back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Gaqo Gogo – U lind në Ukrainë u diplomua në Berlin, po kontributin e tij e dha në Shqipëri, si pedagog në gjimnazet e vendit… – nga Dr. Iljaz Gogaj

Gazeta

Gaqo Gogo - Trupi me i bukur i sportit shqiptar 1933
Gaqo Gogo – Trupi me i bukur i sportit shqiptar 1933
Gaqo Gogo – U lind në Ukrainë u diplomua në Berlin,
po kontributin e tij e dha në Shqipëri, si pedagog në gjimnazet e vendit…
nga Dr. Iljaz Gogaj

Historia e panjohur e sportistit të gjithanshëm, që vdiq në mërgim

-Pse u kthye në Shqipëri mësuesi i madh i fiskulturës, që kishte lindur në mërgim dhe çfarë kërkesash kishte ai ndaj nxënësve për të ngjallur një traditë të re në sportin shqiptar?!
Me aftësi të veçanta cilësore fizike, i hijshëm në portret e impozant me trup atleti, që përngjante me skulpturat e artit të lashtësië, i përgatitur teorikisht e praktikisht në shkollë europiane me emër për fiskulturë e sport, me kulturë të përgjithshme të plotësuar dhe me sjellje fisnike, Gaqo Gogo, përbën një shëmbëlltyrë të pedagogut, sportistit dhe qytetarit shqiptar të viteve ‘30-të të shekullit XX-të. Bir i një familjeje të thjeshtë, u lind më 21 janar 1908, në Odesë (Ukrainë). Atje në mërgim, familjet shqiptare, ditën të ruajnë, të kultivojnë e të mbajnë gjallë shqiptarizmin. Prandaj pas Shpalljes së Pavarësisë, u kthye në Shqipëri për të ndarë të mirën dhe të keqen me bashkatdhetarët dhe për t’i dhënë dorën atdheut drejt mëkëmbjes, përparimit dhe begatisë.
Ishte një kohë që, siç do të shkruajë Gaqo Gogo më vonë, kur “të dukej sikur gjithë vendi vuante nga një lëngatë që s’mund të shërohej kurrë… po një virtyt i pavdekshëm i shqiptarit, fisnikëria e tij, na bindte në thellësinë e shpirtit ku fshihej e dremitur një fuqi misterioze. Ishte pra një besim në genin arbëror, i cili i bëri shqiptarët e mërgimit të mos humbitnin kurrë besimin dhe të ktheheshin për ta shkrirë jetën në trojet e të parëve”.
Në vitin akademik 1929-’30, Gaqo Gogo, kreu me sukses shkollën e lartë të Edukatës Fizike dhe të Sportit në Berlin (Gjermani). Ishte i vetmi shqiptar në atë institucion. Më 1 nëntor 1930, nisi punën si mësues i edukimit fizik. Në fillim në Liceun Kombëtar të Korçës, më vonë më gjimnazin e Tiranës, pastaj në gjimnazin e Shkodrës e, më tutje prapë në gjimnazin e Tiranës, duke dhënë me sukses mësimin e gjimnastikës për rreth 14-15 vjet.
Me përgatitjen e plotë serioze në një shkollë gjermane, me prirjet e shumanshme për sport dhe zellin për punë, arriti përfundime shumë të mira dhe hapi shtigje të reja, duke hedhur themelet e një tradite të vyer për zhvillime të mëtejshme në lëmin e sportit dhe të fizkulturës në Shqipëri.
Ishte shumë serioz e kërkues rigoroz në orët e mësimit dhe nuk para “shkrihej” me nxënësit, por me njohjen e saktë të secilit, me trajtimin e tyre psikopedagogjik, rreptësisht sipas meritës, me korrektesën e tij të njohur “alla gjermane” dhe mbi të gjitha me shembullin e gjithanshëm vetjak, mbeti gjithnjë i dashur dhe i respektuar për nxënësit dhe kolegët. Serioziteti i Gaqo Gogos, ishte i hijshëm. Ai rridhte nga sjellja fisnike e njerëzore, profesori Gaqo Gogo, nuk i fyente dhe nuk i poshtëronte kurrë nxënësit.
Me kërkesat e tij ekzigjente, lartësisht profesionale, mjeshtri Gaqo Gogo, nuk dilte asnjëherë kundër natyrës njerëzore të nxënësit, por i përmbahej ngarkesës dhe cilësive fizike të secilit prej tyre. Ishte aq i aftë, i përgatitur në sekretet “profesionale”, saqë edhe për çdo lëvizje dinte efektin fiziologjik e anatomik, si edhe psikik. Ai njihte mirë anën teorike të lëvizjeve, sipas veçorive të moshës.

Ekipi i Atletikes dhe Gaqo Gogo
Ekipi i Atletikes dhe Gaqo Gogo

Marrëdhëniet me nxënësit
Ai dinte të gjente shkakun përse ky ose ai nxënës, nuk e bënte dot këtë apo atë ushtrim, si duhej mbajtur trupi për të qenë në gjendje që të kryente me lehtësi e saktësi lëvizjet e ndryshme trupore. Nxënësve më të fuqishëm dhe më të aftë fizikisht, ua shkallëzonte ngarkesën dhe me punën e tij të durueshme dhe të palodhur, të mbështetur shkencërisht, u hapte udhën të ecnin gjithnjë përpara.
Në gjimnazin e Tiranës, me nxënësit më të mirë, kishte krijuar një grup atletësh të pagëzuar “trupi i hekurt”. Ky grup u bë një nxitës i fuqishëm për rendiment të lartë, sepse jo pak nxënës donin të merrnin pjesë në atë formacion. Aq më tepër që “trupi i hekurt”, nxitej me disa të drejta. Ai do të ishte në krye të çdo parakalimi dhe ngarkohej të ndërtonte ushtrimet komplekse dhe figurat më të vështira, por edhe më të bukura në manifestimet gjimnastiko-sportive.
Grupi kishte të drejtë të dilte në formacion me uniformë sportive duke kënduar. Kësisoj “trupi i hekurt” u bë dëshmi e asaj pune të frytshme që kryente mësuesi i aftë Gaqo Gogo, në të mirë të kalitjes së shëndetit dhe të bukurisë fizike të nxënësve. Në të njëjtën kohë, drejtazi ose tërthorazi, bënte një ndikim të ndjeshëm në emancipimin e jetës shoqërore shqiptare, në një kohë që kërkonte gjithnjë përmirësime.
Edhe pse e brengoste gjendja shëndetligë e disa nxënësve, ngathtësia ose ndonjë e metë fizike, ai nuk i sforconte dhe nuk i ndrydhte ata mbi mundësitë e tyre, por me durim u jepte ngarkesën sipas mundësisë që kishin dhe në të njëjtën kohë, i linte të lirë të ushtronin sportin sipas prirjes dhe dëshirës.
Meqenëse gjimnazi i Tiranës, në atë kohë kur nisi punën atje, Gaqo Gogo, nuk kishte palestër, në ditët me kohë të keqe, me shi e shtrëngatë, i mbante nxënësit në klasë duke u bërë biseda të ndryshme për probleme të edukimit fizik dhe të moralit. Bisedat i bënte tërheqëse se kishte njohuri për letërsinë dhe sidomos për historinë.
Mbi të gjitha, ai dinte t’u fliste nxënësve për dashurinë ndaj atdheut. U thoshte të ishin krenarë se atdheu i tyre ishte i vogël, por me histori të madhe. Kjo punë prej mësuesi atdhetar ia rriste gjithnjë prestigjin Gaqo Gogos në sytë e nxënësve dhe në tërë opinionin qytetar të vendit.
Për të bërë sa më të plotë programin e fiskulturës, duhej edhe palestra, prandaj me përpjekje këmbëngulëse arriti të sigurojë një dhomë relativisht të madhe në lokalin e gjimnazit ku sajoi një palestër. Me ndihmat financiare të mbledhura nga nxënësit, fondi i njohur në atë kohë “leku i nxënësit” dhe pak nga xhepi i tij, arriti të pajisë “palestrën” me disa vegla gjimnastikore.
Mësimi zhvillohej në kushte të vështira, gati gjysma e nxënësve rrinte priste radhën, se nuk e nxinte palestra, po mësuesi i përkushtuar kurrë nuk u dha dhe nuk u tërhoq nga vështirësitë. Punonte përherë me optimizëm. Këmbëngulës dhe energjik siç qe, mundi të sigurojë në shkollë edhe dushe, për larje pas stërvitjeve. Rregullat e higjienës ai i kishte rrënjosur mirë tek nxënësit.

Gaqo Gogo (1908-1991)
Gaqo Gogo (1908-1991)

Talenti
Gaqo Gogo, është i pari mësues shqiptar i edukimit fizik në kryeqytet që, për të vëzhguar ritmikisht dinamikën e zhvillimit fizik të çdo nxënësi, nisi të bëjë matjet e cilësive fizike, një punë kjo e mbështetur në baza shkencore. Të dhënat që u regjistruan brenda dy vjetëve (1931-1936) dhanë përfundime të lakmueshme për kohën.
Në vitin shkollor 1932-’33, të paktë ishin ata nxënës që mund të përfundonin garën e vrapimit 3000 m. Edhe ata që e përfundonin, e bënin për afër 17 minuta. Kurse pas dy vjetësh, në fund të vitit shkollor 1935-’36, mesatarja e kohës të çdo klase kolektivisht ishte 14 minuta.
Përveç kësaj, brenda nëntë muajve nga fillimi i vëzhgimeve, perimetri i kraharorit u rrit mesatarisht për të gjithë nxënësit në 4.2 cm. Me këto të dhëna, të cilat u publikuan në shtypin e kohës, Gaqo Gogo hodhi bazat e edukimit fizik eksperimental krahasues në Shqipëri.
Njohja e anatomisë dhe e fiziologjisë së njeriut e kishte bërë Gaqo Gogon që, hera-herës të kryente rolin e mjekut. Njihet fakti që babai i tij, Nisi, kishte vuajtur nga një paralizë dhe Gaqo me anën e masazhit profesional e kishte ngritur në këmbë dhe e kishte bërë në gjendje pune.
Siç dëshmojnë nxënësit e tij dhe nga shkrimet e ndryshme në shtypin e kohës, Gaqo Gogo, e kishte ngritur në art orën e mësimit të fizkulturës dhe organizimin e veprimtarive e të lojërave sportive.
Parakalimet e ndryshme të nxënësve dhe sidomos manifestimet tradicionale gjimnastiko-sportive të fundit të vitit shkollor, ishin tregues sesi Gaqo Gogo derdhte pa u lodhur tërë energjitë dhe aftësitë e tij, duke dhënë përmasa të festave të vërteta që bënin për vete nxënësit, mësuesit dhe shikuesit e shumtë të kryeqytetit.
Duke marrë shkas nga një manifestim i tillë dhe nga vetë përfundimet e publikuara të Gaqo Gogos si mësues i fizkulturës, gazetari Nebil Çika, do të vlerësonte punën e tij, kur do të shkruante në shtypin e kohës: “Gaqo Gogo, tregoi një dizajn në fushën e ‘Shallvares’ se ç’domethënë zotësia e vërtetë. Na provoi se me zotësi të tillë me vullnet e me përpjekje, mund të bëhen gjëra të cilat për Shqipërinë e sotme mund të quhen mrekullira”.
Në vazhdim duke u përpjekur të na japë profilin e personalitetit të Gogos, Çika shton: “Gaqo Gogo, i cili po e përsëris, formon një eksepsion në ‘shoqërinë’ e njohur të Dojçe kulturës, ka jo vetëm një edukatë me të vërtetë thellësisht gjermane, por edhe pasioni për të punuar për krijimin e një Shqipërie të re, për krijimin e tipave të denjë për t’u paraqitur shqiptarëve të rinj d.m.th., me kulturë kryekëput moderne, me ndërgjegje të lartë të misionit qytetëronjës…!”
Dhe për ta plotësuar më mirë figurën e Gaqo Gogos, ai do të shtojë: “Gaqo Gogo është një idealist. Ka vullnet dhe pasion që i japin zotësi dhe dinamizëm. Ai s’mendon rrogë të majme, s’mendon veshje të mirë, ngrënie e pirje zengjine, s’mendon fjetje në shtrat të butë…! Ai mendon si të rrisë zotësira fizike, i është dhënë me mish e me shpirt kësaj pune… Shqipëria prej elementësh të tillë do të bëhet e bukur, e fortë dhe e lumtur”.

Puna
Në punën e tij të suksesshme si mësues i edukimit dhe përgatitjes fizike të nxënësve, do t’i jepte dorë edhe fakti i rëndësishëm që ai vetë me të dhënat e shkëlqyeshme fizike, ishte një sportist i gjithanshëm. Ishte atlet, gjimnazist dhe luante me kënaqësi hendbollin dhe basketbollin. Në të vërtetë ai e bëri të njohur për herë të parë hendbollin në gjimnazin e Tiranës dhe më gjerë. Në lojërat me top nuk parapëlqente futbollin.
Ushtronte me elegancë tenisin në klubin “Nallbani” të Tiranës dhe ishte kënaqësisë ta vështrojë kur përshkonte me kalë fushat dhe kodrat përreth Tiranës. Notonte bukur në disa stile dhe shkëlqente me elegancë në ring si mundës dhe si boksier. Po mbi të gjitha, kishte të dhëna për atletikën dhe e ushtronte atë në çdo stinë. Nuk kishte asnjë agjent atmosferik që të pengonte Gaqo Gogon për të vrapuar.
Ushtronte rregullisht të gjitha llojet e vrapimeve, nga vrapimi klasik i shpejtësisë së pastër, deri te kërcimi me shkop. Ishte kampion dhe rekordmen i kohës në dhjetëgarësh, rekord i cili u thye pas Luftës më 1953. Sipas të dhënave gojore të bashkëkohësve, ka marrë pjesë me sukses në disa Olimpiada Ballkanike. Nga të dhënat e shkruara dhe të botuara të kohës del se në Olimpiadën e Sofjes (1934), mori pjesë në dhjetëgarësh, ku doli i pari në vrapimin 1500 m. dhe i shtati në përfundim të të gjitha disiplinave të dhjetëgarëshit.
Ai synonte për më shumë, jo vetëm për vete si sportist, por për të gjithë sportistët shqiptarë, kur në korrik të vitit 1936, po ndiqte Olimpiadën Botërore të Berlinit, kishte ndjerë dhembje që nuk kishte mundur të përfaqësohej edhe Shqipëria me një ekip. Por prap, nuk e kishte humbur shpresën kur do të deklaronte në një intervistë dhënë në shtyp pas kthimit nga Berlini: “… frymën e ndeshjes e kemi, por duhet një vullnet i fortë e djersë që të vazhdojmë deri në fund punën e angazhuar me anën e sportit për t’i arrirë qëllimit si përfaqësi olimpike”.
Përveç punës si mësues e si sportist, me përgatitjen e tij të plotë e të shëndoshë teorike, të përftuar në studimet e tij të zellshme dhe interesat e tij të gjëra që shkonin tej oborrit të shkollës, Gaqo Gogo dha një ndihmesë të dukshme me shkrimet të ndryshme në shtypin e kohës dhe njëkohësisht me broshura dhe libra të veçantë.
Në shkrimet e tij vërehet sa kultura e gjerë, aq dhe shqetësimi profesional për metodat e vjetra në mësimin e gjimnastikës në shkollë dhe për paragjykimet që nuk i jepnin sportit vendin e merituar në zhvillimin shoqëror e kulturor të popullit.

Gaqo Gogo - pjesë e Bllokut Indipendent
Gaqo Gogo – pjesë e Bllokut Indipendent

Patrioti
Pedagog i ditur dhe i talentuar, Gaqo Gogo, doli hapur dhe i vendosur kundër metodave ushtarake të komandimit në fiskulturës, të cilat e kishin origjinën prehistorike siç dëshmonte ai, nga kinezi Tang-Fu, 1000 vjet para Krishtit, të pasuar në kohën e re nga prifti suedez Ling (1776-1839) dhe që në Shqipëri, ishin futur nga oficerët italianë.
Sipas parimeve të përparuara, prej të cilave udhëhiqej Gogoja, lëvizjet e nxënësit në mësimin e fizkulturës, duhej të bëheshin me kënaqësi dhe prej secilit, sipas të dhënave natyrore të organizimit dhe në përshtatje me fuqitë e tij fizike.
Komanda sipas tij, çonte në humbjen e karakterit origjinal dhe të vlerës individuale të lëvizjeve që i detyronte nxënësit të bënin lëvizje automatike, të cilat jo vetëm nuk kishin efikasitet fizik dhe vlerë psikike, por çonin edhe në dëmtimin e personalitetit të ushtruesit. Në fund të fundit, tërhiqte vëmendjen e tij, ato shkonin në kundërshtim me gjallërinë e racës sonë.
Prandaj kërkesat e pedagogut Gaqo Gogo, do të shkonin larg, kur ai do të kërkonte që në Shqipëri të krijohej një gjimnastikë kombëtare e kontrolluar dhe e plotësuar prej eksperimenteve teknike të kulturës fizike të kohës.
“Ne nuk kemi nevojë që në shkolla dhe në kazermë të formojmë tufa për manifestime e paradë, – theksonte Gogoja, po kemi nevojë të formojmë shqiptarë me karakteristika burri që pasqyrojnë shkathtësinë, durimin, vullnetin dhe dinamizmin.
Gaqo Gogo doli prerazi dhe rreptë kundër normave të qëndrimit dhe të sjelljes së shumë mësuesve, të cilat dëmtonin mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe vetë personalitetin e nxënësit.
Prandaj do të shkruante në shtyp: “Urdhrat ‘mos qeshni’ ‘mos thërrisni’, ‘mos bërtisni’ dhe disa lojëra inoçente e komandimet duhet të zhduken”. Më tutje ai përmendi edhe ata mësues që jepnin komandë, duke qenë ata vetë të veshur me pallto e kollare të fortë.
I armatosur me mësimin e madh të Pestalocit që shkolla të merrej me zhvillimin e trupit me atë përkujdesje si merrej me zhvillimin e mendjes dhe të shpirtit, Gaqo Gogo, kërkoi reformimin e programeve të gjimnastikës në shkollat shqiptare. Në shkollat fillore, vërente ai, mësuesi nuk vështronte zhvillimin e trupit të të rinjve. Ata jepnin ushtrime të rënda, dhe të tilla që nuk ishin interesante dhe as dobiprurëse.
Në të njëjtën kohë, për të përmirësuar punën në këtë fushë, ai do të paraqiste nevojën për mësues të specializuar, por edhe inspektorë të posaçëm për edukatën fizike nëpër prefektura. Në përgjithësi, me kulturën dhe horizont të gjerë, parashtroi argumente shkencore e bëri analiza të plota për atë rol të rëndësishëm që luante sporti në ngjizjen e karakterit të moshave të njoma.

Libri i Gaqo Gogos - Gymnastike
Libri i Gaqo Gogos – Gymnastike

Në shërbim të propagandimit sa më të gjerë të fizkulturës, përveç mjaft shkrimeve në gazeta e revista, ai botoi dhe dy broshura, më 1935 “Ushtrohem çdo mëngjes” dhe më 1936, “Gjimnastikë”. Në to jepen normat elementare dhe programi ditor për cilindo që donte të ushtronte gjimnastikën e mëngjesit. Më vonë në vitin 1938, Gaqo Gogo, do ta ngrinte në një shkallë të lartë veprimtarinë botuese.
Në bazë të të dhënave historike që mblodhi, shkroi librin “Ngrehja e një Mbretërie, Zog i I-rë dhe populli i tij”. Ai shkroi një libër ku pavarësisht nga studimet e tij universitare në fushën e sportit dhe të edukatës fizike, dha prova për aftësi prej sundimtari dhe stilisti në fushë të sociologjisë dhe historisë.
Gjatë pushtimit fashist, arsimtarët shqiptarë, qenë në pararojën e qëndresës. Shkollat shqiptare të frymëzuara nga puna e shumanshme e mësuesve më të mirë, u bënë çerdhet e para të luftës për çlirimin e vendit. Gaqo Gogoja, bën pjesë ndër arsimtarët më aktivë të qëndresës dhe kundërshtimit të drejtpërdrejtë të organizatorëve italianë.
Ai nuk pranoi ndërhyrjen e tyre brutale për të përhapur idetë dhe praktikat fashiste në shkollë, posaçërisht në mësimin e fizkulturës dhe në veprimtaritë sportive me grupet e ndryshme rinore. Në fillim, si masë dënimi u transferua në Shkodër. Edhe atje nuk e rreshti veprimtarinë në mbrojtje të shqiptarizmit në shkollë. Më pas Gaqo Gogoja, u internua me mjaft arsimtarë të tjerë në kampet e përqendrimit të Italisë.
Pas Luftës, Gaqo Gogo e kaloi jetën në mërgim dhe i mbylli sytë në dhè të huaj, gjithnjë i brengosur për fatin e atdheut nën diktaturë.
Marrë nga Memorie.al

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.