’qesh,
lulo dikund
atje ku malli
pëlcet prej kangëve t’mija.

*
N’fakt nuk isha tuj mendue asgja.
Isha nji letër e ngrime n’ajër

Në pamje të parë poezia e Alfonsit, buis në shtratin e një lloji të veçantë të lirikës moderne, ku hasen pafundësi ndjesish si; malli, mungesa, dashuria, vetmia, dhimbja, erotikja, etj. Të gjitha këto ndjesi vinë nëpërmjet vargjeve të qëmtuara nga thellësitë më të fshehta të shpirtit dhe ndërgjegjes njerëzore. Këto janë ndjesi që gjendet shpesh te shkruesit, por ajo çka e bën unike në poezitë e tij është orgjinaliteti për t’i shprehur dhe përcjellë ato te lexuesi, se gjithçka është thënë tashmë në këtë botë, por ajo “si”, bën diferencën dhe e ngre në art.
Ja disa vargje;

*
Ndiqeshin dy yje
nëpër qiell
shoq me shoq.

Më ra njëri përmbi mall
edhe u dogj.

Një natë midis
…..
Largësia
lëpin plagët e saj të verdha.
Njëmijë e një net pluskojnë
si lotus,
pikojnë si lot
dhe faqeve çelin
lulet vrastare të mallit.
………
Është natë e ngulur
thellë këngës që nuk këndohet.
……..
Ma hidh natën tënde supeve.
Këtu bën shumë ftohtë.

*
U çilën lulat n’trishtim
e n’trishtim
ia ngjitën vetvetes dy buzë
prej qeshjes tande.
Kaq u desht
me krijue bjeshkët e pathana e t’namuna thellë meje.

*
……
Dhe brenda saj më pi të gjithin
të dehet dhimbja që nuk dhemb
të bëhem tis i kaltër nate
mbështjellë çarçaf rreth trupit tënd.

*
…….
Kur të ikësh
mos më thuaj lamtumirë.
Ma tund vetminë tënde
si shami.

Alfons Zeneli në një botim poetik
Alfons Zeneli në një botim poetik

Kët natë n’ty
…….
Te letra t’pata shkrue nji zog
bash si ata
që piklojnë dimnin me trisht.

Njikta zogj kan’ me m’varrosë
kur t’mos vish.

Siç shihet edhe në pjesët e shkëputura, në poezinë e tij do të hasim shpesh fjalët kyçe si: zog, trisht, dimën, hëna/hana, kujtim, pritje, ajër, harrim, dhimbje, lot, lule, varr/vorr, dhe Sy, ka një pafundësi sysh.

*
Skelet i drunjtë me degët e thara trishtim
i nderë në oborr të syve tanë
tremb shikimet, prekjet, zogjtë e kuq të puthjeve.

*
Më jep pak sy, pak trup, pak buzë
ma spërkat ajrin me afsh dashni.
Të të jap qiell, lëkurë dhe duar
dhe një gotë – zemër ta kesh veç ti.

*
Nuk ka se si të mos jem
syri i verbër i saj,
shurdhëri kokëfortë
e dashuruar pas heshtjes

*
Prej syri e në sy
e prej vjeshtës në vjeshtë
rrëmiha pa ndalë.

*
Unë t’mendoj ty.
Nata del me lypë
sytë
e ftyrës tande.

*
shikime t’vagullt m’u thyn
tuj shkue përmas syve.

Syri është një fjalë kyçe që e gjejmë më së shumti, çka të jep përshtypjen se vetë poeti është një sy i madh, që sheh e rrëmon në shpirtra si askush në atë mënyrë. Sheh me shpirtin majë gishtave, dhe të përshkruan lehtë lëkurën si eter, për ta ndier gjer në asht çdo ndjesi që ujëton shtratin e poezive të tij. Aq sa mendon se nuk sheh me sy, por me gjak, me shpirt, me një dhembshuri të skajshme, gati hyjnore.
Ajo që bie në sy gjithashtu, është një dhimbje e ëmbël, therëse shpesh, që shtrihet në gjithë dimensionin e krijimtarisë së tij, sa të thotë mendja se është poeti i dhimbjes dhe mallit që pret në pritjen e përjetshme të largësive. Një trisht joshës që ndehet tej e tej, të bën ta dashurosh paradoksalisht trishtimin. Nga të paktët që ka arritur ta bëjë dhimbjen të dëshirueshme, që padashje të përcjell një lloj “sadizmi” sa të bën të mendosh “vuaj o njeri, që të mund të shijoj vargjet e tua”, ose “zot ma jep një dhembje kaq të bukur”.
Kjo ndjeshmëri të mahnit, gjetjet e befta të shpien në shumë qiej e të përplasin përtoke nëpërmjet figuracioneve, simboleve e metaforave që të hyjnë si helm në gjak e të dehin.

*
Atëherë nuk do ketë më
këngë që shkulen si zemra
nga gjoksi i kitarës dhe të zbukurojnë ty,
të stolisin ty, me telat e tendosur të pikëllimit tim.

*
Jam gjaku i helmët i natës,
shije e idhët
në gjuhën
me të cilën ajo
lëpin plagën time.

*
Shtatë pash nën shpirt të futa
e dhimbja prap
mbiu e bukur.

Baladë e heshtun

Dit’n e parë
e Hana u zbeh e m’lyu
me trishtim,
m’vari n’qafën e saj
për me i pasë fjalët e tua
si kujtim.
………….
Dit’n e gjashtë
m’the asht e shtuna.
E shkyeme prej ikjes tande asht tuj ardhë
si kumt e gjamë për nji tjetër fat.

Alfons Zeneli
Alfons Zeneli

Por krahas dimensionit të ndjesive të holla, poezitë mbështillen herë me një vesk filozofik duke përdorur simbolet biblike apo universale, ekzistencialist që rrëmon në vete pa frikë, pa delire, por me thjeshtësinë e të qenit njeri, apo atdhetar, pajisur me shqisën e shtatë për të dashur dhe kujtuar brengat dhe dhimbjet e historisë. Të gjitha këto i japin formën e një zhanri krejt unik dhe origjinal, sa është e pamundur të hasësh vargje të Alfonsit e mos ta gjesh autorin.
Ja disa vargje në këtë frymë:

Krijim

Dikur mbretëronte bukur errësira:
s’kish yje, s’kish vdekje dhe prandaj
paqja ishte e vetmja gjurmë jete
që klithte vetmas veç himnin e saj.

Atëherë nuk kish mure me hije të kuqe
as murg plot me lutje lidhura në fyt.
Brenda trupit tim ende nuk qe rritur
druri prej të cilit u bë kryqi yt.

*
Ndonjë ditë
do zbrazet planeti,
si postapokalips do ngjajë e mjerë gjithçkaja,
do digjet shpirt’i fshehur ndërgjegjesh të zymta,
për një gotë ajër, për një frymë floku,
për një puthje plot verë…

Çamëri

Dhimbje e përkryer
vizatuar në trup nga era,
udha nxin si varr i gjatë.
Foshnjet, vallen apo ullinjtë?
Kë të varrosësh më parë këtë natë?

E se ku ike, ku je askush s’e di
ende e mbirë një luleplagë mbi ne
në trajektoren e përjetshme t’udhëtimit
nga njëri Atdhe në tjetrin Atdhe.

*
Dit’n katërt
u tha etit e enjtja n’gji t’nji kange,
e lulë mas lule po don me dekë
secila pranverë.
Oh dhe vorrtarët paskan dekë
e vorret s’ka kush me na i çelë.

*
Trupi i vogël i gëzimit
dergjet shtrirë
mbi tokën e zezë të natës.

Të më thotë dikush
si mund të dalë kaq shumë gjak
nga trupi i tij i pakët?

*
Doemos që jam trajtë e turbullt,
i mpiksur si gjak në fytyrën e natës,
i etur, i uritur që kafshon vetveten
të kapur nga vetvetja e zhytur në faj.

Nata kacafytet me ëndrrat e mia…
Jam makthi çlirimtar i saj.

Poezitë e kësaj natyre e bëjnë më të plotë dhe shumëdimensional profilin e tij si poet. Por më së pari në to gjendet fryma e një shpirti të brishtë, që end me shumë elegancë gjithë dashurinë dhe mirësinë për njeriun. Edhe pse këtë e bën duke ngacmuar plagët, dhimbjet, heshtjet, dashuritë, ndërgjegjen. Gjithçka që fsheh e mbart bota e madhe e vogël, e të qenurit njeri, do ta gjejmë të shpalosur e të bërë fije-fije në poezinë e Alfons AL Zeneli, poetit që nuk diti të bërtasë kurrë. Por në avlëmendin e tij, thur e thur me modesti, i patrazuar, i pandikuar, vargjet më të bukura.
11 tetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.