“Kulla me Karakoll”, Kokdode, Pukë
nga Jaho Brahaj
Kur Edit Durham, kaloi më 1908-n në këtë fshat të Pukës do t’i bënte përshtypje një banesë tepër e veçantë. “Është banesa më interesante që pashë në Shqipërinë e Veriut”, – do të shprehej studiuesja angleze për banesën-kullë në fshatin Kokodë të Pukës që fatkeqësisht sot përbën ekzemplarin e vetëm të këtij tipi banese në Shqipëri
Në Shqipërinë e Veriut deri para disa viteve ruheshin tre banesa të quajtura kulla me karakoll. Karakolli ishte një ndërtim një kat më i lartë se ambientet e banimit me perimetër të vogël, i pajisur me frëngji dhe shërbente vetëm për mbrojtjen e banorëve të kësaj banese. Në Shqipërinë e Veriut njëra prej këtyre banesave u përmbyt nga liqeni i Fierzës në fshatin Dardhë të Pukës. Tjetra në rrethin (krahina) e Hasit do të rezistonte, por pa mundur të ekzistojë deri më sot.
E vetmja “dëshmi” e kësaj lloj banese është në fshatin Kokdodë të Pukës.
E braktisur nga banorët e saj që prej shumë vitesh dhe e harruar nga institucionet shtetërore, banesa-kullë është në prag të shkatërrimit total edhe se çatia është tepër e dëmtuar. E ndërtuar në fillim te viteve 1800 ajo dallon tipologjikisht nga gjithë banesat-kullë të krahinës. Ndërsa interesi ndaj saj shtohet edhe nga mjeshtëria dhe mentaliteti i gdhendjeve të shenjave në gurët e qosheve të kësaj banese, të cilat ruajnë kode të lashta të jetës së banorëve të krahinës.
Kode që koha në shumicën e rasteve ne banesat e tjera të krahinës i ka zhdukur si shpagim edhe për indiferencën e njerëzve dhe mosdokumentimit.
* * *
-Kulla e Kokdodës nuk është e shpallur Monument Kulture asnjëherë.
Histori e gjatë: është propozuar që në vitin 1984, nga Muzeu Historik Pukë, por atëherë nuk u shpall pse nuk kishte rrugë të përshtatshme makine që të mirëmbahej dhe restaurohej.
-Ruhet dokumentacioni grafik, arkitektonik dhe fotografik i përgatitur nga Arkitekti-Studiues më i mirë i Arkitekturës Popullore Prof. Dr. Piro Thoma, që është bërë me interesimin e Muzeut Historik Pukë në ato vite.
-Due me kujtue e mos me ja harrue nderën Lush Kolës së Gralishtit, ku kemi bujtur atë natë, e jemi pritur fisnikërishte në ato vitë të vështira; Prof. Piro Thoma, skicografi Faruk Zarshati dhe unë.
Ndera nuk hupet dhe as nuk harrohet…
Marrë nga Muri i FB Jaho Brahaj, 28 shtator 2024