back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

At Shtjefën Gjeçovi meriton më shumë! – nga Frank Shkreli (150 vjetori i lindjes)

Gazeta

Shtjefën Gjeçovi (1874-1929)
Shtjefën Gjeçovi (1874-1929)
At Shtjefën Gjeçovi meriton më shumë!
nga Frank Shkreli
(12 Korrik 1874 – 14 Tetor 1929)

“Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, po pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër, i patën prej etërve tanë, Pellazgëve…” (At Shtjefën Gjeçovi)

Statuja e At Shtjefën Gjeçovit në Zym
Statuja e At Shtjefën Gjeçovit në Zym

At Shtjefën Gjeçovi – klerik shqiptar françeskan, shkrimtar, publicist, përkthyes, etnograf dhe arkeologu i parë shqiptar. Më 1929, për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, arsimore dhe kulturore u vra nga serbët në Kodrën Rrezin të Zymit të Hasit të Thatë. Viti 2024 do duhej të ishte shpallur vit kushtuar At Shtjefën Gjeçovit, me rastin e 95-vjetorit të vrasjes së tij nga armiqtë shekullorë të Kombit shqiptar. Ky propozim është bërë në një letër dërguar Ministrit të Kulturës të Republikës së Kosovës, zotit Hajrullah Çeku, në fillim të këtij viti nga Kryetari i Akademisë dhe Arteve Republikës së Kosovës, Akademik Mehmet Kraja, sipas linkut të bashkangjitur: U mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit (150-vjetori i lindjes)” – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ashak.org)
Siç duket, propozimi i Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, paska renë në veshë të shurdhër të enteve të tjera të qeverisë e shtetit, por edhe të enteve të tjera të interesuara të Republikës së Kosovës, pasi nuk është venë re ndonjë veprimtari kushtuar vitit të Shtjefën Gjeçovit me rastin e 95-vjetorit të vrasjes së tij nga serbët. Tani shohim se paskan dalë bosh përpjekjet prej pothuaj prej një vit të Akademisë dhe Arteve të Kosovës, për të përfshir ente dhe institucione të tjera shkencore dhe kulturore të Republikës së Kosovës, në organizimin veprimtarive kushtuar At Shtjefën Gjeçovit në 95-vjetorin e vrasjes së tij nga serbët. Thuhet se entet që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës shpresonte të bëheshin pjesë e këtij aktiviteti këtë vit, për të nderuar Shtjefën Gjeçovin, por që më në fund, duket se u tërhoqën, duke mos mbajtur premtimet, janë: Instituti Albanologjik, Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Prishtinës, Instituti i Historisë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore, Komuna e Prishtinës, Komuna e Lipjanit etj. Por në radhë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhej të ishte, sipas ekspertëve, enti kryesor bashkrendues përgjegjës. Sidoqoftë, siç duket, i vetmi aktivitet kushtuar 95-vjetorit të Shtjefën Gjeçovit nga serbët, u zhvillua me 14 tetor 2024, një organizim ky – në minutën e fundit – nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Me një organizim që të sjell në mend atë frazën popullore: “Më ka çu nana me la gojën”, u mbajt konferenca shkencore e quajtur “ndërkombëtare”, me titull: “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit. Por, pa mbështetjen zyrtare të enteve të lartëpërmendura, ndërsa pjesëmarrja duket, sipas fotografive, shumë e pakët, madje sipas disa burimeve, një numër folësish që kishin premtuar të merrnin pjesë, emrat e të cilëve ishin në program, as kishin ardhur.
Është e vështirë të merret me mend se në interes të kujt është që vepra dhe jeta e At Shtjefën Gjeçovit të “mbetet në heshtje për një kohë të gjatë” siç u shpreh edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja në fjalën e tij të mbajtur në konferencën shkencore me 14 tetor në Prishtinë. Nisma e Akademisë në fillim të këtij viti, për ta sjellë veprën dhe sakrificën e Gjeçovit në vëmendje të publikut në Kosovë, por edhe në Shqipëri, në 150-vjetorin e lindjes së tij nuk gjeti mbështetjen e nevojshme tek institucionet shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës, as të Shqipërisë. “Nuk e mbajtën fjalën të gjithë ata që na premtuan se do të bëheshin pjesë e kësaj devotshmërie dhe respekti për Gjeçovin dhe veprën e tij. Në mungesë të kësaj mbështetje, ne patëm vetëm një zgjidhje: përmes kësaj konference, t’i japim zë shkencor punës së vyer të Shtjefën Gjeçovit, duke hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së tij”, është shprehur Akademiku Mehmet Kraja në fjalën e tij në konferencën shkencore. Lexoni fjalën e plotë me këtë rast të Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Z. Mehmet Krajës, marrë nga portali i tij (facebook):

Akademiku Mehmet Kraja, duke mbajtur fjalën e rastit në konferencë...*
Akademiku Mehmet Kraja, duke mbajtur fjalën e rastit në konferencë…*

“Dua të them që në fillim se ne e zgjodhëm 14 tetorin për këtë konferencë kushtuar Gjeçovit (pra dita e vrasjes së tij), për të kujtuar me dinjitet jo vetëm kontributin e tij për dijen dhe kulturën tonë, si themelues i arkeologjisë shqiptare, ndër të tjera, por më shumë për të sjellë në vëmendje se historia mund t’u përsëritet atyre që nuk dinë të nxjerrin mësimet e vyera prej saj. Pra, duke vlerësuar lart figurën e Gjeçovit në këtë 150-vjetor të lindjes së tij, deshëm që ky vit në Kosovë të quhej vit i Gjeçovit, sa në shenjë respekti për veprën dhe kontributin e tij, po aq edhe për faktin se gjatë periudhës së shkuar Gjeçovit nuk iu bënë nderet e merituara për punët e vyera, si themelues tashmë i padiskutueshëm i arkeologjisë dhe etnologjisë shqiptare. Kishte një arsye “jopublike” që Gjeçovi të mbahej në një heshtje për një kohë të gjatë: ai u vra nga një shtet, pjesë e të cilit Kosova ishte deri para 25 viteve. Por, ajo që më bën përshtypje tani, është dijenia se mendësia e atij shteti që heshti dhunshëm Gjeçovin vazhdon edhe përtej kufijve kohorë të atij sundimi famëkeq. E them këtë jo pa mllef, sepse nisma e Akademisë për ta sjellë Gjeçovin në vëmendje të Kosovës në 150-vjetorin e lindjes së tij nuk gjeti mbështetjen e nevojshme tek institucionet shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës. Nuk e mbajtën fjalën të gjithë ata që na premtuan se do të bëheshin pjesë e kësaj devotshmërie dhe respekti për Gjeçovin dhe veprën e tij. Në mungesë të kësaj mbështetje, ne patëm vetëm një zgjidhje: përmes kësaj konference, t’i japim zë shkencor punës së vyer të Shtjefën Gjeçovit, duke hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së tij. Më anë tjetër, as në shtetin e Shqipërisë, Gjeçovi nuk gëzoi njohje, mbështetje dhe respekt, madje shpesh nuk iu njoh as merita e themeluesit të arkeologjisë shqiptare. Regjimi komunist nuk e deshi për tri arsye kryesore: ishte prift; ata që vriteshin në Kosovë, jo gjithmonë nderoheshin në Shqipëri; dhe e treta, nxori nga harresa Kanunin e Lekë Dukagjinit, kryeveprën e së drejtës zakonore shqiptare. Kanuni u identifikua me Gjeçovin dhe u konsiderua pengesa kryesore e shtrirjes dhe depërtimit të moralit dhe ligjeve komuniste në masat e gjera, në emër të emancipimit. Prandaj nuk është për t’u habitur që Kanuni, ndërsa në Kosovë u ribotua më 1972, në Shqipëri, pas botimit të parë më 1933, nuk njohu dritë botimi deri me rënien e socializmit dhe po ashtu nuk duhet të habitemi që një numër veprash në dorëshkrim të Gjeçovit, si drama, novela dhe përkthime nuk e panë ndonjëherë dritën e botimit.
Si përfundim, dua të theksoj këtu se Gjeçovi është rilindës, rilindësi më i rëndësishëm i Kosovës, me të gjitha atributet që i kanë burrat me mendjen më të ndritur të kombit shqiptar. Ai ishte i pari rilindës që zbuloi se jo vetëm idetë dhe fryma jolëndore mund të flasin shqip, por shqip mund të flasë edhe toka, edhe një terrakotë, edhe një kambanë e lënë në harresë. Ai po ashtu zbuloi se mund të jetë monument kulturor me vlerë të paçmuar edhe e drejta zakonore e kodifikuar, padrejtësisht e apostrofuar nga ideologjitë si pengesë e prosperitetit tonë kombëtar”. (Dr. Mehmet Kraja – fjala e tij në konferencën me rastin e 150-vjetorit të Shtjefën Gjeçovit, mbajtur në Prishtinë disa ditë më parë).
Unë e kam të vështirë ta marr me mend se kush janë personat, organizatat dhe entet zyrtare të shqiptarëve, qofshin ato edhe qeveritare, që vërtetë duan të hedhin në harresë veprën dhe kontributin e At Shtjefën Gjeçovit. Për më tepër pyes veten se pse? Besoj se në fjalën e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Dr. Mehmet Kraja hedh dritë mbi disa prej arsyeve se pse At Shtjefën Gjeçovi nuk gëzon mbështetje as njohjen e duhur, zyrtare, për veprimtarinë e tij – as në Kosovë e as në Shqipëri. I madhi Faik Konica ka thenë se, “Po, At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur…” – Duket se edhe Konica paska qenë i gabuar në parashikimet e tija se emri i Shtjefën Gjeçovit, “do vejë duke u rritur”, ndër shqiptarë. Përkundrazi, kam drojë se – duke gjykuar punët nga ky organizim i cunguar për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e Gjeçovit në 150-vjetorin e tij – jo vetëm që emri i Gjeçovit nuk po rritet ndër shqiptarët, por ai gradualisht, po hidhet në harresë, zyrtarisht, si shumë të tjerë, përfshi At Gjergj Fishtën – në përputhje të plotë me trashëgiminë sllavo-komuniste – që për fat të keq të Kombit – ende mbizotëron në (mos)trajtimin zyrtar të këtyre figurave të mëdha kombëtare, në korridoret vendimarrëse të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare. Vlerësimet më të mëdha, me këtë rast, për Akademikun Mehmet Kraja dhe për ata kolegë të tij që u përpoqën ta shënojnë në mënyrë të dinjitetshme 150-vjetorin e At Shtjefën Gjeçovit! Turp për të gjithë ata – në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar – që për 35 vite tani, vazhdojnë t’i trajtojnë këto figura kombëtare, si At Shtjefën Gjeçovi, në frymën më të shëmtuar të nostalgjisë ndaj regjimeve sllavo-komuniste në trojet shqiptare. Siç tha në fjalën e tij edhe Dr. Mehmet Kraja, përkujtime të tilla, siç është 150-vjetori i Gjeçovit, në mos për asgjë tjetër, atëherë duhet të shënohen, “më shumë për të sjellë në vëmendje se historia mund t’u përsëritet atyre që nuk dinë të nxjerrin mësimet e vyera prej saj.” Prandaj, Shtjefën Gjeçovi meriton më shumë se kaq!
Frank Shkreli

*(shpjegim i fotos) Akademiku Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke mbajtur fjalën e rastit në konferencën që siç duket – në mungesë të mbështetjes nga entet e tjera, u organizua shpejt e shpejt, në minutën e fundit. Kjo shihet nga mungesa e të pranishëmve në sallë madje edhe e disa ligjëruesve (24 gjithsej) emrat e të cilëve ishin në programin e konferencës për të folur, por siç duket nuk ishin prezent.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.