Për të shtyrë kohën…
nga Qazim Muska
Takova sot, rastësisht, një mik që e kam edhe në fb.
-Kishe hedhur një poezi, – më tha.
-Epo e hodha! – i thashë me njëfarë modestie se ç’t’i thosha!
-Mirë bën, ma ktheu, shtyn kohën.
Mbas kësaj përgjigjeje mbeta i shtangur. Doja t’i thoja se poezia nuk është “të shtysh kohën”, por vendi nuk ishte për debat, as ai nuk mendova se do të ishte në gjendje të kuptonte shpjegimet e mia që kjo punë nuk është fare ashtu si e mendonte ai, përkundrazi, është një mundim i madh.
U ndava pa i kthyer përgjigje dhe në çast më shkoi mendja te gjithë ai fluks i madh poetësh e shkrimtarësh, sidomos te ai lumë pa anë e fund me poetë e poezi, që vijnë pikërisht ngase të marrurit me shkrimtarì e perceptojnë si shtyrje kohe. Vulgaritet dhe poshtërim më të madh s’mund të ketë… mendova. Arti vërtet është argëtim mes të tjerash, argëtim për lexuesin, por për një krijues të marrurit me art nënkupton një punë titanike, kulturë të gjerë e një sërë dijesh të përgjithshme. Përmbi talentin, patjetër. Dhe mbi të gjitha nënkupton përgjegjësi. Po, nënkupton përgjegjësi sepse të bësh art, sidomos të shkruash poezi, e cila është forma më e lartë dhe më e përsosur e ligjërimit gjuhësor dhe e mendimit, është pjesë e estetikës letrare, që sipas Brodskit, është nëna e etikës, dhe në etikë, po sipas Brodskit, jo çdo gjë është e lejueshme. Dhe duhet një përkushtim i tillë, të cilin, Heminguej, më një ironi fine, e përcakton kështu: “Të jeshë shkrimtar është gjë e lehtë, thjesht të duhet të nxjerrësh gjak nga gishtat duke punuar mbi tastierë”. Kësisoj, perceptimin e mikut tim që të bësh poezi do të thotë “të shtysh kohën”, e krahasova me një shtangist që ngre pesha me disqe polisteroli, e thënien e Heminguejt me një tjetër që ngre shtangë dyqindkilëshe. Mundi dhe koha e përgatitjes për të dy rastet kuptohet lehtë. Dhe për ta mbyllur me Tomas Man, duke besuar se këto tre mendje të mëdha të letrave botërore do të mund t’ua mbushin mendjen atyre që shtyjnë kohën me poezi dhe me letërsi, kur thotë se “një shkrimtar është dikush për të cilin të shkruarit është shumë më i vështirë se sa ç’është për njerëzit e tjerë…” Veçse duhet të dish ta kuptosh edhe ironinë se, pastaj, jemi mirë këtu ku jemi.
Marrë nga Muri i FB, Qazim Muska, 17 tetor 2024